E enjte, 28.03.2024, 10:54 AM (GMT)

Mendime

Rënia e Trojës

E hene, 27.08.2007, 05:17 PM


Shkruan : Sokol Balla

Sokol Balla
Për të gjithë emigracioni është i vështirë, veçanërisht për shqiptarët, të cilët përveç ikjes, i duhet të përballen edhe me braktisjen. Braktisjen e nje shteti që ende nuk është. Sot gjërat janë disi më ndryshe. Ajo që nuk ka ndryshuar është vetëm braktisja. Mjafton një udhëtim me makinë – me targa shqiptare – nëpër tokën greke, për të kuptuar sesa e vështirë është që gjërat të ndryshojnë shpejt.

Që për ne nuk kanë ndonjë mendim të mirë, kjo nuk ka asnjë dyshim. Kjo nis që tek vështrimi i hutuar mbi flamurin e kuq tek targat – po pse dreqin e kanë bërë shqiponjën aq të madhe??? :-) Pastaj vazhdon me pyetjen idiote “Ua nga Shqipëria jeni?”, më pas vijon me indiferencën e sforcuar, ndaj çdo gjëje normale dhe shqiptare. Tek buzëqeshja hipokrite në hotele, e menaxherëve që mezi arrijnë të besojnë se shqiptarët mund të shkojnë me pushime në Ishujt Grekë. Shpesh më intrigon raporti dashuri/urrejtje që kemi me grekët. Kjo sepse i shoh shumë të ngjashëm me ne dhe jo rrallë kemi edhe kompeticion të fortë. Por nga ana tjetër i kam parë gjithmonë grekët shumë më seriozë në ambiciet e tyre ndaj SHqipërisë. Duan të na shfrytëzojnë, dakort! Por kush nuk do? Por së paku janë më mirë krahasuar me italianët, që gjithmonë më lënë përshtypjen se vazhdojnë të vijnë në SHqipëri në kërkim të breshkave – ashtu si shkojnë sot në Durrës apo Budva për të ngrënë spaghetti con dateri tashmë të ndaluara në Itali. Jo, së paku në sfidën me ne, grekët janë më seriozë. Ata përdorin artileritë e rënda. Hyn shteti në lojë, tentojnë të blejnë gjëra tek ne vërtet lirë, por shumë më shtrenjtë sesa do të jepnin të tjerët. Nga ana tjetër jo se ne kemi lënë vend për veten tonë. Në Greqi të thonë se kur erdhën fillimisht shqiptarët, në janar 1991, të gjitha familjet hapën dyert për ta. i strehuan, i veshën, i mbuluan me afeksion. Por shpejt gjërat ndryshuan. Ne nuk ishim mësuar të rrethoheshim me dashuri, por vetëm me frikë. Dhe kur frika vdiq, instiktivisht filluam hakmarrjen. Hakmarrjen ndaj kohës së humbur, ndaj braktisjes së gjetur dhe lumturisë së paarritur. Ndaj shpejt filluan vjedhjet, rrahjet apo jo rrallë edhe përdhunimet në ashensorë. Ngjarjet të tmerrshme, pas të cilave emir “Alvanoi” filloi të marrë të njëjtin kuptim me termin “çeçenë”, që kultura snobe metropolitane e Tiranës, fajësonte dyndjen e popullsisë së varfër nga Veriu I vendit.

Por sot pas 17 vjetësh gjërat kanë ndryshuar. Bile edhe në Bathore. Snobistët e bordurave janë sot pot ë njëjtët, por po i afrohen të dyzetave, janë kryesisht beqarë dhe jetojnë ende me prindërit. Nuk martohen dot, se jetojnë me një e guzhinë, megjithëse në qendër të Tiranës. Ndërkohë bathoristët po marrin së fundi edhe tapitë e atyre që nisën si kulla, dhe përfunduan si vila . Ata mund të shkojnë të marrin kredi. Snobistët e bordurave mund të marrin lekë borxh vetëm nga mamatë e tyre. Me këtë nuk dua ti godas dhe as ti kritikoj. Jo rrallë jemi gjendur të gjithë së paku njëherë duke menduar keq për të ardhurit. Por tani të ardhurit janë një realitet. Deri dje I morën shoqërisë, sot do të nisin t’I japin. Nuk kanë rrugë tjetër. Në bordure nuk rrinë dot. aty janë të vetmet vende që metropoli nuk ua ofron dot, edhe nëse luftojnë t’I kenë. Për gjithçka tjetër… ka një zgjidhje.

