Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, pedagog në Universitetin e Tiranës

| E premte, 03.07.2009, 06:34 PM |


Flet Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, pedagog në  Universitetin e Tiranës dega gjuhë-letërsi, një nga kritikët letrarë më të spikatur shqiptarë

JA PËRMASA E PLOTË DHE RELIEVI I NJËMENDËT I LETËRSISË SHQIPE

Nga Albert Zholi

Njeri i qetë, serioz, studiues, i dashuruar marrëzisht me librin, por kryesisht me kririkën letrare, këto janë impresionet gjatë takimit me Prof. Dr. Bashkim Kuçuku.  Ka lindur në Konispol dhe po aty kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i ka kryer për gjuhë shqipe dhe letërsi, në Universitetin e Tiranës. Që në shkollën e mesme i kishte  pëlqyer kritika letrare për mprehtësinë e zbulimit,  kënaqësinë e debatit, dhe, veçanërisht për mundësitë që i jepte për të hyrë në fshehtësitë e veprave dhe të jetës së shkrimtarëve. Gjithashtu, edhe mësimdhënia. Sipas tij, të mësosh të tjerët është puna më humane dhe më fisnike, pas mjekësisë. Në universitet studimet dhe mësimdhënia janë një, prandaj universiteti është kurora e punës sw tij. Rrugën e kritikës e zgjodhi me pasion, pasi hoqi dorë nga mjekësia, pasi nuk e përballojnte dot për arsye psiko-emocionale. Sipas tij  në politikën shqiptare nuk ka vend për idealistët dhe të ndershmitpor, vepra e Faik Konicës, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Petro Markos, Martin Camajt, Kasëm Trebeshinës, Arshi Pipës, Bilal Xhaferit, Anton Pashkut zunë vendin e tyre, dhe, po ashtu, wshtw zgjeruar hapësira e stileve moderne të Ismail Kadaresë, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, etj

Z.Bashkim, keni një karierë akademike shumë të gjatë. Përgjithësisht si i analizoni ju ndryshimet që janë bërë në sistemin arsimor universitar vitet e fundit?

 Edhe rektor të jesh, është e pamundur të njohësh dhe të kuptosh tërësinë e ndryshimeve të një universiteti për arsye se ai përfshin në vetvete fakultete të ndryshëm dhe specialitete të shumtë, larg specialitetit tënd. Me sa kam dëgjuar prej kolegëve të fakulteteve të tjerë, dhe, me sa arrij të kuptoj, në Universitetin e Tiranës, besoj, edhe në universitete të tjerë, janë bërë ndryshime rrënjësore në përmbajten e programeve dhe të lëndëve, në konceptet teorike dhe metodat e studimeve, ndofta, më pak në llojshmërinë e specialiteteve, për pasojë, më pak edhe në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Universitetet, si vetë shkencat që kultivojnë, janë në zhvillim të përhershëm, prandaj, edhe, në këtë rast, cilatdo qofshin ndryshimet, do të mund të thuhej se janë vetëm fillimi i evropianizimit dhe bashkëkohëzimit të tyre.  

Sa ka ndryshuar Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në vitet e demokracisë?

Edhe ndryshimet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë janë afërsisht të njëjtë me të gjithë ndryshimet e thella të Universitetit të Tiranës. Më thelbësorja është se, tanimë, ka një bazë të mirëfilltë shkencore, dhe, përgjithësisht bashkëkohore. Kjo do të thotë se kanë ndryshuar rrënjësisht formimi dhe mënyrat e studimit të vet profesorëve të mëparshëm, ndërkohë, që, kryesisht, po ata kanë përgatitur brezat e rinj, sipas programeve dhe literaturës së universiteteve homologe evropiane dhe amerikane. Ndryshimi mund të kuptohet plotësisht vetëm duke patur parasysh gjendjen e mëparshme, sidomos në strukturën dhe objektivin e tij, në shumë të dhëna, të sajuara e artificiale, jashtë çdo gjedheje/ modeli universitar.  Si fakultet i shkencave shoqërore, përkatësisht, i historiografisë, letërsisë, gazetarisë, etj., ai ka qenë ndër më të ideologjizuarit. Specialistët, që përgatiteshin në të, me dashje ose pa dashje bëheshin mësues dhe shkencëtarë ideologë, madje, dhe kur nuk bëheshin, ishin të detyruar të luanin role të tillë. Shkenca e vërtetë ishte një shtojcë, asnjëherë e mirëfilltë dhe e plotë. Shkencat letrare, p.sh., ishin  varfëruar dhe kufizuar skajshmërisht, për t’i u përshtatur kërkesave të të ashtuquajturit formim marksist-leninist, duke u vërtitur qark disa koncepteve klasike të shekullit XIX, të pamjaftueshme as për shkollat parauniversitare, mbi të cilat rrekeshin për t’u mbajtur edhe punimet e profesorëve. Derisa nuk pranohej dhe nuk lejohej asnjë nga teoritë dhe metodat e studimeve bashkëkohore të shekullit XX, kuptohet se sa e prapambetur ishte dega e letërsisë, dhe sa pa baza shkencore.

 Në përditshmërinë profesionale nuk bie shumë në sy ajo që është arritur, aq më tepër që profesorët nga natyra e tyre janë modestë. Bashkëkohëzimi i universitetit të prapambetur shqiptar, që ka qenë shndërrimi i tij më i vështirë, është bërë me aftësinë, përgjegjësinë e madhe dhe zellin franceskan të profesorëve, pasi, shteti, përveç pagave dhe ligjit në letër për të ndryshuar universitetin nuk ka dhënë asgjë. Ata që nuk punojnë në universitet, mund të habiten, dhe të thonë: “Çfarë mund të jepte tjetër shteti?!” Universitetet janë kombinate të mëdha dhe të ndërlikuar dijesh. Thesari i tij më i madh është libri me të cilin punojnë profesorët dhe studentët.  Për gjendjen e universitetit shqiptar, të shkëputur plotësisht nga universitetet e Evropës për pesëdhjetë vjet, më i domosdoshëm ishte libri në gjuhë të huaj. Sot e kësaj dite, të paktën, në degën e letërsisë, nuk ka ardhur asnjë libër në gjuhë të huaj për profesorët, pa le më për studentët. Punimi i Masterit dhe i Diplomës së Nivelit të Dytë, veçanërisht i Doktoraturës nuk mund të arrihen pa një sërë librash në gjuhë të huaj. Dega e letërsisë nuk ka bibliotekë, pra, më të domosdoshmen, bazën shkencore. Studentët fillimisht punojnë me librat vetiakë të profesorëve, pastaj rropaten për muaj e vite për të gjetur literaturën. Universitetet private, që nuk mbahen nga shteti, edhe pse janë krijuar këto vitet e fundit, kanë biblioteka relativisht të pasura për specialitetet që përgatisin. Po, ashtu, me projekte shtetërore nuk ka vajtur asnjë profesor, as i brezit të vjetër dhe as i brezit të ri, për studime ose për specializime në universitete të Evropës apo të SHBA-ve. Ata kanë shkuar ose me bursa të institucioneve të huaja ose me paret e tyre.

 Si është rishikuar letërsia në kohën e sotme? A ka ndonjë sistem referimi “politik” në përcaktimin e kolonave të letërsisë shqipe apo mendoni se koha do t’i shoshisë dhe ndërhyrjet e caktuara politike?

Rishikimi, qoftë i letërsisë shqipe, qoftë i letërsive të gjuhëve të tjera apo të huaja, siç quhen zakonisht, ka qenë tërësor. U përfshinë në programet, lëndët dhe studimet të gjithë autorët e meritueshëm për ndihmesat e çmuara, që për arsye biografie, qëndrimesh politike apo stilesh moderne ishin lenë jashtë disiplinave letrare, sikurse u hoqën ata autorë që pameritueshëm ishin përfshirë po për arsye tilla. Vepra e Faik Konicës, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Petro Markos, Martin Camajt, Kasëm Trebeshinës, Arshi Pipës, Bilal Xhaferit, Anton Pashkut zunë vendin e tyre, dhe, po ashtu, u zgjerua hapësira e stileve moderne të Ismail Kadaresë, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, etj. Ndërsa, në fushën e studimeve të nivelit master, doktoraturë dhe akademik janë përfshirë edhe të gjithë autorët e tjerë, që thjesht, sipas kriterit përzgjedhës të programeve, nuk trajtohen në nivelet e para. Në pikëvështrimin universitar dhe akademik, tashmë, është krejt letërsia shqipe e të gjitha kohëve, brezave, stileve dhe hapësirave shqiptare.

