E premte, 29.03.2024, 12:46 AM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Letërsi e copëtuar, ëndërr e përbashkët

E enjte, 02.07.2009, 06:37 PM


LETERSI E COPTUAR,
ENDERR E PERBASHKET.

Nga Visar ZHITI
 
Gëzimi im dhe emocionet e mia për të ardhur këtu janë të veçanta, të forta dhe të thella, ndër më të dhembshurat dhe ndër më të bukurat. Kam udhëtuar shpesh për në Kosovë me fuqinë e ëndrrës, madje edhe pa lindur dhe, besoj, do te vij, edhe kur të mos jem, prapë me fuqinë e ëndrrës.
Biseda ime nisi kështu duke kujtuar ëndrrën, nga që Kosova është e lidhur shumë me ëndrrën tonë të përbashkët. Dhe ëndërrimet, mendoj, kanë diçka nga krijimi, kur vetë krijimtaria është ëndërr e kryer, në një farë mënyre. Dhe pikërisht tani më duket se mund të flitet natyrshëm për zanafilla dëshirash dhe pragje mbërritjesh, për humbje baladeske të gjallësh e kthime të vdekurish, për metaforat e lirisë dhe rrëkenë e gjakut, që jo vetëm rrjedh nga mitet, por dhe mund të pikojë nga dekika nëpër legjenda.

S’e di pse me vjen të nxitoj

të them se Letërsia është një coptim, ku na nëpërmenden ndarjet, por dhe masakrat. Mbase këtë perceptim bën që ta ndjej, thekshëm dhe marramendshëm prej copëzimit të popullit tonë, tashmë, për fat, me dy shtete në Ballkan, Republika e Shqipërisë, e pavarur gati prej një shekulli dhe Republika e Kosovës, e pavarur qysh prej një viti. Një shekull dhe një vit letërsi pa robërinë e pushtuesit s’besohet se janë mjaft për një nga popujt më të lashtë të Europës, në truallin e vet, në gadishullin më poetik të botës. Ndërkohë kemi prapë letërsi tonën nga ajo që krijohet nga bashkëkombasit tanë në republikën ende pa emër të pranuar nga të gjithë, në Maqedoni, në atë të Malit të Zi, por dhe në Greqi. Kemi letërsi shqipe tradicionale dhe përtej detit, në Itali, dhe Francë, në Gjermani e deri në Amerikë, pra, në diasporë, ku vihen re dy mërgime, ikja e autorëve dhe gjetja strehë shpesh në një tjetër gjuhë.                  

Nëse besohej që muza endej qiejve, ku s’ka patur tela me gjemba e piramida kufiri, ndërsa Pegasin na ka pëlqyer ta krahasojme me kuajt e Kosovës, dua të shtoj se ka dhe një prurje të nëndheshme, një letërsi tjetër, që ende s’ka mbaruar së ardhuri nga ferri, nga humbellat, afër të vdekurve. Është letërsia që del nga burgjet, që i sjell letësisë shqipe terrin dhe dritën e së vërtetës, për moralin e së së cilës një letërsi ka nevojë domosdoshmërisht.                                 

Letërsi e hapëndarë kështu, e copërluar, por që së bashku krijojnë atë, të ëndërrtën, Republikën e Letrave tona, më të fortë se secila ndasì dhe më të madhe se të gjitha ndasitë së bashku...
 
Që të them diçka të thjeshtë, duke mëtuar për një bashkëbisedim të sinqertë, nga që ndjehem këtu si në shtëpinë time, që, për paradoks vij për herë të parë në Kosovën shtet më vete, megjithse kisha ardhur pas luftës dhe para shpalljes së Pavarsisë - ngjarjeje sa madhështore, po aq dhe triumf i lumtur, por që ka brenda dhe një si brengë fërgëlluese, që ndoshta më shumë e ndjejnë të rënët dhe vdekurit, që ua përcjellin fare mirë të gjallëve: si, u çliruam për të qenë të ndarë?, - dëgjohet kjo mërmërimë prej dheu, nejse, besoj fuqishëm se ka gjëra më të mëdha e më të shenjta, themeltare si gjaku e gjuha e historia që na mbajnë bashkë, si vetë ëndrra dhe ardhmëria, por më duhet ta them patjetër, prandaj lejomëni të shtoj se me Kosoven ndjehem më i lidhur se me vendlindjen time, me fije të padukshme e të dukshme si nervat, nga që shoh një fat më të njëjtë.  

Kemi qenë robër të dy, Kosova e pushtuar, unë në burg. Edhe për fajin se kisha dëgjuar fshehurazi Radio-Prishtinën dhe kisha arritur të lexoja poezi nga Kosova, metaforat e të cilave ishin dhe kundër dhunës dhe britma të epikës së mbijetesës.                                                                                                              
E kam thënë dhe herë tjetër, poezia e Kosovës, aq sa mundej të kalonte kufirin shtetëror, ka patur ndikim të rrezikshëm në poezinë e gjeneratës sime, duke fryrë erërat e universales dhe duke buruar identitet. Estetikisht hermetike si gjendje ekzistenciale e njeriut shqiptar. Vazhdon të mbetet për mua si një nga kolonat e qendresës së letërsisë shqipe kundër së keqes.
                                                   
Andej nga vij, s’jam me këdo bashkëvuajtës                                           

dhe Kosova dhe unë tani jemi në mundimet që përftohen nga mrekullia e lirisë.
 
Por ndoshta sonte është më mirë ta vazhdoj aty ku për të cilën kam ardhur. Vij nga Roma dhe, ndërsa fluturoja në qiell, mes reve, një re e bardhë m’u fanit nga dritarja e avionit si shpirti i Beqir Musliut. Doja t’i thosha, faleminderit, vëlla, si ke thënë Ti që i shpikëm engjujt në hyrje për të na ruajtur, pastaj t’i tregoja se në Romë sapo është çelur Ambasada e Kosovës, ku unë shkoj shpesh, madje kam qenë dhe në ditën e parë, kur u ngrit flamuri i shtetit më të ri në botë, në ballkonin e selisë së saj. Që në Romë janë hapur ekspozita me fotografi nga Kosova, që dëshmojnë plojën dhe krimin e përbindshëm, që janë botuar poezi nga Kosova, të një niveli europian, që kemi marrë pjesë në protesta me fëmijë ndër krahë, kemi marrshuar nga Koloseu i lashtë, jo shumë larg nga shtatorja e Skënderbeut në “Piazza Albania”, ku më përtej është dhe varri Ernest Koliqit, shkrimtarit-ministër që dërgoi 200 mësues në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në egzilin e detyruar ai hapi katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetin më të madh të Italisë. Pastaj kemi ndalur para ngrehinës së Parlamentit dhe aty jemi bashkuar me arbëreshët, të veshur me kostume popullore kosovare, me qeleshen e bardhë mbi krye. Protesta paqësore që do të ndillnin  luftën e mëpastajme për paqen.

Nuk di ç’të them më parë, nga që duhet të takohemi më shpesh, por mjafton që jam i sinqertë dhe të më mirëkuptoni, nëse rrëfehem se kur çoja në shtyp librin tim me poezi “Si shkohet në Kosovë”, desha të nënkuptohej se si shkohet tek vetvetja. Këtë libër, të botuar dy herë, e kam gjetur në një agjensi udhëtimesh në Tiranë, mbi tryezën, ku ishte grumbulli i revistave me informacione të ndryshme dhe  për sezonet e udhëtimeve. Nuk e di nëse ata të agjensisë e mendonin  librin tim thjesht një guidë, por unë kuptova i mrekulluar se ne po arrinim të ribënim guidat tona shpirtërore për të vajtur te njëri-tjetri.                             

 Kujtohem që një antologji me poezi për Kosovën, e përgatitur në Kosovë dhe e botuar anglisht, ka dhe dy vargje të tim eti, të shkruara dikur: Kujto Kosovën, Çamërinë e shkretë,/ ëndërruan lirinë, u bënë ëndërr vetë. Janë shkëputur nga një poemë, botuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, dramatizuar e shfaqur dhe në Kinemanë që mbante emrin “Kosova” në Tiranë gjatë pushtimit. Dhe pas çlirimit  të vendit, por jo të njeriut, autorin e dënuan. Bashkë me poemën. Që e çuan të riciklohej në letër të bardhë në fabrikën e letrës, që e kishin ndërtuar kinezët në Lushnjë, ku pak më tutje, mes baltës ishte dhe burgu i grave në vendin me emrin tronditës “Kosovë e Vogël”, se aty kishin bujtur në kohën e mbretërisë kosovarët e dëbuar...     
                                                                                                   
Na duhet kujtesa dhe jo letra e bardhë e moskujtesës,

kam klithur së brendëshmi. Se Libri, po vazhdoj të flas për letërsinë në pëgjithësi, jo vetëm që është kundër harrimeve, por dhe copë e përhershme jete, më e mençura dhe e bukur sa vetvetja, merr dhe jep jetë, nga ajo më e rëndësishmja dhe bëhet jetë, që dëshirojmë të ketë po atë rëndësi, në mos më shumë se e tashmja e vet, mendoj. Letërsia është copë e këputur dhëmbshëm e një kohe dhe e një vendi, e gjuhës së atij populli dhe e fatit të tij. E përbashkuar si në një mozaik, me gurë të ndryshëm, ribën dhe ngrin tablo të domosdoshme për kujtesën dhe ndërgjegjen kolektive. Dhe ngjan se kryhet nga të pakryerat, kështu mendoj. Eshtë e ndarë nga gjuhët, mëkat babilonik apo pasuri e magjisë së fjalës?, por unë dua të shtoj prapë atë që duket sikur e thashë, letërsia edhe ndërpritet nga shkaqe të jashtme, nga vdekjet dhe harrimet, të drejta dhe të padrejta, nga apartejdi i gjithfarllojshëm, me vendin dhe shtetin, me kohën dhe veten, madje unë jam nga ata që besojnë kundërshtueshëm, që letërsia jo vetëm mund të copërlohet edhe më nga pushtimet dhe diktaturat dhe burgjet e tyre, por edhe mund të tjetërsohet e të zhbëhet ashtu dhe siç ka ndodhur, por assesi do të hovë e çmendur, të rebelohet dhe profetikisht mund t’i sjellë të papritura jetës. Regtima e qiririt të saj të fundmë duket se është e pashueshme.                                                                                              
Dua të them se kam besuar që letërsia është dhe akt sublim e i shenjtë, një tempull, që edhe nëse tundet nga tërmetet e realitetit dhe nga humbellat që krijohen, si rrënojë trondit më shumë, mbase, dhe shton përfytyrimet. Që është dhe kështjellë, s’e trand asnjë rrethim, por mund të dridhet mbi ujin e një pellgu a e pasqyruar në një pikël loti.                                                                                
Besoj fort që letërsia jonë është dhe letërsi.Që i ka përjetuar pasojat, ku janë ndëshkuar autorë dhe libra dhe lexues, madje dhe varre poetësh deri dhe te vetë hataja: ndalimi që të shkruhej gjuha e shqiptarve.
Pra, letërsia jonë njeh masakrën, sa më vjen ta besoj se ajo nuk mund të ishte dot bëmë e një kolektiviteti, që punoi me vizione dhe akademi, ngulshëm e me zell, por është përpjekje, frymëzim deri në kokëkrisje individësh ëndërrimtarë, nga ta që prijnë karvane dhe arrijnë agshole dhe shkruajnë në ditar me gjakun e tyre. Dhe e dinë që ka nga ata që shkruajnë dhe me gjakun e të tjerëve.

Duke u përballur me tiranitë e gjithfarllojta, të afërta dhe të largëta në kohë e hapësirë dhe në një përmasë tjetër të brendëshme e misterioze, letërsia jonë ka arritur ta ribëjë vetveten, aq sa ka mundur, dhe them, me dalldinë e një të mbijetuari, se letërsia jonë është dhe martire dhe e madhërishme dhe me plagë të gjergjelezalinjta. Si e tillë dhe askete...
Ja, një nga arsyet për ta dashur më shumë letërsinë tonë.
 
Pak ditë para se të vija këtu, pata një mall të çuditshëm, gjakim gjaku, të shoh librin tonë të parë, “Mesharin” e Gjon Buzukut, prej të cilit ka mbetur vetëm një ksombël në Bibliotekën e Vatikanit. Mëdyshem se jo rastësisht kanë humbur të tjerat. Është marramendëse për një shqiptar të marrë ndër duar atë libër. Dhe atij libri i mungojnë faqet e para, të dhënat se ku është shtypur, etj., dhe besoj prapë pa mëdyshje që kjo s’është rastësi.

Librit tonë të jetës ende duan t’i grisin fletë,

t’i heqin copa mishi e t’i thyejnë eshtra, por duhet të jemi ne që duhet ta ruajmë atë më shumë se kushdo tjetër e se çdo gjë. Së pari brenda vetes duke i dhënë frymë dhe gjak.

Mbledhësin e Kanunit tonë, arkeolog dhe dramaturg dhe shenjt, e vranë, por nuk vranë dot popullin që krijoi atë Kushtetutë krenare, që qeverisi shqiptarët me shekuj, pa institucione, pa polici e burgje, por me moral, duke i dhënë dhe kërkuar njeriut medoemos nder dhe kryelartësi, duke nderuar vdekjen deri në ashpërsi tragjike në emër të jetës.
Na kanë shkulur në Jugun epiriot dhe u munduan të na shkulin prapë nga Dardania, ndodhi eksodi si në bibël dhe bota e qytetëruar perëndimore, pakti euro-atllantik, bëri të parën luftë morale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. U mblodhën ushtritë e botës për të shpëtuar Trojën moderne dhe ia arritën.                  

Një gazetare e huaj po më thoshte një ditë:                                                               
- Për shqiptarët s’kisha ndonjë mendim tjetër, përveçse të atyre që përhapte media. Por kur i pashë që iknin përmes baltës dhe gjakut, me etërit e tyre mbi supe, tani, kur ndodh që braktisen pleq nëpër metropole, them se jeni populli më i mirë në botë.                                                                                 
- Zonjë, - i thashë, - a nuk ju kujton Eneun, dardanin e lashtë, që, ndërsa Troja digjej, mori në kurriz të atin, kaloi nëpër Butrint, siç na e tregon dhe Virgjili dhe kaptoi detin për të themeluar Romën?

Tani Shqipëria është në NATO, por ne si komb duhet të forcojmë dhe armët e kujtesës dhe të ngremë perandorinë e dashurisë. Nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë. As dëshira. Nëse të tjerët kanë institucione, ku programojnë se si të na shfarosin apo gënjeshtrën me alkiminë e tyre ta propagandojnë si të vërtetë, edhe ne patjetër duhet të ndërtojmë strategjinë e përbashkët të mbrojtjes. Me virtyte. Të përdorim Fjalën dhe gurin filozofal e arkeologjik, kullën dhe vallet, lahutën dhe ngjyrat, imazhet dhe emrat, që rreken të na i marrin. Jo  vetëm atë të Skënderbeut dhe Nënë Terezës.                                                               
Shfletoja në Itali një katalog të ambasadës sërbe, ku lexova se nga trualli ku ata janë, kanë dalë 18 perandorë romakë. Që të mund të nëkuptohej se janë me origjinë sllave. Kaq. Por dihet, jo vetëm nga ne, që ata perandorë ishin ilirë e dardanë, etërit tanë.                                                                                 
Musliu ynë na mëson se “Asgjë s’mund të marrësh më tepër se ç’ke”. Por, ja që u dashka t’u tregohet dhe të tjerëve ajo që ke. Gjithmonë me kulturë. Se ka dhe harresa kriminale. Prandaj them se rrugët tona p.sh., mund të mbajnë dhe emrat si Konstandini i Madh, Justiniani, Papa Klementi XI, Muhamet Aliu, Mustafa Qemali, etj, etj. krahas plejadave të emrave të tjerë plot dritë, që kanë bërë dhe rritur kombin dhe gjuhën.                                                                                   
Nëse përtej nesh ka profesorë diabolikë që kanë lozur si me top me kokat e prera të studentëve të një kombësie tjetër dhe poetët tanë janë zëmëruar keqas e kanë shkruar të tmerruar, gjithsesi duhet të jemi bashkë shpirtërisht dhe të veprojmë bashkë intelektualisht për të sfiduar padrejtësitë dhe mashtimet epokale, t’i bëjmë ballë së keqes dhe të mbrujmë me duart tona atë të ardhme që na duhet. Natyrisht krijimtaria letrare është akt individual misterioz dhe kryehet në vetmi, por së toku veprat përbëjnë letërsinë e një populli, që është pasuri kombëtare, që duhet çmuar e mbrojtur e përhapur dhe duhen krijuar kushte gjithnjë e më të mira për shtim cilësor të saj. Duhet të kemi patjetër dhe U.Ç.K.-në tonë kulturore, sepse shtojmë lirinë tonë, mençurinë tonë dhe i forcojmë ato gjithnjë e më shumë në vertikalitetin e tyre.

Unë e çmoj shumë dhe lexuesin në Shqipërinë andej ashtu siç kam një nderim të veçantë dhe për intelektualët këtej, në Kosovën tonë. Kultura e shqiptarëve është e denjë për të qendruar krah për krah me kulturat e tjera.
 
Së fundmi dua të përsëris një thënie: shkrimtari i madh është si një shtet tjetër për vendin. Kosova ka poetë të mëdhenj. Ishte shteti i tyre më parë, ai që krijoi qytetarì dhe përgjegjësi, pa u arrit që Kosova të bëhej shtet më vete. Shqiptarët po rigjejnë vetveten dhe miqtë, po ribëjnë hapësirën e tyre, të populluar me shpirtrat tanë, me ëndrrat dhe jetët tona.
 
Ardhja ime këtu është për të treguar se unë besoj. Falenderoj gjithë të pranishmit, ata që më bënë nderin duke më përzgjedhur mua dhe që mundësuan rrugëtimin tim. E konsideroj dhe si një lloj dëmshpërblim që u bëhet atyre që dolën nga ferri.                                                                                                       
Erdha me time shoqe, mbesë e “kosovarit nga Vlora”, siç e ka cilësuar shtypi i kohës historianin Ago Agaj, prefekt në Mitrovicë dikur, autor i librit “Milloshi – heroi i Kosovës”, i shkruar shqip gjatë mërgimit politik në Egjipt dhe ShBA. Kemi dhe djalin me vete, se ai duhet ta shohë herë pas here Kosovën, se do të kuptojë më mirë metaforën e ëndrrës së atdheut.


( E lexuar mbrëmjen e 25 Qershorit, në Sallën e Teatrit në Gjilan, me rastin e pranimit të Çmimit Letrar “Beqir Musliu”, për vlera të dëshmuara në fushën e artit letrar Çmim të cilin e jep komuna e Gjilanit në nderim të jetës dhe veprës së shkrimtarit të shquar, Beqir Musliut )


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora