E premte, 19.04.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Bik Ndoja

E enjte, 01.06.2006, 11:53 PM


Bik Ndoja - Artist i Merituar

Ludovik Ndoj Gjergji (Shkodër 13.08.1925) “Artist i Merituar”-1969

Bik Ndoja

Këngëtar i shquar i muzikës popullore shkodrane i gjysmës së dytë të shek. XX.
Biku (siç e thërrasin që të gjithë në Shkodër), gjimnazin e kreu në shkollën e vjetër “J.Misja”. Lidhur me muzikën popullore, ai e filloi këngën që në moshë të vogël, por njihet nga të gjithë se për herë të parë ai këndoi në një dasëm familjare, shoqëruar nga një prej formacioneve popullore me vegla të qytetit të Shkodrës, ku drejtonte dhe interpretonte në fisarmonikë Karlo Radoja. Gradualisht, aktiviteti i tij u zgjerua dhe më shumë nëpërmjet koncerteve që Biku dha në të gjithë Shqipërinë, si dhe në ato jashte shtetit. Ai ka kënduar një numër të madh këngësh ndër të cilat përmendim: “ S’ma din hallin qi kam”, “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat I vogel je”, “Jare te due”, etj. Në Shtator 1999, teatri “Migjeni” organizoi 70 vjetorin e lindjes të Bik Ndojës, ku një vend të rëndësishëm zuri edhe koncerti me kengë dhe pjesë muzikore popullore nga më të zgjedhurat nga repertori i jareve të kenduara prej tij në gjithë këto vite. Bashkë me kolegët e tij Shyqyri Alushi, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi etj. kanë qënë dhe mbeten bilbilat e këngës popullore shkodrane. Shumica e regjistrimeve muzikore të tij gjenden pranë Radio-Shkodrës dhe RTV Shqiptar.


Bik Ndoja: “Gryka e Kaçanikut”, është këngë shkodrane dhe jo kosovare

Bik Ndoja është lartësia më e madhe e këngës popullore qytetare shkodrane. Ai është një artist i madh i skenës dhe interpretuesi më i shquar i “Jares” shkodrane, veçori e jashtëzakonshme e qytetit tradicional në këtë rrafsh siç është Shkodra. Ai është nderuar me shumë tituj dhe medalje, krahas “Artistit të Merituar” të marrë prej kohësh me zellin e madh që e karakterizon. Në repertorin e tij, janë qindra këngë të kënduara me një veçori mahnitëse dhe është një nga këngëtarët popullorë të pa imitueshëm në Shqipëri.. Biku, i cili është në afërsi të 82-tave, është plot jetë dhe plotë dëshira për të gjetur forca që kënga shkodrane të mbizotërojë.Ai ka një DVD të repertorit të tij dhe po kështu dhe një CD të prodhuar jashtë vendit, me ndihmën e Universitetit të Bolonjës. Zoti Ndoja, megjithëse në moshë të thyer, është i fortë dhe mendon që me të gjitha materialet e shumta që disponon, të nxjerrë në dritë një libër i cili nuk do të jetë vetëm historia e jetës së tij, por edhe historia e këngës popullore qytetare shkodrane. Bik Ndoja, është përfaqësuesi më tipik dhe më i madh i këngëtarit profesionist që arrin lartësitë më të mëdha në artin e bukur dhe madhështor të interpretimit të këngës popullore qytetare shkodrane.c
- A mund të na jepni një përshkrim të fillimeve tuaja në artin e interpretimit të këngës?
- Po, qysh fëmijë falë talentit tim kam qënë i prirur të këndoj këngën popullore dhe ajo që është e rendësishme, qëndron në faktin se i gjithë rrethi im familjar këndonte, sepse ishte i këngës dhe i ahengut. Kemi qenë njerëz të qejfit, gjithmonë me këngë në gojë dhe bejtaxhinj. Në këtë ambient u rrita, përfitova dhe u dallova. Kjo ka qenë rinia e hershme e imja .Unë kam shkuar të këndoj në gëzime familjare dhe dasma, deri sa u detyrova të dal “prej shkollet” dhe të hyj në profesionin e rrobaqepsit. Në Shkodër, zanatilinjtë si rrobaqepësit, këpucarët etj, kanë qënë njerëz të ahengut dhe këngës, apo dhe të barcoletave, sepse kishin mundësi dhe aty në atë kohë, vinte dhe Kol Tivari i madh. Në të kohë, prej këtyre zanatlinjve “çfarë nuk ndijshe”dhe kështu kaloi rinia e hershme e imja, deri sa erdhi koha për të kryer shërbimin ushtarak. Doli një i “fortë” dhe unë shkova në Tiranë, ku u takova me mjeshtrin e madh Paulin Pali, i cili u habit me fletoren time të repertorit të atëhershëm, që ishte me 150 këngë. Në këtë moment u formua një orkestër, sepse ishin mbledhur nga gjithë Shqipëria njerëz të tillë, sepse edhe unë në atë kohë i bija violinës. Pra, që nga viti 45-së, kam vazhduar dy vite ushtri duke u njohur me Luçie Milotin dhe Rudolf Gurashin, duke përfituar prej tyre për të pasuruar repertorin. Kështu kam vazhduar rreth 10-të vite, me koncerte dhe turne. Në Shkodër mbas ushtrie, jam njohur me Prekë Jakovën me këngë popullore dhe si korist në “Klubin e Rinisë dhe Radio Shkodra”. Në atë kohë në klubin e rinisë kam qenë me Simon Gjonin dhe në atë periudhë, këngëtare nuk ka pasur në qytet përveç disa të moshuarve që nuk dilnin në skenë. Unë e kisha “ marrë këtë sifat” apo këtë kurajë në Tiranë, për të dalë në skenë dhe kështu kam dhënë disa koncerte në mënyrë të shkëlqyeshme, duke u pritur shumë mirë. Shkodra në atë kohë vlonte nga klubet dhe aktivitetet, mund të them akoma më shumë se në Tiranë. Kemi dhënë koncert edhe në Cetinjë të Jugosllavisë dhe marrëdhëniet nuk kanë qenë të mira. Nuk na pritën mirë në fillim dhe aty ka qenë edhe Ibrahim Tukiqi. Megjithatë, filluam të këndojmë këngët tona me forcë dhe njerëzit erdhën duke thënë: “Skadër, Skadër” për qytetin tonë dhe më në fund koncerti vazhdoi në mënyrë të sukseshme. Po kështu, edhe në Podgoricë dhe në të gjitha koncertet që kemi dhënë me grupin popullor. Gjithashtu, ka qënë dhe grupi modern me Karlo Palin, Kol Vjerdhën, nën drejtimin e Ndoc Shllakut, kurse në grupin instrumental kanë qenë Adil Ujkashi, Adem Smajli dhe Nuh Boriçi. Kemi vazhduar me koncerte të shumta, deri sa është formuar “Estrada”e Shkodrës.
- Ku i keni bërë shfaqjet e para të Estradës?
- Në qytetin tim, në Shkodër. Kënga e parë e kënduar prej meje, ka qënë e Leonard Dedës, “Mbeta gjithë ditën hijeve”, e cila ka hapur Estradën. Kjo këngë më pas u kthye si një hymn i emisioneve radiofonike.
- Po jashtë, a keni qenë me estradën dhe me cilat këngë?
- Po në Kosovë, në koncertet e shumta atje në 80-tën. Por unë kam një histori me këngën “Si dukat i vogël je”. Kënga është kosovare, por është “këndu në Shkodër ma fort se atje dhe kam nderin ta kem këndu unë ma i pari”. Kur unë po këndoja këtë këngë, një kosovar po priste kur unë të thoja “hajde, cak rrahma gotën” dhe kërcen në skenë duke më thënë: “Or baca Bik, a po e çon me raki, se kështu bosh nuk është gja. Kur erdhi rradha tjetër e frazës kisha shishen e rakisë së kosovarit dhe salla u çu e gjitha në këmbë prej entuziasmit të jashtëzakonshëm, sidomos në ato vite”.
- Duke na falur ndoshta për dijenitë gabim që mund të kemi, a ka mundësi të dimë vërtetësisht se kënga “Gryka e Kaçanikut” e kujt është dhe kush e ka kënduar i pari, sepse ne jemi mësuar ta dëgjojmë të kënduar nga këngëtarë kosovarë dhe shpesh herë deklarojmë se jo është një këngë kosovare?
- Kjo këngë e madhe është e Pjetër Gacit dhe e kemi kënduar për herë të parë unë dhe Shyqyri Alushi, me tekst të Paulin Shtjefnit. Pra është totalisht shkodrane dhe me një sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë. Në këtë vend na kanë pritur shumë mirë jo vetëm në koncerte, por edhe mbrapa në bankete, duke treguar të gjithë dashurinë dhe lumturinë e tyre.
- Si është trajtuar dikur kënga popullore?
- Edhe unë jam marrë me kompozim këngësh dhe kam marrë edhe çmime. Por sëbashku me Mark Kaftallin kam bërë në 5-së këngë përcjellësat apo intodruksionet, siç i thonë, sepse shumica e këngëve popullore nuk kishin, pas ishin të orkestruara jo në mënyrë moderne. Ishte zakon që përcjellësat ishin të njëjtë në të gjitha këngët, por jemi detyruar të bëjmë për çdo këngë nga një të ndryshëm, duke marrë dhe falenderimet e publikut.
- A mund të më lidhni pak këngën “Jare” tuajën, të shoqëruar me violinën e Kaftallit?
- Jam njohur kohë më parë me Markun, qysh në “Turizëm” dhe merrnim një soj rroge aty. Aty, ai mësoi të gjitha “Jaret” e mija dhe ishim pothuaj të përgatitur kur u hap Estrada dhe nuancat e mija të jareve shoqëroheshin nga krijimet e bukura të violinës së tij. Ai fuste modernizma brenda, ato që ne i themi “pixicatto”( interpreton) dhe këtë e ka përdorur shumë. Kishim një dualitet nga vetë kënga e shtruar jare. Ne interpretonim si “me kenë tuj bisedu bashkë”. Sidomos te kënga “Paska qenë kismet”, e cila ishte një këngë historike. Teksti i kësaj kënge ka qenë ndryshuar dhe mund të them se disa herë kanë bërë mirë dikur në përpunimin e këngëve, por disa herë i kanë dëmtuar ato.
- Çfarë bëhet me këngën popullore qytetare shkodrane dhe të vendit sot? Po tradita?
- Sot nuk trajtohen me vëmendje dhe nuk ka sa duhet të ketë.Unë kam në repertor 250 këngë dhe po të shikosh prej të gjithë këtyre këngëve, shumë pak janë të inçizuara. Në përpunimin dhe interpretimin e këngës nuk duhet “kaluar kufini” , por duhet gjetur forma artistike “për me ba në rritje edhe të bukur”.
- Përfundimisht do donim të dëgjonim dy fjalë nga ju për Shkodrën dhe muzikën e saj. Cilat janë komentet tuaja?
- Kemi shkuar në Budapest me një grup popullor dhe me artista të mëdhenj shkodranë si dhe me muzikën shkodrane. Për këtë gjë, po të tregoj se aty suksesi i kësaj muzike dhe kësaj kulture, u prit shumë mirë. Ato vlerësonin më shumë këtë folklor, traditë dhe këtë muzikë, megjithëse kishte aty artistë të operave dhe të shkolluar jashtë, prandaj kjo është Shkodra dhe kultura e saj muzikore.

Gazeta "Sot"



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora