E enjte, 18.04.2024, 08:00 PM (GMT+1)

Faleminderit

Milkani: Ja si u xhirua filmi im i parë

E marte, 28.08.2007, 07:32 PM


Filmi/Regjisori Piro Milkani, në dy kohë për filmin „Ngadhënjim mbi vdekjen“, 1967

Piro Milkani
Në vitet e saj të arta, Kinostudioja xhironte dhe shfaqte para publikut shumë më tepër filma sa prodhohen e shfaqen tani,e ndaj edhe quhen vite të arta për filmin shqiptar. Filma që edhe tani pëlqehen shumë nga publiku, shikohen dhe vlerësohen edhe nga breza më të rinj. E përveçse ishin më shumë, ata filma kishin cilësi të mirë dhe aktorë që tani, kur shumë vite kanë kaluar, janë edhe ajka e interpretimit në kinematografinë shqiptare, në filmin shqiptar dhe në teatrin tonë. Ata janë vlerësuar sot me titujt më të lartë “artisti popullit”, “Mjeshtër i punës”, “Nder i Kombit”, etj, sepse janë edhe ata që vunë themelet e këtij arti në Shqipëri. Edhe pse shumë nga filmat që xhiroheshin në atë kohë, në fillimet e Kinostudios ishin me tema nga Lufta, të politizuar deri në palcë, një pjesë edhe filma që i thurnin lavde Partisë, serish mes kuadrove e interpretimit të aktorëve mund të kuptoje edhe të tjera mesazhe, e mbi të gjitha e gjithë kjo, të gjitha mesazhet që mund të përcillte një film, ishin një art, një art shqiptar. Por si kanë lindur këta filma? Cila është shtysa reale dhe kryesore që i ka bërë regjisorët dhe aktorët të fillonin punën? Çfarë mbahet mend nga xhirimet? Kujt i dedikoheshin këta filma? Sot ndalemi tek filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, nga regjisori Pirro Milkani e Gëzim Erebara. Aktorët kryesor të filmit janë E. Kume, E. Luarasi, N.Frashëri, R. Ljarja etj. Ky film,i prodhuar 40 vjet më parë, në 1967, për nëj kohë ka qenë nga filmat më të mirë, i dënuar pas viteve 75, për shkak të aktores Edi Luarasi. Një film që ka korrur shumë sukses edhe në Kinë. Një nga regjisorët e tij, Piro Milkani i ka dhënë përgjigje pyetjeve përmes një shkrimi të botuar në Buletinin Kinematografik nr.2 , botuar në nëntor të vitit 1967. Po ky regjisor flet për këtë film edhe pas 40 vjetësh, por kësaj here përballë shikuesit kinez.

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” sipas Milkanit (1967)
“Çështja e luftës për emancipimin e gruas ishte një problem i ditës. Gruaja shqiptare gjatë gjithë historisë ka provuar me vepra se është e denjë të qëndrojë krah për krah me burrin. Në kohët e lashta atë e përfaqëson Teuta, më vonë gratë suljote, Argjiroja, malësorja trime Shote Galica dhe në vitet e Luftës nacional çlirimtare, ato nuk mund të numërohen sepse ishin shumë vajza e gra që pas kushtrimit luftua heroikisht krah për krah me burrat .
Të kuptosh shkaqet sociale që e shtynë këtë numër të madh vajzash e grash për të marrë pjesë në luftë nuk është kaq e vështirë, por e vështirë është që në një vepër kinematografike të sintetizosh dhe të përgjithësosh në mënyrë artistike portretin e vajzës shqiptare. kjo ishte dhe mbeti vështirësi kryesore e autorëve të filmit.
Heroina kryesore e filmit, Mira është një vajzë thjeshtë, e imët, një shkollare që është kundër fashizmit. Heroizmi i sa kryesor qëndron në vendosmërinë e saj për tu bërë ballë torturave më të tmerrshme fizike deh psikologjike të nazistëve gjermanë që e kanë arrestuar. Ajo është në gjendje tu bëjë ballë këtyre torturave, sepse asaj i jepte zemër për të qëndruar ideali për të cilin ajo lufton. Pranë saj qëndron gjithmonë partizania trime Afërdita dhe komisari Perlat që me durim edukojnë.
Nuk ka qenë e rastit që ne vendosëm të xhironim një pjesë të mirë të filmit në Gjirokastër në vendin ku ndodhën ngjarjet e dy heroinave Bule Naipit dhe Perfesoni Kokodhima që qëndruan të forta para armikut. Qyteti i Gjirokastrës nga ana figurative dhe materiali që nga ofrohej ishte shumë tërheqës. Faktura e gurit që mbizotëron aty, tarraca origjinale e kalasë, arkadat e madhërishme të saj dhe shumë objekte të tjera duhet të viheshin në shërbim të idesë kryesore të filmit. Heroinat tona duhet të ishin të forta si qyteti i gurtë në këmbët e të cilit u rritën. Heroinat tona duhet ët ishin të forta, si qyteti i gurtë në këmbët e të cilit u rritën. Megjithëse në film nuk bëhet fjalë për heroina konkrete (në kuptimin biografik të fjalës) por, për një përgjithësim artistik të figurës së gruas shqiptare gjatë luftës, por prapë në sfondin e ngjarjeve, në tërë shpirtin e filmit, qëndrojnë të dy vajzat heroina, Buleja dhe Persefoni, figura këto që duhet t’u falsin në një gjuhë të qatë dhe të pastër edhe brezave të sotshëm. Gjatë xhirimit, ne patëm rastin të njohim më thellë realitetin historik të luftës madhështore që bëri populli ynë. Qytetarët e Gjirokastrës e ndjenin veten pjesëtarë aktivë dhe mundoheshin të na ndihmonin me sugjerimet e tyre për të korrigjuar edhe ndonjë gabim që në vështrimin e parë dukej i parëndësishëm. Ne u jemi mirënjohës atyre për ndihmën që na dhanë dhe ne vumë të gjitha forcat për ti dhënë spektatorëve një film që të përfaqësojë denjësisht rolin e gruas në luftën e madhe nacionalçlirimtare që bëri populli ynë”.

Milkani, pas 40 vjetësh në Kinë
40 vjet më pas, regjisori Piro Milkami, gjatë intervistës në Pekin për rubrikën “Magjia e filmave artistikë” të CCTV-së, regjisori i njohur shqiptar Piro Milkani foli edhe filmin artistik shqiptar “ Ngadhnjim mbi vdekjen “, që në Kinë ëstë bërë mjaft popullor. Sipas kronikës kineze spektatorët kineze interesohen për gjendjen e tanishme të aktoreve kryesore të këtij filmi, sepse figurat e dy heroinave shqiptare janë krijuar me shumë sukses dhe u kanë lënë spektatorëve kinezë përshtypje të thella. Bile shumë vajza kineze endrronin të bëheshin heroina si Mira dhe Afërdita. Ndër të tjera ai tha: “Edi Luarasi është një aktore shumë e njohur e filmit dhe e teatrit, disa vjet pas filmit, ka pasur një fatkeqësi të madhe sepse burri i saj, regjizori i madh Mihal Luarasi u fut në burg. Ajo u largua nga teatri dhe punoi si rrobaqepëse për shumë vjet. Pas daljes së të shoqit nga burgu në vitin 1990, ata shkuan dhe jetuan për l0 vjet në Hungari. Tani ajo është kthyer dhe është aktivizuar përsëri në Teatrin Kombëtar. Eglatina Kume ka emigruar si shumë shqiptarë. Për fat të keqe, mbas vitit l990, mbi l milionë shqiptarë kanë ikur për emigrim. Ka shumë nostalgji për Shqipërinë nga shqiptarë që jetojnë në Itali. Eglatina ka luajtur në Greqi filmin “Dashuria që erdhi nga larg”, një serial televiziv me histori shqiptarësh që bashkohen me grekët. Filmi flet për bashkëjetesën e shqiptarëve me grekët. Është një film human, njerëzor, që tregon se popujt duhet të jetojnë në paqe dhe në harmoni. Seriali ka pasur shumë sukses në Greqi. Komentatori i njohur kinez Jin Zaojyn, në një artikull për prirjen e muzikës së preferuar kineze si dhe për prej ardhjen e saj, shkruante: “Duhet të falenderojmë filmin artistik shqiptar ‘Ngadhnjim mbi vdekjen’, ku është një fjalë ‘Edhe revolucionarët i bien kitares ? ‘ gjatë bisedës së vajzës Mira me djaloshin komunist, qe ishte një fjalë e njohur dhe e përhapur shumë në ato vite. Me qe në film bashkëluftëtari thotë se revolucionari mund të luante kitaren, kështu që prej asaj kohe, kitarja u bë një instrument shumë i hapur në Kinë.” Kinezët kujtojnë shumë edhe atë djalosh komunist që i binte kitares dhe interesohen për artistin shqiptar Rikard Ljarja që luanti këtë rol. Lidhur me këtë djalosh të atëhershëm, z. Piro Milkani na tregoi: “Rikard Ljaria, është bërë regjizor dhe ka bërë shumë filma. Tani është në pension, nuk punon më.” Lidhur me shprehjen e dashurisë në filmat artistikë shqiptarë, regjisori Piro Milkani tha: “Është vërtetë që fryma skematike e filmit të realizimit socialist mbizotëron edhe në filmin sovjetik dhe në filmin çek, në filmin shqiptar dhe filmin kinez dhe në emër të një morali të ashtuajturi socialist u privuam nga shumë gjëra, edhe tek filmi “ Ngadhnjim mbi vdekjen”, është vetëm sa preket pak dashuria e këtyre dy të rinjve, unë mund tu them se në filmin shqiptar vetëm në vitin l969 në një film pati një puthje, larg e larg dashuria pranohej por megjithatë nuk shkoi në thellësi, veçse a mund të jetojë njeriu pa dashuri, sodomos kur të bashkon mosha, ideali, pjekuria, mentaliteti, prandaj edhe këto pak skena dashurie i dhanë filmit ato vlera, sepse një film i mirë duhet të qendiset si një tantellë e bukur e qëndisur nga ato gratë që bëjnë tantella, edhe ajo ashtu është bërë copa copa duke e plotësuar figurën nga të gjitha anët edhe nga ana njerëzore, e ndjenjave njerëzore dhe nga ana e botëkuptimit që në atë kohë ishte mbizotërues tek një kategori vajzash dhe djemsh që kishin vendosur të luftonin kundër armiqve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora