Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edlira Dedja: Ermonela Jaho në majat e artit operistik

| E diele, 05.07.2009, 07:25 PM |


Ermonela Jaho dhe Edlira DEDJA - Lion, Francë
Ermonela Jaho dhe Edlira Dedja - Lion, Francë

Ermonela Jaho në majat e artit operistik


Nga Edlira DEDJA, Pianiste, presidente e « Opéra sans frontières » Zvicër

E paarritshmja, e mrekullueshmja Ermonela Jaho, sopranoja më e madhe shqiptare e të gjitha kohrave, me interpretimin e saj tronditës të Violetës në Operën Nacionale të Lyon-it,  i tejkaloi mbrëmë të gjitha sopranot e epokës së saj. "C'est la première fois que je retrouve Callas après des années..."- u shpreh një artiste e njohur zvicerane...

« Nga më të bukurat që kam dëgjuar, (interpretimet e Violetës,- shënimi im), me të vdekur e të gjalla, të marra së bashku! – u shpreh violinisti i madh shqiptar, Tedi Papavrami »

Mbrëmë, më 3 korrk 2009, në ora 20.00 është bërë transmetimi live i operës « La Traviata » të G.Verdit, me regji të Klaus Michael Grüber  në 39 vënde të botës si dhe është transmetuar me ekrane gjigande në disa qytete të Francës (Chambéry, Grenoble, Saint-Etienne, Valence, si dhe në festivalin « Les Nuits de Fourvières » në Lyon). Protagonistja kryesore e kësaj opere ka qënë sopranoja më e suksesshme shqiptare e kohëve të fundit, Ermonela Jaho. Ky eveniment i rrallë artistik është ndjekur nga miliona telespektatorë, të befasuar nga interpretimi magjepës dhe suksesi marramendës i këtij talenti të rrallë shqiptar, që në një kohë rekord i pushtoi skenat më të mëdha ndërkombëtare si Metropolitan Opera e New York-ut, Covent Garden-Londer, La Scala-Milano, Staatsoper-Berlin, Opernhaus-Zürich, Opera Bastille-Paris, Opera në Filaderfia, Toronto, Helsinki, etj., duke u radhitur menjëherë në vëndin e nderit midis sopranove më të njohura të epokës.

Vetëm kanali i njohur MEZZO classic numëroi mbrëmë reth 20 milionë telespektatorë që e ndoqën këtë transmetim direkt nga Opera Shtetërore e Lyon-it. Për këtë arsye, ata vendosën ta ritransmetojnë edhe dy herë të tjera suksesin e jashtëzakonshëm të sopranos shqiptare, në datat 11 korrik  (ora 17.00) dhe 23 korrik 2009 (ora 10.00).

Ermonela Jaho, që e këndonte për të njëqindën here këtë opera të G.Verdit, mbas triunfit të saj të padiskutueshëm me të njëjtin rol në “Metropolitan Opera” të New Yorkut e “Covent Garden” të Londrës, u prezantua edhe kësaj here përpara publikut francez në fillim të sezonit veror 2009, në Operën Nacionale të Lionit.

Drejtuesja e emisionit të MEZZO clasic e nisi me këto fjalë prezantimin e Ermonela Jahos:  « Sopranoja e re  shqiptare e ka kënduar fillimisht rolin e Violetës në moshën 17-vjeçare. Në vitin 2005, « Traviata » e saj e parë në operën e Marsejës do të parapregatiste triumfin që pati në janar të 2008-tës në Covent Garden të Londrës, ku ajo zëvëndësoi Ana Netrebkon. Një prezencë manjetike dhe një zë hyjnor : kjo grua e re mishëroi një Violetë të paparë deri më sot, duke alternuar vokalin e saj të mrekullueshëm me forcën e saj të pakrahasueshme të interpretimit. »

Ndërsa dirigjenti Gérard Korsten u shpreh se kishte fatin të prezantonte përpara publikut francez një këngëtare-aktore të cilësisë më të rrallë. Interpretimi i saj karakterizohej nga një forcë shprehëse spontane dhe natyrale, e cila e bënte për vehte menjëherë spektatorin që në skenën e parë të operës. E më pas, zëri i saj sensual mbushej pak nga pak me thellësinë lirike e dramatike të veprës, veshur me emocione dhe një feminitet të rrallë, duke shprehur instiktet më të holla dhe më të thella të personazhit. E po ashtu, me një shqiptim të shkëlqyer të gjuhës italiane…

Një imazh, mbase një imazh i vetëm për të ilustruar “Traviatën” e Ermonela Jahos ! Me rolin e Violetës ajo mbrrin majat e artit të saj : që në paraqitjen e parë të saj në skenë, ajo do të dalë e dërmuar nga kjo lojë diabolike, krijuar prej A.Dumas-it,  veshur me tingujt hyjnorë dhe të papërsëritshëm të muzikës së Verdit…Një imazh, mjafton një i vetëm për të ilustruar « Traviatën » : Ermonela Jaho, më tronditësja, më e zjarrta, më njerëzorja, thjesht njerëzorja e të gjitha heroinave të tij…

Timbri i saj i ndritshëm dhe harmonik transmetoi emocione të forta, alternuar me një lojë të brishtë e njëkohësisht  sensuale, tronditëse për publikun që e shoqëroi me ovacione të gjata daljen e saj në skenë në fund të çfaqes.

« Addio del passato” e saj në aktin e fundit mishëroi me vërtetësinë më të madhe vdekjen që trokiti në derë, lamtumirën e ditëve të arta të rinisë dhe Ermonela Jaho, edhe një herë tjetër e tërhoqi me vete të gjithë audotorin, spektatorët dhe telespektatorët që e ndiqnin, deri në thellësitë më intime të kësaj drame romantike, duke përcjellë emocionet e gjalla të dhimbjes më të thellë. Ajo u ngrit sublime në notat e fundit të operës, me duart që i vibronin nga dhimbja, ngashërimat dhe spazmat e brëndshme, duke krijuar përshtypjen se u shua në skenë, së bashku me personazhin e saj.

Do të ishte e udhës që edhe telespektatori shqiptar të njihej me këtë eveniment artistik të përmasave botërore, mbasi do të ndihej krenar dhe i nderuar për respektin dhe adhurimin e madh që po i bëhet këto ditë artit dhe kulturës shqiptare nëpërmjet talentit dhe interpretimit të pakrahasueshëm të Ermonela Jahos. Nëpërmjet artit të saj të madh, ajo ka nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, në këto momentet kyçe kur vendoset fati dhe e ardhmja e vëndit të saj. Ermonela Jaho ka qënë mbrëmë ambasadorja më e denjë e kombit e saj, duke e bërë të vibrojë ndërgjegjen europiane nëpërmjet forcës së saj të interpretimit, që buron nga kultura e lashtë e popullit të saj.

Sot kam marrë me dhjetra mesazhe urimi nga artistë të njohur ashtu si edhe nga qytetarë e artdashës të huaj, të cilët e kanë ndjekur mbrëmë transmetimin televiziv.

E paarritshmja, e mrekullueshmja Ermonela Jaho, sopranoja më e madhe shqiptare e të gjitha kohrave, me interpretimin e saj tronditës të Violetës në Operën Nacionale të Lyon-it,  i tejkaloi mbrëmë të gjitha sopranot e epokës së saj. "…Për herë të parë, pas kaq vjetësh e pashë Callas-in të ringjallur përsëri në skenë..." – u shpreh nje piktore e njohur zvicerane.