Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Abaz Hoxha ”100 Vjet kinema”

| E merkure, 01.07.2009, 05:44 PM |


ABAZ HOXHA ”100 Vjet kinema”

Nga Halit Bogaj

Enciklopedia “100 vjet kinema ” është një ngjarje tjetër e madhe kulturore që hedhë dritë të hollësishme në historinë e arit të shtatë shqiptar.Kjo vepër na bënë kurreshtarë edhe nga shkaku se autori i saj ka derdhur mund dhe djersë për të na njohur sa më tepër me të arriturat e kinematografisë  shqiptare që nga ditët e saj të para e deri sot.

Autori i respektuar ka punuar me  përkushtim të madh  dhe në mënyrë të palodhshme për të na dhënë sa më tepër fakte relevante dhe ngjarje të ndryshme  nga kinematografia jonë,  ashtu që ka bërë një punë të jashtëzakonshme  dhe  të frytshme   me të cilën ndahet I kënaqur çdo kineast  dhe filmofil shqiptar  të cilët mësojnë mjaft hollësisht  mbi të  gjitha lëvizjet e artit filmor në  Shqipërinë e para dhe pas luftës së Dytë botërore.

Siç  e shohim nga brendia  dhe kronologjia e librit, del se fillet e kinematografisë shqiptare janë të hershme, krahasuar me kushtet e vështira në të cilat gjallëronte Shqipëria dhe populli i saj në atë periudhë kur ajo rrezikohej vazhdimisht nga pushtues të ndryshëm  që përherë e synonin okupimin e trojeve shqiptare.

Duhet theksuar edhe faktin relevant  se arti  filmor lindi  edhe në Shqipëri menjëherë pas atij evropian të cilin e kishin zbuluar”Vëllezërit Lymier” në Francë.Në trevat ballkanike dolën në dritë  edhe dy lymierë të tjerë me emrat:Janaq dhe Milto Manaqi të cilët krijuan kryevepra të shquara me fokusimet fotografike, duke debutuar me filmin e tyre të parë”Tjerrëset” që është njëra ndër fotografitë më të  fuqishme të atyre viteve.

Libri i autorit Abaz Hoxha na njohton edhe me figura të tjera të famshme të cilat depërtuan edhe në artin botëror duke lënë gjurmë të pashlyera në suazat  ndërkombëtare si korifej të çmuar të prezentimit të vlerave tona të pashterrshme kulturore në botë.

Abaz Hoxha me librin“100 Vjet kinema” merr për sipër që të elaburojë tërë veprimtarinë jetësore të figurave të shquara filmore të cilat kanë bërë emër në botë ngase kjo do të ishte një detyrë kolosale   për ta arritur një synim fundamental të autorit të përkushtuar.Libri paraqet rëndësi të madhe për disa kategori të ndryshme të lexuesve të interesuar të cilët dëshirojnë të mësojnë shumçka për filmin  dhe magjinë e tij si lloj i ri i artit njerëzor dhe kombëtar, për aktorët tanë më të njohur, për kineastët më të dalluar që u morën me këtë lloj të ndritur të artit dhe për filmat më antologjikë të cilët kanë mbetur begati e madhe për popullin dhe kulturën tonë kombëtare.Një kësi libri na është dashur qysh moti për t’i treguar themelet e kinematografisë aq të begatshme e cila fillon  qysh me filmin”Skënderbeu”/1953/ dhe’Tana”/1957/ për të arritur në një numër më të madh filmash të xhiruar deri sot në dy anët e ndara të atdheut.

Libri është një përkushtim i pamohuar ndaj të gjithë atyre që synuan që edhe ne si popull të bënim  pjesë në familjen e madhe të civilizimit botëror , në rrjedhat e tij  kulturore dhe në botën magjike të artit të shtatë.Autori me kujdes të madh flet edhe për vendet evropiane të cilat ishin të angazhuara që t’i filmonin periudhat dhe viset shqiptare në shiritin e celuloidit, sidomos në  gjysmën e parë të  shekullit 19.Ai na bën të  ditur se në Shqipëri deri sot janë xhiruar rreth 300-400 filma dokumentarë dhe 300 filma artistikë që përbëjnë një fond mjaft i madh dhe solid të cilin  do ta kishin lakmi edhe disa nga vendet e zhvilluara të botës.Në këtë drejtim  Shqipëria kishte ecur shumë shpejt  drejt arritjes së sukseseve të mëdha dhe kulminante në lëmin  e kinematografisë.

Në këtë libër kemi shumçka relevante  nga historia  e kulturës shqiptare, siç janë edhe disa nga fotografitë e hershme të fillimshekullit të kaluar :”Kongresi i Manastirit”/1908/,”Hyrja e çetave në Manastir”/1908/”, “Çeta patriotike në Dibër”/1909/, “Këshilli i Kongresit të Dibrës”/1909/etj.

Kur duam të flasim për rëndësinë e madhe të këtij libri, duhet theksuar edhe faktin se në të  figurojnë  qindra aktorë shqiptarë që luajnë  rolet kryesore, sekondare dhe terciare në  mbi 300 filmat artistikë shqiptarë të  realizuar në Shqipërinë e pasluftës dhe në Kosovë.