E premte, 19.04.2024, 04:24 PM (GMT+1)

Faleminderit

Arjana Qatipi: Nuk largohem nga TVSH-ja deri ditën që do të dal në pension

E hene, 27.08.2007, 09:16 PM


Arjana Qatipi
E thjeshtë, e qeshur, me intonacionin e zërit me të cilin na duket shumë familjare, teksa zbret shkallët e TVSH-së, Arjana Qatipi, na drejtohet e gatshme për të folur lidhur me jetën e saj në gazetari. Aspak e lodhur nga puna e saj prej dekadash dhe nga një mbledhje e përditshme, ajo tregohet e gatshme të na japë informacionin që ne kërkojmë mbi jetën dhe karrierën e saj. Duket disi e emoncionuar, pasi nga një gazetare gjithnjë në investigim dhe në marrje të informacionit nga të tjerët, kësaj radhe ajo kthehet në një protagoniste që duhet t u përgjigjet pyetjeve që i drejtohen. Më poshtë ajo rrëfen që nga nisja e karrierës së saj, vështirësitë e deri tek kënaqësitë që e ushqejnë me forcë dhe energji për të vazhduar edhe në një moshë jo shumë të re për të qenë një gazetare terreni.

Kur daton fillimi juaj në fushën e gazetarisë?
I përket viteve 74- 75 kur unë kam përfunduar shkollën e lartë, dega gazetari. Ka qenë një degë e preferuar nga unë që në fëmijëri. Ka qenë koha ime e gjimnazit kur unë pashë se ia thoja pak për të shkruar dhe përfundimisht vendosa që gazetaria është dega ime e preferuar. Në atë kohë ne kishim një lloj rregulli ku duhet të përcaktonim tri degë kryesore dhe e para nga këto ishte gazetaria për mua. Pra gazetaria fillon për mua si ëndërr dhe jo si realitet, pavarësisht se mbarova gazetarinë në vitet 74 - 75. Ishte e pamundur të filloja, për shkak të disa ngjarjeve politike të asaj kohe që prekën edhe familjen time. Kështu që unë u detyrova për rreth 13 vjet të punoja në Mirditë, jo në profesionin tim si gazetare, por ëndrra ime e gazetarisë rifilloi në vitin 89, kur unë fillimisht punova në Radio Tirana dhe pas një viti në Televizion. Qysh prej asaj kohe vazhdoj të punoj në televizion.

Cila ishte shtysa kryesore që u futët në rrugën e gazetarisë?
E kam pasur gjithnjë këtë dëshirë në tetëvjeçare dhe në shkollë të mesme, si një ndjenjë që fle diku brenda njeriut dhe çdokush mund ta ketë. Më pëlqente të isha dikush dhe gjithnjë kam thënë se unë, kudo që do të jem, do të jem dikush. M u duk se gazetaria ishte brenda natyrës sime... jam njeri kurioz si natyrë, kam dëshirë për informacion, dua gjithnjë t i jap përgjigje çdo pyetjeje që mund të më lindë rrugës kur merrem me diçka. Në fakt, jo vetëm kurioziteti, por edhe dëshira për të realizuar një ëndërr dhe për të treguar një lloj aftësie që kam pasur, duket se evidentoi pjesën që unë t i futem gazetarisë. Në atë kohë konkurrova për gazetari dhe fitova dhe, pavarësisht se për shumë vite nuk punova në profesionin tim, në një farë mënyrë e lidha jetën time me gazetarinë, duke nënkuptuar se, edhe atëherë kur nuk kam punuar si gazetare, kam kontribuar për një sërë aktivitetesh që kanë lidhje me këtë profesion, qoftë edhe duke shkruar ndonjë tekst të vogël diku. Pra kam qenë në një farë mënyre e prerë për të qenë gazetare, pasi gazetaria për mua është një aktivitet i jetës që e mban gjallë njeriun me arritjet e veta, por pse jo, edhe herë - herë me dështimet e veta. Pra ka qenë brenda ëndrrave të mia dhe m u realizua.

Cilat janë vështirësitë që keni hasur në këtë profesion?
E para vështirësi, që kuptohet që është mbase edhe më e madhja, është të qenit femër. Kjo është e vështirë, pasi do të përballesh në terren me lloj - lloj situatash. Po mundohem të kaloj pak në kujtesë në vitet e mëparshme, kur isha edhe më e re dhe vërej se të qenit femër të detyron shpeshherë që të pozicionohesh në situata të vështira, ndonjëherë edhe ofenduese, ndonjëherë edhe me pikëpyetje, nëse je apo jo një gazetare që mund të përballosh një situatë. Por kjo është pjesa e rinisë dhe e fillimeve, por ajo që është më e vështirë për mua është ajo kur një gazetare krijon familje. Është shumë e vështirë që të realizosh këtë detyrë që është e bukur, por e vështirë, duke qenë edhe nënë, edhe gazetare. Të qenit gazetare do të thotë që duhet të privohesh nga shumë gjëra që një nënë normale ka. Pra kur ti krijon një emër, patjetër do të futesh në ambiente ku do të fillojnë të diskutojnë, të jenë kuriozë deri në detaje, madje të trillojnë gjëra që, nëse nuk je e fortë, të rrëzojnë dhe ti duhet të çohesh përsëri, pra paragjykohesh si femër, jo gjithnjë je pranë familjes, jo gjithnjë je pranë bashkëshortit, nuk je në gëzime shpeshherë, në raste dhe aktivitete që do ti. Pra është një vështirësi e pafund. Të qenit femër të pengon shumë.

Duke qenë tek vështirësitë e të qenit gazetare, si e balanconi detyrimin tuaj profesional me detyrimet tuaja si bashkëshorte dhe si nënë?
Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, mbase edhe indirekt, se gjithnjë i kam kërkuar falje familjes sime, sepse unë nuk kam qenë gjithë kohës fizikisht prezente. Them kështu, pasi në çdo cep të Shqipërisë apo të botës të jesh, gjëja më minimale që duhet të mendosh janë fëmijët. Unë u kam hyrë në hak, pasi jo gjithnjë kanë pasur gatimin nga unë, jo gjithnjë shtëpia ime ka qenë shembullore, jo gjithnjë kam qenë me familjen time në festa e raste, pra ua kam privuar, në njëfarë mënyre dhe imponuar, që ata të jenë në gëzime familjare pa Arjanën, pasi Arjana mund të ndodhej diku në Konispol ose në Vermosh, ose ka qenë këtu, por duke rendur pas një ngjarjeje, pra s kam qenë aq sa duhet pranë familjes. Por duket se zoti më ka ndihmuar dhe atë dashuri të madhe që ka njeriu kur ndihet fajtor për diçka, si unë në një rast të tillë, të ma kompensojë në një marrëdhënie të mirë duke më dhënë një familje normale dhe shumë të mirë.

Ju shikojmë po aq aktive në televizion si edhe shumë vite më parë. Kjo do të thotë, në një farë mënyrë, se profesioni juaj ju ushqen me energji?
Është e vërtetë. Mua, nëse më ndodh që një ditë të mos kem një kronikë, për një arsye apo për një tjetër, s do të ndihem mirë. Dhe kjo është krejtësisht e kuptueshme që ti të mos ndihesh rehat pa bërë diçka kur nga 24 orë, rreth 18 orë ti i përkushtohesh punës. Kjo nuk ka të bëjë me ndërgjegjësimin, me atë pjesën e moralit që unë duhet të shkoj në punë, por ka të bëjë me faktin që puna të kthehet në një pjesë të jetës. Duke e lidhur punën time me ekranin, dua të them se nuk kam më ndonjë impresion nga të dalurit në ekran, të dëgjuarit e zërit, pasi kjo ndodh në fillimet kur dikush do të afirmohet, të bëjë një emër. Unë nuk mundem të rri pa bërë një kronikë. Mund ta them me plot bindjen se kjo mund të më duket si vdekja. Në qoftë se ka gjë që më mban gjallë dhe mendoj se më ka ndihmuar për gjithçka, ajo është puna, sepse është kënaqësia e takimeve dhe e diskutimeve me njerëz dhe këtë ta jep puna jonë si kënaqësi.

Fakti që vazhdoni në terren, do të thotë që keni një preferencë të veçantë për përballjen me komunitetet e ndryshme?
Njeriu është i çuditshëm, është shumë kompleks dhe e pyet veten çfarë arrita, çfarë bëra dhe çfarë nuk bëra, por mendoj se pjesa më e mirë e imja, që unë e vlerësoj, është ajo që unë pas shumë pak muajsh mbush 55 vjeç, çka nuk janë pak dhe ende vazhdoj të jem në terren. Jo se nuk kam pasur mundësi për të qenë jashtë terrenit, por terreni është jeta ime. Unë pa terrenin, vërtet do të kisha marrë fund në një kuptim figurativ. Terreni më jep energji, terreni më jep informacionin, terreni me jep lodhjen, më jep tempo- ritmin e përditshëm pa të cilin unë nuk jetoj dot. Nga vrapi që bëj në terren, e ndiej që edhe kur duhet të bëj një punë që kam kohë në dispozicion, unë i kam hapat e nxituar. Unë terrenin e kam dashur, e dua dhe nuk mund ta kuptoj gazetarinë në zyrë. Unë u jam larguar konferencave, që zakonisht të japin informacionin përballë, dhe kam preferuar të kem tema të lira, tema të cilat kërkojnë shumë punë në terren. Pa terrenin nuk e kuptoj gazetarinë.

Duke qenë ndër gazetaret e para të Televizionit Publik Shqiptar, ku konsiston kontributi juaj në median vizive shqiptare?
Këtë nuk di ta them, mund ta thotë dikusht tjetër, por mendoj që vërtet, pa qenë modeste, në vitet e para siç ishin ato 90, që ishte vetëm Televizioni Shqiptar, unë kam punuar shumë dhe guxova të prek tema tabu të asaj kohe. Tani quhet më se normale, por në atë kohë, të flisje për edukatën seksuale ishte e paimagjinueshme, të flisje për gjakmarrjen, të flisje për drogën ishte një tabu. Kur them të flisje, kam parasysh që të merrje personazhe dhe ti nxirrje në ekran, të flisje për planifikimin familjar, për AIDS-in, të merrje një personazh me HIV, ta nxirrje në televizion, si dhe shumë tema të tjera ku përfshihen një kategori njerëzish si të dënuarit, gratë e dhunuara e shumë të tjera, ishte tabu që pakkush kishte guxuar ta thyente. Mendoj që më tepër se sa ana profesionale, unë guxova. Megjithëse mbase emisionet që kanë trajtuar këto tema në atë kohë nuk janë bërë shumë shumë mirë, pasi gjithmonë hera e parë është e vështirë, dhe ka vend për t u rregulluar, por mjafton që të japësh diçka dhe të përballësh me teleshikuesin problematika që nuk mund t i mendoje, e jo më pastaj t i nxirrje në ekran. Sigurisht që shumë tema që unë i kam realizuar në atë kohë, po të jenë tani, mund t i bëj edhe më mirë, kjo për vetë faktin se një herë e parë është shumë punë, por jo cilësi. Mendoj se është meritë që unë guxova të përballem dhe t i bëj publikut me dije tema shumë të mprehta të shoqërisë shqiptare.

A keni menduar të largoheni ndonjëherë nga TVSH-ja?
Asnjëherë, ndonëse ofertat nuk më kanë munduar. Unë kam qëndruar këtu edhe në momentet kur ikën pjesa më e madhe e kolegëve të mi, por nuk mund t i gjykoj, pasi kanë shkuar për një rrogë më të mirë, për kushte më të mira, por unë mendoj se kjo është si ajo pjesa e dashurisë së parë që nuk harrohet, kjo është e para, e dyta, e treta dhe si i thonë asaj këngës nuk i dihet, por është vërtet një dashuri për mua.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora