E enjte, 28.03.2024, 02:47 PM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin, kompozitorin, poetin dhe publicistin, Demir Krasniqi

E shtune, 04.07.2009, 12:00 PM


Intervistë me këngëtarin, kompozitorin, poetin dhe publicistin, Demir Krasniqi

‘’Shpirti shqiptar ishte i lirë vetëm gjatë nëntë muajve sa ishte në barkun e nënës’’

Nga Gëzim Marku - Zemra Shqiptare

Shënime biografike për pedagogun, këngëtarin, kompozitorin, poetin, mbledhësin e folklorit, publicistin dhe gazetarin: DEMIR KRASNIQI

U lind më datën 10 Shkurt 1950, në fshatin Tugjec të Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës.
Gjatë jetës së tij, ka ushtruar këto profesione:
-Pedagog i kulturës muzikore me një përvojë rreth dyzet vjeçare në shumë shkolla fillore e të mesme të Kosovës.
-Këngëtar dhe rapsod popullor, i cili duke filluar që nga viti 1968, si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ka dhënë një bagazh shumë të madh in
çizimesh me qindra këngë dhe albume të ndryshme muzikore, duke filluar nga shiritat e celuloidit, disqeve të gramafonit, audio kasetave, video kasetave, kompakt disqeve, DVD- ve etj.
Si këngëtar dhe rapsod popullor, përveç mijëra dasmave e gëzimeve familjare gjithandej trojeve etnike shqiptare, përveç shumë koncerteve e festivaleve vendore, ka qenë katër herë përfaqësues i këngës kosovare në festivalet ndërkombëtare.
Më 1996, ka qenë i vetmi përfaqësues nga Kosova, në Koncertin festiv mbarëkombëtar me karakter fetar në Shkodër.
Me rastin e Jubileut të 100- vjetorit të Kongresit të Alfabetit, më 15 Nëntor 2008, ka qenë i vetmi përfaqësues – kantautor nga Kosova.
-Kompozitor i më se 2000 këngëve dhe valleve në frymën e melosit tradicional popullor burimor. Është autori i këngës së parë kushtuar UÇK-së, me titull:”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, e botuar me tekst poetik dhe notal në të përditshmen “GAZETË E RE SHQIPTARE” në Prishtinë, më datën 17 Nëntor 1998, faqe 16.
-Krijues poetik i mijëra poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore.
-Mbledhës i pasionuar i folklorit burimor muzikor shqiptar, i cili deri më tani ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 4000 këngë të llojeve të ndryshme gjithandej trojeve etnike shqiptare.
-Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike nëpër shumë gazeta, revista dhe agjenci të ndryshme të internetit.
-Është radio-gazetar dhe gazetar hulumtues i diplomuar, profesion ky që e ka ushtruar në shumë mediume publike elektronike dhe të shkruara, e që edhe sot punon palodhshëm në këto lëmi .
Deri më tash, ka publikuar këto vepra autoriale:
1. “Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993,
2. “Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”(monografi)-Prishtinë,1995,
3. “Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
4. “Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
5. “Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
6. “Këngë krismash lirie I” – Gjilan, 2003,
7. “Këngë krismash lirie II” – Prishtinë, 2003,
8. “Familja Kurti nga Tugjeci “ (monografi) – Prishtinë, 2004,
9. “Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë , 2005,
10. “Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
11. “Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë ,2005,
12. “Kroi i këngës “- Gjilan, 2006,
13. “Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
14. “Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 dhe
15. “Diell lirie” – Gjilan, 2008.

Librin voluminoz me titull:”LIRIKA POPULLORE E GOLLAKUT”, në të cilin ka punua plot 40 vjet dhe që përbëhet prej 1216 këngëve popullore të mbledhura nëpër fshatra të Malësisë së Gollakut, e ka të gatshëm për botim në CD, por që askush deri më tash nuk ia ka zgjatë dorën e ndihmave, për ta botuar këtë thesar kaq të çmueshëm popullor?!
Jeton, punon dhe krijon në Gjilan.
Motoja e punës dhe krijimtarisë së tij, është:
“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!

Intervista

FËMIJËRIA

GM: Të gjithë shqiptarët në përgjithësi kanë pasur fëmijëri të vështirë. Komb plot plagë udhëve të vështira të ekzistencës. Si do e përshkruante fëmijërinë dhe rininë e hershme, Demir Krasniqi?

DK: Së pari, kam kënaqësinë, nderin, respektin dhe privilegjin që mu dha rasti të intervistohem nga “Zemra Shqiptare”, të cilën unë e dua shumë dhe e lexoj përherë me ëndje e dashuri. Dëshiroj që t’i përshëndes dhe falënderoj nga zemra stafin drejtues të “Zemrës Shqiptare”, të gjithë bashkëpunëtorët dhe lexuesit e saj të respektuar.

Sa i përket pyetjes konkrete, për fëmijërinë dhe rininë time të hershme, si çdo shqiptar tjetër, edhe unë mund të shkruaj romane për atë të kaluar.
Fëmijëria ime, ka qenë shumë identike me personazhin e Lulit të Vocërr të Migjenit . Kam lindur  më datën 10 Shkurt 1950 dhe jam rritur në një shtëpi – kasolle të mbuluar me kashtë vetëm me dy dhoma, në fshatin Tugjec të Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës. Familja ime ka qenë e rreshtuar ndër familjet më të varfra të fshatit, e cila shumë herë është ndihmuar me veshmbathje e ushqime nga Kryqi i Kuq dhe të afërmit tjerë.
Unë nuk kam pasur lodra të lojës, sikur fëmijët tjerë, por lodra ime ka qenë shkopi i bariut të cilin ma dhanë në duar posa i mora hapat e parë të ecjes drejt jetës. Në familjen time ka munguar gjithçka e nevojshme për jetë, por mbi të gjitha , ka munguar ushqimi dhe veshmbathja . Jemi rritur me bukë të thekrës, elbit e më rrallë të misrit. Bukë të grurit kemi mund të kemi në sofër vetëm për festat e bajrameve dhe netëve të qirave !
Deri në mbarim të shkollës së plotë fillore, mbi trupin tim nuk ka pasur rroba të veshura prej pëlhurës së pambukut, por nëna ime (ndjesë pastë) , mi qepte disa lloj pantollash prej pëlhurës së konopit dhe pëlhurës së leshit, që quhej “Xhypeta”. Edhe çantën për libra e fletore e kam pasur prej leshit të deleve dhe konopit. Këpuca në këmbët e mia nuk ka pasur të mbathura deri në vitin e –III- të shkollës së mesme të muzikës!
Këto kushte kaq të rënda, nuk më kanë penguar aspak që unë të jem gjithmonë nxënës shembullor dhe i dalluar në shkollë, si në mësime, ashtu edhe në të gjitha aktivitetet e lira shkollore, si: sport, punë dore, vizatim, hartime , këndim, recitim, aktrim, por edhe në të gjitha lëndët tjera mësimore.
Prirja dhe talenti im i veçantë në lëmin e muzikës dhe këndimit, shumë shpejt iu ra në vesh mësuesve të mi, nxënësve të shkollës dhe të gjithë banorëve të asaj Malësie. Ishte e pa mundur që të organizohet ndonjë program kulturor në shkollë, e të mos jem unë bartës i shumë aktiviteteve. Ishte e pa mundur që të organizohej në fshat ndonjë ndeje miqësore, dasmë, apo aheng e të mos jem unë aty prezent me këngët e mia.
Qysh kur isha nxënës i klasës së VI-të fillore, më 1964, në Kamenicë u organizua një manifestim kulturor “Mikrofoni është i juaji”, ku në mesin e 74 copë fshatrave, unë u shpërbleva me Vendin e Parë të Jurisë Profesionale. Dhe për të gjitha këto suksese, përveç punës, talentit dhe zërit tim, i jam mirënjohës i përjetshëm mësuesit tim të ndjerë, Rexhep Bunjakut nga fshati Poliçkë, i cili ishte violina e parë në Malësinë e Gollakut dhe udhërrëfyesi më besnik i rrugëtimit tim drejt profesionit tim jetësor , pra Kulturës Muzikore.
Qysh si i ri, krahas shkollimit të mesëm profesional të muzikës në Prishtinë, në moshën 18 vjeçare, i nënshtrohem provimit – audicionit profesionist, ku pranohem si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, nën përkujdesjen permanente të kompozitorit, pedagogut dhe melografit të parë kosovarë – Lorenc Antonit.
Po në këtë moshë, pra më 1968, përveç shumë këngëve të inçizuara për programet e Radio Prishtinës, kam publikuar diskun e parë të gramafonit, me titull: ”Kushtrimi i Skënderbeut”, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, disk ky, që atë botë e pati pushtuar zemrën e çdo shqiptari kudo në botë dhe është shitur në më se 350.000 ekzemplarë, çka i pati thyer të gjitha rekordet e shitjes së diskografisë muzikore shqiptare.

KARRIERA

GM: Ju nuk jeni vetëm një këngëtar dhe rapsod popullor. Keni ushtruar profesione të ndryshme, si pedagog, kompozitor, publicist, poet, gazetar etj.
Jeni shquar edhe për mbledhjen e folklorit burimor shqiptar, por në këtë pikë do doja të përqendroheshim tek fillimet dhe karrierën tënde si këngëtar...

DK: Pra, karriera ime prej këngëtari popullor , zyrtarisht ka filluar prej vitit 1968 e këndej , ku deri më tash, kam incizuar shumë këngë në Radio Prishtinë , në Radio Gjilan (më vonë), në shumë Radiotelevizione të vendit, shtëpi botuese diskografike, ku kam publikuar më se 100 albume muzikore me këngë e valle popullore shqiptare , por edhe këngë të cilat i kam thurë e kompozuar unë vet , po në frymën popullore .
Kam marrë pjesë në shumë koncerte, festivale kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare . Si këngëtar dhe rapsod popullor, kam marrë pjesë nëpër dasma e ahengje të ndryshme familjare, në të gjitha viset dhe krahinat shqiptare nën kufijtë administrativ të ish Jugosllavisë, që nga Manastiri e deri te Ulqini, Plava, Gucia, Medvegja, Presheva, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e më vonë edhe në Shqipëri .
Krahas albumeve të ndryshme muzikore , deri më tash kam botuar gjithsejtë 15 vepra (libra) origjinale ku kam përfshirë vetëm një pjesë të krijimtarisë sime muzikore.

Jeni themelues dhe drejtues i shumë grupeve, ansambleve dhe shoqërive artistike, në të gjitha shkollat dhe vendet ku keni punuar dhe jetuar. Lexuesi ynë do të mirëpriste diçka më të detajuar...

