E merkure, 24.04.2024, 04:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Shkëlqim Millaku: Kapitull i ri i një historie të albanologjisë

E marte, 30.06.2009, 07:16 PM


KAPITULL I RI I NJË HISTORIE TË ALBANOLOGJISË

Nga Mr. Shkëlqim Millaku

Begzad Baliu, Semantika e fjalësit (monografi), Shb. Era, Prishtinë, f. 130

Ka disa vjet që studiuesi Begzad Baliu (Profesor i asocuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës), në konferencat shkencore dhe në veprat e tij gjuhësore, ka filluar të sjellë sinteza të veçanta për periudha, tema dhe autorë, përfaqësues të gjuhësisë shqiptare. Fjala është për periudha historiko-gjuhësore të zhvillimit të gjuhësisë shqiptare (gjysma e dytë e shekullit XX), tema të veçanta (onomastika, ortografia, institucionet, revistat), dhe përfaqësuesit më të shquar (Eqrem Çabej, Selman Riza, Jup Kastrati, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj, Shefki Sejdiu, Tomor Osmani) etj., të cilat Baliu, kohë pas kohe, i ka bërë objekt studimi në forma nga më të ndryshmet dhe të cilat edhe pa projektin e tij shkencor “Sprove për një histori të albanologjisë”, të cilin e ka botua vite më parë, do të kuptohej se autori tashmë po shkon drejt një historie të albanologjisë.
Duke qenë studiues i pasionuar i kërkimeve të thella dhe të gjera në fushë të albanologjisë, viteve të fundit, disa albanologë të veçuar, ai i ka bërë objekt studimi, jo vetëm sinteza për kapituj të historisë së albanologjisë, por edhe monografi për botime të veçanta. Pas monografive për Profesor Çabejn dhe Profesor Jup Kastratin, studiuesi ynë tashmë e ka bërë objekt studimi edhe një gjuhëtar me rezultate të veçanta në studimet albanologjike, Profesorin Zenun Gjocaj.
Këto ditë doli nga shtypi vepra më e re gjuhësore e tij me titull “Semantika e fjalësit”. Monografia i dedikohet veprimtarisë gjuhësore të Zenun Gjocajt. Monografi “Semantika e fjalësit”, me nëntitullin Vepra gjuhësore e Zenun Gjocajt, përbëhet nga disa kapituj dhe nënkapituj duke filluar me një kronologji biografike, në kërkim të autobiografisë dhe historisë, në të cilët gjurmohet rruga jetësore e Profesor Zenun Gjocajt, i cili në vititn 1981, nga katedra e universitetit u dërgua në burgjet serbe. Një nënkapitull me interes paraqet edhe portreti i tij, në të cilin autori ynë shkruan për vetëdijen intelektuale të tij si vetëdije dhe si përvojë historike në jetën tonë. Kjo është një monografi e thellë, me kapituj studimor me interes të veçantë, në të cilët problemet leksikore, semantike dhe frazeologjike shihen edhe në kontekst të studiuesve më të shquar dhe pararendës të tij të Rilindjes Kombëtare dhe më vonë si: Konstantin Kristoforidhit, Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., po edhe për periudhën e fundit të gjysmës së parë të shekullit XX. Në vazhdim, në këtë monografi trajtohet kontributi i Luigj Gurakuqit, i cili kishte dy parime të rëndësishme jetësore, atë patriotike dhe përmes saj edhe atë profesionale, letrare e gjuhësore. Monografia vazhdon me nënkapituj dhe kapituj të tjerë ku shihet kontributi i Luigj Gurakuqit për gjuhën dhe identitetin kombëtare shqiptar.
Njëri ndër kontributdhënësit më të shquar në gjuhësinë shqiptare, në fushë të studimit të strukturës frazeologjike të shqipes është Zenun Gjocaj, i cili në këtë monografi elaboron dhe krahason çështje me interes. Risimtaria e kësaj monografie qëndron në fushën gjuhësore të pa studiuar sa ka merituar, pra koncepti leksiko-semantike dhe stilistiko-frazeologjike i shqipes. Ndër më meritorët në fushën e fundit në fjalë është autori i kësaj monografisë.
Në fushë të studimeve të gjertanishme ne kishim disa studiues të leksikut, por natyra e kërkimeve të gjertanishme ishte e karakterit leksikografik dhe gramatikor, e jo edhe semantik. Është pikërisht Zenun Gjocaj studiuesi i shquar shqiptar, i cili bëri një sintezë të madhe të kësaj fushe në monografinë e tij, duke e ndërtuar brenda saj jo vetëm materialin frazeologjike, po edhe dijen mbi semantikën, në hapësirën shqiptare.
Prej monografisë së tij, mund të themi se tri janë arsyet pse dr. Begzad Baliu e ka parë të arsyeshme të shkruaj një monografi për kontributin e Profesor Zenun Gjocajt në fushë të gjuhësisë: kontributi jetësor, studimet e tij në fushë të gjuhësisë dhe sidomos rezultatet e tij të thelluara në fushë të semantikës. Një monografi si kjo rrezaton në mënyrë të dyanshme, autorin dhe objektin e tij, njëkohësisht.


(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora