Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Gjini: Genjeshtra partie

| E marte, 30.06.2009, 06:08 PM |


Ramiz Gjini

 Genjeshtra partie

(Nxjerre nga romani “Rrekete”, pjesa II)

Nënkryetari Brahim, po shikonte ëndërr:

E thirri në zyrën e tij vetë shoku Rushit dhe i ngarkoi një detyrë mjaftë të çuditëshme: të shkonte në pazar dhe t’i shiste miletit gënjeshtra partie. Por, para së gjithash, ai e pyeti nëse e rrihte gruaja.
- Jo, shyqyr Zotit, nuk më rreh, - tha Brahimi.
- Zër bè.
- Për ideal të partisë, jo!
- Po brirë, të vë?
- Më vë, nganjëherë, kur jam në mbledhje të partisë.
- Tek cili mashkull dyshon më shumë.
- Dyshoj tek... Më vjen  zor ta them, o shoku Rushit...  
- Thuaje, thuaje. Hapja zemrën partisë.
- Dyshoj tek yt bir Xhezmiu, që e ke me gruan time të parë...
- Hëm...
- Psss...
Ato çaste, Toka nisi të lëkundej dhe bashkë me Tokën, edhe muret e zyrës.  
Shoku Brahim dhe shoku Rushit, u trembën kaq shumë sa u shtrënguan fort të përqafuar si vëllezër me njëri-tjetrin.
- Medet! o shoku Rushit, çna gjeti! - ia bëri Brahimi i tmerruar. Qimet e kokës ia ngritën rrepubliken përpjetë.
 - Më duket se Marsi, po ia bën me zor Tokës sonë. – Tha shoku Rushit. - E ka zënë ngushtë në ndonjë qoshe të kozmosit dhe po e përdhunon...  
- Po qe keshtu, mbaruam, o shku Rushit, - tha Brahimi. - Kaq e patëm!     
Kur gjithshka ra në fashë, ata kuptuan, se kishin pas të bënin thjeshtë me një tërmet të zakonshëm, i cili, vetëmse i kishte bërë të koloviteshin për pak kohë si në një shilarës.  Atëherë,  shoku Rushit, e  shtyu tej si me lezet shokun Brahim dhe si kruajti njëherë zërin, pyeti:
- Po fakte ke more Brahim, që gruaja të vë brirë, apo ia fut kot?
- Kam, shoku Rushit... Kam edhe fakte.
- Ku i ke marrë faktet?
- Mi ka dhënë vetë gruaja ime, Lulushja.
- Hëm...
- Psss...
Shoku Rushit i tha Brahimit, që duheshin marrë masa.
- I kam masat, - tha Brahimi.  Xhezmiu është një metër e tetëdhjetë cëntimetër. Edhe Lulushja aq është.
- Domethënë, janë një masë?
- Një masë janë, shoku Rushit, një masë.
- Hëm...
- Psss...
Sapo u nda me shokun Rushit, Brahimi vajti në  pazar, që t’i shiste miletit gënjeshtra partie.
Kishte mbushur dy kosha me gënjeshtra tek partia dhe ua shiste njerëzve.  Njërin kosh e kishte mbushur me gënjeshtra të vogla. Ca genjeshtra, qenë të pjekura mirë dhe u silleshin rrotull miza në fluturim; por, ca të tjera, nuk ishin dhe aq të pjekura. Kjo dukej ashiqare, sepse sapo njerëzit i shikonin, thartonin turinjtë e iknin. Kurse koshin tjetër, Brahimi e kishte mbushur me gënjeshtra të mëdha. Marshalla, çfarë gënjeshtrash!
Të voglat, Brahimi, i shiste me çmim pak më të lirë se të mëdhatë. Njerëzit i blinin sipas interesit. Të vjetrit, blinin gënjeshtra rrumbullake me bisht, në formë tollumbacesh, që po t’i fryje, rriteshin pagat e pensioneve. Por kishte edhe gënjeshtra të vjetra, të palara, që binin erë të keqe, të cilat Brahimi i kishte ndarë veç për t’i shitur fare lirë. Këto gënjeshtra, i blinte ose ndonjë fakir i lanun nga trutë, ose ndonjë përfaësues i ndonjë organizate të huaj, që nuk merrte vesh dhe aq shumë nga cilësia e gënjeshtrave.
Të rinjtë, preferonin te blinin me teper do gënjeshtra, që ngjanin me hapset e shisheve të birrës. Por kishte edhe nga ato, që ngjanin me hapëse konservash peshku e kanaçesh me mish derri. Këto lloj gënjeshtrash, hapnin vende të reja pune dhe krijonin mundësinë, që mileti të derdhej në gjithë botën pa qene nevoja te kishin viza në pashaporte.
Brahimi u nxeh shumë dhe për pak do të qe vrarë mu në mes të pazarit me Kel Fistin, i cili, kishte zënë vend kundruall dhe u bënte thirrje njerëzve, që të mos blinin gënjeshtrat e partisë së Brahimit, por të blinin gënjeshtrat e partisë së tij, sepse sipas tij, qenë më të mira.
Ndodhi kur pranë Brahimit, qe afruar një klient me ballin e rrudhur nga mërzia e thellë, i cili, tymoste njërën pas tjetrës cigare të markës “Parlament”. Klienti quhej Adil.
- Gënjeshtrat, - tha Adili, - më janë bërë si cigaret e duhanit, nuk rri dot pa to.
Adili shpjegoi, që për çdo ditë, pinte dy paketa me cigare si dhe merrte rregullisht, tek e pakta, katërmbëdhjetë gënjeshtra partie. Nëse nuk i merrte këto gënjeshtra, i ngrihej tensioni i gjakut, fillonte të dridhej, bëhej nervoz, shante kotsëkoti me nënë komshiun përballë, shkelmonte macen e shtëpisë dhe rrihte gruan. Kurse i vella i  tij i madh, Bekimi, merrte aq shume genjeshtra sa ishte droguar fare me to.
Pasi e dëgjoi Adilin me shumë vëmendje, Brahimi filloi t’i bënte rreklamë një gënjeshtre të kallaisur në formë trapezi, të cilën, mjeshtri i kishte futur katër gozhdë të vogla floriri dhe e kishte pas lyer pastaj me llak të cilësisë së lartë. Gënjeshtër kaq të bukur, Adili, kurrë nuk kishte parë. Ishte, vërtet një gjë e rrallë.
Sipas kësaj gënjeshtre, partia e tij, nëse merrte pushtetin, do të përmirësonte kushtet klimaterike. Dimrin do ta bënin pranëverë me lule, kurse verën do ta bënin vjeshtë me prodhime të bollshme. Pra, do të kishte vetëm dy stinë gjashtëmujore dhe jo katër stinë me nga tre muaj. Këtë gënjeshtër, Brahimi ia la në dorë klientit me ballin të rrudhur nga mërzia e thellë, e i tha:
- E ke sakllam, or mik. Edhe të mirë, edhe të lirë.
Tjetri e mori gënjeshtrën në dorë, që ta shikonte, por, ngase i rrëshqiste si një peshk krap ujrash të ndotura, s’po e mbante dot. Katër herë, Brahimi ia la Adilit gënjeshtrën në dorë dhe katër herë, atij i rrëshqiti e i ra në tokë.
- Mos është e skaduar, o shoku Brahim? - pyeti Adili duke rrudhur edhe më shumë ballin. - Sepse, siç e shikoni edhe vetë,  s’po e rrok dot ...
- Apsolutisht, jo, - tha Brahimi. - Çështë ajo fjalë?! E ke fringo të re, safi gënjeshtër të freskët.
Adili ia doli ta mbante gënjeshtrën për pak çaste, por, pikërisht kur po e rrotullonte për të parë datën e skadencës, gënjeshtra i rrëshqiti sërish e i ra në tokë.
- Në fakt, - nisi të thoshte disi i turpëruar Adili, - desha të blija një gënjeshtër katërkëndëshe, me brinjë të barabarta dhe jo gënjeshtër në formë trapezi, ku njëra brinjë, është më e madhe se tjetra.
- Sot nuk kemi nga ato katërkëndëshet, - tha Brahimi. - Nesër, do interesohem tek partia dhe nëse nuk gjejme ndonjë të gatëshme, do ta bëjmë me porosi për zotërinë tuaj. - Si heshti një çast, Brahimi u kujtua e shtoi: - Po deshe, të jap një tjetër gënjeshtër, si punë kulari, ta varësh për qafe kur të dalësh shëtitje mbrëmjeve me gruan.
Adili nuk e deshi gënjeshtrën në formë kulari. Ai tha se për më tepër, nuk ishte i martuar. Kishte qene martuar njehere, por e kishte ndarë  para nja dy vjetësh, sepse e kishte ofenduar në sy të dashnores.
Kel Fisti, teksa shikonte këtë skenë, herë qeshte e tallej me gënjeshtrat e partisë së Brahimit, herë mburrte gënjeshtrat e partisë së tij.
Atëherë Brahimi, si e pastroi pak nga dheu gënjeshtrën që kishte rënë në tokë për herë të katërt, e hodhi brenda koshit, iu drejtua Kelit e fort i nxehur, e paralajmëroi të mos i prishte pazarin, sepse ndryshe, nuk do të ndahej mirë me të.
Paralajmërimi i shokut Brahim, në njërin vesh i hyri Kelit, në tjetrin i doli. Jo që nuk pushoi, por Keli nisi të tallej edhe më tepër. Atëherë, Brahimi nuk duroi më;  nxorri shpejt nga koshi një gënjeshtër të gjatë si punë gërbaçi dhe iu turr Kelit ta rrihte. Mirëpo, ato çaste, hyri mes tyre Fidaim Qorri dhe i ndau.
Fidaimi shiste të ndryshme: propozime, lutje, sugjerime, ankime, por askush nuk i blinte...

Kjo histori, është një turp i madh dhe unë e di që nuk duhet rrëfyer. Por tani që e ka marrë vesh gjithë bota, një makth vjen e rritet çdo ditë e më tepër brenda gjoksit tim, ngjitet gjer në grykë dhe atëherë, dua të flas, sepse vetëm kur flas, lehtësohem disi. Gjithshka ndodhi mes meje dhe Zulit, moshatarë me mua. Ndonëse e kisha kushëri të parë nga nëna, Zuli, qe kundërshtari im më i egër. Kishte dy vjetë, që na brente cmira për njëri-tjetrin, një cmirë kjo, e cila, dalngadalë, po shndërrohej në urrejtje. Veëm para dy ditësh, ne u rrahëm mu në mes të sheshit të fashatit derisa u përsheshëm. Nuk do të ishim ndarë sikur të mos e kishim lënë  të rriheshim sërish të nesërmen.
Shkaku qe, sepse, që të dy, dashuronim Aishen, vajzën e Ali Amandisë, një bukuroshe njëzetëvjeçare kjo, me trupin si një pjergull e bishtalecat gjer poshtë gjunjëve. Për shkak të Aishes, njëri nga ne të dy, do të ishte vrarë me kohë, sikur të mos kishim lidhje gjaku e të mos qenë rritur bashkë. Por fshati, ia hidhte krejt fajin vajzës, pse nuk ishte e zonja të vendoste, cilin duhej të merrte për burrë; të çilte gojë e të fliste, të paktën, vetëm një fjalë, një emër të vetëm. Mirëpo asaj, thjeshtë, i pëlqente ta dashuronim.  Kështu, sa herë piqeshim me të në rrugë, ajo luante një lojë të rrezikshme: na buzëqeshte të dyve, si mua, si Zulit, na ndillte njëlloj me sjelljen e saj tërhiq e mos këput, dhe kështu, çdo ditë e më tepër, situata erdhi duke u acaruar aq fort, sa rriheshim me grushte sa herë takoheshin.
Me t’u afruar pranë shtëpisë së kushëririt ia pashë siluetën këtij të fundit, se si u përvodh e vajti të lëshonte qenin, një qen murrash i madh stani, që ai e mbante gjithmonë lidhur me zingjir. Provova të shkulja një hu gardhi, që të mund t’i bëja ball sulmit të kafshës. Mirëpo, ngase nuk e shkula dot në pak sekonta, e pashë të udhës të ngjitesha shpejt në shalcën e një vidhi. Aty, tremba një zog që ngrohte të vegjëlit në folenë e ndërtuar mbi një degëz të shtrirë si erashkë. Zogu ia dha fluturimit dhe e braktisi folenë duke lëshuar eterit cicërima të alarmuara.
Ato çaste, duke lehur si e tërbuar nga ndërsimi i të zotit, ia behu aty kafsha murrashe. U ngrit kas, i vendosi këmbët e përparme në trungun e pemës dhe nisi të më vështrionte me  sytë e kuq si gjaku. Pas kafshës çalltisi edhe kushëriri. Kishte veshur çizme të gjata llastiku, pantallona kadife dhe një këmishë të bardhë pa mëngë e pa jakë, që e pati marrë me vete ditën kur u lirua nga ushtria. Në dorë, ai mbante një bisht sëpate gjysëm të gdhendur.
- Largoje qenin, - i thashë që lart nga pema ku qëndroja. - Të pashë, kur vajte dhe i hoqe zingjirin.
- Ta kam thënë, mos kalo kësaj rruge, - ma ktheu ai kërcënueshëm.
Për të qenë më i sigurtë, u ngjita një degë më lart, dhe për një çast, më vajtën sytë tek foleja me zogjtë e vegjël. Nga plasa e njërës nga vezët pikaloshe, kishte nxjerrë kokën i vogli i fundit. Sqepi i tij i bardhë si bërthamëza e një bostani të papjekur, hapej e mbyllej sa herë sforcohej për të dalë në jetë. Mbi kokën e tij, hidhej fluturimthi degë më degë duke cicëruar vajtueshëm e ëma.
Ato çaste, ndodhi që u dha në krye të rrugës Aishja. Qe këmbëzbathur. Kishte veshur një fustan të gjatë, të zi e me pikëla të bardha, që ngjante mu sikur të kishte shkundur aty furçen një piktor i nervozuar. Dy gërshetat, i pati hedhur përgjatë kraharorit nga ana e djathtë. Në dorë ajo mbante një shervete të lidhur në katër cepa. Po i çonte bukën e drekës të atit, që kosiste jonxhat në tokat e tij. Herë pas here, ajo ndalonte pranë ledhit anës rrugës dhe zgjaste dorën për të marrë kokërra të pjekura manaferre.
- Mos luaj aty ku je, - tha Zuli, - Tani do i vëmë karar kësaj pune.
Që të mos bija në sy, u ngjita edhe një degë më lart në pemë.    
Me t’u afruar aty, Aishja e përshëndeti Zulin dhe si gjithmonë, i buzëqeshi.
- Po të prisja, - i tha Zuli.
- Përse? - pyeti ajo me një habi të shtirur, athua sikur nuk e dinte ç‘hall e mundonte tjetrin.
- Më thuaj, që ta dëgjojë Zoti atje lart: do martohesh me mua, apo me kushëririn tim,Gjezin.
- Me atë më të mirin, - tha duke qeshur ajo. Dhe, si kapi kindin e fustanit me dorë ia dha vrapit mu si një sorkadhe.
Zuli e ndoqi me sy derisa ajo humbi prapa furrës së bukëpjekësit Gjegjë Gjini, para së cilës, qenë kruspullosur e flinin dy zagarë rrugësh.
- Se mos na thua tani, që je më i miri, - i thashë kushëririt që lart nga pema
- Jo, - tha prerë ai, - Por njëri nga ne, duhet të tërhiqet se s‘bën, ndryshe do të rrihemi gjer në vdekje.
- Njëherë largo qenin, - i thashë. - Pastaj rrihemi.
- E kishim lënë për dje, por ti, o frikacak, s‘u duke, - tha ai.
- Dje vajta në qytet e bleva çifte.
- Çifte the...?!
- Po, çifte. E mora braziliane, me grykë të gjatë. Bleva edhe fishekë, nga ata që shërbejnë  për të vrarë derra.
Ai u zbyth e u zgërlaq. Pastaj u duk sikur po vriste mendjen të gjente një zgjidhje.
- E di çfarë? -  i erdha më në fund në ndihmë unë. Më shkrepi një mendim: të kam kushëri të afërt dhe për më tepër, jemi rritur bashkë. U bënë dy vjetë që rrihemi. Tani, duhet t’i vëmë kapak kësaj çështje. Të jetë për t’u zënë, le të zihen qentë tanë. Unë po marr qenin tim, Bakun, dhe po e vë të përleshet me Murrashin tënd. Nëse kafsha jote ngadhënjen mbi timen, atëherë, unë heq dorë prej Aishes. Në të kundërt, do heqësh dorë ti.
Djali i tezes, u përtyp njëherë nën vete, por ngase nuk gjente dot vetë zgjidhje më të mirë, pranoi.
E kapi qenin për veshësh dhe e bëri zap, që të më jepte mundësi të zbriste nga pema.
Kur zbrita, u pamë njëherë gjatë sy më sy gjithë urrejtje, pastaj ai më dha me të djathtën një grusht të beftë turinjve sa më erdhi dynjaja rrotull.
- Me kohë kam dashur të të vras, o kushëriri im i dashur. - tha.
 Unë i futa  një shkelm të fortë barkut, e ia ktheva:
- Fjala jote në vesh të Zotit. Vritemi, kur të duash.
Bëra prapa për të ruajtur distancën; pastaj, si e mora disi veten, u desh vetëm një fishkëllimë alarmante që t’ia behte aty, qeni im, Baku.
Baku qe rracë gjermane. Kishte qafë të fuqishme; kurse sytë, - xixëllues e të ftohtë, që të shponin si hej akulli.
Të dyja kafshët, u panë njëherë sy më sy, ngritën veshët, kreshpëruan qimet e qafës dhe nuk pritën as t’i ndërsenim. U sulën përnjëherësh kundër njëri-tjetrit dhe nisën kështu, një përleshje të egër.
Shkuan rrotull në një luftë për jetë a vdekje. Baku im, qe më gjakftohtë. Në mënyrë instiktive, ai mbante nën kontroll çdo lëvizje të kundërshtarit, dhe, kur tjetri sulmonte, ashtu siç bëjnë luanët, përdorte më tepër putrat e tij të mëdha për ta shtyrë kundërshtarin e për të mos e lënë të kafshonte. Kurse Murrashi i Zulit, qe gjaknxehtë, sulmonte çdo herë me tërbim dhe përpiqej të kafshonte ku të mundëte.
Ne të dy, vazhdonim t’i ndërsenin, secili kafshën e vet.
- Mbyte, Baku, mbyte...!
- Çaje Murrash, çaje...!
Sa herë dëgjonin yshtjet tona, qentë merrnin më shumë zemër, dhe çdo çast e më tepër, lufta bëhej më e ashpër. Të kataleshur siç qenë, ata shkuan rrotull duke kafshuar njëri-tjetrin; u zhkërryen në pluhurin e rrugës, ranë në vijën e ujit, sërish në pluhur; pastaj u përplasën për gardhit, të cilin e rrëzuan dhe si hynë në kopësht, thyen lastarët e njomë të hardhive njëvjeçare, shkelën mbi një mutaf të nderë plot me grurë të larë që po thahej në diell, shkatërruan të gjitha lulet dhe së fundi, përmbysën  kosheret e bletëve.
Atëherë ndodhi ajo, që ne kurrë se kishim parashikuar: rè të mëdha bletësh vërshuan jashtë që nga kosheret si stuhi gumëzhitëse, u derdhën të thumbonin qentë, që u ndanë e nisën të angullinin vajtueshëm.
Për ZSH: Këze (Kozeta) Zylo