DK: Qysh kur isha nxënës i shkollës së muzikës në Prishtinë, kah fundi i viteve të 60-ta, themelova Grupin Vokalo – Instrumental “Vëllezërit Krasniqi”, pastaj ky grup u zgjerua me më shumë anëtarë dhe ia ndërruam edhe emërtimin “Vëllazëria”.
Fill, pasi që u pranova si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ky grup komplet iu bashkëngjitëm Ansamblit Vokalo – Instrumental “Çiftelia”, që vepronte në kuadër të Radio Prishtinës, nën përkujdesjen artistike të Redaktorit të muzikës dhe etnomuzikologut të parë kosovar – Lorenc Antonit.
Në vitin shkollor 1970/71, për herë të parë e mora në duar ditarin për të punuar si pedagog i kulturës muzikore në shkollën fillore të fshatit tim – Tugjec. Po atë vit, krahas punës edukativo – arsimore, menjëherë e themelova Shoqërinë Kulturo Artistike “Shpresa e Malësisë” me të gjitha seksionet artistike . Gjatë asaj kohe, kam ndihmuar në themelimin dhe konsolidimin e SHKA “Idriz Seferi” në Zhegër të Gjilanit, si dhe herë pas here, kam ndihmuar edhe aktivitetet e SHKA “Bajram Shabani” të Kumanovës.
Më 1974, kam themeluar Grupin Muzikor “Zenel Hajdini” në shkollën fillore “Zenel Hajdini” të Prishtinës dhe po atë vit, kam themeluar SHKA “KOSOVA” të qytetit në Prishtinë.
Prej vitit 1977 – 80, kam punuar si pedagog muzikor në shkollat fillore të fshatrave:Slivovë, Llabjan, Novo Bërdë dhe Viti e Marecit, ku krahas punës edukativo arsimore, kam themeluar grupet muzikore të emërtuara sipas emrave të shkollave.
Në Burgun e Smrekonicës,më 1981, kam themeluar SHKA “FLAKA E VËLLAZËRIMIT”, të cilën e kam drejtuar plot dy vjet dhe kemi dhënë një varg koncertesh nëpër burgjet tjera të Kosovës.
Më 1987,88 kam zhvilluar aktivitete të dendura kulturore në bashkëpunim me Ansamblin e Vëllezërve Haliti nga Hasan Begu i Shkupit.
Në Gjilan, kam themeluar Ansamblin muzikor “Xhevahirët”, pastaj Ansamblin Folklorik “Shahiria”, SHKA “DITURIA”, Ansamblin “KRASNIQJA”, Ansamblin e Këngëve Qytetare “QAMILI I VOGËL”, si dhe në të gjitha shkollat fillore e të mesme ku kam punua si pedagog muzikor, kam themeluar grupet artistike në kuadër të atyre shkollave.

GM: Ishit përfaqësues i Kosovës në përvjetorin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kombit tonë, në 100 vjetorin e Kongresit të Alfabetit në Manastir “Zëri i Alfabetit 2008”. Keni për të shtuar diçka për këtë datë historike, si dhe për këtë organizim mbarëkombëtar?

DK: Pjesëmarrjen time, si këngëtar – përfaqësues i vetëm nga Kosova, në këtë ngjarje të madhe historike dhe kulturore të kombit shqiptar, e konsideroj si njërin ndër privilegjet më të mëdha të karrierës sime, prej këngëtarit popullor.
Krahas miqve dhe adhuruesve të shumtë besnik të këngës sime që i posedoj në qytetin e Manastirit dhe mbarë qytetet tjera shqiptare të Maqedonisë, në rend të parë, këtë privilegj ma ka krijuar puna ime e pareshtur dhe e pa epur , nga se vetëm për qytetin e Manastirit, deri më tash i kam thurë, kompozuar dhe incizuar 4 këngë me përkushtime të ndryshme .
Sa i përket qytetit të Manastirit, historisë së tij dhe atyre pak shqiptarëve që kanë mbetur  atje, mund të them se secili njeri që ka një gram gjak shqiptari në trupin e tij dhe që e viziton ndonjëherë këtë qytet muze dhe djep të kulturës shqiptare, nuk mund të del prej Manastirit, për pa iu la faqet me lot , po qe se e shikon këtë qytet me një sy vështrimi në të kaluarën e tij dhe atë që mund të shihet sot.
Edhe pse isha dhe jam krenar që pata nderin dhe privilegjin që të këndoj në këtë qytet për 100 vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me keqardhje më duhet ta them se nga ky Manifestim i madh jubilar, jam nda i zhgënjyer nga ana institucionale e organizimit të këtij manifestimi.
Them kështu, për këto arsye: - Financimin e këtij Manifestimi, nuk e kishin ndihmuar Ministritë e Kulturës së Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi...Pjesëmarrja e këngëtarëve , grupeve dhe ansambleve muzikore, nuk ishte e pranishme nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Mjetet e informimit publik, sidomos ato elektronike, nuk ishin të pranishme me kamerat e veta, për ta regjistruar këtë Manifestim kaq të madh kombëtar, me përjashtim të Kanalit të Dytë të Radiotelevizionit të Shkupit?!

GM: Gjatë karrierës tënde 40 – vjeçare, keni marrë pjesë në qindra dasma dhe gëzime familjare. Me zërin tuaj keni uruar qindra çifte në ditën më të bukur të jetës së tyre.
Si ndjehet një këngëtar në ditën e lumtur të njerëzve?

DK: Në dasmat, gazmendet, gëzimet më të bukura të jetës së njerëzve, këngëtari popullor është strumbullari dhe kurorëzuesi i të gjitha gëzimeve familjare. Ai është zëdhënësi publik  i të gjitha gëzimeve, kurorëzues i të gjitha dëshirave dhe ambasador i vërtetë e ngjarjeve kulturore familjare. Krahas çifteve të reja të cilët lidhin kurora dashurie për një jetë të tërë, krahas prindërve dhe familjarëve të dy të rinjve që do të bashkohen për të filluar një jetë krejtësisht të re, këngëtari popullor është bashkëpjesëmarrës i të gjitha këtyre gëzimeve dhe zemra e tij rrahë gëzueshëm barazi me familjarët e çifteve të reja. Ato momente gëzimi,nuk mund të përshkruhen me fjalë, por këngëtari mundohet që përmes këngës e melodisë t’ a jap tërë fuqinë e vet artistike, në mënyrë që ajo dasmë të shënohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nuk ka ma kënaqësi për këngëtarin popullor, se sa kur pas shumë vitesh, do të takohet me fëmijët e çifteve bashkëshortore të cilëve iu ka kënduar në ditën e martesës dhe fëmijët e tyre, të afrohen, të përqafojnë dhe të nderojnë me shpirt e me zemër, duke të thënë:”Ti, je ai këngëtari që ke kënduar në dasmën e martesës së babës dhe nënës sime!”

GM: Si publicist, jeni autor i shumë punimeve shkencore nga fusha e etnomuzikologjisë shqiptare. Është një kontribut tjetër për kulturën tonë...

DK: Fusha e etnomuzikologjisë shqiptare, është një oqean i pa fund i trashëgimisë sonë popullore. Sado që kemi disa emra personalitetesh të dëshmuara në studimin, vjeljen dhe kultivimin e këtij thesari, prapë se prapë kjo nuk është e tëra . Secila krahinë shqiptare, secili qytet, secili fshat i ka begatitë dhe vlerat e veta autoktone të trashëgimisë kulturore, çka është një bagazh i cili duhet vjelë , ruajtur e studiuar . Por, fatkeqësisht  këto hulumtime dhe studime nuk janë bërë në masë të kënaqshme .Ato vlera të trashëguara e të kultivuara ndër shekuj, tani më po na humbin dhe po na tretën si shkuma e detit, nga se kohët po ndryshojnë, traditat po ndryshojnë, fshatrat rurale po zbrazën dita me ditë, rinia po na ikën në kurbet dita me ditë dhe gjërat e vlefshme kam frikë se do të na humbin.
Bie fjala, vetëm në Malësinë e Gollakut, e cila administrohet nga 6 njësi komunale, ka pasur një thesar shumë të begatshëm dhe të çmueshëm të trashëgimisë kulturore dhe asaj etnomuzikologjike. Në këtë Malësi, nuk dihet se a ka shkelur ndonjëherë këmba e ndonjë studiuesi – etnomuzikologu, prandaj edhe kanë humbur shumë vlera, të cilat kurrë nuk do të mund të kompnezohen .
Me mundin, angazhimin dhe mundësitë e mia modeste, nga kjo Malësi, kam arritur që t’i mbledh, t’ i shënoj dhe t’ i ruaj hiq më pak se 1216 këngë të dasmave të Gollakut, të cilat i kanë kënduar dikur femrat e kësaj Malësie. Këtë thesar të çmueshëm e kam mbledhur gjatë 30 vjet pune të pa reshtur , por sot, edhe pse i kam të gatshme për shtyp që të gjitha dhe nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi personal për punën dhe mundin tim, askush nga institucionet tona legale, nuk e ka treguar as minimumin e vullnetit për të më ndihmuar në botimin dhe publikimin e tyre!

GM: Jeni Radio – gazetar i diplomuar dhe Gazetar hulumtues i diplomuar. Diçka më shumë në lidhje me këtë profesion...

DK: Me gazetari kam filluar nga kureshtja që të merrem qysh i ri. Herë pas here kam shkruar tema e artikuj të ndryshëm, në veçanti për kulturën në disa gazeta e revista periodike. Që atëherë, nuk më ka ndodhur kurrë , që të dërgoj punimet e mia në ndonjë redaksi, e të mos më botohen. Kjo më kurajonte dhe më jepte forcë që të besoj në aftësitë e mia për të shkruar. Kam botuar me qindra artikuj e tema të ndryshme, në shumë redaksi, gazeta ditore, revista dhe vazhdoj të shkruaj aktivisht edhe sot.
Kontributin tim më të madh jam munduar që ta jap në fushën e kulturës, traditave dhe etnomuzikologjisë shqiptare, nga se konsideroj që ka një problematikë të pa shtjelluar sa duhet në këtë drejtim.
Si Radio – gazetar, kam drejtuar dhe moderuar një varg emisionesh kulturore nëpër disa mediume publike elektronike, me karakter lokal, por edhe qendror. Gjithashtu, në lëmin e Gazetarisë hulumtuese, kam hulumtuar shumë tema e probleme aktuale, që deri më tani kanë qenë tema të pa prekura dhe tabu për mjetet e informimit publik.
Mirëpo, Gazetaria hulumtuese tek ne, ende është e brishtë, nuk përkrahet, nuk stimulohet, madje as nuk  mbrohet nga ana e instrumenteve ligjore. Pra, ende konsiderohet si një gazetari shumë e rrezikshme, e cila do sakrifica, guxim dhe vendosmëri.
Problemi më i madh që është prezent në të gjitha mediumet publike të shkruara dhe elektronike, anë e kënd Kosovës, por edhe në rajon, është fakti se gazetarët nuk kanë mbrojtje institucionale dhe janë të diskriminuar totalisht nga e punëdhënësve të tyre. Pas përfundimit të luftës, çdo kujt iu dha mundësia që të hapë radio e televizione private pa kurrfarë kriteresh profesionale, as koncepte programesh. Ata (shumica prej tyre janë gjysmë analfabet) për faktin se kanë pasur para, kanë hapur mediume të pavarura, mu sikur kërpudhat pa shiut, të nxitur nga lakmia e karrierës dhe përfitimeve materiale.
Të tillët, i diskriminojnë gazetarët dhe punëtorët e tyre, duke i keqpërdorur dhe keqtrajtuar deri në shpirt. Asnjëri prej tyre, nuk iu lëshon punëtorëve kontrata pune me shkrim, madje nuk kanë as se si të mbrohen me ligj. Zakonisht, marrin të rinj e të reja, kinse në punë provuese, të cilët në emër të “kurseve” i shfrytëzojnë nga 6 muaj, pa kurrfarë pagese, as stimulimi dhe pasi që t’ i shtrydhin mirë si limonin, i hedhin në rrugë, për t’i marrë në punë të rinjtë tjerë! Kështu që, gazetarët profesionist, nuk kanë shans as të afrohen tek dyert e mediumeve!

GM: Keni kënduar këngën tonë patriotike, për heronjtë tanë dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve, për lirinë dhe gjithçka tjetër, duke rrezikuar më të shtrenjtën, jetën. Ata që e duan këngën tënde dhe kombin, sigurisht që të janë mirënjohës, por do doja të dija nëse këtë mirënjohje e ka shprehur edhe shteti, klasa politike e Kosovës?
Apo “mirënjohja” më e madhe ka qenë përjashtimi nga puna me akuzën e “çuditshme” të patriotizmit dhe nderimit të dëshmorëve të kombit?