Kështu janë realitet edhe shqiptarët në Greqi. I sheh tek punojnë në ara dhe mbledhin rrushin Nikteri të Santorinit, apo tek shërbejnë me elegancë në Elounda Villas në Kretë. Tek të hedhin benzinë në makinë në Atiki Odos, apo shëtisin me xhamat hapur të makinave të shtrenjta duke dëgjuar me zë të ngritur iso labe në rrugët e pasura të Kifisiasë. Shqiptarët tani janë, pra do të thoshte Kamyja, tani ata ekzistojnë. Por po ashtu ekziston edhe Shqipëria tjetër. Dy SHqipëritë, megjithëse vazhdojnë të jenë të braktisura nga një shtet I padukshëm dhe që kryesisht han vetveten, tashmë kanë siguruar mbijetesën, janë në garë me kohën e humbur, por duke “rikuperuar” në çdo xhiro. Tani janë të huajt që po habiten me ne dhe nuk duan ta besojnë. Nuk duan ta besojnë se shqiptarët mund të kalojnë pushime jashtë, ndërkohë që jashtë dikur Alvanoit shkonin vetëm për punë. Nuk duan të besojnë që shqiptarët mund të kenë makina të shtrenjta dhe njëkohësisht të mbajnë ato targat me shqiponjën e zezë. (Vërtet ai flamuri mund të ishte pak më I vogël dreqi ta hajë. Me siguri nëse shoku im Pleurati nga Kosova lexon këto rreshta do më marrë në telefon dhe shajë rëndë. Vite më parë kur një miku im erdhi me një makinë me targa shqiptare në Londër ku jetuam ca vite të dy, ai më tha: “Do vrisja dhjetë serbë për të patur një palë targa të tilla”). Dakort ndoshta edhe Pleurati ekzagjeronte pak, por e vërteta është se ndonjëherë nuk e kuptojmë vlerën e gjërave që kemi, pasi jemi në garë te ethshme për të kapur gjërat që nuk kemi. Megjithatë tani kur shoh sytë e shqyer të grekëve kur dallojnë targat tona, në rrugët e Santorinit, Kretës, Athinës apo Selanikut, bëj një bilanc të thjeshtë: Ato mijëra shqiptarë që punojnë në Greqi, marrin paratë nga pronarët e tyre grekë të hoteleve, vreshtave, apo restoranteve. Në fakt paratë pronarëve u shkojnë edhe nga shqiptarët e tjerë, ato që flenë në hotelet e tyre, hanë në restorantet e tyre, pijnë verën e tyre të bardhë. Në fakt I bie që shqiptarët tani po paguajnë shqiptarët. Vetëm se tani kjo po ndodh edhe në Greqi, Itali e Angli. Një rreth I mbyllur dhe I çuditshëm, që pakkush ka guxuar ta mendojë se mund ta realizonte populli, I cili në janar të vitit 1991, donte vizë nga shteti shqiptar, për t’u larguar Shqiperia!!!!!

Jemi bërë popull self-suficient. E kush ka nevojë për shtetin tani? Grekët po, ata vërtetë duhet të kenë frikë. Harxhojnë miliona në “Vorioepir”, por në fakt i kemi pushtuar plotësisht mu në zemër të vendit të tyre. Jemi në kërkim të një trofeu të fundit: respektin. Historia tregon se do ta fitojmë edhe këtë betejë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora