E premte, 29.03.2024, 07:54 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Në grykëderdhjen e Bunës

E hene, 27.08.2007, 04:21 PM


Shkruan : Ben Andoni

Aiiii... Bash 100 kokrra rosa ka vra për ni or’ e gjys, Mehmeti”. E thotë në dihatje e sipër dhe hap kraharorin. Eshtë rreth 1.87m dhe i ka hije kjo krekosje. Kjo bëmë përbën një nga mrekullitë e parajsës së këtij vendi për Gjok V., 43 vjeç. Kemi mbërritur pas 3 kilometrash në një rrugë të pashtruar por gjithsesi të qetë, atje ku Buna i nënshtrohet Adriatikut. Në atë fjali, ku burri percepton hapësirën dhe faunën e Rezervatit të Velipojës në grykëderdhjen e Bunës, është gjithçka. Banon në fshatrat përreth dhe rroga i del për familjen dhe fëmijët. I kujdesshëm, fermeri-roje është paqtuar me jetën. Ka një trup elegant, që e tregon se nuk e ka vrarë shumë. Sëbashku me katër shokë të tjerë kujdesen për 700 ha...
...
Por para se ta gjejmë, bash gjysmë ore më parë, na duhet që të bëjmë me shefin e tij një diskutim pa fund. Rezervati është i mbyllur për makinat dhe për njerëzit, kur vjen në Velipojë. Një dryn e vërteton këtë zyrtarisht, ndërsa gardhimi i lartë me tela- e konfirmon. Një tabelë, ku shkruhet: Grykëderdhja e Bunës 3,2 kilometra dhe një Kullë Vrojtimi 3 kilometra,... e bën më të qenësishme. Sakaq, procedura e gjatë gojore dhe vërtetësia, që i ngjallim shefit të këtij rezervati, na duket se mjaftojnë. Por, ai, vetë, që të provojë se ka edhe instanca të tjera- na lë aty. Largohet me një mjet. “Duhet të mernit leje në Drejtorinë Pyjore...”,-na thotë qetësisht në çastin e fundit. Afrohen dhe disa makina të tjera. Atyre ua ka pritur më shkoqur: “Kështuqë, do lidhem unë dhe do t’ju kthej përgjigje”. Qëndrojmë. Dryni i vogël dhe burri i veshur bukur, që lë tymnajë nga pas, na ka vënë bash fre. Eshtë i vetmi vend, ku autoriteti i burrit, që i ka errësuar flokët, është absolut. Kthehet pas aq kohësh sa ne kemi folur dhe jemi mërzitur, duke e përfolur lirisht të gjithë sistemin tonë turistik. E kupton hapur se na ka trallisur. Bash kjo e bën të ndjehet krenar. Bën edhe kavalierin. Rrotullon kartvizitat tona dhe na bën sugjerimin e fundit: “Nuk lejohet kamera?!” Ndahemi. Drynin e ka një burrë, që nuk ka folur deri më atëhere. Ishte Gjoka. Këtu u njohëm me këtë. Marrim rrugën. Gjoka “i besdisur” nga suprina e Mercedesit, por i kënaqur me veten bën ciceronin. Bash në fillim është shtëpia e pritjes së udhëheqjes. Jemi ende në Velipojë. “Ah..si ka qenë këtu!” Fjalët nga goja e Gjokës bëhen më të plota. Na rrëfen një kohë, që nga goja e tij, duket edhe më hipotetike: Makina që vinë. Nozullime. Gjah...Ushtarë. Pak qindra metra më tutje ishte vetë ai ogurziu. Kloni i lartë. Edhe ta shihje, do përfundoje nën pranga. Vigjëlonte, pushka e popullit ushtar. Një bashkëfshatar i tij, që tentoi të arratisej, u mbyt nga frika tamam në fund të viteve ’80 në këtë vend. Kurse një qyqar tjetër e vranë, kur Shqipëria sapo merrte rrugën në Demokraci. “Sa shpendë, që kishte këtu”, vazhdon. Na duket se leja e shefit të tij është e vyer. Sepse Gjoka tregon dhe tregon pa fund. Në qindra metra, teksa përshkojmë një tokë ranore, nuk ka më asnjë frymë gjallese njerëzore. “Ka gjarpërinj...-ndjej që i shpjegon njerëzve të makinës, shpendë”...Tregon kaq gjallë, saqë më duket se do të na futen në makinë.

Rreth vitit 1400, Drini dhe Buna ishin të ndarë. Drini lëvizte prej Danjës- i gjerë sa lumi Po-shkruhet në kronikat venedikase- pastaj drejt në Lezhë duke lënë pas bregut në perëndim të këtij qyteti- sedimentet e tij. Ndërsa Buna merrte vetëm ujët e liqenit dhe rridhte e kthjellët deri në derdhje, duke mundësuar lundrimin e anijeve në brenda-tokë… Përtej territorit të vjetër serb mbizotëronin emërimet sipas qyteteve maleve dhe lumenjve. Për Arbërinë Venedikase ishte sidomos e rëndësishme Zabojana (përtej Bunës), vendit që shtrihej midis Ulqinit dhe Tivarit. Këtu ndodheshin kuvendet e Shën Nikollës në “grykëderdhje” dhe të Shën Mërisë së Rotezos. Përkundruall saj në bregun e majtë të Bunës ndodhej fusha Velipojë si edhe malësia e Meduas...Në Adriatik liqenin zmbrapsej me Bunën, shkruan- Shmidt në “Arbërinë Venedikase”.

Përmes pyllit të rezervatit
Duket sak, që nuk ka dorë njeriu në këtë vend. Edhe dora e shkatërrimit është e ndalur paq. Masakra mund të ndodhte në vitin 1997, por vetë njerëzit e Rezervatit e kanë mbrojtur. Edhe banorët, kuptohet. Gjoka, ishte njëri prej tyre. “Ishin të çmendur- më thotë. Të gjithë. Nuk ishin që këndej”. Vendasit nuk mund të vinin dorë: Me të kanë pasur të lidhur jetën, ushqimin, traditën. Gjithsesi, në këtë bashkëjetesë të egër, gjërat kanë ndryshuar pak edhe prej tyre. Shpendët shtegtonin. Ktheheshin. Ose nuk ktheheshin. Kafshët e egra zëvendësonin njëra-tjetrën. Këtu rritej fazani, rosa dhe pata e egër. Ishte vetëm për Byronë Politike dhe shenjtarët e saj që “dinin” se ku qëllonin.
Në socializëm u mendua për kultivimin e tyre, por kaq. Ndërsa për rregullimin inxhinierik të pyllit...asgjë. Të mendosh se ishte Rezervat i Kategorisë A. Këtë e tregon sot harlisja e shkurreve dhe pemët e shformuara. Plepat, frashrat, akaciet...verrat, pishat...duken si jetimë dhe të shtrembër pa fund. Por, ja ku shfaqen lopët e para. “Po këto”- i them rojtarit, që deri atëhere ka bërë një propagandë sikur të jetë Cerberi. “Ja,- më thotë si i zënë me faj,- vinë fshatarët. Duhet me i lanë. Duhet me kullot. Nuk dëmtojnë”...E kuptoj që ai rregulli te dera nuk është aq strikt sa rrëfehet. Pas një barabitje të lehtë, ku rruga ngushtohet aq sa e bën të vështirë ecjen e një makine të vogël..ndjehet flladitja e lumit.

Sërish për Bunën
Regjimi i Bunës në fakt është shumë kompleks. Kjo sepse ai lidhet ngushtë me liqenin dhe me veçoritë e Drinit. Edhe bllokimi i grykës së Bunës bëhet nga valët e mëdha, që formohen prej erërave të fuqishme të perëndimit dhe veriperëndimit, sidomos nga shiroku dhe nga baticat. Ndikim të madh ka pasur edhe Drini me rrjedhjen e lirë të ujërave të Bunës, që ka bërë ngushtimin e shtratit, meandrimin dhe cektësinë. Në të shkuarën, gjatë periudhës së plotave të mëdha, që kishin një kohëzgjatje prej 12 ditë, ujërat e bashkuara të Drinit dhe Bunës me prurje maksimale deri në 7500 m³/s, dilnin jashtë shtratit dhe përmbytnin zonën përreth. Në socializëm u bënë argjinatura të mëdha që i kanë mënjanuar përmbytjet.
...
Kemi mbërritur para Kullës së parë të Vrojtimit. Eshtë krejtësisht e kalbur dhe mbi këtë Rosinant gjigant prej druri, provoj të shikoj. Gjoka nuk ngjitet, por më bën me dije...se mund të thyej qafën. Më dridhen këmbët, por më tundon mrekullia. Sikur të përmbyset kjo karabina 5 metra e lartë, pasojat janë... E para gjë- në majë të saj- është se: nuk jemi aq të vetëm, sa na e kanë shpjeguar. E kemi kujtuar si një lloj ekskluziviteti. Pas nesh janë dhe një varg makinash të tjera. Ndërsa nga rëra, si në një pelegrinazh, vinë dhe vinë- njerëz nga Velipoja. “Po të kishe makinë rally, kishit me ardh nga bregu prej Velipoje”, më thotë burri kur zbres. “Na bezdisin shumë ca djem të rinj...”, më thotë nga pas. E braktis dhe kundroj disa instilacione natyrore. Trungje të mëdhenj, si zgërbonja janë në breg...”Duhet të ecim pak më këmbë”, më thotë burri. Ecim. Para nesh mbërrijmë karvanin e njerëzve. Fëmijë, të mitur, mosha e fillimit të tretë që ecin. Të gjithë në grykëderdhje të Bunës...Eshtë kaq konglomerat ky grup...saqë i dëgjon të gjitha broçkullat, që nuk pret në 35ºC. Një vajzë pret ...gjarpërinjtë. Përdridhet. Eshtë e mërzitur se prindërit nuk e kanë lënë sot në plazh. Një fëmijë katër vjeç vrapon mes pemëve në ngazëllimin e hallit. Në këtë përçudnim të Edenit kuptohet se duhet të ketë ndonjë problem...E ëma, një e shëndoshë me rripat e të brendshmeve që i ravijëzohen frikshëm pas një basme, këmbëngul. Kur e shikon me mbathjet e ulura, krenohet. Pasi kalojmë një pyllëz, gjithçka qetësohet. Bindet. Vazhdojnë provincialët me kënaqësitë e tyre, por nuk e kanë shumë idenë për atë që duan të shikojnë. Buna për ta nuk paraqet asgjë. Kjo bukuroshe e bukur, ky vend me saga heronjsh lundrimi mesjete nuk u rrëfen asgjë. Në fakt, nuk duhet të dinë shumë. Dhe, ja ku është ajo. Ka pak rrjedhë...është pastër...Eshtë bukur. Eshtë e madhe...

Grykëderdhja e Bunës
Sa zhgënjyese...E kemi përfytyruar me një deltë. Por asgjë. Lamtumira e Bunës është e thjeshtë. 200 metra përballë është Mali i Zi. “Armiqtë”. Një dru me një kënd shërben që njerëzit të ngjiten dhe të shikojnë. Një motoskaf bën xhiro përballë. Matanë nuk duket asgjë. Nuk ka kuriozitet. Nuk ka deltë. Buna është bash e urtë. Shikoj që të gjithë atë përpjekje që kemi bërë, ka qenë kot...sepse me një formë tjetër do të shmangnim pritjen e gjatë para portës së rezervatit...I kthehem historisë...Që këtej venedikasit bënin plane të furnizonin dikur të rrethuarit në Shkodër. Ndërsa, Mehmeti II, kishte bërë dy kulla dhe i priste i qetë. Tani pesë veta kujdesen për parkun. Ironi. “Atëherë kishte probleme. Nuk kishim fillimisht armë..Tash kemi. Vinte Byroja Politike. Vrisnin gjah dhe vinin pastaj Zis-at që i merrnin. Ka gjarpërinj të rrezikshëm. Por i pastrojnë lopët. Ka rosa dhe shapka”, ndjej Gjokën që monologun gjatë. Ndjejmë disi kënaqësi këtu dhe bëhemi kuriozë. Në fakt, vajza e re, është qetuar dhe para aparateve bën një sfilatë vetmitare. Fëmijët fillojnë rrëmujën, ndërsa motoskafi fillon e futet përmes Bunës në brenda tokë. Ka shumë pemë të dëmtuara. Të tjerat vegjetojnë. Poshtë janë ato, që nuk e kanë përballur Bunën. Rrëzuar. Zgavruar. Por, jo aq. Natyra lodron e qetë. Asnjë infrastrukturë turistike. Asnjë gjë. Një klub, që është në mes të parkut, e ka bërë një artist shkodran, që e ka quajtur “shtëpia e artistëve”. Vinë të huaj pikturojnë. Ai u mbulon akomodimin. Ushqimin e paguajnë dhe në fund duhet t’i lënë një punë. “Kam vënë gjithë kursimet e shtëpisë” më thotë. Nuk duket se i del keq. Brenda kësaj hapësire një shtëpi për fëmijët me probleme, drejtohet nga një grua e përkushtuar italiane. Nuk është murgeshë. Pak ditë më parë, kryeministri Berisha e shikon vetë me sy përkushtimin e saj. Nuk besoj se e kanë çuar në thellësi, sepse del i hekurosur dhe futet në Mercedez me nxitimin e tij pashkak.

Bregu i lumit Buna, vend plehrash
Në fakt, Bunës, ia kanë mbyllur gojën. Tash, në kthim, Gjoka tregon pjesën tjetër- sesi e ndotin. Vërtet, pak ditë më parë, një gazetë shkruante se ishin rreth tetë mijë banorë dhe shumë firma ndërtimi, që derdhnin mbeturina dhe inerte. Prej 16 vitesh, banorët e Dajçit e shikonin si vend të arsyeshëm për derdhjen e plehrave. Edhe pse ky vend, si pjesë e ligatinave të Shkodrës, u shpall zonë e mbrojtur. Buna hesht. E kanë mbathur turqit, serbët, malazezët...kundra njëri-tjetrit dhe Drini me aluvionet e tij. Venediku, që e shikonte si rrugën e saj të Shkodrës, mundohej ta lironte dikur. Por, më kot. Sot, ka edhe që po i venë zjarrin mbeturinave. Për fat, deri tani, nuk ka pasur pasoja. Kjo është frika më e madhe e Gjokës. Në fakt, tymrat janë diku tjetër, që veç kundërmimit, po e dëmtojnë shumë bimësinë e zonës, për shkak të blozës së tepërt. Ambjentalistët e Shkodrës reagojnë, por kuptohet se reagimi në këtë vend është luks. Duhet që të bëjë një miratim Këshilli i qarkut i Shkodrës, që të grumbullohen plehrat urbane të gjithë komunave?!

Kthim
Të gjitha këto nuk u bëjnë përshtypje ekskursionistëve. Sakaq disa zhvishen, ndërsa vajza e bukur që u është shmangur shokëve nga halli, vazhdon e pozon. Ata që ka përballë janë zhgënjyes për hiret e saj. I gëzohet e vetme lumit. Vetëm se narcizismi i saj nuk bën punë. Bash në këtë vend, Balsha i III-të, e drejtonte verën prej Ulqinit me lundra transporti dhe liqen deri në Mal të Zi. Buna ishte e lundrueshme për anije të mëdha edhe për galera, deri në portin lumor të Shën Shirgjit dhe nuk rrihej vetëm nga tregtarët e distancave të gjata prej Raguzës apo Venedikut. Kundërshtitë e peshkatarëve dhe pronarëve të këtyre ekonomive me administratën venedikase që donte lundrimin në këtë vend, përshkon të gjithë historinë e “Arbërisë Venedikase”, shkruan Oliver Shmidt
Në një rreze prej 30 km gjendeshin me një të ecur gati në këmbë në formë qarkore Lezha, Tivari dhe Ulqini dhe ngulmimet më të vogla Baleco, Drishti, Shati, Danja dhe Sarda. Anës Bunës murgonin manastiret e mëdha të Shën Shirgjit dhe Bakut, të Shën Nikollës dhe Bunës…Kalendari i peshkimit për peshkatarët anës Bunës parashikonte në dimër një peshkim të mirë krapi, ngjalash dhe scoranzash (shkurt);..në prill peshk silur deri në katër pesë funt të rëndë; në maj skumbri; në qershor peshk sqyt; në korrik shojzë; në gusht bli dhe plot vezë peshku; tetor ngjala, sqaron sërish Shmidt në Arbërinë e tij. Pikërisht në këtë vend u drejtuan Admiralët venedikas Triadan Gritti dhe Pietro Mocenigo. Ata i futën anijet dhe udhëtuan deri në Shirgj duke lëshuar zjarr për t’u dhënë zemër vendasve, që të duronin. I spiunuan dhe Sulejmani i madh desh i shfarosi, po të mos u vinte në ndihmë një dezertor tjetër. Shkodra e moteve ra. Më 1479 më 25 shkurt Senati i bëri një letër kortezie vendasve dhe modalitetet sesi do të dorëzoheshin. Shkodranët ikën në Venedik, ndërsa flamuri i Shën Markut, nuk u valëvit më në këto troje.
...
Ikim. Gjokës nuk i bën përshtypje, ndërsa nuk di të më thotë se ku ishin manastiret e mëdha. Kthehem sërish. Buna të paktën ka mbetur aty, bashkë me grykëderdhjen e saj. Eshtë vera përvëluese e vitit 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora