Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shuhet Begolli, ikona e teatrit dhe kinematografisë kosovare

| E marte, 28.08.2007, 07:17 PM |


(24.08.2007)     
Humbja e Begollit, humbje për kinematografinë, teatrin dhe kulturën kosovare

Faruk Begolli
Është ndarë nga jeta në moshë 63-vjeçare dhe është përcjellë për në banesën e fundit, regjisori Faruk Begolli. Regjisori dhe një ndër aktorët më të shquar shqiptarë të Kosovës, pedagog në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, është shuar, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit. Faruk Begolli, i cili për një kohë ka drejtuar edhe Shoqatën e Artistëve të Filmit të ish-Jugosllavisë, është padyshim një prej figurave më emblematike të artit filmik dhe teatror kosovar. Për gati dhjetë vjet ka qenë drejtor i Teatrit “Dodona” në Prishtinë, ku ka bërë regjinë e mbi 20 shfaqjeve teatrore. Për punën e tij si aktor është nderuar me mirënjohje të shumta në kohën e ish-Jugosllavisë e, po ashtu, ka marrë çmime e mirënjohje të ndryshme kombëtare. Artisti kosovar lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai studioi në Akademinë e filmit dhe teatrit në Beograd dhe u diplomua në vitin 1966. Ai ishte një figurë e rëndësishme e teatrit dhe kinematografisë në Kosovë.

Kinematografia
Së bashku me studentët e tij, ai ka arritur rezultate shumë të mira në Teatrin Dodona kështu që ata kanë realizuar disa shfaqje të njohura siç janë: “Profesor... jam talent... se jo mahi”, “Tregimi zoologjik”, “Heronjtë e kombit” e më pas shfaqet si “Kur kishe mujtë me m’pa, qysh më kishe pa”, “Iluzionet e dashurisë” e tjera. Tek pjesa “Kur kishe mujtë me m’pa, qysh më kishe pa”, ai ka realizuar dramatizimin, skenografinë dhe kostumografin. Tek “Iluzionet e dashurisë” – dramatizimin. Pjesë ë tjera me të cilat ai ka punuar janë : Këngëtarja tullace; Dashuritë e Xhorxh Uashingtonit; Mbytma burrin; Maturantët; Martesa; Stjuardesat; Mbreti Ibish; Hajnat nuk vijnë gjithmonë për të keq; Ti, vetëm ti”; Të lumët na për këtë liri; N’dorë e ka deputeti.

Aktori kosovar, Faruk Begolli
Në datën 23 gusht, vdiq në Prishtinë në moshën 63-vjeçare, Faruk Begolli, shkrimtari, aktori dhe regjisori i teatrit kosovar. Ai vdiq pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit. Ai ka luajtur në shumë filma dhe drama ku përfshihen “Bitka na Nerevti"(1969) nga Veljko Bulajic, "Si të vdiset" (1972) nga Miomir Stamenkovic, "Valter Brani Sarajevo" (1972) nga Hajrudin Kravac, "Era e Lisi", nga Besim Sahatciu, "Kur pranvera vonohet" (1980) nga Ekrem Kryeziu, "Proka" (1982) nga Isa Qosja dhe "Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna" (1997) nga Ekrem Kryeziu, Të “Ngujuarit”, etj. Ai ka qenë regjisor i shumë shfaqjeve të të rinjve studentë në vitet 1989 dhe 1999, shfaqje këto që janë dhënë në kohën kur shumë kosovarë ishin larguar nga trojet e tyre për shkak të luftës. Në një mesazh ngushëllimi dërguar familjes së Begollit nga Ministri i Kulturës së Kosovës, Astrit Haracia thuhet : "Një njeri ka ikur por, aktori Faruk Begolli nuk ka vdekur." "Në historinë e teatrit dhe të filmit në Kosovë, emri i Faruk Begollit do të shkruhet e shkronja të mëdha", ka thënë Haracia në mesazhin e tij të ngushëllimit. Faruk Ispahiu, regjisor në teatrin e Kosovës është shprehur se Begolli ishte teatri i Kosovës gjatë kohërave më të vështira.

Jeta dhe vepra e aktorit dhe regjisorit nga Peja
Aktori i famshëm kosovar, Faruk Begolli, ka luajtur në më shumë se 70 filma e drama televizive, dhe është autori i më shumë se 20 shfaqjeve teatrale e shumë veprave të tjera artistike. Kolegët dhe bashkëpunëtorët e aktorit Begolli thonë se arti kosovar ka humbur një nga aktorët më të mëdhenj kombëtar. Begolli ka lindur në Pejë më 1944, kurse studioi Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd, ku u diplomua në vitin 1966. regjisor i mirënjohur, ka punuar si pedagog i lëndës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për shumë vjet. Së fundi ka punuar aktivisht me studentët e tij në Teatrin Dodona, ku ka realizuar shfaqjet “Tregimi Zoologjik”, “Heronjtë e kombit”, “Iluzionet e dashurisë”, si dhe ka bërë regjinë për tetë pjesët e komedisë më të popullarizuar në vend “Profesor jam talent se jo mahi”. Begolli do të mbahet mend edhe për paraqitjet e jashtëzakonshme në filmat: “Kur pranvera vonohet”, “Era e lisi”, “Proka”, apo edhe në filmat e rinj, si “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” dhe “Etjet e Kosovës”. Pak kohë më parë, kolegët e tij të profesionit dhe studentët i kishin botuar atij autobiografinë, që hidhte në pah karrierën e tij të jashtëzakonshme si aktor e regjisor. Kryetari shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Begolli ku thuhet se ai ishte një ndër artistët më të kompletuar që i dha aq shumë skenës dhe publikut kosovar. “Lajmin për vdekjen e tij e pritëm me pikëllim të thellë, por jemi të sigurt që virtytet e tij të një artisti dhe njeriu të madh, që ishin shembull, do të vazhdojnë të jetojnë te të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në telegramin e kryetarit Sejdiu. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi e ka ngushëlluar Familjen Begolli nëpërmjet një telegrami ku është shprehur se vdekja e tij e parakohshme është humbje e madhe për familjen Begolli, për kinematografinë, teatrin dhe kulturën kosovare. Kryetari i Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi, e ka cilësuar vdekjen e aktorit të madh kosovar si humbje të madhe për kulturën kosovare. Ministri i Kulturës, Astrit Haraçia, ka dërguar një telegram ngushëllimi, në të cilin thuhet se ka ikur njeriu, por nuk ka vdekur aktori Faruk Begolli. Dje në orën 12:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës komuniteti i artistëve, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Faruk Begollit mbajtën një mbledhje përkujtimore. Në korrik të këtij viti, është promovuar libri monografik “Faruk Begolli”, ku paraqitet jeta dhe veprimtaria e aktorit Faruk Begolli. Ky libër është një rrëfim origjinal për jetën dhe krijimtarinë e këtij aktori. Kushtrim Koloqi, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “INTEGRA”, është shprehur se ky libër ju ofron lexuesve një përrallë të mrekullueshme të jetës shumë interesante, që ka pas aktori i jonë më i madh shqiptar Faruk Begolli. Ai paraqet jetën e tij si private ashtu dhe profesionale, fazat e jetës se tij, ngritjet e dhe uljet.

Opinione

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu
Ai ishte një ndër artistët më të kompletuar që i dha aq shumë skenës dhe publikut kosovar. Lajmin për vdekjen e tij e pritëm me pikëllim të thellë, por jemi të sigurt që virtytet e tij të një artisti dhe njeriu të madh, që ishin shembull, do të vazhdojnë të jetojnë te të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ministri kosovar i Kulturës, Astrit Haraçia
Një burrë iku, por aktori Faruk Begolli nuk ka vdekur. Në historinë e teatrit dhe kinemasë së Kosovës emri i Faruk Begollit do të shkruhet me gërma të mëdha.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi
Vdekja e tij e parakohshme është humbje e madhe për familjen Begolli, për kinematografinë, teatrin dhe kulturën kosovare.

Regjisor i teatrit kosovar, Faik Ispahiu
Begolli ishte teatri i Kosovës në kohë të vështira. Çka ai bëri për kulturën e Kosovës do të jetë himni më i lartë perëndisë për të në këtë botë, edhe pse nuk jam i sigurt në besonte dhe aq në Perëndi.

Gazeta 55