    Me rishikimin ka ndryshuar mjaft përmasa e tablosë dhe relievi i letërsisë shqipe, veçanërisht asaj bashkëkohore, një pjesë e madhe dhe e rëndësishme e së cilës nuk kishte dalë në dritë ose nuk lejohej të qarkullonte në hapësirën e shtetiti shqiptar. Deri atëherë, njihej vetëm krijimtaria e realizmit socialist, tepër e kufizuar dhe e njëtrajtshme. Pas 91-shit, si prej nëndheu dhe papritur u shfaq një krijimtari tjetër, krejt e panjohur, e pasur dhe risore, ajo që ishte shkruar dhe nuk kishte dalë në dritë, veçanërisht e Kasëm Trebeshinës, si dhe ajo që ishte botuar jashtë shtetit amë, por nuk lejohej të qarkullonte në të, sikurse është e Martin Camajt dhe e Anton Pashkut, ose, e Azem Shkrelit dhe e Ali Podrimjes, që lejohej me doza të caktuara

Lexuesit të zakonshëm, fatkeqësisht edhe jo pak shkrimtarëve dhe studiuesve, tabloja e mëparshme dhe tabloja e re, mund t’u jenë shfaqur në trajtën e dy letërsive që do të asgjësonin njëra tjetrën. Në të vërtetë, e saposhfaqura asgjësoi krijimtarinë e indoktrinuar dhe pa art, që qarkullonte natyrshëm në realitetin e mëparshëm, veçanërisht nëpërmjet teksteve shkollore, dhe pranëqëndroi me letërsinë cilësore, që kishte zenë vendin e vet prej kohësh. Vetëm tani mund të thuhet se kemi përpara, përgjithësisht, përmasën e plotë dhe relievin e njëmendët të letërsisë shqipe, shkruar në gjysmën e dytë të shekullit XX, e cila nuk është as e varfër dhe as inferiore krahas letërsive të tjera evropiane, sidomos mes atyre të gjuhëve ballkanike.

 Në këtë rishikim të gjithanshëm, pra, në kolonat e historiografisë letrare shqipe, të programeve dhe të studimeve, në përgjithësi, nuk ka asnjë sistem referimi “politik”. Sistemi i referimit janë thjesht vlerat letrare. Në praktikën e punës mund të vërehen edhe anime të papërligjura shkencërisht, pasojë e bindjeve apo e qëndrimeve të skajshme të ndonjërit, të cilat, më vonë, do të fashiten krahas çbarazpeshimeve psiko-shoqërore të sotme, që janë karakteristikë e njeriut të tranzicionit.

Është folë shumë për ndryshimin e historisë së shqiptarëve, duke e akuzuar shpesh atë sikur ajo është “politike”. Po në letërsi,  a përbën problem këndvështrimi apo përzgjedhja politike?

Në programet dhe lëndët e letërsisë shqipe nuk shikoj ndonjë problem që vjen nga përzgjedhja politike. Përpjekjet për t’i paraqitur sa më me paanësi dukuritë, stilet, veprat dhe autorët, kanë qenë të vetëdijshme. Natyrisht, si përzgjedhja e parë e lirë dhe e mirëfilltë shkencore, jashtë kritereve të detyruara politike, mendoj se, në përgjithësi, tashmë, është sendërtuar, por kjo nuk do të thotë se u arrit paanësia absolute, e cila nuk arrihet, dhe madje, nuk dihet asnjëherë se cila është. Aty-këtu vërehen edhe luhatje, ngushtime ose kapërcime të masës. Bie fjala, ka programe dhe tekste parauniversitare dhe universitare, që, për mosnjohje apo për moszotërim të stileve, veçanërisht të modernitetit, disa autorë të ndaluar të paraqiten ende pak, dhe, herë-herë jo në cilësitë e tyre të njëmendëta. Mirëpo vërehet edhe e kundërta.  Disa prej këtyre autorëve kanë zenë hapësirë më të madhe. Në një farë mënyre, dhe, përkohësisht, kjo edhe mund të përligjet, sepse është e nevojshme që brezat e rinj të marrin më shumë njohuri për ta. E papërligjur është prirja mbiçmuese, sepse zbeh shkencën, dhe, për më keq, vazhdon të mbajë gjallë stilin e hibridizuar ideologjik.Gjithësesi, këto janë mangësi që plotësohen dhe saktësohen vetiu nëpërmjet formësimit shkencor dhe një përvoje më të madhe.

  Në punën e profesorëve për hartimin e programeve dhe të teksteve nuk ka patur ndërhyrje flagrante të politikës, së paku, në shkencat letrare. Dhe kjo jo nga paanshmëria e politikanëve dhe e institucioneve që komandojnë, por thjesht nga që nuk është fusha e interesave të tyre, apo, më shqip, sepse nuk është hapësirë e lavdisë dhe e përfitimeve të tyre ideologjike. Ndërsa, në historiografinë politiko-shoqërore të shqiptarëve, fatkeqësisht, ka patur ndërhyrje dhe tjetërsime brutale, veçanërisht me anë të specialistëve të tyre partiakë, që vazhdimisht u japin në dorë drejtimin e institucioneve dhe të projekteve historiografike. Dhe janë, pikërisht, politikanët shtetarë që i kanë luajtur të gjithë gurët që të zenë vend, madje sa më të madh, ngjashëm si në monizëm, dhe, që me to të manipulojnë psikologjikisht për pushtetin. Dhe, kështu, ajo vazhdon të ripolitizohet, sikur mos t’i mjaftonte politizimi i skajshëm i trashëguar.

Jeni një nga profesorët më të njohur të letërsisë shqipe. Cili është mendimi juaj për letërsinë e diktaturës? Me ç’këndvështrim do ta shohin brezat e ardhshëm atë lloj letërsie?

Cilësimi “letërsi e diktaturës” është shumë i papërcaktuar, sepse, në vartësi të këndvështrimit përfshin përmbajtje të ndryshme.

 Nëse me “letërsi të diktaturës” kuptohet ajo që është shkruar në kohën e diktaturës, do të thuhet se është shumë e pasur dhe e larmishme, pasi është e gjithë letërsia që u shkrua gjatë pesëdhjetë vjetëve,  në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në atë kohë është shkruar edhe krijimtaria e realizmit socialist, edhe ajo disidente, që nuk u botua në atë kohë, edhe ajo në trojet shqiptare jashtë shtetit amë dhe në diasporë, pra, krejt letërsia shqipe.

 Nëse me këtë cilësim do të kuptohet letërsia që u botua në kohën e censurës në Shqipërinë shtetërore, përsëri do të thuhej se është e pasur dhe e larmishme, sepse në atë kohë është shkruar edhe pjesa më e madhe e veprës së Ismail Kadaresë, që prej vitesh është ndërfutur në letërsinë evropiane dhe botërore, sikurse është shkruar edhe ajo e Dritëro Agollit, Dhimitër S. Shuteriqit, Fatos Arapit, Koço Kostës, etj, të cilat, pavarësisht nga vepra të caktuara që kanë qenë të indoktrinuara, kanë hyrë në pasurinë e letërsisë shqipe. Konkretisht, atëherë janë shkruar dhe botuar Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Kamarja e turpit, Muzgu i perëndive të stepës, Viti i mbrapshtë, madje dhe Pallati i Ëndrave, botuar  në dhjetra gjuhë të botës, dhe, natyrisht, jo se  janë të realizmit socialist, por për vlerat e tyre universale. Censura, në çdo kohë, qoftë edhe nën detyrimin e realizmit socialist tepër ortodoks, nuk e tjetërson dot tërësisht letërsinë, sepse ajo ka edhe mekanizmat dhe mënyrat e veta për t’u ruajtur, ndryshe mund të ishte zhdukur edhe më përpara.

  Dhe, nëse, me “letërsi e diktaturës” kuptohet letërsia e realizmit socialist, atëherë përgjigja është më e thjeshtë. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë mund të pëlqehet nesër, dhe, aq më pak unë, që nuk besoj te parashikimet e askujt, sepse pëlqimet ndryshojnë aq shumë, sa ç’ndryshon vet formimi kulturor i tij, ndërsa, në këto dhjetëvjeçarë vet leximi i letërsisë në botë është kufizuar në maksimum, madje është në pikëpyetje se a do të lexohet më letërsi, për shkak të internetit dhe të teknologjive të tjera kulturore moderne. Megjithatë, për pyetjen tuaj konkrete, mund të jepen shpjegime të arsyetuara. “Letërsia e diktaturës” ishte ngushtësisht e porositur dhe e detyruar brenda disa caqeve politike të caktuara, për një lloj botëkuptimi, një lloj sistemi politik, e, për pasojë edhe për një lloj lexuesi- për lexuesin e indoktrinuar skajshmërisht që nuk dinte se ç’ishte liria e leximit dhe pëlqimi i pavarur vetiak. Ai dinte të pëlqente vetëm atë lloj letërsie të politizuar, sepse vetëm atë njihte. Është një lloj si me fiset primitive, të mësuara me një lloj ushqimi, që nuk kanë aftësinë e pëlqimit të ushqimeve të tjerë, sepse nuk i njohin. E, meqenëse ai sistem, botëkuptim, dhe, veçanërisht ai lexues nuk ekziston më, dhe vështirë të rikrijohet në Shqipëri,  mendoj që ajo letërsi, në përgjithësi, nuk do të lexohet më, përveç prej studiuesve dhe për interesa studimi, dhe, natyrisht,  nuk përjashtohen kuriozët ose nostalgjikët e atij botëkuptimi.

Ju jeni një nga kritikët më të njohur të letërsisë shqipe, mbrojtës i veprës së shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare. Sipas mendimit tuaj, cila është vlera më e madhe e veprës së tij?

Më falni, do të doja të bëja një sqarim profesional. Kritika çmuese, d.m.th., ajo që ve në dukje vlerat nuk është mbrojtëse, sikurse edhe ajo që kritikon dobësitë nuk është sulmuese ose mohuese. Kritika ka për mision të vlerësojë me paanësi, ose, siç thuhet me termin shkencor, me objektivitet nëpërmjet analizave shkencore. Letërsia e vërtetë nuk ka nevojë për mbrojtje. Ajo është vetvetiu e mbrojtur nga vlerat e saj. Sado të përpiqen manipuluesit e opinionit, qofshin institucione, qofshin individë, skuadra dhe brigada individësh, nuk mund ta errësojnë atë. Është një lloj si floriri, që edhe i hedhur në baltë, edhe i shkelur nuk humbet asgjë, por ndriçon dhe mbetet përjetësisht po aq i vlefshëm. Prandaj, edhe kritiku dhe studiuesi profesionist nuk mbrojnë asnjë vepër. Ata vetëm ndriçojnë bukuritë mrekulluese të saj në formën e një ftese edhe për të gjithë të tjerët që dëshirojnë të emocionohen prej saj. Kritika është gida që shpjegon dhe e intimizon lexuesin me monumentet e turizmit letrar. Kështu, edhe unë nuk bëj tjetër veçse përpiqem të argumentoj, sa më shumanshmërisht origjinalitetin, risitë, vlerat e saj universale, sikurse e kam bërë edhe për veprat e autorëve të tjerë. Për kritikun dhe studiuesin rëndësi ka vepra dhe aspak emri i shkrimtarit.     

  Vlerat e veprës së tij janë të begatshme dhe të shumëllojshme, sikurse është vetë ajo e begatshme dhe e shumëllojshme. Në tërësinë e letërsisë shqipe, dhe, në kuptimin e mirëfilltë letrar, ajo është më e pasura, më e madhja dhe më e rëndësishmja. Risuese në poezi, në prozë, veçanërisht në roman, dhe, shpesh mbi nivelin e përgjithshëm të saj, ajo e ka ngritur letërsinë shqipe në shkallaret më të larta, herë-herë të njëjta me letërsitë e tjera evropiane dhe botërore.

Edhe në marrëdhënie me lexuesin, sidomos të asaj kohe kur është shkruar, ka qenë tepër emancipuese. Me lirinë më madhë të mundshme në ato rrethana, dhe jo rrallë edhe tej çdo lejueshmërie, ajo e ka nxitur përherë atë kundër fanatizmit, dogmatizmit dhe tabuve të një realiteti tejet të indoktrinuar. Edhe krijimet e tij më të kufizuara, ose, më brenda rregullave zyrtare, me përmbajtje apo me veçori të caktuara të stilit kanë qenë njëherësh në opozicion dhe në kundërshtim me to, prandaj, vazhdimisht, herë më pak, herë më shumë dhe herë tërësisht, ajo mbartte në vetvete, kërkonte dhe nxitte lirinë dhe emancipimin letrar, shoqëror dhe moral. Pikërisht, për këtë liri të shumëllojshme, krijimet e tij, zakonisht, sapo dilnin në dritë bëheshin objekt diskutimesh të zjarrta, si dhe kritikash të ashpra, madje dhe denoncimesh të fshehta dhe ndalimesh. Krahas vlerave letrare të padiskutueshme, me lirinë gjenetike dhe të përhershme të saj, me përjashtim të disa krijimeve të indoktrinuara, ajo vazhdon të jetë në harmoni me kërkesat dhe pëlqimet e lexuesit të sotshëm, të emancipuar, i cili e kupton atë më mirë dhe në plotërinë e vet.

Vlerat e saj janë po kaq të mëdha dhe të rëndësishme edhe në marrëdhënie me letërsitë e tjera. Me afërsisht 500 botime në 34 gjuhë të tjera të Evropës, Amerikës, Azisë dhe Afrikës, tashmë, përfshihet në thesarin e letërsisë botërore. Duke qenë e para prej letërsisë shqipe që ka hyrë në të, ajo ka, gjithashtu, një meritë dhe një funksion të jashtëzakonshëm, sepse, letërsinë shqipe nga e paqenë e ka bërë të qenë, të pranishme, të përbotshme, madje dhe dinjitoze në atlasin e saj. Si entitet letrar, vepra e Ismail Kadaresë është universale, gjithënjerëzore, dhe, fatmirësisht është bërë universale, gjithënjerëzore edhe në përhapjen, në funksionin, ndikimin dhe qarkullimin e saj nëpër botë, në gjuhë dhe vende të shumtë. Natyrisht, kjo është edhe vlera më e madhe e saj, si dhe e çdo vepre të kësaj përmase dhe cilësie.

A ka ndikuar sistemi diktatorial për ta nxjerrë më në pah veprën e tij?

Ka ndikuar vetëm për veprat e indoktrinuara, ndërsa, për tjerat, përkundrazi, është përpjekur me të gjitha mënyrat dhe mjetet t’i kalonte në hije dhe t’i mbante sa më larg lexuesit, dhe, sa herë kanë qenë në kundërshtim me të, pa ngurrimin më të vogël, i ka ndaluar dhe kritikuar me ashpërsi. Është krejtësisht jashtë logjikës së atij sistemi, që të mendohet, dhe, aq më pak të pranohet se veprat që nuk përputheshin me realizmin socialist, ose, ishin në kundërshtim me të, sikurse janë shumica e tyre, të viheshin në piedestal publik. Propaganda e të ashtuquajturës Shqipëri socialiste, me dështime të shumta dhe fryte ta pakta pune në të gjitha fushat, është përpjekur me të madhe ta “shtetëzojë” atë, d. m. th., ta paraqesë si pronë dhe fryt të epërsive të sistemit të saj politiko-shoqëror. Shpesh u ka sofizmuar shqiptarëve, dhe më tepër botës së jashtme që nuk e dinte të vërtetën, se, pikërisht, ajo lloj Shqipërie, më censuruese, më e mbyllur dhe më fanatike se e gjithë Lindja, nxirrte talente të mëdha, dhe se, realizmi socialist à la shqiptar u krijonte kushtet më të përshtatshme shkrimtarëve për zhvillimin e dhuntive të tyre. Pavarësisht nga ky keqpërdorim, që, tek e fundit, ka qenë jashtë vullnetit të shkrimtarit, vepra e tij do të ishte po aq e lexueshme dhe e çmueshme, si në botën shqiptare, ashtu edhe në botën e jashtme. Në përgjithësi, mirëpritja e vazhdueshme, përhapja e shumanshme, popullariteti i paarritur deri atëherë dhe gjithçka tjetër ka ardhur meritueshëm nga vlerat sipërane dhe përmasat e saj jo të zakonshme për letërsinë shqipe. Dhe, po ashtu, kanë ardhur radhazi, natyrshëm, nga nivelet shoqërore më të ndryshëm dhe për tërë funksionet e saj.

 Propaganda, si rregull, si qëllim dhe praktikisht ka ndikuar në përhapjen dhe ngritjen në shkallare të pamerituara artistikisht të veprave të indoktrinuara të të gjithë shkrimtarëve. Një lloj ka ndikuar edhe për disa vepra të tij, bie fjala, për Shqiponjat fluturojnë lart, Dimri i madh dhe ndonjë tjetër.  Dhe, nëse në raste të caktuara, ka ngulmuar më shumë tek këto, ka ngulmuar jo se ishin të Ismail Kadaresë, por për artin e tyre të nivelit më të lartë, për origjinalitetin dhe forcën shprehëse të madhe. Nxjerrja në pah me përparësi e krijimeve të tilla nuk ishte privilegj i posaçëm për të. Propaganda u a shtronte rrugën me dafina artificiale të gjithë shkrimtarëve që shkruanin kësi lloji, madje edhe më dendur për krijimet skematike dhe pa art të mirëfilltë të shkrimtarëve të tjerë. Po të shfletohen koleksionet e revistave dhe të gazetave të asaj kohe do të gjenden më shumë lavdërime, edhe në sipërore, bie fjala, për romanin Përsëri në këmbë se sa për Dimri i vetmisë së madhe për të cilin pati një varg kritikash, mbushur me mllef, dhe po aq rezerva të pashprehura publikisht.

  Edhe pse Kadareja shkruante romane madhorë çdo dy-tre vjet, zakonisht, përcilleshin me një shkrim në gazetën ose revistën letrare, dhe ato me faqe të kufizuara, diçka më gjatë se për romanet e zakonshëm të shkrimtarëve rutinorë, dhe asnjëherë shumë gjatë. Rrallë mund të botoheshin dy shkrime në të njëjtin organ. Në zyrat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në redaksitë e saj, nga drejtuesit, thuhej shprehimisht, dhe kjo ishte porosi nga lart, se “nuk do të krijojmë kultin e Ismail Kadaresë”. Sipas atij botëkuptimi, Shqipëria socialiste, ndryshe nga bota borgjezo-revizioniste, ishte kundër kultit të shkrimtarit dhe të artistit. Dhe, kuptohet, që të zotëronte gjithandej kulti i udhëheqjes partiake.

   Përballë mendimit të atyre që u duket, veçanërisht të atyre që stërmundohen ta paraqesin qëllimisht se gjoja vepra e Ismail Kadaresë është nxjerrë më në pah nga kritika zyrtare e asaj kohe, mund të vihen shumë argumente.

 Argumenti i parë, që, ndofta, është edhe më i pakundërshtueshëm. Ka qenë një e vërtetë absolute. Të gjitha veprat, madje dhe krijimet më të vogla të Ismail Kadaresë lexoheshin gjerësisht, nga të gjitha kategoritë shoqërore dhe të çdo niveli arsimor-kulturor të mundshëm, që nga kooperativisti, punëtori i fermës dhe i fabrikës, intelektualët, dhe deri te udhëheqësit partiakë, si dhe, në anën tjetër, prapa malit, të burgosurit dhe të internuarit. Dhe lexoheshin, si ato që lavdëroheshin, dhe, ndofta, më shumë ato që kritikoheshin. Lexoheshin edhe ato që pëlqeheshin, edhe ato që nuk pëlqeheshin; i lexonin edhe ata që e adhuronin shkrimtarin, edhe ata që kënaqeshin kur e kritikonin, dhe mezi prisnin ta shikonin edhe më keq. Forca tërheqëse, thuajse, rrëmbyese është cilësia parësore dhe më e jashtëzakonshme e stilit të tij.

 Për t’u kuptuar më mirë kjo e vërtetë e leximit, edhe jashtë rolit të propagandës, mund të sillet një fakt nga popullariteti i veprës së një shkrimtari tjetër, krejt të papëlqyeshëm, madje të papranueshëm nga sistemi për shkak të biografisë së tij. Bilal Xhaferi ishte, gjithashtu, nga shkrimtarët më të lexuar në vitet ‘60-të, megjithëse, sikurse dihet, mezi dhe rrallë i botonin. Edhe ato lexoheshin krejt natyrshëm, vetëm për cilësinë dhe origjinalitetin e tyre, pa ndikimin e propagandës. Nëse fjala e saj do të ishte vendimtare, ato, thuajse, nuk do të lexoheshin fare, pasi të gjitha shënimet lavdëruese, në gazeta dhe revista, kanë qenë gjithsej disa rreshta.

Lexuesi i atëhershëm, i mbyllur në shtetin e vet, pa patur mundësi për t’u njohur lirisht me letërsi dhe arte të tjerë, ishte i etur për leximin e letërsisë shqipe, sepse ajo ishte mjeti më i mirë dhe më i mundshëm i komunikimit estetik, që mund të zotërohej nga kushdo dhe kudo. Nga ana tjetër, i mësuar me një letërsi bashkëkohore tepër skematike dhe të njëtrajtshme, shpesh të autorëve pa dhunti krijuese, ngazëllehej vërtet dhe gjente kënaqësi të madhe, kur dilnin vepra origjinale dhe talente të spikatur, pasi pasurohej disi jeta e tij estetike tejet e varfër. Origjinaliteti letrar atëherë ishte shumë më tepër se kaq. Ai ishte një segment i ri lirie, një gjedhe zhvillimi vetiak dhe shprehjeje të paqenë, një hapësirë tjetër, e panjohur, përtej të zakonshmes, një nxitje dhe mundësi për të parë edhe më tej dhe për të pritur edhe diçka më të mirë dhe më të bukur se sa prej të zakonshmes trishtuese. Dhe këto cilësi, në veprën e Kadaresë, sigurisht, ishin më të theksuara se te çdo autor tjetër.  

Argumenti i dytë. Historiku i botimit dhe i përcjelljes kritike të veprave të tij, në përgjithësi, si dhe i krijimeve të veçanta ka një diagramë me shumë zikzake dhe prapakthime. Ato vërtet kanë dalë në dritë, por një sërë syresh janë kritikuar, jo rrallë rëndshëm, si për ideshmërinë ashtu edhe për stilin e papranueshëm. Po përmendim disa: Ditë kafenesh (1961), Gjenerali i ushtrisë së vdekur, motërzimi i parë (1963), Përbindëshi (1965), Provokacioni (1972), Kush e solli Doruntinën (1980), Nata me hënë (1986) për të arritur kulmin me Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave (1981), që u vu në qendër të kritikës së një Plenumi të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve (1982) dhe të vet Sekretarit të KQ të Partisë, Ramiz Alia, ndërsa, Koncert në fund të dimrit ndejti disa vjet në sirtar derisa u botua me ngurrime të mëdha (1989), kur po shkërmoqej sistemi në çdo pikëpamje.  Me vepra të tilla të Ismail Kadaresë, si dhe të shkrimtarëve të tjerë, ka ndodhur krejt e kundërta. Ato kanë qenë ndër më të lexuarat jo nga propaganda zytare, që i kritikonte, por se ishin origjinale dhe jashtë skemave. Bie fjala, novelën Ata të dy dhe të tjerë të Koço Kostës, përveç lexuesve të tij të zakonshëm, e lexuan edhe ata që rrallë kishin lexuar letërsi, siç ishin punëtorët e komunales, madje, nga që teksti ishte i rrallë,  prisnin te miqtë e tyre sa t’u vinte radha.

  Argument i tretë është, po ashtu, faktik dhe domethënës. Sipas të dhënave statistikore, edhe në këto gati njëzet vitet e mendimit të lirë, pra, jashtë trysnive të totalitarizmit, Ismail Kadareja është autori shqiptar jo vetëm më i lexuar, por edhe shumë larg prej çdo shkrimtari tjetër. Dhe, tanimë, lexohet, kryesisht, nga brezat e rinj të paindoktrinuar, me botëkuptim të lirë dhe të emancipuar.

 Një argument tjetër, faktik dhe mjaft domethënës, është përhapja e saj në gjuhë të tjera. Kushdo që njeh, sadopak, mënyrën dhe rregullat e botimit në Perëndim nuk mund të besojë në ato që duan e thonë disa se gjoja ato kanë dalë me porosinë apo me paret e shtetit socialist, pasi, atje, botuesit me emër, siç janë, përgjithësisht, edhe ata që kanë nxjerrë në dritë veprat e tij, edhe pse janë tregtarë dhe shikojnë më parë fitimin, asnjëherë nuk e shkelin standartin e nivelit të tyre, dhe, aq më pak të shkruajnë për to dhjetra gazeta dhe revista nga më besueshmet. Atëherë, gjoja dëgjonin punonjësit e papërfillshëm të Enver Hoxhës, po në këto vite, që nuk janë më punonjësit e tij, vallë, cilët dëgjojnë botuesit në dyzet vende të mëdha të botës, me kulturë të lartë, me traditë dhe standarte të paluhatshme?      

Si kanë qenë marrëdhëniet mes jush, duke qenë se ju keni qenë kritiku më i njohur i autorit?

Deri në ’90-ën nuk kemi patur marrëdhënie vetiake. Si të bashkëpranishëm në të njëjtat takime pune në Lidhjen e Shkrimtarëve ose në institucione të tjerë, përshëndeteshim ftohtësisht për mirësjellje. Puna ime institucionale, redaktor i kritikës letrare në gazetën Drita krijonte me atë, si dhe me çdo shkrimtar tjetër, kundërvënien profesionale letërsi-kritikë dhe shkrimtar-kritik, lehtësisht e keqpërdorshme për të sulmuar ose lartësuar shkrimtarin. Këtë kundërvënie të detyrës sime, që nuk e keqpërdora asnjëherë, as ndaj tij dhe as ndonjë shkrimtari tjetër, e shfrytëzuan disa drejtues të gazetës dhe të Lidhjes për të mbuluar prapaskenat e tyre. Nga që ai nuk më njihte mendimet dhe punën, salierë të tillë qëllimisht i paraqisnin karikaturën e portretit tim. Sa herë ziheshin ngushtë nga kritikat e pavend ose nga heshtja e gazetës Drita për veprat e tij, shpesh të sajuara po prej tyre, ata nxirrnin përpara emrin tim, duke thënë “kështu e ka menduar sektori i kritikës”. Dhe, nuk ngurronin të më kritikonin, zakonisht, pas krahëve, për këto “gabime” të përsëritura, madje një herë që nuk pranova të shkruaja me detyrim për Dimri i vetmisë së madhe, më 1977, për t’i provuar Kadaresë se strumbullari isha, pikërisht unë, sekretariati i Lidhjes më ndëshkoi me vërejtje me paralajmërim për largim nga puna! Ky  gjoja qëndrim imi kritik bëhej i besueshëm për të, pasi deri në ’90-ën, kam botuar vetëm një shkrim timin për krijimtarinë e tij, konkretisht, për Koncert në fund të dimrit,  megjithëse me kolegët miq dhe me vete i kam çmuar së tepërmi edhe atëherë, ndërsa sot edhe më shumë. Shkrimet për veprat e tij nuk i botoja, sepse nuk isha i kënaqur. E kuptoja që nuk kisha arritur në thellësitë e vërteta të tyre. Formimi im shkencor, i ushqyer në varfërinë e skajshme të asajkohe, nuk më jepte mundësi t’i zbërtheja në risitë e njëmendëta. Ndërsa rastet që më dukeshin se i kisha deshifruar kënaqshëm, përmbanin disa të vërteta të rrezikshme, qoftë për mua po t’i pohoja, dhe aq më tepër për shkrimtarin.

 Pas përmbysjeve të ’90-’92-it, kur secili sillej sikurse ishte dhe shprehej siç mendonte, veç marrëdhënieve profesionale, krijuam edhe marrëdhënie miqësore. Takohemi për kënaqësi dhe diskutime letrare. I jam mirënjohës, sepse, me një mirëbesim të rrallë, pa më njohur plotësisht karakterin dhe edukatën, më lejoi të punoja në bibliotekën familjare për ditë të tëra, pa qenë as ai dhe as e shoqja në shtëpi. Dëshiroja të përgatisja thjesht një bibliografi të botimeve të veprës së tij në gjuhë të huaja, mirëpo të dhënat që gjeta ishin jashtë çdo hamendjeje, aq të pasura, sa më detyruan të kërkoj më tej, në biblioteka të Parisit, derisa doli libri Kadare në gjuhët e botës. Po ashtu, me një fisnikëri, do të thoshja të pabesueshme, nga që nuk e ka bërë ndonjë shkrimtar tjetër, më dorëzoi të gjitha materialet e kritikës botërore për veprën e tij, që kishte grumbulluar për dhjetra vjet. Dhe, më vjen keq, që për arsye ekonomike, qindra artikuj dhe studime, gati trefishi i atyre që janë botuar, rrinë e presin.

 A ka shkrimtarë të tjerë bashkëkohës, në Shqipëri, veprat e të cilëve mund të konkuronin shumë mirë me veprën e tij?  Kush do të ishte në se ka ndonjë?

 Nuk do të thoshja konkurencë, sepse ligjësoria e konkurencës së prodhimit shpie në rrënimin dhe asgjësimin e gjedheve rivale dhe të prodhuesve të tyre, ndërsa gara apo rivaliteti në letërsi gjithmonë shpie në krijimin dhe zhvillimin e entiteteve të reja, si dhe në risimin e saj të përgjithshëm, pa rrënuar asnjërën dhe asnjërin prej tyre.  Është pak a shumë si në garat e atletikës, që kampioni nuk pengon garuesit e tjerë, porse ata nuk kanë aftësi ta kalojnë atë. Edhe pse libri letrar shndërrohet, gjithashtu, në mall tregu dhe hyn në konkurencën e shitjes, fitimet nëpërmjet tij, më shpesh, nuk përputhen me vlerat letrare, madje mund të jenë edhe krejt të kundërta.  Një kryevepër mund të qarkullojë fare pak, dhe vetëm pas dhjetra vjetësh të kuptohen vlerat e saj, ndërsa një roman intrigues të shitet në miliona kopje, dhe pastaj të harrohet. Prandaj, në vend të asaj që ju e quani konkurencë, do të përdorja fjalën bashkëprani, e shumta, përballje e veprave dhe e shkrimtarëve.

 Unë shpesh shkrimtarët dhe veprat e tyre të mëdha i përfytyroj si malet, dhe, kur dikush ka një sërë të tilla, i përfytyroj si vargmalet.  Të gjitha ngrehat tokësore që kanë cilësitë e tyre quhen male dhe shënohen në hartë sipas lartësisë dhe relievit të përkatës. Ashtu janë edhe veprat e vërteta letrare me lartësitë, relievin dhe ngjyresat e stilit të tyre. Ndyshimi është se malet nuk krijohen më, është mbyllur epoka e krijimit të tyre, ndërsa malet dhe vargmalet në letërsi krijohen sa herë vijnë shkrimtarë vullkanikë, të cilët shtojnë malet apo vargmalet e veprave, dhe, kështu, harta letrare, ndryshe nga ajo gjeografike, zgjerohet pafundësisht. Në të ka hapësira të pakufizuara për të gjitha veprat dhe të gjithë shkrimtarët e meritueshëm, prandaj fusha e letërsisë, si dhe e historiografisë së saj është e pakufishme, pa numër veprash dhe shkrimtarësh të caktuar à priori.

Indiferente si malet, në kuptimin e konkurencës dhe të zhbërjes, janë edhe veprat letrare, të cilat nuk errësojnë, nuk mohojnë me asgjësim njëra tjetrën, përkundrazi, edhe ndryshueshmëria më e madhe midis tyre krijon harmoni, sikurse edhe mohimet më të skajshme janë pohime të ndërsjellta, dhe të krejt letërsisë. Edhe përballja më mohuese midis tyre hedh dritë dhe nxjerr më në pah vlerat dhe veçoritë dalluese.

  Tjetër dukuri janë shkrimtarët.  Një lloj syresh beson, ose, i duket (kjo është një nga fobitë e tyre), sikur prania e njërit përjashton tjetrin, sikur vepra e njërit eklipson të tjetrit, prandaj jo rrallë shpërthejnë në egoizma të tepruara, duke sajuar me shkak dhe pa shkak ndeshje publike. Ndeshjet në jetën e përditshme, pra, në sipërfaqe të qeniesisë së tyre, si papajtueshmëri midis shkrimtarëve, janë shprehje e divergimit të origjinalitetit të stileve, që buron nga thellësi e pavetëdijes, nga magma krijuese krejt e ndryshme dhe ende e pangritur në nivelin e vetëdijes, prandaj janë të pazotërueshme prej tyre, ndërsa, për lexuesin shpesh pa dobi dhe pakuptim. Dhe, ashtu, që nga thellësitë, siç ushqen  divergimi i origjinalitetit të stileve mëritë, hakërrimet dhe papajtueshmërinë vetiake sipërfaqësore, ashtu, edhe ato, ushqejnë në thellësi, nxisin dhe zhvillojnë më tej origjinalitetin e stileve, njëlloj, sikurse ushqejnë rrënjët gjethet dhe gjethet rrënjët. Në këtë rreth të mbyllur jete dhe krijimi, betejat mes shkrimtarëve vazhdojnë derisa kanë energji krijuese dhe njerëzore. Kështu, ndeshjet jetësore midis tyre, në thelb, janë përpjekjet e stërmundimshme përballë njëri tjetrit për  risi, me një fjalë, për të qenë sa më larg dhe sa më ndryshe, që, përfundimisht, veprat dhe stilet të jenë sa më origjinalë, në kundërshtim me njëri tjetrin. Për këtë arsye, nëse për jetën qytetare ato janë shqetësuese dhe të mërzitshme, për letërsinë janë të dobishme dhe të domosdoshme. Si të tilla, është mirë të ndiqen me gjakftohtësi, sepse nuk janë dyluftime me shpata të vërteta, por ushtrime skerme mes aktorëve të jetës publike. Ndërsa veprat janë shumë paqësore. Edhe pse janë të llojllojshme dhe me prejardhje mëmësore nga më të ndryshmet, dhe, një pjesë, edhe në gjak me njëra tjetrën sipas kanunit të prindërve, ato rrijnë pranë e pranë në një  “bashkëtingullim” të përjetshëm që krijon orkestrën simfonike të letërsisë. Lexuesit, në breza, këtë orkestër dëgjojnë, pa u shkuar ndërmend, veç ndonjë herë për kuriozitet, për sherret e shkrimtarëve.

 Shkrimtarë bashkëkohës, veprat e të cilëve, siç mendoj, rrijnë denjësisht pranë asaj të Ismail Kadaresë, dhe anasjelltas, janë disa: Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Koço Kosta, Mehmet Kraja. Këta do të përbënin rrethin e parë më të ngushtë. Malet në letërsi, sipas ligjësorive natyrore të saj, asnjëherë nuk janë të vetëm. Ata kanë patjetër rretheqark edhe male të tjerë, ndofta, edhe vargmale, me lartësi dhe relieve të ndryshme, sepse gjeofizikisht dhe morfologjikisht jo vetëm mbahen dhe janë vazhdimësi, por edhe lartësohen prej njëri tjetrit. Veprat e tyre, edhe pse mjaft të ndryshme, bashkarisht përbëjnë tërësinë homogjene të letërsisë shqipe bashkëkohore, që do të thotë se së brendshmi e morfologjikisht ato janë të lidhura me shumë fije lëndore-tematike, trajtash, përftesash, veçorish stilore, nëpërmjet të cilave mbahen dhe vendosen mbi njëra tjetrën.

 Perceptimi i marrëdhënieve të veprave të tyre nëpërmjet konkurencës, si të thuash, në një mënyrë përjashtuese ndaj njëra tjetrës, ndofta, është përftuar nga që ato janë pranëvenë para lexuesit në një mënyrë të parregullt, pas një ndalese dhe ndarjeje dhjetravjeçare tepër agresive, që ushtroi censura e totalitarizmit mbi një pjesë të tyre. Konkretisht, vepra e Kadaresë, pavarësisht nga kalvari i botimit, ishte vazhdimisht në dorë të lexuesit. Ndërsa, vepra e Trebeshinës, që ndejti bodrumeve, si dhe ajo e Camajt, megjithëse e botuar në Gjermani e gjetkë, mbërritën te lexuesi pas dhjetra vjetësh. Për shkak të mjegullnajës ideologjike, edhe vepra e Pashkut këtej kufirit ishte e paqenë, sikurse, në masën më të madhe, edhe ajo e Podrimjes dhe e Shkrelit.  

Cili është mendimi juaj për letërsinë shqipe që shkruhet në vitet e pasdiktaturës?

 Liria e krijimit, krahas përparësisë së talentit, është një nga kushtet themelore të zhvillimit të natyrshëm të letërsisë. Me heqjen e censurës dhe hapjen kulturore me botën, pas ’90-ës, fillon të krijohet letërsia shqipe e njëmendët.

 Te shumica e shkrimtarëve pati ndryshime thelbësore në botëkuptimin, pikëpamjet, përjetimet, për, pasojë edhe në krijimtarinë e tyre. Një sërë syresh, që botonin në Shqipëri në përputhje me kërkesat dogmatike, këmbyen pikëvështrimin politiko-filozofik, duke mishëruar, përmbajtje të tjera, madje edhe në kundërshtim me ato të mëparshmet; të tjerë zhvilluan gjerësisht a plotësuan ato që, deri atëherë, i kishin thënë pjesërisht, ndërsa, disidentët, qofshin disi të njohur, qofshin fare të heshtur, nxorrën në dritë ato që i kishin shkruar ose i kishin menduar me kohë. Kështu, në pjesën më të madhe të letërsisë rrjedhëse u përftuan përmbajtje, stile, përftesa dhe shprehje krejt të tjera, dhe, më kryesorja, ndryshoi kahja e zhvillimit të saj. U braktis plotësisht kahja e detyruar e realizmit socialist, dhe u rifillua kahja e mëparshme, e ndërprerë në vitet ’40-’50-të, që buronte prej qenies së saj dhe dhuntive të shkrimtarëve. Me këtë rikthim te vetvetja, ajo u bashkua me pjesën tjetër, atë që, edhe më parë, pavarësisht nga trysnia e jashtëzakonshme e censurës, kishte vazhduar të zhvillohej natyrshëm, sikurse ishte krijimtaria e lirë apo disidente që ishte shkruar në hapësirën e shtetit shqiptar, si dhe krijimtaria e shkruar në trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë. Në këtë letërsi, të përçarë dhe të ndarë në dy pjesë, në përmbajtjet, kundërqëndrimet e shkrimtarëve dhe komunikimin me lexuesin, për shkak të ideologjive, krijohet, si në çdo letërsi, njësia e komunikimit me lexuesin, si dhe homogjeniteti i saj strukturor, i brendshëm dhe i domosdoshëm, nëpërmjet larmisë së përmbajtjeve, stileve dhe shprehjeve. Lirimi institucional i letërsisë dhe bashkërendimi i vetvetishëm i potencialeve krijuese më të ndryshëm, ka sjellë, dhe, do të sjellë në të ardhmen, edhe më shumë, pasurimin dhe larminë e tyre, veçanërisht  të atyre të modernitetit bashkëkohor.

  Mirëpo liria e krijimit shpërdorohet gjerësisht. Shkruhen dhe botohen qindra tituj nga amatorë. Gjithkush që dëshiron të bëhet shkrimtar, edhe pse pa kulturën dhe dhuntinë më të domosdoshme boton, promovon dhe shpesh porosit miqtë që shkruajnë lëvdatat e rastit. Media propagandon, kryesisht, atë që nuk është letërsi. Në këtë fushë ekspozimi pa asnjë kriter cilësor, letërsia e vërtetë është vështirë të dallohet nga lexuesi.

 Pas rënies së diktaturës dhe të censurës ka ndryshuar mjaft, gjithashtu, edhe përmasa e tablosë dhe relievi i letërsisë shqipe, veçanërisht asaj bashkëkohore. Deri atëherë njihej vetëm letërsia e realizmit socialist, tepër e kufizuar dhe e njëtrajtshme. Papritur, si prej nëndheu u shfaq edhe një krijimtari tjetër, krejt e panjohur, e pasur dhe risore, ajo që ishte shkruar dhe nuk kishte dalë në dritë, si dhe ajo që ishte botuar jashtë shtetit amë, por nuk lejohej të qarkullonte në të, ose qarkullonte në lloje të caktuara të saj. Lexuesit të zakonshëm, si dhe jo pak shkrimtarëve dhe studiuesve të cytur psikologjikisht prej polit të kundërt, këto pjesë u janë dukur në trajtën e dy letërsive që do të asgjësonin njëra tjetrën. Në të vërtetë, e saposhfaqura asgjësoi nga tekstet, programet shkollore dhe propaganda, krijimtarinë e indoktrinuar, dhe pranëqëndroi me atë krijimtari cilësore, që kishte zenë vendin e vet prej kohësh. Vetëm tani mund të thuhet se është shfaqur, përgjithësisht, përmasa e plotë dhe relievi i njëmendët i letërsisë shqipe, shkruar në gjysmën e dytë të shekullit XX, e cila nuk është as e varfër dhe as inferiore krahas letërsive të tjera evropiane, sidomos mes atyre të gjuhëve ballkanike.

  Problemi i madh shqetësues është në vijimësinë e brezave të shkrimtarëve.Veprat më të rëndësishme vazhdojnë të shkruhen nga shkrimtarët e brezave të mëparshëm, ndërsa shkrimtarët e brezave të rinj janë ende të paktë dhe nuk shquhen për potenciale të mëdha krijuese. Prurjet e tyre nuk janë të ndjeshme, dhe, fare rrallë mund të kapërcejnë nivelet e arritura prej të tjerëve.

A janë shfaqur dhe lëvruar stile të reja në letërsinë shqipe. Kë do të dallonit ndër shkrimtarët apo poetët që shkruajnë sot?

 Vështirë të thuhet po, pasi, me sa dimë, edhe në letërsi të gjuhëve të tjera evropiane, kryesisht, përsosen ose risohen stilet e mëparshëm. Në letërsinë bashkëkohore, të shkruar në krejt hapësirën gjuhësore dhe kulturore shqiptare, kanë qenë lëvruar dhe u formësuan një sërë stilesh të reja, në poezi, prozë, dhe, më pak, në dramaturgji, ngjashëm ose me afri me gjedhet e lëvruara në letërsi të tjera evropiane para dhe gjatë shekullit XX. Me heqjen e censurës u lërvruan lirshëm dhe më gjerësisht, thuajse, jo stile të reja, por, posaçërisht, ata stile që kishin qenë të ndaluar në shtetin shqiptar, ndërkohë, që, ishin shfaqur vite më parë në mjedisin e Kosovës dhe në diasporë, pra, njiheshin në letërsinë shqipe. P.sh., stili modern ironiko-grotesk, lëvruar më parë nga Kasëm Trebeshina dhe Anton Pashku, tani po bëhet më i dukshëm, me prirje për të hyrë më në qendër të letërsisë, dhe, gjithashtu, për t’u ringjitur në majat e saj, edhe pse vetëm në prozën dhe poezinë e tre-katër autorëve.

   Risia kryesore është në ndërrimin e zotërueses së llojshmërisë së stileve, apo, siç quhet terminologjikisht, të dominantes së llojshmërisë së stileve, prej së cilës ka ndryshuar zotëruesja e krejt letërsisë, në përmbajtje, përftesa, strukturë, si dhe kahja e zhvillimit të saj.  Para 90-ës zotëronin stilet tradicionalë, kryesisht, realistë, ndërsa, në këto vite, zotërojnë stilet modernë bashkëkohorë me larminë e ngjyresave vetiake, të cilët e kanë afruar dhe bashkëkohëzuar edhe më letërsinë shqipe me letërsitë e tjera evropiane, dhe, natyrisht, kanë krijuar një lexues me pëlqime më bashkëkohore. Mirëpo është rrudhur përmasa e krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Në të nuk mungon aq cilësia, sa ç’mungon përmasa madhore e cilësisë së saj. Tërësia rrjedhëse e saj ngjan me një ishull në brerje nga rrethanat aletrare, dhe, në braktisje nga shkrimtarët dhe lexuesit. Si të përkushtuarit-shkrimtarët, ashtu dhe të dashuruarit e saj-lexuesit, po bëhen gjithnjë e më të paktë.

Nga brezat e mëparshëm, që kanë sjellë, edhe në këto vite, vlera të çmuara, herë-herë, edhe risi dallohen  Mehmet Kraja, Ali Podrimja, Koço Kosta, Fatos Kongoli, Kim Mehmeti.

Nga autorët e brezave pas ‘90-tës do të veçoja Agron Tufën dhe Ervin Hatibin.

Një ndër punët tuaja më të shkëlqyera është ajo e pedagogut. Çfarë marrëdhëniesh krijoni me studentët tuaj?

Secili kryen punën dhe rolin e vet, prandaj marrëdhënie janë normale, korrekte, shumë të qeta, me seriozitetin e moshës time, që e fashit pa drejtësisht humorin e moshës së tyre. Ata janë puna, pasioni dhe kënaqësia ime. I respektoj dhe nuk u cënoj të drejtat, përpiqem t’u jap dije sa më të sakta dhe bashkëkohore, dhe këto u a kërkoj me rigorozitet, prandaj, herëpashere më thonë me çiltërsi mos të jem “kaq i rreptë”. Mirëkuptohemi shumë mirë, me disa prishet përkohësisht ky mirëkuptim, kur dëshirojnë të marrin vlerësime të pamerituara, të cilat, sigurisht, nuk u a jap, por, me sa kuptoj, edhe për këtë nuk më mbajnë mëri.

Ç’mendim keni për studentët e sotëm? A është e vërtetë që kanë ndryshuar marrëdhëniet e tyre me shkollën?

Studentët gjithmonë janë studentë. Më pëlqejnë se sot janë më të emancipuar, më të lirë, dhe, nga liria e tyre ndjehem edhe unë më i lirë, por të pasionuarit janë të rrallë, dhe, eh, fatkeqësisht, me formim më të dobët, megjithëse programet dhe tekstet janë cilësorë dhe bashkëkohorë. Shkolla i mëson më pak, dhe shoqëria, me punësimin dhe pagat, në krahasim me kërkesat e jetës, i shpërblen pamjaftueshëm. Duke mosqenë të motivuar ka rënë vetiu interesi për të mësuar. Përveç kësaj, shqiptarët kanë një mendësi të gabuar. Shumica e tyre e shikojnë shkollën thjesht si vend ku mund të marrin diplomë, dhe, kjo ka rëndësi për ta. Të paktë janë ata që e shikojnë shkollën si vendi ku mësohet se si do të punojnë nesër dhe tërë jetën, dhe, si vatra ku aftësohen dhe formësohet personaliteti i tyre profesional.

Doja të dija diçka për jetën tuaj personale, kush është Prof. Dr. Bashkim Kuçuku. Cila ka qenë motoja që keni ndjekur në jetën tuaj?

Motoja ime në jetë ka qenë puna këmbëngulëse, edhe kur nuk kam marrë atë që më takonte. Vetëm me punë këmbëngulëse, pse jo dhe të stërmundimshme, mund të arrihen ambiciet. Me përkushtim kam arritur çfarë kam dëshiruar, sepse nuk kam dëshiruar as jashtë aftësive të mia dhe as tej mundësive që më kanë ofruar rrethanat dhe vet mjedisi. Nuk kam menduar dhe nuk kam dashur të kërkoj ndihmën e miqve të interesit për të arritur dëshirat. Gjithmonë kam qenë kundër miqve të tillë, dhe as vet nuk pranoj të luaj këtë rol. Me vetëdije nuk kam marrë pjesë në klane për të fituar grada dhe poste të pamerituara. Profesioni im është përputhur me pasionin, dhe, kështu, të bërë njësh që në fillim, kam ndjerë vazhdimisht kënaqësi.

  Jam lindur në Konispol dhe po aty kam kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i kam kryer për gjuhë shqipe dhe letërsi, në Universitetin e Tiranës. Fillimisht shpresoja të punoja në gazetën Drita, ose, në revistën Nëntori, pasi mendoja se aty zienin debatet midis shkrimtarëve dhe kritikëve, të paktën, si në Rusi në kohën e Bjelinskit, Çernishevskit. Këto ishin gjedhet kritike që njihnim atëherë.  Por, pas fjalëve dashamirëse të disa shkrimtarëve për të punuar në këto organe, për mungesë të afërmish në pozitë, askush nuk u interesua për mua. Nisa me kënaqësi punën e mësuesit në shkollën e mesme në vendlindje, dhe, prej andej, botoja shpesh artikuj kritikë me nxitjen e Gjergj Zhejit, veçanërisht të Teodor Laços, të cilët më thërrisnin herë pas here në Tiranë, në emër të redaksive letrare dhe të Lidhjes. Një ditë që nuk e prisja, nga Saranda kaloj në redaksinë e Dritës, i vetkënaqur që më kishin zgjedhur mua, dhe me mendimin e kapadaiut se tjerët do më luteshin t’u botoja shkrimet! Aty u zhgënjeva që në javët e para. Jo vetëm që nuk kishte asnjë lloj debati, po edhe shkrimet mediokre mezi siguroheshin, pasi do t’u luteshe bashkëpunëtorëve ose do të pije një kazan me kafe, për mos ta zenë në gojë edhe rakinë. Ishin dy trysni të mëdha të tmerrshme. Njëra ishte nga lart për ruajtjen e parimeve, dhe, tjetra pas shpine, prej ambicjeve të shkrimtarëve. Të gjithë donin sa më shumë lëvdata, dhe, kur nuk u hapej rubineti lirshëm, krijonin insinuata nga më djallëzoret dhe qesharaket. Cilën të përballoja, pa patur asnjë mbrojtës me pozitë, veç kujdesit? Kërkoja të largohesha, por më mbajtën për argat 12 vjet. Prej 1986-ës jam ligjërues i letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Studimet akademike dhe ushtrimi i profesionit të pedagogut kanë qenë pasionet tuaja të mëdha? Nëse nuk do të kishit marrë këtë rrugë, çfarë mund të kishit bërë tjetër?

 Që në shkollën e mesme më ka pëlqyer kritika letrare për mprehtësinë e zbulimit,  kënaqësinë e debatit, dhe, veçanërisht për mundësitë që të jep për të hyrë në fshehtësitë e veprave dhe të jetës së shkrimtarëve. Gjithashtu, edhe mësimdhënia. Për mua, të mësosh të tjerët është puna më humane dhe më fisnike, pas mjekësisë. Në universitet studimet dhe mësimdhënia janë një, prandaj universiteti është kurora e punës sime. Rrugën e kritikës e zgjodha me pasion, pasi hoqa dorë nga mjekësia që nuk e përballoja dot për arsye psiko-emocionale.  

Një pjesë e madhe e pedagogëve të shquar shqiptarë e kanë braktisur Shqipërinë. Çfarë ju mban kaq të lidhur me këtë vend, tranzicioni i të cilit ka lenë pas dore shumë herë shtresën e intelektualëve të lartë, si ju?

Largimi i intelektualëve, sidomos i shkencëtarëve dhe i specialistëve të fushave më të ndryshme ka qenë një humbje e madhe për Shqipërinë. Pushtetarët qëllimisht nuk morën masa parandaluese, në mënyrë që ta kishin më të lehtë t’i zëvendësonin ata me amatorët partiakë dhe profanët e klaneve politike. Një nga shkaqet që çdo gjë ra për tokë është se u shkatërruan shtyllat mbajtëse intelektuale, shkencore dhe teknologjike.

 Mua, besoj, edhe brezin tim, gjithçka qeniesore na mban të lidhur pazgjidhshmërisht me vendin tonë: identiteti intelektual profesional, pse jo edhe identiteti shqiptar, mënyra e jetesës, dhe deri kënaqësitë e të afërmve dhe të miqve. Kemi qenë mësuar që jetën ta mendonim vetëm në Shqipëri, prandaj përshtatja jonë ishte shumë e vështirë, megjithëse të jetosh në vende të tjerë nuk është as keq dhe as e pamundur, dhe, herë-herë më mirë.

 Unë s’kisha arsye jetike të largohesha. Profesionin e pëlqyer e vazhdova, madje, në këto vite, duke patur mundësi të njoh drejtpërsëdrejti programe dhe përvoja të universiteteve evropianë me emër, sidomos me krijimin e bibliotekës vetiake me literaturë bashkëkohore ndryshova rrënjësisht formimin shkencor, dhe, kështu, sendërtova aftësitë më të larta profesionale, si në studime ashtu edhe në mësimdhënie. Përveç kësaj, Zoti si dhuratë, më krijoi edhe burime të tjera ekonomike. Por, edhe të isha në gjendje të vështirë ekonomike, përsëri nuk do të largohesha. Më mirë do të pëlqeja të kryeja punë të thjeshta këtu, se sa rrugëve të botës, i nënvleftësuar dhe i përçmuar.

A jeni marrë ndonjëherë me politikë?

Para 90-ës nuk merrej asnjë me politikë, përveç atyre që caktonte partia. Dhe, kam uruar fatin që nuk e kisha një ngasje të tillë vetshkatëruese. Në fillim të ndryshimeve demokratike pata dëshirë të jepja ndihmesën time, por, kur pashë se në politikë u  turrën të gjithë karrieristët, të paaftë në fushat e tyre dhe shumë të aftë për t’i vjelë pushtetit fitimet lëndore dhe lavdinë, duke i nxjerrë anash intelektualët idealistë, u tërhoqa, i bindur që nuk ishte për mua. Për këtë kohë të lirisë më erdhi vërtet keq që në politikën shqiptare nuk ka vend për idealistët dhe të ndershmit. Megjithatë, intelektualisht kam qenë vazhdimisht i angazhuar për çështjen shqiptare, sidomos për çështjen çame prej së cilës nuk ke asnjë përfitim, veç atyre që mund të japësh. Dhjetra shkrimet, që kam botuar nëpër gazeta, së bashku me një studim për pavarësinë e Kosovës, i kam përmbledhur në librin Kombi gjen vetveten, që është gati për shtyp.

Cili është mendimi juaj për kohën që jetojmë sot, dhe a mendoni se do të kemi një të ardhme më të mirë?

Koha e demokracisë dhe shoqëria e ekonomisë së tregut janë më të përshtatshmet për të punuar dhe për të jetuar përsëmbari, por shumica e shqiptarëve nuk ka punë, prandaj, liria e tyre ende është abstrakte, tepër e vështirë për t’u sendëzuar në të gjitha mundësitë e saj, ndërsa, shtetarët dhe politikanët nuk punojnë për këtë kohë dhe për këtë shoqëri. Ata, kryesisht, punojnë për pushtetin dhe lavdinë, për kohën e vetes dhe për shoqërinë e klaneve të tyre, kështu, që individit të painkuadruar në rrethet e tyre të ngushta i mbetet t’i zgjidhë dhe t’i përballojë të gjitha vetë: jetesën, lirinë e qarkullimit, sigurinë, shëndetin, pleqërinë dhe fatkeqësinë.

Natyrisht, edhe në Shqipëri do të bëhet më mirë, veçse shumë-shumë ngadalë, jo si në një  proces ekonomiko-shoqëror të programuar me strategji dhe të organizuar nga institucionet përkatëse, sikurse ka ndodhur në vendet e tjera të Lindjes, por spontaneisht,  à la shqiptarçe, ashtu si të vijë dhe kur të vijë. Derisa shteti të jetë plotësisht në shërbim të kastave të pushtetarëve, përmirësimi do të vijë, sikurse ka ardhur edhe deri tani, më tepër përmes veprimtarive prodhuese dhe organizuese vetiake dhe të grupimeve të vogla, dhe më pak shoqërisht dhe institucionalisht, dhe, fare pak shtetërisht, prandaj dhe shumë ngadalë. Nëse, diagrama e tranzicionit dhe e zhvillimit normal të mëpasëm do të ishte një lakore me zig-zaget e veta, herë më të vogla dhe herë më të mëdha, ajo e procesit shqiptar njëmendësisht ka qenë, dhe, besoj, do të jetë me vendqëndrime kohëgjata, me përthyerje të mëdha të lakores së saj, me dredhje dhe spërdredhje atipike, të shkaktuara nga dredhjet dhe spërdredhjet e klaneve të pushtetarëve, që mund të hajë jetën e disa brezave. Për ta konkretizuar këtë kohëzgjatje shqiptarçe, le të krahasohet gjendja e Shqipërisë me atë të vendeve të tjera të Bllokut të Lindjes. Ndërsa, ato e kanë kaluar tranzicionin, dhe, tashmë, kanë vite që kanë hyrë në Bashkësinë Evropiane, Shqipëria ende nuk ka marrë ftesën e antarësimit të kandidatit. Sado ngadalë, gjithësesi më mirë!