Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Duke lexuar: ”Diloiada”, ose Lotët e paterur të dhimbjeve

| E marte, 30.06.2009, 07:05 PM |


Duke lexuar:
”DILOIADA”

ose Lotët e paterur të dhimbjeve

Nga Prof. Sami Repishti

Pak kohë mbas ardhjes sime në SHBA, prill 1962, me ndermjetesine e mikut im të çmuar, te ndjerit Prof. Nexhat Peshkëpia, pata fatin te njoh dhe të filloj një miqësi të re dhe të gjatë, me te ndjerin Profesor Stavro Skëndi, i Universitetit Columbia. Për ne “të posa-ardhurit” Prof. Skendi shquhej si “dekan i shkollarëve shqiptaro-amerikanë”,  në saje të intellektit tij superior dhe punës së tij pionere në studimet shqiptare. Atë kohe,Prof. Skendi ishte zgjedhur edhe si “distinguished scholar” nga “Institute for Advanced Studies, Princeton University”, i pari shqiptar që fitonte këtë nderim të veçantë. Miqësia ime me këtë figurë te shquar shqiptaro-amerikane vazhdoi deri në fund, dhe më dhuroi, për vite të gjata, frytet e pjekurisë tij politike, dhe te njohurivet të tia të gjera, sidomos mbi problemin shqiptar.

Së bashku me Prof. Skëndin, atë ditë takova edhe një meso burrë, të shkurtër, me trup të gjerë e muskuloz, me fytyrë të qeshur dhe energjik, që u paraqit: “Jani Dilo, emigrant politik shqiptar“, i larguar nga Shqipëria që nga nëntori 1944. Nuk u desh shumë kohë që të miqësohemi. Një afërsi idealesh ishte terreni i përbashkët ku ishim vendosur të dy dhe çlirimi i Shqipërisë nga rregjimi i terrorit te ushtruar nga PKSH (ma vonë PPSH) ishte pikësynimi jonë. I ndjeri Dr. Jani Dilo ishte shok i pandarë i Profesor Skëndit, dhe pjesë e nji grupi të vogël, por të dalluar intelektualësh shqiptaro-amerikanë që perfshinte edhe të ndjerët Prof. Arshi Pipa, Prof. Nicholas Chaco (i Komisionit per Energjine Atomike te Frances) dy ingjinierët e dalluar Qemal Butka dhe Zonja Butka etj.

Pak ditë më vonë, Dr. Dilo më ftoi për vizitë në SRA-n (Single Room Apartment) e tij Avenuja e 7- diku rreth rrugëve 60-ta. Modest ai, modest apartmenti..Por ajo që më bëri përshtypje ishte ngrohtësia e mikpritjes që e dallonte. U duk sikur një i njohur shumë kohë më parë e vizitonte. Rreth e rrotull dhomës, mobiljeria ishte e thjeshte por e paster, dhe orendite e vetme qe stolisnin ishin librat: libra poshte, libra lart, edhe nen shtrat, libra, koleksione gaazetash, e natyrisht fotografi te jetes se kaluar, ku vendin e pare e zinte fotografia e babajt, te ndjerit Ilia Dilo (Sheperi).

Gjendja në Shqipëri ishte thelbi i bisedës sonë. Unë i tregova me hollësi përshtypjet e mia të jetës gjate viteve te jetuara nën diktaturën komuniste (1944-1959), dhe disa nga përfundimet që kisha arritur nga përvoja ime. Ai më foli per jeten e vet- studimet, shërbimet në ushtri, veprimtarinë e tij si oficer i forcave të organizatës “Balli Kombëtar”
kundër okupatorit fashist italian, etj.
Por ajo që theksoi më shumë ka qenë qendrimi i “çetave partizane”. e ‘njësiteve guerrile” kundrejt popullsisë së vendit, sidomos gjatë viteve 1942,43. Disa ngjarje nga përvoja e tij personale ishin me të vërtetë të llahtarshme, monstruzoe, sidomos sjellja e “njësiteve guerrile” në qarkun e Korçës (ku ai qëndronte) Ai kishte dëshmuar me sytë e tij ngjarje makabre kur te rinj e të reja të zonave malore te Korçës forcoheshin me u bashkue me njësitet partizane.
2
Për ata që refuzojshin përgatitej nji fat i pabesueshem. Ata torturoheshin pa mëshirë, sidomos duke u thyer kockat e këmbëve dhe duarve me dru e gurë, dhe pastaj duke i vrare me pushkë para masava fshatare të tmerruara nga egërsia e aktit të çmendur. Dënimi ishte pa gjyq, pa mëshirë, sepse nuk kishte as “faj” as “fajtor”.Trupat e coptuara të viktimave hidheshin ne prroska pa lejuar varrimin e tyre nga fshati, të ekspozuara për “të dhënë një mësim”.Kështu, filloi rritja e forcave partizane, te frymëzuara nga urrejtja, një ndjesi që më vonë u kultivua vazhdimisht dhe me metoda shkencore. Rezultatin e kësaj fryme e pa Shqipëria për më shumë se 45 vjet me rradhë….!

Tregimet e të ndjerit Kapiten Dr.Jani Dilo përputheshin plotësisht me dëshmite e mia okulare:, ose të dëgjuara nga teë tjerët: në qytet mbas “çlirimit”, në hetuesi mbas arrestimit, e ne burgje e kampe pune të detyrueshme, mbas dënimit tim -15 vjet- ne nandor 1947.
*
Një panoramë e këtillë që unë ruajsha në vete për dekada të gjata, u ringjall një ditë kur mora vëllimin “Diloiada” ose lotet e paterur te dhimbjeve. (Jorgo S.Telo dhe Eduard M. Dilo. Gjirokastër:Argjiro,2009)

I etur për fakte te reja që përforcojne bindjen time në kriminalitetin e pafund të rregjimit tiranik te PKSH (PPSH) në atdheun tim, fillova të lexoj menjiherë. Nuk e lëshova nga dora derisa erdha në fund, faqe 100, Isha i mbushur plot me vrer e përshtypje te pashlyershme për këtë “:olimpiadë” vuajtjesh, e këtë botë padrejtësisht që lëkundën besimin në “mirësinë” e natyrës sonë njerëzore….!Janë shqiptarët qenie njerëzore që kuptojnë, ndjejnë- e ndoshta edhe dashurojnë- “njëri-tjetrin”? Apo kemi të bëjmë me një popull egërsirë ku “jeta” nuk vlen gjë, dhe ku ndjenja e “vëllazërimit” me të tjera qenie njerëzore është thjesht një imazh i projektuar nga “elemente armiq” që kundërshtojnë ndërtimin e “njeriut të ri socialist”, “shoqërine e re socialiste” dhe të botës ku të gjithë do të jetojnë të lirë e të bararbartë?

Oh! Sa gënjeshtër e madhe! Sa mashtrim i pa kufi! Sa fatkeqsi për një popull të tërë…!

Që nga mbulesa e përparme e librit, ku paraqiten fotografitë e viktimave të familjes së intelektualit dhe patriotit shqiptar Ilia Dilo Sheperi, krijohet përshtypja se ketu kemi të bëjmë me vrasje masive (“mass murder”), se kemi të bëjmë me krime kundër njerëzimit. E megjithatë, autorët na befasojnë me dedikimin:
“Ndjenja e adhurimit për njerëzit e mirë e mendimin e lirë, e neveritja për ligësinë e padrejtësinë na nxitën të shkruajmë këte poemë-balladë…”(Autorët).
Ballafaqimi i njeriut të mirë e mendimit të lirë që kundërshon ligësinë e padrejtësinë që neveriten është paraqitja e dy botëve të zëna në një luftë për jetë a vdekje kundër njëra tjetrës në ditët që jetojmë. Autorët kanë vendosë lartësimin e njërës e demaskimin e tjetrës me “vërtetësi” që na trondit dhe na siguron: sepse tregimi është i pamohueshem.

Shikoj fotografitë e shtëpisë së rrënuar, të familjes së shkatërruar, më mirë me thënë të asgjësuar- fytyrën e martires Kaliopi Dilo që komunistët shqiptarë jo vetëm masakruan
por edhe desekruan, me qëllim që t’i mohohej edhe “pushimi i përjeteshëm“.

Jorgo S.Telo përcakton:

“Nga i madhi Ilia Dilo Sheperi te martirja Kaliopi Dilo e gjer te famozja Anxhela u përshfaq në teatrin e jetës së familjes madhe të Dilojve sheperiotë një mozaik i tëre jetësor e dramatik ngjyrash, ku gjithkush sheh qartë, se si rrinë të ngjizur përbërësit e këtij mozaiku: dituria dhe krijimtaria, idealizmi dhe atdhetarizmi, pasioni dhe përkushtimi, dinjiteti e krenaria, vuajtjet nga persekucioni dhe lëngatat nga internimet e burgimet, shpirti i qëndresës dhe trishtimet, lotët e vetmisë dhe lotët e mallit, diskriminimi dhe dhuna, përjetimi i ofezave dhe i terrorizmit absurd poshtërimet, provokimet, tmerri dhe vdekjet e njëpasnjëshme gjer te krimi makabër ndaj një jete të pafajshme që shkaktoi lotët e paterur të lamtumirës, duke vazhduar me rendjen drejt dritave të ndezura të shpresës.Të gjitha këto brenda një familjeje të madhe…Nderim dhe respekt për këtë fis qëndrestar, të përvuajtur e me një personalitet të përndritur në krye të tij!”

Kjo është familja Dilo, krenare dhe madhështore…”fëmijt, nipërit, stërnipërit e shumtë, që u shquan për prurjet e qëndresen e që nuk u epën edhe pse thika u arriti në palcë…:” shkruan Evjen Peri në “Parathënje“

Frymëzimi? Vjen nga Ilia Dilo Sheperi “mësuesi i përkushtuar, i përjetshëm i kombit shqiptar”, fjalët perlë të tij: “Jemi dhe ne, mësuesit e parë të kësaj Shqipërie, shpirt nga shpirti i mëmëdheut, asht nga ashta e tij”. (Parathënje)

Nje fis i tërë i kryqëzuar:
Poeti këndon:
“ Çfar’ ka ngjarë nën Kokojkë
Pse ka rënë në Dilaj zia?
Herë zë-mekur, here zë-plotë,
Fillikat vajton shtëpia…” (Prolog)

Mihali flet:
“…Na trajtuan egër
S’u tërhoqëm zvarrë…”

Përse?
“E dinin që ishim
Çerdhe diturie,
E dinin qe ishim
Shpirt atdhedashurie…”

Sepse kështu i kishte mësuar “…i famshmi baba,…” Ai që:
“ qëndroi si burrë
dhe ndaj Patrikanës…
Nje shoqatë priu…
Me emrin “Kandili”
Me Petro Hariton
Dhe me Çerçizin…”
Mësuesi i Bënjes, autori i Gramatikes, i çvarrosur dhunshëm…”nga çakej dhe ujqer.
C‘kafsheri!”
4
Ata që mbijetuan rrëfejnë”
“Brenda diktaturës ne provuam tmerrin.
Na e vranë shpirtin, por jo karakterin…”
Disfata e tiranit që perballon një viktimë kaq fisnike bahet akoma me e plotë, sepse burimi i rezistencës kundër çmendurisë komuniste kishte rrënjë të thella, të forta, te trasheguara brez mbas brezi:
“…Shqiptarizmin kishim fe,
Ndaj të zi e kishim fatin!”
Si është e mundur një gjendje e këtillë në vendin tend?

Dekada të gjata më vonë, pasardhësi i kësaj plejade fisnike, Eduard M.Dilo kishte zemër-gjerësinë të përshkruaj këtë tragjedi kolektive si vijon:

“Mirësi e Pavdekësi
Ju mbetët ata që ishit
Gjithë nder, e respekt
Edhe pse me vuajtje si të Krishtit
Ndër breza do të jeni fanar.
Ishit një brez Ideal,
Kudo u shquat për zgjuarsi
Karakter çelik,
Dituri e shpirtmadhësi
Jo vetëm pse ishit me Universitete mbaruar,
Por gjithçka tek ju ishte dhe e trashëguar.

Kushdo ju admironte, ju imitonte…
Edhe pse me egërsi ju luftonte:
Ju ishit vetë MIRËSIA
Ndaj u ka marrë PAVDEKSIA.”

Një Odë kaq domethënëse do të ishte mënyra më e mire me mbyllë këtë shkrim te shkurtër te tragjedisë kolektive të familjes Dilo. Por do te ishte një padrejtesi e madhe sikur të mos theksonim edhe aktin e fundit barbar, grotesk, makabër dhe të pafalshëm të komunistëve shqiptarë: vrasjen e së ndjerës Kaliopi Dilo, me 1991, kur komunizmi në Shqipëri po jepte frymën e fundit e të keqe të tij.

Henrik Q.Dilo shkruan nga Nivani, në korrik 2002:

“ Më 25 janar 1991, te praku i shtëpisë së rindërtuar, u gjet e masakruar Nëna Kaliopi Dilo, e shoqja e birit të ILIA DILO SHEPERIT -Mihal Dilos. E ngjethur nga kjo vepër gjakatare, familja e abandonoi shtëpinë…Në atë Sheper fshihet tragjedia e një procesi kriminal të pa arsye. Dhe sikur shtëpia të shembet nga rrebeshet e kohës, përsëri do të mbetet në këmbë pllaka e gdhendur dikur, tani e trazuar dhe me gjak me emrin  IIA DILO…Në atë mjedis u përgjak, dhe u masakrua Kaliopi Dilo. Gjaksorët lanë prapa re pluhuri dhe rrëketë e nje lumi gjaku…”

*
5
“O Perëndi! A ndjeve?
Trathetaret na lanë pa atdhe!
E Ti i gjuen me rrfe
Lisa nëpër male, kot!” (At Gjergj Fishta)

Ridgefield, CT USA
18 qershor 2009 City University of New York
Për ZSH: Eduard M Dilo?