E premte, 19.04.2024, 02:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Poezi me emocione që paraqesin tabllo reale të kohës

E merkure, 01.07.2009, 06:49 PM


POEZI ME EMOCIONE QË PARAQESIN TABLLO REALE TË KOHËS

(Lumnija Thaçi-Halili, “Mesudha” “Ura”, Prishtinë, 2007).

Nga Bilall Maliqi

Megjithëse pjesa më e madhe e poetëve mundohen që vargjet e tyre të jenë sa më të avancuara artistikisht, të karakterizuara me motive e ngjarje reale të kohës, dhe vargjet e tyre të gjurmojë thellë objektivitetin , t’i hapin horizontet e kërkimit dhe shtjellimit të figurave në vargje, me tematika të ndryshme të cilat shpijnë deri te caku ëndërrimtar i shumicës së poetëve të arrijnë kulminacionin dhe të futen thellë në botën e poezisë moderne.
Është një numër jo i vogël i krijuesve që me punimet e tyre mundohen të ngriten shkallë-shkallë, duke treguar kështu interesim dhe vullnet të madh të arrijnë pikërisht atë cak që përmendëm më parë, në mesin e tyre është edhe poetja Lumnije Thaçi-Halili, e cila si në dy librat e para  ashtu edhe në të tretin tregoi një zell dhe një seriozitet të madh  në ngritjen  dhe forcimin e vargut dhe krijimit të individualitetit letrar.
Përmbledhja e poezive “Mesudha”, paraqet vargje të shkruara sipas një konkretësie reale  të kohës të cilat dalin vrullshëm nga thellësia e shpirtit të poetes dhe paraqiten në letër.Një paraqitje e tillë motivuese  të vargjeve të mbështjellura  me figura të fusin për një çast në kohët që i kaluam dhe kurrë nuk u ndalën në stacionin e lirisë.Këtë më së miri autorja e paraqet me anë të vargjeve të poezisë “Iluzion i kohës”, ku në mënyrë të qartë i paraqet të bëmet, të këqiat që iu bënë shqiptarëve nëpër kohë me dhunë, spastrim dhe largim nga trojet e tyre, jep një mesazh të qartë se s’duhet harruar Kuvendet e Mëdha, ku ato kuvende bashkonin shqiptarët për një ideal.Gjithashtu me anë të vargjeve poetja rrëfen se lirinë e mbyllën, dhe lutet që mos të jetë e mbyllur hermetikisht në kutinë e Pandorës.

“Shurdhmemece...
Vijnë mbrëmjet,
Nuk dëgjohet briri i lirisë”

Ose

“Lirinë e mbyllën
Mos qoftë hermetikisht
Në kutinë e Pandorës”

Forcimi i mëtutjeshëm i vargut të Lumnijes shihet  qartë edhe në vazhdim të poezive po të motivit patriotik, ku me anë të vargjeve poetike paraqet një dashuri të fuqishme që ka për Çamërinë, pjesë kjo e banuar me shqiptar dhe e shkëputur nga trojet shqiptare e cila qëndron ballë detit Jon me gjithë ato bukuri mitike.Lumnija paraqet një udhëtim nëpër Çamëri , mbijeton harresën dhe mbetet e magjepsur nga bukuritë e këtij vendi.Nga dhembja dhe mllefi që ka për atë vend, shprehet me vargjet në vazhdim:

“Oi, oi, oi, oi, oi, oi
Shpirtkëputura
Çamëri”.

Ndarja e kësaj pjese të shqiptarëve del si koncept i dhembjes dhe pikëllimit të autores, sepse Çamëria si shumë vende tjera të coptuara të shqiptarëve, kanë shpirtin e këputur.Kjo shihet edhe në vargjet e poezisë “Terr i shekujve”.
Kohët e kaluara lanë varre të hapura , përbinë shumë viktima , andaj poetja kërkon ta varrosë kohën, sepse deri tani shkaktoi dhembje, pikëllim-të varroset thellë e më thellë në një varr të madh humnerë, dhe mbi kohën e varrosur me kufoma të lirisë të ndërtohet një Katedrale madhështore , dhe koha e re ta shndërrojë në antikohë.Me një seriozitet të madh Lumnija vazhdon ta ruaj mosramjen e vlerës së poezive.Këto vlera shihen edhe në poezitë:”Ritual monoton”, “Shkrepëtimë”,”Imazh i dhembshëm”,”Qiell i pafjetur” etj., ku me këto vargje mjeshtërisht lidhë fuqishëm vargjet me disa nga titujt e librave të poetit Xhemë Kradaku.Kjo pra është ajo gjetja e formave dhe  përshtatja e fjalëve në vendin e duhur.
Më tej Lumnija gjurmon ide dhe inspirime tjera, për të rrugëtuar kështu nëpër kohë, ngjarje me rëndësi të nënqiellit tonë të ngulfatur me varfëri, si rezultat i luftës së zhvilluar në Kosovë dhe djegien e shumë shtëpive si dhe falimentimit të shumë organizatave prodhuese që dikur ishin shembull në rajon, zhdukjen e shumë të rinjve si dhe shkatërrimit total të çdo gjëje të vlefshme për mbijetesë, ku shumica e tyre jetojnë të përqafuar me mjerimin.
Me dhembje të thellë Lumnija paraqet disa tabllo reale të cilat janë evidente gati në shumicën e familjeve, sidomos nëpër fshatra të cilat ishin implikuar drejtpërdrejt në luftë.Këtë realitet të dhembshëm, poetja me emocione të mëdha e paraqet në vargje:

“Rrethë sofrës së varfër
Urdhërohet të marrin
Nga një kafshatë
Se për nga dy nuk ka”

Ose

“Matet kafshata
Si kokrra e Budës”

    Në këtë skenë mjerimi, edhe macet nuk rrinë si dikur nën sofër, sepse s’kanë çka të hanë.Skamja dhe mjerimi ishin ulur si të paftuar në sofrat e familjeve të varfëra.
Gjetja e formave tjera nga poetja të cilat ngjallin  emocione te lexuesit janë edhe vargjet në vazhdim të poezisë “Larjelotësh” , ku shumë nëna derdhën lotë për bijt e vrarë, të zhdukur dhe formave tjera rrëqethëse që panë sytë e nënave shqiptare.këta sy të trishtuar shumë herë vërshuan lot nga dhembjet dhe kurrë nuk u ndalën për më të dashurit të humbur që nuk u gjetën dot.Autorja po në këtë poezi(Larjelotësh), përmend lotët e  Nënë Ajshes në Dubovik, lotët e Nënë Hyrës për Tolin, lotët e nënave të Anadrinisë dhe shumë nënave tjera të përlotura nga dhembjet të shkaktuara nga lufta.Lumnija kështu e përfundon këtë poezi prekëse dhe emocionale duke e pyetur botën:

“Moj botë
Një pikë uji
Në sytë e nënës,
Si i zuri gjithë këto
Tragjedi të mëdha”

    Në vazhdim të shtjellimit të poezive të cilat janë të shoqëruar edhe me ilustrime të cilat në njëfarë mënyre ndërlidhen me kuptimin e vargjeve poetike.Nuk mundemi pa i përmendur në këtë rast edhe poezitë:”Amulli”,”Eklips”, “Alter Ego”,”Shkretina”,”Therrëse”, “Trup(roja)”  etj., ku Lumnija del nga koncepti i dhembjes dhe pikëllimit që i paraqiti me vargje objektive më parë, më tej autorja koncentrohet në shpalosjen e ideve për inspirime tjera të vargëzuara  të cilat i prezantoi me sukses para lexuesve vlerat ideoestetike dhe ideopoetike të poezive.
    Nga kjo tabllo reale që u tha deri tani mund të konkludojmë se Lumnije Thaçi-Halili edhe më tej do të gjurmojë tema,  motive dhe inspirime  me qëllim të ngritjes së mëtutjeshme të vlerës  së poezive të saja, dhe gjetjen e rrugës  për të ecur përpara  në krijimin e vlerave të mirfillta letrare.


(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora