Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Socialistët thonë se do t’i mbrojnë votat me gjak!

| E enjte, 02.07.2009, 06:57 PM |


Gramoz Ruçi, në mbamendjen e kronistëve të mediave të shkruara, po ai Gramozi i Revolucionit Bolshevik të vitit 1997, njëherë bëri kushtrim në mediat elektronike që të ngrihet “populli” dhe ta mbrojë votën me gjak, e pastaj organizoi me Kokadhimën, një prolog të “gjakderdhjes”.

Kjo është ftesë për luftë qytetare, për ta nxitur edhe një vëllavrasje si gjatë “revolucionit” të njohur që e dogji Shqipërinë.

A është e mundur që në skenën politike shqiptare, jo të përkatësive majtas e djathtas, por përgjithësisht në këtë skenë, të këtë ende struktura që pushtetin duan ta marrin me gjak duke mbrojtur “votën”, e jo në bazë të vërdiktit të popullit, i cili vullnetarisht përcaktohet ndaj orientimeve politike? Për Shqipërinë kjo nuk është një përvojë shumë e vjetër, e kemi parë pak dhe e kemi pasur këtë përvojë para 12 vjetëve, por përvoja e rrëmbimit të pushtetit “me gjak’ është e njohur (përveç Revolucionin Borgjez Francez), sidomos pas vitit 1917, në krye me bolshevikët e Leninit.

Për zgjedhjet e fundit në Shqipëri (hiç paraqitjen e gjakpirësve), SHBA-ja dhe BE-ja e dhanë notën më superlative. Ishte kjo fitore e Shqipërisë (sipas Berishës) pikërisht për nivelin e lartë të disiplinës politike që tregoi populli shqiptar në këto zgjedhje. Disa herë na është nevojitur ta përdorim tezën se vetëm populli shqiptar është më i disiplinuar politikisht, sesa liderët e tij.

Por që ka edhe sot njerëz dhe parti politike që ngrihen e thërrasin “gjakderdhje” për vota, kjo i ndodh vetëm Shqipërisë, kjo është një dëshmi se majtizmi shqiptar në realitet është një relikte e trashëgimisë revolucionare, e cila e disiplinon popullin me burgje dhe me gjak, dëshmon se majtizmi shqiptar është trashëgimi e Partisë së Punës, e cila Shqipërinë e Enverit e shndërroi në burg dhe në repart pushkatimi. Një epsh kaq i madh ta denigrojnë Shqipërinë para syve të Evropës, e sidomos para syve të fqinjëve tanë që haptas shprehin armiqësi ndaj Shqipërisë, kjo nuk ngjet në një “pakt me djallin”, por me një non sens konceptual të të kuptuarit të modernizmit politik, kjo dëshmon se një pjesë e politikës në Shqipëri nuk e përdor si të dobishme përvojën e hidhur të së kaluarës dhe nuk do të heqë dorë nga kjo përvojë e hidhur.

Gramoz Ruçi, po ai në krye të turmave që shkelën mbi nëndetëset shqiptare, po ai që i priu bandave komuniste në vitin 1997, po ai tash tregon se është përmalluar për t’i vënë flakën Shqipërisë, tash kur Shqipëria avancoi në NATO dhe kur BE-ja përgatitët ta pranojë në gjirin e saj, tash kur Shqipëria u bë kantier ndërtimesh, jo vetëm të autostradave e godinave, por edhe e rritjes së standardeve në arsim, në shëndetësi, në kulturë, në bujqësi, etj.

etj. socialistët (trashëgimtarë) pa fije turpi thirrin popullin dhe bëjnë kushtrim të ngrihet e të derdhë gjak! Që të jemi precizë, mund të mendojë akëcili, se këtu bëjmë përgjithësime mbi një parti (socialiste) kurse fjala është se vetëm Gramoz Ruçi i saj ka kërkuar gjakderdhje, e jo partia.

Por partia nuk është distancuar nga kushtrimi për gjak i Gramoz Ruçit, po përkundrazi (parmbrëmë në Fier) në turmën demonstruesve nuk u pa vetëm Gramozë Ruçi, por edhe socialistë të tjerë! Shqipëria nuk është më Terra Inkognita e Perdes së Hekurt Komuniste që e kufizoi me krejt botën. Shqipëria sot është vend i hapur dhe gjithë bota mund të hyjë e të dalë, që të shohë ku ka arritur Shqipëria.

Kështu që, çfarë urrejtjeje antishqiptare është ajo e një partie, e cila provon (edhe me gjak qoftë) që ta fusë Shqipërinë në listat e zeza të vendeve të nivelit kolumbian? Zgjedhjet e fundit dëshmuan se nga politika u përjashtuan tipat si Gjinushi e Milo, u përjashtua Ilir Meta, me një fjalë këto zgjedhje e përjashtojnë edhe Edi Ramën.

Një pjesë e votuesve shqiptarë u pa se ende janë socialistë, dhe kjo është krejt në rregull, por u pa se votuesit shqiptarë e përjashtuan Milon, Gjinushin, Cekën, etj.

etj. Po pastrohet skena politike shqiptare nga konvertistët e Enverit.

Populli po i përjashton nga skena politike pasardhësit e Enverit, ata që politikën e kanë bërë me gjak dhe që ende thërrasin kushtrim për ta mbrojtur votën me gjak.

Votën të cilën nuk ua dha populli!
Bota Sot