DK: Gjatë periudhës së sundimit totalitar komunist të pushtetit serbo-jugosllav, në çdo hap, lëvizje, ndeje shoqërore, dasmë, koncert... kam qenë i përcjellë dhe i incizuar në mënyrat më qyqare tinëzare, nga ana e opingave shqipfolëse – bashkëpunëtorë të UDB-së, të cilët maskoheshin në mënyrat më perfide para meje dhe para masës, për t’iu hy në hatër pushtetarëve sllavo- komunist. Të tillët, herë visheshin si barinj, herë si lypsarë e herë si patriotë! Mbi cep të syrit , i vënin plisat e bardhë. Mustakët i lëshonin vesh me vesh. Në dasma, ndeje e gazmende , vinin me pushkë në krah, apo revole dhe me nga një çantë fishekë . Në çantën tjetër, merrnin magnetofonat dhe incizonin këngët që i këndonim ne nëpër dasma. Ata, porositnin këngë me tematikë nacionaliste dhe tërë kohën na shoqëronin me të shtëna armësh nëpër tavanet e odave të dasmorëve! Ende pa përfunduar dasmat, ata i merrnin magnetofonat dhe shkonin drejt e në UDB-e, ku ua dorëzonin materialet e incizuara UDB-ashëve të Sigurimit Shtetëror Serb. Këto ishin lëvdatat dhe mirënjohjet shtetërore për këngëtarët popullor.
Pas përfundimit të luftës dhe me demokratizimin e vendit, për këngëtarët popullor tradicional, linden disa shpërblime dhe mirënjohje tjera publike:- Shumë prej këngëtarëve u rrahën fizikisht nëpër dasma , hotele e restorante nga ana e grupeve rivale të cilët i detyronin me dhunë këngëtarët që të këndojnë sipas shijeve dhe apetiteve të tyre politike! Në rastet kur këngëtarët i këndonin ndonjë lideri partiak, apo ushtarak – pala tjetër protestonte dhe i rrihte këngëtarët para grave dhe burrave dasmorë!
Sa i përket punës dhe kontributit tim në lëmin e këngës dhe krijimtarisë muzikore, nga ana institucionale shtetërore, deri më tani i vetmi nderim që më është bërë, është Koncerti i 40- vjetorit të punës dhe krijimtarisë sime muzikore, që u organizua më 27 Nëntor 2008, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, nga ana e Drejtorisë për Kulturë dhe Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Por, shpërblimin dhe mirënjohjen më të madhe për punën time 40-vjeçare, ma dha Drejtoresha e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan, zonja Bahrije Millaku – Veseli, e cila më hodhi në rrugë pas 38 vjet përvojë pune në arsim, si shpërblim për këngët e mia patriotike e kombëtare, të cilat ua kam mësuar nxënësve të mi në aktivitetet e lira shkollore!

GM: Librat dhe albumet muzikore, nuk i keni shitur, por dhuruar adhuruesve të këngëve të tua dhe kultivuesve të këngës popullore shqiptare. Ky akt human ka ndikuar në zgjerimin e gjeografisë së këngës tënde, por xhepit s’i ke bërë ndonjë nder...

DK: Po. Është e vërtetë se librat dhe albumet e mia ua kam falur edituesve dhe ua kam dhuruar adhuruesve të këngëve të mia. Këtë akt, e kam bërë me të vetmin qëllim: që kënga shqipe të shpërndahet gjithandej ku ka shqiptarë, pa e komercializuar asnjëherë në jetën time.
Për këtë, më ka frymëzuar këngëtari ynë legjendar – Qamili Vogël (Muahxhiri), i cili për moto të punës dhe të këngës së tij kishte këtë thënie:
“Nëse këndon për fytyrë – nuk do të kesh para! Por, nëse këndon për para – nuk do të kesh fytyrë!”
Unë, që me kohë jam përcaktuar që terë krijimtarinë time muzikore dhe këngën time, t’ ua afroi popullit tim për fytyrë , e jo për para! Andaj, nga kjo moto, kam ngelur ndoshta këngëtari dhe krijuesi më i varfër shqiptar , i cili nuk ka përfituar as para, as pallate, as veturë  e as biçikletës nuk di me i grahë !
Gjithmonë kam qenë dhe jam kundër atyre që e komercializojnë këngën, e në veçanti jam kundër atyre të cilët kanë bërë dhe po bëjnë biznes muzikor me dëshmorët, heronjtë, martirët dhe viktimat e luftës sonë çlirimtare , ku familjarëve të tyre ju kanë marrë para prej 10.000 deri në 20.000 Euro, për t’ ua përkushtuar një këngë për të rënit e tyre në luftë për lirinë e atdheut! Unë, me krijimet e mia, nuk kam mundur e as nuk mund ta bëjë këtë gjest , për as një çmim në jetë.
Pasuria më e madhe për mua, që ma solli në jetë kënga ime, është pasuria shpirtërore, nga se kudo që të shkoj në trojet shqiptare – atje më pret nga një shtëpi dhe familje e dytë, më pret nderi dhe respekti vëllazëror e njerëzor !

MUZIKA SHQIPTARE

GM: Sipas njohurive të tua , sa e vjetër është muzika shqiptare, kur ka lindur, për çfarë është kënduar?

DK: Muzika shqiptare është e vjetër, aq sa është i vjetër edhe vetë populli shqiptar. Ajo ka lindur, është rritur, është zhvilluar, ka jetuar  dhe jeton bashkë me popullin.
Ashtu si që ka frymuar populli shqiptar nëpër shekujt e historisë, ashtu ka frymuar edhe kënga popullore shqiptare. Ajo, është pjesë e pandashme e jetës së njeriut që nga lindja e deri tek vdekja. Pra, populli shqiptar iu ka këndua lindjeve, rritjeve, shkollimit, punësimit, dashurisë, fejesave, martesave, sëmundjeve, ushtrive, kurbetit, vuajtjeve, gëzimeve, hidhërimeve, luftërave, heroizmave, tragjedive, elegjive, vajtimeve deri tek vdekjet.
Thënë shkurt: Kënga popullore i ka paraprirë historisë së popullit tanë, duke e përshkruar jetën  në mënyrë kronologjike dhe shumë besnike edhe gjatë kohërave kur nuk kishte shkrim-lexim, arsimim dhe të drejta elementare për të jetuar si një komb i pavarur dhe sovran.

GM: Instrumentet muzikore shqiptare?
Sipas një studimi (nuk kam njohuri në lidhje me seriozitetin e studimit) dalin pothuaj të gjitha instrumentet muzikore të huaja...dhe nëse pretendojmë për diçka rrënjësisht shqip, nuk mund ta kemi...

DK: Sa i përket instrumenteve muzikore shqiptare, paraprakisht, dua që të jem i sinqertë dhe të tregoj se unë nuk jam studiues i këtij lëmi, por megjithatë , disa gjëra dihen sheshazi, se nuk mund të pohojmë saktësisht se kemi ndonjë instrument muzikor autokton me origjinë 100% shqiptare.
Ne kemi në përdorim shumë instrumente muzikore me të cilat i shoqërojmë këngët dhe vallet tona tradicionale, por ato që të gjitha janë huazuar nga popujt tjerë, janë modifikuar dhe adaptuar për nevojat e muzikës sonë autoktone.
Pjesa dërmuese e instrumenteve që përdorën edhe sot në muzikën tonë tradicionale, kanë prejardhjen prej vendeve të lindjes, si: kavalli, fyelli, surlja, tupani, defi (dahirja) çiftelia, sharkia...etj. Por, kemi në përdorim edhe instrumente që i përdorin edhe popujt tjerë të Ballkanit, siç janë: mezhnica, apo gajdja, fyelli i bariut, fyelli me gjuhës (dydyku) dhe lahuta.
Në vendet ku ka pasur ndikim dhe mbisundim Perandoria Osmane, më tepër janë përdorur instrumentet me prejardhje orientale, si: çiftelia (turq. çifteteli=lojë), sharkia (turq.= muzikë, apo këngë), kavalli, lodra (tupani), defi, darabuku, surlja etj.
Në vendet ku kanë qenë nën ndikimin dhe mbisundimin sllavë, janë përdorur instrumentet: fyelli, mezhnica (gajdja) dhe lahuta .
Në vendet ku ka pasur ndikim dhe mbisundim Greqia, janë përdorur dhe përdoren edhe sot: uti, apo llauta, violina, klarineta, kitara dhe defi.
Në jetën tonë të përditshme të muzikës tradicionale, kemi dy lloj kombinimesh orkestrale të instrumenteve muzikore: 1. Orkestrinat e përbëra nga instrumentet popullore, të cilat i përcjellin këngët dhe vallet e vendeve rurale dhe 2. Orkestrinat e përbëra nga instrumentet e fabrikuara, të cilat i përcjellin këngët dhe vallet popullore të traditës qytetare.
Këndimi më i lashtë dhe më autokton shqiptar, është këndimi polifonik i krahinave jugore të Shqipërisë, ku këndohen këngët shumëzërëshe pa shoqërim me asnjë instrument muzikor.

GM: Sot kohët kanë ndryshuar dhe me kohën kanë ndryshuar edhe këngëtarët. Është një dyndje e madhe drejt “modernizimit”, edhe nga këngëtarët që deri dje ishin përfaqësues të denjë të këngës së pastër shqiptare.
Mendon se është një hap pozitiv, apo...?

DK: Përgjigjen në këtë pyetje, po e filloj me një fjalë të urtë popullore:”Kosin e prish uji e burrin e prish huji!”
Unë, mendoj se koha i ka ecuritë e veta, por nuk mendoj se kënga e mirëfilltë tradicionale , që është krijuar, kultivuar e ruajtur ndër shekuj, duhet të modernizohet!
Ajo i ka të gjitha tiparet dhe bukuritë e veta, nëse këndohet vetëm ashtu si që e kemi trashëguar nga të parët tanë ! Dhe këngëtarët të cilët mëtojnë që t’ i “modernizojnë” këto perla të muzikës sonë tradicionale, janë të prirë nga interesat e tyre materiale dhe karrieriste. Të sprovosh që t’ a modernizosh një këngë që është kënduar me qindra vite më parë, është njësoj sikur të sprovojmë që ta bëjmë nuse një gjyshe tonë, ta shminkojmë, ta ngjyrosim, ta veshim “allafrënga” dhe ta qesim në konkurrencë për ta zgjedhur “Miss”!
Andaj, sot kur e kemi shtetin, lirinë, pavarësinë, sovranitetin, universitetin, ekspertet e shkolluar të kompozimit, do të ishte shumë më pozitive dhe më produktive, që së pari , institucionet tona arsimore e kulturore t’ i përkrahin, t’ i stimulojnë krijuesit e mirëfilltë të artit, në veçanti ata të muzikës dhe ata të na krijojnë veprat e tyre moderne, ashtu siç e do hapi i kohës, e jo t’iu krijojnë kushte huazimeve, përkthimeve dhe importimeve të vlerave të huaja muzikore të cilat me asgjë nuk i bëjnë nder muzikës sonë tradicionale !

GM: Me objektivin “mikrofon” janë vërsulur shumë individë, që, pavarësisht zërit dhe talentit, kanë dëshirë të këndojnë...

DK: Aty, ku nuk ka maçokë, edhe minjtë hedhin valle hiq pa brekë ! Pra, aty ku nuk e ka timonin shteti, qeveria, institucionet përkatëse, atëherë çdo gjë shkon në drejtim të gabuar.
Një gjë dihet: Çdo njeri i gjallë dhe normal e do muzikën dhe ka dëshirë për të kënduar! Mirëpo, jo të gjithë, nuk e kanë dhuntinë e Zotit, talentin dhe prirjen për të kënduar, për të luajtur me instrumente , për të vallëzuar dhe për të krijuar vepra muzikore!
Po të kishte jetë muzikore të organizuar institucionalisht, atëherë secili talent do të sprovohej dhe do të verifikohej në mënyrë profesionale, ku pastaj produktet e tyre do të ishin vetëm vlera, e jo antivlera.
Mikrofonit, iu kanë vërsulur  shumë individë vetëm për dy arsye: ëndrrat për t’u bërë yje të popullarizuara të estradës muzikore dhe ëndrrat për të përfituar shumë para, pa mund e djersë ! Por , këto dy ëndrra shumë kënd e kanë dekurajuar dhe dezorientuar në jetë !
Sot, muzika shikohet dhe blihet me para . Mund të prosperojnë në skenat muzikore , estradë dhe mediume publike , vetëm ata që kanë para për t’i  paguar shumë shtrenjtë veprat e tyre dhe emetimet në programet muzikore të mediumeve elektronike, duke i korruptuar njerëzit që nga incizuesit, xhiruesit, producentët e deri tek redaktorët përgjegjës të programeve muzikore. Kjo vlen  më tepër  për interpretuesit e gjinisë mashkullore, kurse për interpretueset e gjinisë femërore, për të depërtuar në skenat publike, festivale dhe mediume publike, mjafton të posedojnë bukuri të rrallë fizike, të jenë të  dëgjueshme dhe të mos përtojnë që të zhvishen  lakuriq,  sa herë që ta kërkojë regjisori i spotit, koncertit, festivalit, apo i mediumit publik elektronik.

GM: Në ç’ nivel mendon se është muzika shqiptare në përgjithësi?

DK: Kur flas për nivelin e muzikës shqiptare sot, mendoj ekskluzivisht në muzikën tradicionale popullore . Ky zhanër i muzikës, sipas mendimit tim, çdo ditë e më shumë është duke u shndërruar në një kaos, ku nuk dihet kush hanë , kush pinë, as kush paguan!
Në muzikën tonë popullore, sot , janë futur aq shumë rryma të ndryshme dhe ndikime të huaja, sa çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit. Derisa dikur, populli ynë krenohej me këngët, vallet dhe veshjet kombëtare, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në festivalet ndërkombëtare – sot, fatkeqësisht, shumë interpretues të këngës, po mburren dhe  krenohen me stilin dhe ritmin e këngës rome, të quajtur “Tallava”, e që më së paku ne shqiptarët kemi nevojë që të ushqehemi me këso lloj vlerash primitive !
Krijimi, interpretimi dhe editimi i këtyre stileve, nuk është asgjë tjetër, pos një varfëri krijuese , si nga ana poetike, ashtu edhe nga ana melodike.

GM: Cilët nga këngëtarët shqiptarë pëlqen dhe vlerëson Demir Krasniqi?

DK: Unë, i pëlqej të gjithë këngëtarët shqiptarë gjithandej trojeve dhe krahinave etnike shqiptare, por vetëm ata të cilët me besnikëri e ruajtën, e kultivuan dhe e kënduan këngën e mirëfilltë tradicionale shqiptare.
Të tillët, që i adhuroj dhe i vlerësoj unë, fatmirësisht, janë shumë dhe po i përmenda të gjithë, me siguri se do të bëjë mëkate, nga se mund ta harroj ndonjërin prej tyre, pa dashje dhe pa qëllim!
Megjithatë, me insistimin Tuaj, unë do t’i përmendi vetëm disa prej tyre.
Në Shqipëri, këngëtarët që i adhuroj me shpirt e me zemër janë: Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Havsa Zymberi, Fatma Zymberi, Irma Libohova, Parashqevi Simaku, Irini Qiriako, Merita Halili, Ibrahim Tukiqi, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja, Luçie Miloti, Dava Gjergji, Sebahete Vishnja, Violeta Zefi, Shyqyri Alushi, Fatime Sokoli, Fatmira Bërçani, e shumë e shumë të tjerë.
Në Kosovë, këngëtarët që i adhuroj me shpirt e me zemër janë. Qamili Vogël, Mazllom Mejzini, Ismet Peja, Shkëlzen Jetishi, Edi Furra, Xhejlane Broqi, Shanindere Bërlajolli, Liliana Çavolli, Nexhmije Pagarusha, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Remzije Osmani, Ilir Shaqiri, Hashim Shala, Tahir Drenica, Shaban Baksi, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Bajrush Doda, Marash Krasniqi, Salih e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Augustin Uka, Qazim Berisha, Ibrahim Krasniqi, Bijtë e Sefë Mleqanit, Ismet Demaj, Lendita Hakaj e shumë e shumë të tjerë.
Në Maqedoni, këngëtarët që i adhuroj me shpirt e me zemër janë: Ismet Vejseli, Gonxhe Monaku, Gani Grubi, Esat Kumnova, Trio Rexhep Zajazi, Hanife Sejfullahu – Reçani, Shaban Stafaj, Sylejman Borova, Bashkim Paçuku, Vëllezërit Dervishi, Bexhet Jagodini,  Habib Rushani nga Manastiri, Ismet Bexheti, Drita Musliu, Salim Arifi, Xhezair Elezi ,Selami Kolonja, Nebi Halili , vëllezërit Aliu e shumë e shumë të tjerë.
Nga Mali i Zi, këngëtarët që i adhuroj me shpirt e me zemër janë: Shaban Gjekaj, Nikollë Nikprelaj, Malësori, Hana Nikpreaj, Rrustem Ulaj, Genc Prelvukaj e shumë të tjerë.
Nga Lugina e Preshevës, i adhuroj shumë këngëtarët: Remzi Jakupi, Qazim Beha, Vëllezërit Aliu, Agim Kadriu dhe shumë të tjerë.

PATRIOTIZMI NË KËNGË DHE PASOJAT E TIJ

GM: Këngët shumë herë janë më shumë se thjesht këngë, sidomos këngët e rapsodëve që kryesisht janë patriotike. Rapsodët kanë një rol historik, sepse duke kënduar për heronjtë, për luftën e shqiptarëve në mbrojtje të atdheut, shtojnë vetëdijen kombëtare, gjë e cila ka ndodhur në Kosovë. Pushtuesit serbë i trembeshin shpirtit dhe zërit kombëtar të rapsodëve...

DK: Mund të them pa lajka, se gjenerata ime dhe ato të mëhershme, në shkollat e Kosovës, nuk kemi mësuar asgjë për historinë kombëtare shqiptare. Ne, që nga klasa e -III-të e shkollës fillore , e mësonim historinë e sllavëve të jugut dhe në faqen e parë të asaj historie , shkruante:
“Të parët tanë kanë qenë sllavët. Ata kanë ardhur nga malet e Karpateve dhe kanë rënë në jug. Prandaj, atdheu ynë quhet: Jugosllavia !”
Tekstin e parë të historisë në Kosovë, e ka botua tek në vitin 1968, profesori i ndjerë, Ali Hadri.
Pra, unë nuk kam pasur fatin që të mësoj në shkollë , historinë e kombit tim, por një pjesë të madhe të saj, kam arritur që ta mësoj pikërisht përmes këngëve rapsodike – historike dhe duke i dëgjuar bisedat e rrëfimet e njerëzve të vjetër nëpër odat shqiptare.
Vetëm këngët e këtilla historike – patriotike , më kanë mishëruar për atdheun dhe ma kanë mbjellë dashurinë e madhe ndaj atdheut tim. Pra, nuk duhet harruar e vërteta se universiteti popullor i shqiptarëve të administruar nën pushtetin sllavo-komunist serbojugosllav, kanë qenë odat popullore, kurse mësimdhënësit e historisë kombëtare, kanë qenë pikërisht rapsodët popullor. Roli i tyre, ka qenë i pa zëvendësueshëm për ruajtjen e vlerave tona tradicionale kombëtare.
Rapsodët e spikatur popullor kanë qenë therë në sy për pushtetmbajtësit dhe ata gjithmonë kanë qenë nën shënjestër të UDB-së serbo-jugosllave . Nuk janë të paktë rapsodët popullor të cilët fill pas dasmave popullore, kanë përfunduar nën pranga dhe prapa grilave të burgjeve, ku edhe kanë marrë dënime marramendëse.
Një fat të tillë e kam përjetuar edhe unë, që në fillim të karrierës sime, madje kam qenë i kërcënuar edhe me dënime prej 20 vjetësh, por edhe me likuidime fizike! Prej këtyre kërcënimeve, përveç burgut, i kam përjetuar gjithsejtë 4 atentate, të cilave falë Zotit dhe drejtësisë sime, iu kam shpëtuar me sukses. Por, ajo që nuk falet kurrë nga ana ime, është fakti i hidhur se të gjitha këto përndjekje, kërcënime dhe përkthime të këngëve të mia, ua kanë servuar shërbëtorët shqipfolës besnik dhe lojal të pushtetit dhe UDB-së serbo-jugosllave.
Pra, zëri, kënga dhe instrumentet e rapsodëve shqiptarë, gjithmonë kanë qenë armët dhe luftëtarët më të devotshëm në front me okupatorin dhe shërbëtorët e tij!

GM: Jeni dënuar?

DK: Po si jo? Shqipfolësit që angazhoheshin për t’a mbrojtur pushtetin dhe ligjet diskriminuese serbo-sllave, më mirë se sa ata vet në Beograd, angazhoheshin që të ngritin karrierë dhe privilegje më të mëdha për veti, duke i ndëshkuar shqiptarët me çdo kusht!
Kështu që, dënimin e parë e kam fituar në vitin 1967, kur i kisha vetëm 17 pranvera jete, për shkak se unë kisha thurë dhe kënduar një këngë elegjiake kushtuar vrasjes mizore të një shqiptari nga fshati Hajkobillë, të cilin e kishte vra në fshatin Strezos , një çetnik i quajtur Aleksandër nga fshati Hajnoc, mu në pikë të ditës, vetëm pse shqiptari e kishte pas mbi kokë plisin e bardhë?! Aleksandri, iu kishte thënë shokëve të vet: ”Po e marr pushkën se po dua ta vras një lepur, të cilin e kam hetuar se është duke fjetur nën një kaçubë!” Dhe pasi iu kishte vu prapa dy shqiptarëve – kalimtarë, kishte gjuajtur shenj mbi plisin e bardhë, deri sa e kishte goditur atë për vdekje!
Vlen për tu theksuar se këngën time e kishin incizuar fshehurazi prej meje, argatët shqipfolës të UDB-së, të cilët edhe ua kishin përkthyer fjalë për fjalë udbashëve, por edhe për të ma dhënë “dënimin meritor”, e kishin caktuar po ashtu një shqipfolës besnik, i cili ndante drejtësi në emër të “Vëllazërim – Bashkimit” serbo – jugosllav.
Ndëshkimet, përgjimet, incizimet e fshehura, shpifjet, në këtë drejtim, ndaj meje nuk kanë pushuar kurrë dhe ato, fatkeqësisht, po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite ndaj meje, si krijues dhe këngëtarë i patriotizmit shqiptar !
Mjafton të ceket e vërteta e hidhur, kur pas 38 vite përvoje të punës si pedagog muzikor, një shqipfolëse – shërbëtore besnike e Serbisë, të cilën e kishin graduar me postin e Drejtoreshës së shkollës, ku unë isha duke punuar, në vitin shkollor 2007/2008, më largoi nga puna, ditari dhe nxënësit e mi, me motivacion se “po ia infektoj nxënësit me këngë patriotike shqiptare” dhe po ia rrezikoj postin e saj?!
E vërteta ishte se, unë si pedagog muzikor, kisha përgatitur bashkë me nxënësit e mi 4 këngë për nderë të festës së Ditës së asaj shkolle. Këngët e përgatitura ishin:”Kënga e Skënderbeut”, “Kënga e Ismajl Qemajlit dhe qëndisja e flamurit kombëtar”, “Kënga e dëshmorit Agim Ramadanit” dhe “Kënga e Adem Jasharit”.
Drejtoresha në fjalë, mu në provën gjenerale , mi hoqi nga programi që të gjitha këto këngë, edhe pse kisha derdhur mund hiq ma pak se tre muaj ushtrime me nxënësit e mi! Në pyetjen time:-Përse mi hoqe këngët nga programi? Drejtoresha e shkollës mu përgjigj shkurt:
“Hiq dorë njëherë e përgjithmonë nga këngët patriotike, që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari, dhe mos mi infekto ma nxënësit me këso këngësh, nga se nuk po i duan këta”!... Se kush janë ata që nuk po i dashkan këngët tona patriotike, as sot e kësaj dite, nuk ma ka dhënë përgjigjen ?!
Kësaj ngjarje të hidhur, po ia shtoj vetëm edhe një koment lidhur me një proverb popullor, të cilin e kam mësuar nga më të vjetrit , nëpër odat shqiptare:
“Daja për nip – nuk qet pushkë kurrë, por nipi për dajë është i gatshëm kurdoherë që të qet pushkë dhe të flijohet për te !”
Gjykuar sipas këtij proverbi, Serbia ka qëndruar si okupatore mbi Kosovë, plot 100 vjet! Gjatë këtyre 100 vjetëve, ka mbjellë shumë farë të keqe, nga e cila kanë mbirë shumë nipa e mbesa të cilët edhe pse flasin shqip, do të qesin pushkë për dajallarët e tyre edhe 100 vjet, pas pavarësimit të Kosovës!

GM: Mund të shtoni diçka më të hollësishme mbi atentatet e kurdisura ndaj jush?

DK: Gjatë karrierës sime prej këngëtari dhe krijuesi popullor, për shkak të këndimit të këngëve patriotike (lexo: nacionaliste), disa herë më janë kurdisur edhe tentativa atentatesh, të cilat falë Zotit, drejtësisë dhe gjeturisë sime, të gjitha kanë përfunduar pa sukses!

Atentati i parë, më është përgatitur vetëm dy javë para se të martohesha, nga ana e argatëve të dreqit që i shërbenin UDB-së, me motivacion se unë e kisha kënduar një këngë kushtuar një Kryeudbashi, i cili pos shumë shqiptarëve tjerë, e kishte vra edhe një mësues shqiptarë, para oborrit të shkollës!

Atentati i dytë, më është përgatitur më 1984, në çelit e Burgut të Pejës, nga ana e një çetniku i quajtur Rashkoviq, nga Istogu, i cili i kishte paguar 4 gardianë të burgut e që të gjithë quheshin Dragana, për të më likuiduar në çeli të burgut e pastaj vrasjen time, do ta kremtonin në Restorantin “Ribnjak” të Istogut!
Nga kjo vrasje e sigurt , më ka shpëtua Drejtori i Burgut të Pejës, z. Shyqyri Syka dhe gardiani shqiptar i quajtur Xhevdet Rexha, nga fshati Cërrcë i Istogut!

Atentatin e tretë, e kam përjetuar nën Urën e Veternikut, afër Prishtinës, në orët e mbrëmjes, kur isha duke u kthyer në Gjilan, me një mik timin. Aty më kishin dalë në pritë një tog milicësh special të Serbisë, të cilët deshën të më vrasin me motivacion se unë jam organizator i demonstratave dhe i partive politike, çka asnjëra nuk ishin të vërteta! Nga kjo vrasje e sigurt, më ka shpëtuar vetëm një mbështjellës i një audiokasetës sime, të cilën e kisha incizuar në RTB dhe në atë rast, milicëve special ju thash:”Unë nuk jam politikan, as organizator i demonstratave! Si mund ta vrisni një këngëtar të RTB-së, pa asnjë arsye?!” Pra , këtë fjali ua thashë nga zori për të shpëtuar shpirtin dhe jetën time, por kjo edhe zuri vend dhe shpëtova.

Atentati i katërt

Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1989, vit ky , kur Sllobodan Millosheviqi me tanke e suprimoi Autonominë e Kosovës dhe Kushtetutën e vitit 1974, në bazë të së cilës, Kosova ishte element konstituiv i federatës jugosllave.
Për ta mbrojtur këtë suprimim dhe për t’ i bërë “terbije” shqiptarët e pa kënaqur, Millosheviqi kishte dërguar në Kosovë forca të mëdha të njësive speciale policore të përbëra nga të gjashtë ish republikat e federatës jugosllave, si dhe nga dy krahinat autonome.
Pjesëtarët e këtyre njësive speciale , në qytetin e Gjilanit, ishin të vendosura në objektet e hotelit “Kristal”, i cili gjendet viza-vi me ndërtesën e Sekretariait Komunal të Punëve të Brendshme, Milicisë, gjykatave dhe burgut të qarkut të këtij qyteti.
Atë botë, unë isha i angazhuar që të këndoj në këtë hotel, si këngëtar popullor me kontratë dhe me pagesë të mirë mujore, pagesë kjo që bëhej nga shteti.
Në hotelin “Kristal”, programi muzikor fillonte nga ora 20.00 dhe përfundonte në ora 23.45 minuta . Këndohej me program të caktuar sipas dëshirave të këngëtarëve të angazhuar, e jo sipas porosive të mysafirëve, apo “bakshisheve” të adhuruesve.
Programi muzikor ishte i konceptuar zyrtarisht në tri gjuhë kryesore të këtij mjedisi dhe atë: 15 minuta në gjuhën shqipe, 15 minuta në gjuhën serbishte, 15 minuta në gjuhën turke dhe 15 minuta pushim. Në kuadër të atyre 15 minutave të dedikuara për muzikën turke , mund të këndohej edhe ndonjë këngë rome, apo të ndonjë populli tjetër ballkanik.
Kryesisht, ishim të angazhuar 3 këngëtar – solist popullor: një për këngët shqipe, një për këngët serbe dhe një për këngët turke.
Në kohën për të cilën po flasim, për këngët popullore shqipe isha i kontraktuar unë, për këngët në gjuhën serbe ishte e angazhuar një këngëtare serbe nga Nishi, kurse për këngët në gjuhën turke, rome dhe ballkanike, ishte e kontraktuar këngëtarja e mirënjohur universale Arife Beqir Baliqi, nga Shkupi , e cila këndonte në mënyrë fantastike në gjithsejtë 13 gjuhë të ndryshme dhe kishte një zë brilant .
Salla e hotelit, për çdo mbrëmje ishte plot e përplot mysafirë nga të katër anët e Kosovës. Pjesëtarët e njësiteve speciale të policisë jugosllave, herë pas here kalëronin nëpër sallën, korridoret dhe lokalet e këtij hoteli, sa për t’ua bërë me dije qytetarëve shqiptarë se “ne jemi këtu!”
Personeli shërbyes hotelier ishte i përzier shumetnik, ndonëse Drejtori i hotelit dhe shefi i sallës ishin shqiptarë. Në mesin e punëtorëve shankistë të këtij hoteli, ishte një femër flokëbardhë serbe, e cila quhej Goca . Ajo gjatë tërë kohës sa ishte në orar të punës, shihej qartë se ishte një nacionaliste shumë e ngarkuar, e cila dukej se po mundohej që t’ i përmbajë shqiptarët me një lugë !
Unë, përveç që këndoja këngë të ndryshme popullore shqiptare, shumë herë nga kureshtja dhe dëshirat e mysafirëve, e merrja me veti edhe çiftelinë , të cilën e akordoja dhe e kombinoja me orkestrinën popullore, e cila tingëllonte aq bukur, sa bëhej sensacion dhe atmosferë e bujshme në sallën e mysafirëve .
Çiftelia dhe kënga ime, iu kishin bërë helm e vrer në zemër, asaj shankistes serbe të quajtur Goca!
Vetëm tri ditë, para se të ndodhte më e keqja, Goca iu kishte shprehur “në besim” njërit prej kamerierëve të hotelit, duke i thënë kështu:
“Sve, sve...Ali, kad ga qujem ovoga shipca , kako peva i sfira na tu cigulku, meni zhivot mi se gadi , ne mi se zhivi i ne mi se radi!”
“Krejt, krejt... Por , kur po e dëgjoj këtë “shipc”,(kështu na quanin ne shqiptarëve, në shenjë përbuzje e nënçmimi, serbët) se si po këndon dhe si po luan me atë farë “cigulke”(me këtë shprehje ofenduese dhe nënçmuese e quanin instrumentin tonë kombëtar – çiftelinë), mua po më gërditet jeta, nuk po më jetohet dhe nuk po më punohet”!
Kamerieri shqiptar, të cilit Goca ia kishte qarë hallet “në besim”, menjëherë më tregoi mua, se çka po sillet rreth meje , në këtë hotel!
Vetëm tri net, prej asaj bisede  në mes të Gocës dhe kamerierit, forcat speciale policore e kishin përgatitur skenarin për likuidimin tim fizik!
Atë natë, si zakonisht, në ora 23.45 minuta, shefi i sallës së hotelit i fiku dritat dhe dha shenj për fajron , me çka edhe muzika pushoi programin. Po sa u fikën dritat, në sallën e hotelit, papritur, u futën 6 policë special të armatosur deri në dhëmbë ! Njëri prej tyre që e drejtonte ekspeditën, bërtiti me një zë të lartë urdhërdhënës:
“Svi ostali muzikanti i gosti vani, a ti sliko stani tamo kod daske mirrno i nemoj da mi se pomeravash!”
“Të gjithë muzikantët tjerë dhe mysafirët – përjashta, ndërsa ti fotografi (aludon tek unë) qëndro atje tek dërrasa gatitu dhe mos më lëviz !”
Mysafirët dhe muzikantët e frikësuar ikën me të shpejt përjashta hotelit, ndërsa brenda mbeta vetëm unë dhe personeli shërbyes i hotelit, të cilët mbetën pa pikë gjaku në fytyrë duke shikuar me habi se çfarë do të ndodhë tani me mua?!
Unë, sipas urdhrit të tyre, u mbështeta për ato tabela të drunjta , të cilat e ndanin sallën e hotelit në një lloj separje të veçantë dhe po pres se çfarë do të ndodhë tani me mua?! Policët special, qëndronin para meje me automatikë të përgatitur për veprim!
Polici i cili e udhëhiqte ekspeditën , mu drejtua mua me një zë të lartë  tmerrues :
“Jebali smo ti  majku shiptarsku veqeras ! Neqesh vishe u tvom zhivotu , ni da nam pjevash, ni da nam sfirash na tu tvoju cigulku! Veqeras ti je zadnja noq, i oprosti se od ovog zhivota !”
“Ta kemi q* nënën shqiptare sonte ! Në jetën tënde, më nuk do të na këndosh, as të na luash në atë farë cigulken tënde !(Cigulka e quanin me përbuzje çiftelinë, që do të thotë “magjupëz”). Sonte është nata jote e fundit dhe përshëndetu nga kjo jetë!”
Unë, u shtanga në këmbë nga habia, se si mund të më vrisnin pa kurrfarë paralajmërimi, pa kurrfarë vepre dhe pa kurrfarë gjyqi ?!
Mora forcë dhe ju thashë: “Ju, jeni të gjithëfuqishëm ! Keni forcën, ushtrinë, policinë, armatimin dhe shtetin tuaj! Andaj, mund të më vrisni pa asnjë problem, por kjo nuk është trimëri për një shtet, që ta vret një këngëtar në vendin e vet të punës!”
Ata, ma shanin nënën shqiptare pa ndërprerë dhe më thoshin në gjuhën e tyre:”Tash do ta shohësh ti!”
Në atë rrëmujë të pa parë dhe të pa imagjinuar, në kokën time më erdhi një ide budallallëku, të cilën e shfrytëzove si në formë humori, dhe ju thash:
“Ju po më vrisni ! Por , unë kam dëgjuar nga të tjerët se njeriun para se ta ekzekutojnë, ia japin shansin për ta shprehur dëshirën e fundit në jetën e tij! Ju, ndoshta do të ma jepni së pakut këtë mundësi!”
Njëri prej tyre , më shau :”Shihe, shihe! Nënën ja q....sha, ende po di edhe të filozofojë!”
Udhëheqësi i ekspeditës, që turrej më së shumti drejt meje , ju tha kolegëve të tij, si me ironi:
“Pa, hajde t’ a dëgjojmë se çka po llomotitë dhe çfarë dëshire të fundit ka! Ta dëgjojmë dëshirën tënde të fundit!”
Unë, ju thash: “Po unë e di se ju nuk do të ma merrni për serioze, por dëshira ime e fundit, para se të më pushkatoni, është që në shenjë përshëndetje nga kjo botë, të ulemi bashkë dhe t’ u qerasi ma nga një pije, për nderë që do të më vrisni!”
Që të gjithë, u qeshën me ironi dhe si në kor, ma shanë edhe njëherë nënën shqiptare!
Njëri prej tyre, iu tha kolegëve të vet:”Pa, hajde të ulemi dhe t’ ia plotësojmë edhe këtë dëshirë të fundit, në jetën e tij!”
U ulën te të gjashtit rreth një tavoline dhe unë në mesin e tyre. E thirren kamerierin që t’i shërbejnë dhe porositën pijet e preferuara. Kamerieri i solli pijet duke u dridhur si thupra në ujë, nga frika dhe tmerri që pritej të ndodhte atë natë me mua!
Duke i pirë pijet që i porositën, sërish në kokën time, si në budallallëk , më erdhi edhe një ide dhe e pyeta udhëheqësin e ekspeditës:
“Zotëri, po më vjen shumë keq, por në sytë e tu, po e lexoj një vuajtje dhe shqetësim të madh shpirtëror?!”
Polici – udhëheqës i ekspeditës, mu përgjigj :
“Po. Kam shqetësim dhe problem shumë të madh jetësor!”
Unë, i thash: “Po, a mund ta di se për çfarë problemi bëhet fjalë?”
Kryepolici tha:
“Jam martuar qe 12 vjet me një vajzë që e kam dashur shumë dhe e dua shumë! Por, që nga martesa e deri në ditët e sotme, nuk më ka falur Zoti, fëmijë kurrë! Jam shumë i shqetësuar për këtë! Me u nda me gruan, po më dhimbet ! Nuk kam lënë kund mjek, as pop, as hoxhë, as tyrbe, pa kërkuar ilaç për te, por të gjitha kanë përfunduar pa sukses!”
Atëherë, ndërhyra unë:- Ju, i paskëshit sprovuar të gjitha dyert, por vetëm aty ku e keni ilaçin e sigurt, nuk e paskëshit sprovuar! Edhe pse Ju , po më vrisni sonte mua, unë megjithatë, do t’ ua tregoj vendin se ku mund ta gjeni ilaçin e vërtetë dhe të sigurt!
Kryepolici:-“A është kjo e kjo e mundur, që të gjendet ende ndonjë vend ilaçi për mua, e që nuk e kam sprovuar?”
Unë:- Po si jo! Ju, të gjitha dyert i paskëshit sprovuar, por vetëm tek Baba Sheh, nuk paskëshit qenë! Unë, e kam në Prizren një mik shumë të mirë, që është edhe Baba Sheh dhe ai po deshi, vetëm një herë do t’ i fryjë gruas tënde dhe do t’ ia bëjë ato duatë e veta dhe Ju, pas 9 muajsh do të jeni me djalë! Unë, mund t’ ua jap adresën e Tij , edhe pse do të më vrisni, por i tregoni Babës Sheh, se tek Ju, më ka qua Demir Krasniqi!
Kryepolici:- “ A është e mundur kjo?”
Unë: - Me garancion për 9 muaj !
Kryepolici e thirri kamerierin:-“Kamarier ! Të lutëm, na e sjell edhe një rund pije!”
Unë:- Nuk mund të pi më asgjë, sepse po e pres ekzekutimin Tuaj!
Kryepolici:- “Jo! Ti, nuk do të vritesh sonte! Por, nesër unë do ta gjej një veturë dhe do të shkojmë së bashku në Prizren! Sonte shko në shtëpi e pusho , e tani do të shihemi!”
U nisa si i dehur, për të shkua në drejtim të shtëpisë sime, por gjatë tërë rrugës prisja se kur do të më vijnë mbrapa dhe do të më shpojnë plumbat e tyre!
Që nga ajo natë, më kurrë nuk e kam pa atë polic, por nga disa njerëz kam arritur që të mësoj vetëm atë, se ai kishte qenë nga fshati Partesh i Gjilanit, por që askush nuk ia dinte emrin dhe mbiemrin!
Kështu e mbijetova këtë atentat, duke i përdorur trikat e “Babës Sheh” dhe kjo fatmirësisht , ndezi për të mirë dhe shpëtim nga vrasja e sigurtë!

GM: Serbët, sepse ishin serbë, bënë gjithçka mundën për të nënshtruar shqiptarët, por asnjëherë nuk ia arritën. Populli shqiptar në përgjithësi dhe populli i Kosovës në veçanti, sakrifikoi shumë. Por, shumë herë ishin edhe viktima të vëlla – shitjes (edhe vëlla-vrasjes). Si dhe pse mund të shitej shqiptari tek një serb?

DK: Arsyet se përse shitej shqiptari tek serbi aq lehtë, janë të shumta.
Së pari, ka munguar vetëdija dhe arsimimi i popullit dhe njeriun e pa arsimuar mund ta manipulosh shumë më lehtë se sa atë që është i arsimuar!
Së dyti, varfëria e skajshme dhe vuajtjet e popullit, kanë ndikuar që dikush të shitet për një çmim më të voglin tek serbi!
Së treti, frika nga ndonjë hakmarrje, masakër, djegëse nga ana e serbëve, ka bërë që shqiptarët të frikësohen dhe të futën shumë lehtë nën ombrellën mbrojtëse të tyre!
Në këtë kontekst, disa shqiptarë të frikësuar, patën shkuar aq larg, sa edhe vëllazëroheshin dhe kumbaroheshin me serbë! Dhe merrni me mend, se kohëve të fundit, para se të shkatërrohej Jugosllavia, disa shqiptarë patën shkuar aq larg, sa nuk i bënin as dasmat familjare pa i ftuar në dasma edhe serbët! Problemin më të madh në këto raste, e kishin këngëtarët popullor dasmorë, të cilët binin në hall se çfarë këngësh do të këndonin në ato dasma, madje detyroheshin që nganjëherë të këndonin edhe këngë serbe?!
Së katërti, shitja aq e lehtë dhe e lirë e disa shqiptarëve për interesat e serbëve, ishte lakmia për të arritur pozita në pushtet, lakmia për të zënë vende të mira pune, lakmia për të fituar banesa e privilegje tjera, por mbi të gjitha, dominonte mendjemadhësia dhe mendjelehtësia e tyre, që të armatoseshin me armë të zjarrta: pushkë, revole dhe pushkë gjuetie ! Këto armë, fatkeqësisht, shqiptarët shpirt-shitur i përdornin nëpër dasma, ahengje dhe oda popullore, për t’ i frikësuar vëllezërit, të afërmit, bashkëfshatarët dhe miqtë e tyre, se ata janë njerëz të besueshëm të hyqymetit, janë të armatosur dhe po qe se dikush vetëm pak do t’i ngacmonte, ata edhe do t’ i vrisnin vëllezërit dhe të afërmit e tyre!

GM: Në Shqipëri kishte tentativa për hapjen e dosjeve, ndonëse gjysmake, dhe u pretendua largimi nga e kaluara tragjike. Kohët e fundit edhe në Kosovë, flitet për zbardhjen e veprimtarisë antishqiptare të shqipfolësve, bashkëpunëtorëve të makinerisë vrastare serbe.
Mendoni se do të ishte diçka e drejtë?

DK: Unë, personalisht nuk mendoj se kjo punë na çon në rrugë të drejtë! Populli shqiptar andej e këndej kufirit administrativ, ka shumë punë dhe sfida që e presin për të shkuar drejt progresit dhe Evropës së civilizuar! Koha është që të shikojmë përpara, e jo të kthehemi prapa e të merremi me kohën dhe njerëzit e vdekur!
Ky popull, duhet të civilizohet, të arsimohet dhe të edukohet në frymë të shëndoshë demokratike, e jo të ushqehet vazhdimisht me frymën e urrejtjes dhe të hakmarrjes. Unë, jam kundër akteve të hakmarrjes, nga se ajo është një sëmundje shfarosëse për popullin tonë!
Lidhur me hakmarrjen, një proverb popullor thotë:”Qeni është qen dhe tjetër nuk bëhet! Po të sulmoi qeni dhe të kafshoi në prapanicë, atëherë , të për t’ iu hakmarrë qenit, duhet që edhe ti ta kafshosh qenin në prapanicë!”
Çdo kohë dhe çdo rregullim shoqëror i ka heronjtë e vet, por i ka edhe tradhtarët e vet! Unë, nuk jam për ata që t’ua falim krimet dhe tradhtitë kombëtare, atyre që vërtetë i kanë bërë, por mjafton që ata emra të publikohen, të gjykohen publikisht dhe historikisht, të distancohemi prej tyre, por jo që të ushtrojmë dhunë e burgosje mbi ta! Them kështu, nga se mendoj se dhuna gjithmonë do të hakmerret me dhunë!
Në anën tjetër, kryesit e këtyre veprave makabre në dëm të popullit dhe të kombit, megjithatë i kanë fëmijët , pasardhësit dhe trashëgimtarët e tyre. Fëmijët e tyre, më së paku janë fajtorë, për veprimet e prindërve të tyre, nga se fëmijët para se të lindin, nuk mund t’ i zgjedhin dhe seleksionojnë prindërit e tyre! Andaj, një hakmarrje e tillë, përmes dosjeve, gjykimeve dhe mënyrave tjera, nuk mendoj se do të jetë produktive, përkundrazi , ajo do të jetë shumë kontraproduktive!
Merrni me mend, ne shqiptarët sot në Kosovë, llogaritemi si aleatët dhe miqtë më besnik të Amerikës dhe Aleancës Atlantike të NATO-s, por mos të harrojmë se koha dhe shekujt ndërrohen, andaj nuk është çudi që dikush pas 100 vjetësh, do të na gjykojë edhe neve për veprimet tona lokale ndaj kësaj superfuqie!
Mjafton që të vetëdijesohemi dhe të mësojmë nga gabimet e së kaluarës, për të mos i përsëritur ato më kurrë! Mjafton që ti mësojmë gjeneratat e reja që të ecin vertikal drejt rrugëve drejt ditëve të reja dhe të mos bëhen tradhtarë, kriminelë e hakmarrës!

LETËRSIA

GM: Krijues i vargjeve poetike dhe rapsodike për këngë popullore, ku deri tani keni botuar gjithsejtë 15 libra me këngët e tua origjinale. Kjo të bën edhe poet të mirëfilltë.
Nga vjen ky frymëzim?

DK: Krahas thurjes së vargjeve poetike dhe rapsodike të cilat janë destinacion i drejtpërdrejtë për jetësime në këngët tona popullore, unë nuk i lë ato që të bëjnë gjumë të rehatshëm nëpër sirtarët e mia, apo diku tjetër. Atyre, po sa t’ua japi formën dhe ngjyrën poetike, menjëherë ua kompozoj edhe meloditë adekuate, qoftë në frymën e këngës popullore qytetare, qoftë në frymën e meloseve autoktone rurale .
Një pjesë e këtyre këngëve , janë botuar me nota muzikore, por pjesa dërmuese e tyre jo, për shkak se një punë e këtillë kushton shumë para dhe për këtë, buxheti im ekonomik, nuk më mundëson që të shkoj deri në fund! Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e këtyre këngëve janë incizuar dhe publikuar nëpër shtëpitë e ndryshme diskografike, audio kaseta, kompakt disqe dhe mënyra tjera të publikimit.
Krijimtaria ime poetiko – rapsodike dhe muzikore , nuk do të ndalet vetëm tek vëllimi i XV-të. Ajo vazhdon të shtohet kohë pas kohe dhe dashamirët e këngës dhe krijimtarisë sime, besoj se do të kenë në duar edhe shumë vepra tjera në vazhdimësi !
Unë, asnjëherë në jetën time nuk kam qenë e as nuk jam i dashuruar ndaj punës sime krijuese, nga se jam shumë i vetëdijshëm se e gjithë kjo krijimtari e imja , nuk mund të jetë e përkryer , pa të meta dhe me vlera të larta artistike ! Lidhur me këtë, populli thotë: “Grurë pa kokol nuk ka!” Andaj, edhe në veprat e mia, aty – këtu mund të ketë “kokol”, të cilin ndoshta nuk kam mundur që ta siti aq sa është dashur !
Për mua, si krijues i vargjeve poetike dhe rapsodike, mjafton që nëse prej 15 veprave të botuara, ia kam arritur që së paku 15 poezi – këngë prej tyre , të kenë vlera të mirëfillta artistike!
Për sa i përket ardhjes së frymëzimeve në krijimtarinë time, kjo është një fenomen natyror në veti, nga se vet jeta e njeriut është frymëzim .Nëse njeriu, di ta shfrytëzoj frymëzimin në kohën dhe vendin e duhur, atëherë mushkëritë e tij, do të jenë më të pastra dhe zemra e tij do të rrahë më guximshëm!
Unë, mendoj se njeriu që ka shpirt të pastër njerëzor, që ndien dhembje dhe dashuri për të gjithë njerëzit tjerë, në mënyrë të barabartë dhe pa dallime, ai asnjëherë në jetë nuk do të ngelet pa frymëzime!
Në anën tjetër, njerëzit e vuajtur, të shtypur dhe të varfër – në shpirt janë shumë më të pasur me frymëzime, se sa ata që notojnë mbi të mira, pasuri dhe vetëkënaqësi!
Njerëzit  e vërshuar nga pasuria dhe luksi i tepruar, kurrë nuk mund të krijojnë vepra letrare. Një gjë e tillë, është evidente edhe nëpër shkolla, ku nxënësit e vuajtur e të varfër, gjithmonë janë më të sjellshëm, më të urtë, shembullor në mësime dhe të tillët do t’i mbarojnë edhe studimet me suksese të lakmueshme . Derisa fëmijët e të pasurve rrallëherë se do të mësojnë dhe të mbarojnë studime, nga se ata që nga fëmijëria i përcjell luksi i tepruar , komoditeti , bredhja... dhe të tillët janë shumë larg librit, mësimit, studimit dhe krijimtarisë !
Në krijimtarinë time poetiko – muzikore, frymëzim i përhershëm kanë qenë: varfëria e skajshme e popullit, shtypjet, represionet, përndjekjet, mungesa e lirisë, mungesa e shkollimit, luftërat për liri, papunësia,  kurbeti... Por, në anën tjetër, frymëzim i pashtershëm në krijimtarinë time, kanë qenë edhe: mikpritja, bujaria, besnikëria, trimëria, heroizmat, dashuria ndaj vendlindjes, atdheut, bukuritë natyrore , traditat dhe zakonet shqiptare, me të cilat gjithmonë jam mburrë dhe jam krenuar që i takoj një race të tillë njerëzore!
Nisur nga këto që i thash, kurrë në jetën time nuk kam qenë krijues lokalist, as egoist . Krijimtaria ime poetiko – muzikore shtrihet mbi të gjitha hapësirat e trojeve etnike shqiptare, gjithandej ku kam arritur që sado pak të mbledh dhe mësoj diçka të mirë e të vlefshme, për të cilën gjë nuk kam ditur, as dëgjuar më parë!

GM: Historia e letërsisë shqipe është e vjetër, por jo shumë e pasur deri në vitet e rilindjes kombëtare .
Sipas Demir Krasniqit, ku ishte fshehur shpirti i lirë shqiptar?

DK: Ndonëse, me profesion jam pedagog muzikor dhe këngëtar popullor, nuk mund të lavdërohem se jam ndonjë njohës i denjë i letërsisë shqiptare, madje për këtë, kanë ndikuar edhe plan-programet mësimore serbo-jugosllave nëpër shkollat shqiptare, ku çdo gjë kombëtare ishte nën censurë të hekurt dhe mungonte literatura kombëtare. Mungonin edhe librat e botuar në gjuhën shqipe, ku ne si të rinj, mezi e gjenim ndonjë libër shqip, për ta ushqyer shpirtin dhe mendjen tonë!
Megjithatë, unë do të përpiqem që të jap një përgjigje rreth kësaj pyetje, gjithnjë sipas mendimit tim personal.
Një popull që me shekuj ka qenë i robëruar, i përbuzur, i nëpërkëmbur, nga lloj-lloj armiqsh dhe okupatorë kanibalistë, ku nuk ka pasur kurrfarë të drejtash, as lirish elementare njerëzore, nuk ka pasur të drejta shkollimi në gjuhën amtare, atëherë është vështirë këtu të flitet për një pasuri letrare .
Në këso rrethanash, shpirti shqiptar ishte i lirë vetëm gjatë nëntë muajve sa ishte në barkun e nënës, por jo edhe gjatë jetës së tij, kur në çdo hap ishte i përcjellë  dhe i ekspozuar për ballë vdekjes dhe gjenocidit ! Në mungesë të shtetit, lirisë, sovranitetit, shkollimit, shpirti krijues i shqiptar  megjithatë ka zhvilluar një letërsi gojore, të pa shkruar, e cila është ruajtur prej gojës në gojë, prej veshit në vesh, prej një krahine në një krahinë dhe ajo është bërë pronë e patjetërsueshme e popullit shqiptar.

GM: Shkrimtarët shqiptarë nën diktatura (Shqipëri, Kosovë etj.) nuk arrinin të shkruanin siç dëshironin. Ata që shkruan u ndëshkuan rëndë .
Sot, në liri, mendon se letërsia shqiptare është e një niveli cilësor?

DK: Është e vërtetë e hidhur historike, se shkrimtarët e mirëfilltë shqiptarë, që e sprovuan të shkruanin ashtu siç dëshironin, nën ombrellën e diktaturës represive komuniste, e pësuan shumë rëndë.
Sot, kur marrim frymë lirshëm në dy shtete demokratike, ku fjala dhe shprehja e lirë janë të garantuara me kushtetutë, mendoj se letërsia shqiptare ende nuk ka arritur që të lirohet përfundimisht nga gëzhojat e kohës së kaluar !
Është për t’u gëzuar dhe për t’ u mburrë që dita me ditë po shtohen penda të reja dhe emra të rinj që premtojnë shumë për letërsinë tonë!
Dëshira për të shkruar dhe për t’ u afirmuar , është krejtësisht e natyrshme dhe normale. Por, tani kur kemi një armatë të tërë krijuesish letrarë, është e pa mundur që të jenë të gjithë të një niveli cilësor ! Megjithatë, unë nuk shoh kurrfarë të keqeje, as rreziku nga shumësia e penave të reja, nga se secila prej tyre e ka vendin dhe rolin e vet meritor!
Mirëpo, ajo që për mendimin tim, është më se brengosëse për të gjithë krijuesit, është mungesa e përkrahjes institucionale, si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana profesionale.
Sot, mund të botojë libra vetëm ai që ka para, si që edhe këngëtar mund të bëhet vetëm ai që ka para ! Pra, sot nuk flasin vlerat, as kriteret, por për të gjitha përgjegjësitë morale e profesionale flet vetëm paraja !
Ka shumë krijues letrar, por edhe këngëtarë shumë kualitativ, të cilët mbesin nën hijen e atyre që kanë pasuri dhe para !
Sot, në lirinë demokratike, krijuesi letrar për ta botuar një libër (vepër të re), duhet luajtur (pa dashjen e tij) disa role të pa këndshme, si që janë:
- Roli i lypsarit,
- Roli i patronit dhe
- Roli i postierit, apo Baba Dimrit.
Krijuesi i sotëm letrar, po sa ta mbarojë shkrimin e një libri, për të cilin harxhon shumë kohë, mund dhe energji , është në mund të madh se si t’ i sigurojë mjetet për botimin e atij libri?!
Për të siguruar paratë për botimin e veprës së tij, krijuesi duhet që ta luaj rolin e një lypsari, i cili troket derë me derë për të kërkuar lëmoshë (para), apo sponsorues vullnetarë – humanitarë! Gjatë luajtjes së këtij roli, krijuesi , shkrimtari, apo poeti i gjorë, do të skuqet shumë herë para njerëzve, ku edhe do të shpërblehet me ndonjë të sharë!
Po sa t’i sigurojë paratë për botimin e librit (veprës), krijuesi do ta luaj rolin e patronit të vërtetë, rol ky që do të zgjatë vetëm një ditë! Fjala është për ditën e promovimit të atij libri, kur krijuesi do të thërret shumë miq, shokë, kolegë, gazetarë për ta promovuar librin e tij dhe për t’i paguar njerëzit me para, për t’ia lavdëruar dhe madhëruar librin e botuar. Fill pas promovimit të librit, autori në rolin e një patroni, do të obligohet që të gjithë pjesëmarrësit e promovimit, t’i çojë në hotel, apo restorant, për t’ iu shtruar drekë, apo darkë të majme !
Po sa të bëhet promovimi zyrtar i librit të sapo botuar, autori i tij do të detyrohet që ta luaj rolin e postierit, apo të Baba Dimrit, në mënyrë që ta shpërndajë librin e tij kudo, me dëshirë që të lexohet!
Me këtë rast, autori i librit (krijuesi), do ta mbushë çantën, thesin, apo pakon me libra dhe duhet të trokas derë me derë, nëpër zyra, institucione, shkolla, fabrika, organizata, familje, miq...për t’ua shpërndarë librat gratis, madje edhe duke ua nënshkruar me memoare të veçanta, nga se askush sot nuk do që të shkojë në librari dhe të blejë libra, çfarëdo qofshin ata!
Dhe tani, medoemos shtrohet pyetja:- Sa vlerësohet dhe sa lexohet libri i falur rrugëve, e të mos flasim se sa do të vlerësohet dhe çmohet krijuesi – autori i tij?!

GM: Cilët nga poetët – shkrimtarët shqiptarë lexon më shumë dhe pse?

DK: Dua që të jam shumë i sinqertë dhe real, kur duhet përgjigjur kësaj pyetje, të cilës mendoj se pak kush i përgjigjet realisht.
Nga rrethanat e krijuara viteve të fundit, sidomos gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj, shumë pak kohë më mbetet në dispozicion për të lexuar libra. Ngarkesat e mëdha psikologjike, papunësia, lufta për ekzistencë, televizionet, radiot, gazetat, revistat, interneti, kurbeti...e kanë bërë të vetën dhe vështirë është për të gjetur kohë të lirë, aq sa për  ta lexuar një libër!
Lexoj shumë nëpër gazeta, revista, internet. Iu përkushtohem shumë ngjarjeve aktuale nëpër emisionet televizive dhe kohën e lirë e shfrytëzoj për krijimtari e kompozime.
Kam lexuar shumë libra dhe vepra të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, sidomos ata të Rilindjes Kombëtare e këndej dhe po të kisha mundësi, do t’ i rilexoja edhe shumë e shumë herë, nga se vetëm në ato vepra e gjejë të vërtetën dhe vet-vetën !
Po ku ka në botë shkrimtarë më të mëdhenj dhe legjenda, si që janë p.sh. At Gjergj Fishta, veprat e të cilit jo vetëm që meritojnë të lexohen dhe të mësohen përmendsh, por ato duhet shti nën kokë edhe kur flemë, nga se ato janë vepra të shenjta të kombit shqiptar! Si të mos lexohet Pashko Vasë Shkodrani, vepra e të cilit edhe sot e gjithë ditën është udhërrëfyese besnike se si duhet ruajtur uniteti i kombit shqiptar?!
Si të mos lexohet Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, kur personazhin e tij “Luli i vocërr” edhe sot e gjithë ditën e shohim nëpër rrugët, sheshet dhe shkollat e vendit tonë?!
Po si të mos lexohet e rilexohet Fan Noli, kur edhe sot e gjithë ditën ballafaqohemi me njerëz që jetojnë pranë lumit të pa larë, pranë dijës së pa nxënë dhe pranë sofrës të pa ngrënë?!
A nuk po i shohim përditë e më shumë të gjallë , personazhet e veprave të Çajupit, Naimit, Kristoforidhit, Filip Shirokës....?!
Unë, mendoj se vetëm shkrimtarët, krijuesit dhe këngëtarët që shkruajnë, këndojnë dhe jetojnë me popullin dhe për popullin, do të jenë të pavdekshëm dhe në shpirtin e popullit për gjithmonë !

KOMBI DHE ELITA KOMBËTARE

GM: Si do e përshkruanit shkurtimisht historinë e Kombit tonë?

DK:  Me që , unë me profesion nuk jam historian , mendoj se historia e Kombit tonë është shumë e dhembshme dhe tragjike . Them kështu , duke u nisur nga fakti se mbi trojet tona etnike shkelën këmbë dhe çizme të rënda okupatore, ndër më të ndryshmet , duke filluar që nga Perandoria Romake, Perandoria Osmane, okupimi më se njëshekullor i regjimeve të ndryshme sllavo-ortodokse etj.
Ajo që është më e dhembshme për mua , është copëtimi i trungut shqiptar nën administrimin e  shtatë  shteteve ballkanike, shpërngulja dhe migrimi i popullatës shqiptare nëpër vendet e pesë kontinenteve të botës .
Për mua është shumë e çuditshme se përse as deri në ditët e sotme , kurrë nuk u shkrua historia e vërtetë dhe komplete për të gjithë shqiptarët?!

GM: Heronjtë dhe figurat e shquara të kombit tonë meritojnë vlerësimin më të lartë. Janë rapsodët, këngëtarët, shkrimtarët e poetët, që në mënyrë artistike vlerësojnë punët e bëra e jetët e dhëna. Ju keni thurur shumë vargje e kënduar shumë këngë për figurat e spikatura në periudha të ndryshme kohore. Mund të flisni për disa nga shqiptarët e mëdhenj që kanë zënë vend në penën dhe zërin tënd?...

DK:  Ne krijuesit e vegjël dhe të mëdhenj , çka do që do të bënim për Kombin, Atdheun dhe bijtë e Tij më të mëdhenj , kurrë nuk do të iu dalim hakut , nga se ndaj tyre kemi shumë borxhe dhe obligime .
Mbi të gjitha, çdo shqiptar që ka thithur tamblin e Nënës Shqiptare , e ka për obligim që në rend të parë: t’i edukojë fëmijët e vet në frymën e shëndoshë të atdhedashurisë , t’ua mbjelli atyre në shpirt, dashurinë ndaj Kombit, Atdheut dhe dashurinë e respektin ndaj figurave më madhore të historisë së Kombit Shqiptar !
Vetëm pas një edukate të tillë familjare, fëmijët tanë do ta kërkojnë diturinë nëpër libra, shkolla, këngë dhe arte të ndryshme !
Sa i përket pyetjes suaj konkrete, unë si krijues i këngës dhe interpretues i saj besnik, gjatë karrierës sime duke u bazuar në forcat e mia krijuese, jam mundua me mish e me shpirt, pa llogaritur asnjëherë në pasojat e pa parashikueshme , që në këngët dhe krijimtarinë time të mos mbetet asnjë figurë madhështore kombëtare, pa hy në notat, meloditë, vargjet, instrumentet dhe vokalin tim!
Jam shumë krenar, që pata fatin të jam këngëtari i parë nga Kosova, i cili e fillova karrierën time prej këngëtari, pikërisht me këngën “Kushtrimi i Skënderbeut”, këngë kjo që u publikua në Jubileun e madh të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Legjendar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më 1968 . Kjo këngë, të cilën e kishte kompozuar kompozitori gjakovar Zekeria Çarkaxhiu, atë botë u incizua në Produkcionin e Disqeve të Gramafonit “Beograd disk” në Beograd, me që në Kosovë nuk kishte shtëpi botuese diskografike .
Disku im i parë me këngën e Skënderbeut, shumë shpejt u fut në shtëpitë dhe zemrat e çdo shqiptari gjithë atje ku bukës i thuhej bukë e kripës i thuhej kripë! Dhe tirazhi i shitjes së këtij disku, brenda një kohe relativisht të shkurtër , i theu të gjitha rekordet e diskografisë shqiptare, ku u shitën mbi 350.000 ekzemplarë .
Është interesante të ceket edhe një e vërtetë e hidhur, rreth kësaj kënge:- Për derisa ky disk dhe kjo këngë ishte botuar dhe distribuuar nga Produkcioni Muzikor i kryeqytetit të ish Jugosllavisë – Beogradi, njerëzit shqipfolës të cilët punonin në programin e gjuhës shqipe në Radio Prishtinë, asnjëherë në jetë nuk e kanë lejuar këtë këngë që të emetohet në valët e të vetmit medium publik shqiptar të Kosovës?!
Pas figurës së Skënderbeut, në mënyrë të vazhdueshme iu kam kënduar edhe shumë figurave tjera të ndritshme të historisë dhe të Kombit Shqiptar, pa i respektuar kufijtë e imponuar administrativ e as apetitet e regjimeve ideologjike. Është e pamundur që në një intervistë t’i përmendi të gjithë me emër e mbiemër, me që në krijimtarinë time janë më se 850 personalitete me emër e mbiemër , por megjithatë do t’i përmendi vetëm disa prej tyre: Ali Pashë Tepelena, Ismail Qemail Beu, Marigona, Dedë Gjon Luli, Ali Pashë Gucia, Gjergj Fishta, Isa Boletini, Azem Bejtë Galica, Qerime Shotë Galica, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Idriz Seferi, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pandeli Sotiri, Motrat Qiriazi, Sulltana e Mazllom Qafës, Xhemë Gostivari, Mefailat e Zajazit, trimat e Palvës dhe Gucisë, Tringë Smajlen, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Terezën...
Në fokus të veçantë të krijimtarisë sime muzikore, kanë qenë figurat më të ndritura të NDSH-së, në Rrethin e Gjilanit, Malësinë e Karadakut dhe në Malësinë e Gollakut, prej të cilëve do t’i përmendi vetëm disa: Mulla Idriz Hajrullahu – Gjilani, Hasan Ali Remniku, Ymer Saqë Muçibaba, Muharrem Fejza – Hogoshi, Sylë Zarbinca, Lam Breznica, Ilmi Kallaba, Kapiten Shefqet Bylykbashi , Shyt Mareci, Vesel dhe Ajet Kosovica, Lam Shahiqi, Liman Shahiqi...e shumë të tjerë.
Dua të jam i sinqertë, se në krijimtarinë time muzikore kanë zënë vend të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e LNÇ-së, nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, madje edhe ata nga Shqipëria, për të cilët atë botë rrezikohej edhe koka .
Me daljen në skenë të UÇK-së, kënga e parë që është publikua në të përditshmen e atëhershme “Gazeta Shqiptare”, në  Prishtinë , më 17 Nëntor 1998, me tekst dhe melodi me nota, është pikërisht kënga ime me titull:”Rroftë Ushtria Çlirimtare!”
Prej atëherë e deri në ditët e sotme, nuk kam pushuar asnjëherë së krijuari këngë në përkujtim të dëshmorëve dhe heronjve të Kombit, duke filluar nga Adem Jashari, Agim Ramadani, Mujë Krasniqi... e në veçanti iu kam kënduar dëshmorëve dhe heronjve nga Rrethi i Gjilanit, Lugina e Preshevës, Medvegjëja, Malësia e Gollakut, pa i lënë asnjëherë anash edhe të gjitha krahinat tjera shqiptare.
Për hir të së vërtetës, po e ceku se krijimtaria ime muzikore, qoftë ajo e shkruar, qoftë ajo e incizuar, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me përfitimet materiale, por të gjitha botimet dhe publikimet e mia, janë shpërndarë dhe kënduar gratis, madje me mbulesë të shpenzimeve të mia.

GM: Ishte një arritje e madhe pavarësia e Kosovës, megjithatë për shumë shqiptarë, një ndër këta edhe unë, Pavarësia e Vërtetë do të ishte Bashkimi Kombëtar .
Në një sondazh që zhvilluam në Zemra Shqiptare , mbi 65% e 4000 votuesve preferonin një shtet të vetëm shqiptarësh, që do të thotë Bashkim Kombëtar.
Mendon se do të jetë një sfidë e së ardhmes, apo shqiptarët do të pajtohen me këtë fat që unë do ta quaja të pafat, sepse kemi derdhur shumë gjak për flamurin Kuq e Zi, të cilin shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë ta mbajnë vetëm në zemër...

DK: Nuk mendoj se do të ketë qetësi dhe rehati shpirtërore, kombëtare e as ndërkombëtare, për derisa nuk do të bashkohen të gjithë shqiptarët në një shtet ! Prandaj, popullin shqiptar e presin para veti edhe shumë sfida të mëdha për t’ ia arritur këtij qëllimi  të shenjtë!
Bashkimi Kombëtar në një shtet, në një atdhe, në një komb, në një flamur, nuk është i pa arritshëm, por për këtë lypset nga të gjithë ne, një syçelëtësi e madhe, një unitet i pa thyeshëm dhe mbi të gjitha: një dashuri e madhe ndaj kombit dhe atdheut!
Për të arritur deri tek Bashkimi Kombëtar, duhet t’i lëmë anash dallimet krahinore, dallimet fisnore, kanunet e egra dhe të tejkaluara, bajraktarizmat, dallimet fetare, dallimet partiake dhe apetitet karrieriste!
Bijtë e shqipes, nuk mund të jenë të lirë, të lumtur dhe të kënaqur, kur dikush qanë e dikush këndon !
Unë, nuk mund ta quaj “pavarësi” atë që dikush do të na imponojë flamura të rinj, himne të reja, kombe të reja, gjuhë të reja...dhe se është më se absurde të mendohet një strategji e re e pavarësive të krahinave shqiptare, sipas logjikës: një krahinë – një pavarësi, ose autonomi; një krahinë – një flamur, një krahinë – një himn, një krahinë – një gjuhë...!
Shqiptarët e Kosovës e kanë pranuar flamurin dhe himnin e imponuar nga UNMIKU, të cilët i atribuohen Pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, por e vërteta është se në jetën private, në dasma, festa, manifestime...asnjëherë nuk ndodhë që të mos përdoret Flamuri Kombëtar Kuq e Zi.



(Vota: 188 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora