E premte, 29.03.2024, 03:31 PM (GMT)

Sport » Legjenda

Fabio Kanavaro, historia e një ylli

E diele, 28.06.2009, 06:29 PM


Kapiteni i Kombëtares tregon në një libër gjithçka mbi jetën, familjen, dashurinë, shokët, paratë dhe suksesin

Nga rrethinat e Napolit në çatinë e botës, ja rrëfi mi i mbrojtësit më të mirë italian

Tani që miku më i ngushtë, Ciro Ferrara është bërë trajneri i tij, "Muri i Berlinit" mund të ketë qenë i rekomanduar për t‘u kthyer te bardhezinjtë. Vërtet e çuditshme bota e futbollit, ndërsa Paolo Maldini u fërshëllye nga tifozët në ndeshjen e lamtumirës, edhe për Fabio Kanavaron paralajmërohet një sezon jo i lehtë mes tifozëve të çmendur të Juventusit, ku kthehet për të luajtur pas përvojës disavjeçare në Madrid. Kjo sepse nuk mjafton të kesh fituar titullin botëror, nuk mjafton të jesh kapiten i Kombëtares, nuk mjafton cilësimi si lojtari më i mirë i Europës dhe fitues i "Topit të Artë". Tifozët e akuzojnë se ishte ai që braktisi skuadrën kur ra në Serinë B pas skandalit të "Calciopolit", duke preferuar Madridin. Janë të shumtë ata që nuk e shohin me sy të mirë rikthimin në Torino. Por, Kanavaro, si napolitan i mirë që është, thotë se gjithçka do të rregullohet. Këto ditë, kapiteni i Kombëtares ka nxjerrë edhe librin me titull "Historia ime: nga rrethinat e Napolit në çatinë e botës", në të cilin përshkruan të gjitha etapat e jetës; nga ndeshjet tre kundër tre në moshën pesëvjeçare, deri te nata e paharrueshme e 9 korrikut në Berlin, në vitin 2006. Ai nuk harron t‘i kushtojë rëndësi edhe familjes, dashurisë, shokëve, trajnerëve, parave dhe suksesit. Kanavaro tregon aty se që i vogël ishte tifoz i çmendur i Napolit, ndaj nuk mungonte kurrë në takimet ku ai luante Kur luante me të rinjtë e Napolit i ka qëlluar të përballet edhe me Maradonën, i cili i pati thënë: "Do të bëhesh një mbrojtës i madh në të ardhmen". Edhe sot e kësaj dite e ndien veten të lidhur me këtë qytet. "Kam blerë një apartament shumë të bukur në kodrën e Posillipos. Dua ta kem kur të mos luaj më futboll". Pastaj pas Napolit erdhën me radhë skuadrat më të mëdha në botë: Parma, Interi, Juventusi dhe Reali. Sigurisht edhe Kombëtarja, Botërori dhe "Topi i Artë". "Thonë se Kombëtarja është skuadra ime e vërtetë dhe ndoshta kështu është. Madje nuk më vjen keq fare për këtë".

Ferrara trajner, ju sërish në Torino?

Gjithçka ndodhi pas vendimit tim për t‘u kthyer, ju betohem që nuk kam lidhje fare me ketë. Ciro, para se të jetë miku im, është trajneri i skuadrës ku luaj dhe jam i sigurt që nuk do të jem i privilegjuar.

Nuk ju mërzit kjo lojë?

Për fat të mirë, jo. Do të luaj deri kur të kem kontrata.

Te Reali nuk shkuan shumë mirë gjërat këtë vit...

Ishte një vit i vështirë, ndërrimi i presidentit, trajnerit dhe dëmtimet e shumta. Por gjithsesi dolëm të dytët pas një Barcelone në një gjendje të shkëlqyer.

Cila është e vërteta mbi rikthimin e munguar në Napoli?

Për fat të keq nuk pati asgjë, asnjë kontratë, por vetëm një president që thoshte se jam shumë i vjetër në moshë.

Ju erdhi keq kur dëgjuat këto fjalë?

Nëse je kapiten i Kombëtares, fitues i "Topit të Artë" dhe titullar te Reali, por shumë i vjetër për të luajtur me Napolin, nuk di ç‘të them.

Cila është e vërteta e rikthimit te Juve?

Juve zbriti në Serinë B dhe kjo nuk ishte për faj të lojtarëve. Kalimi im te Reali u vendos në bashkëpunim me shoqërinë dhe unë nuk isha i vetmi që u largova. Shumë të tjerë ikën në atë kohë. Tani u riktheva me parametra zero, fitoj më pak se më parë dhe Juve mori paratë për rikthimin tim. Mund të them se për ta ishte një operacion i leverdishëm.

Po tifozët?

E kuptoj trishtimin e tyre kur dikush largohet.

Po ata që fërshëllejnë për Maldinin dhe bërtasin kundër jush, nuk ju duken pak të çmendur?

Nëse ne ndërrojmë skuadër na quajnë mercenarë, por nëse shoqëria të largon atëherë çdo gjë është në rregull.

Në Spanjë, tifozët nuk bënin nga këto gjëra?

Ekzistojnë edhe atje fatkeqësisht. Kur Luis Figo kaloi nga Barcelona te Reali, ndodhte e njëjta gjë në fushë.

Shumë sportistë i akuzojnë futbollistët se stërviten pak, nuk lodhen fare, por fitojnë shumë ...

Zilia është diçka e keqe. Jam një atlet dhe sigurisht nuk shikoj kurrë se kush fiton më shumë se unë.

Eh, nuk janë shumë ata që fitojnë më tepër se ju?

Ky është tregu: Formula 1, NBA, tenisi janë sporte që kanë një biznes të madh dhe ku fitohet shumë. Futbolli pëlqehet shumë dhe futbollistët fitojnë aq sa ky fenomen e lejon. Sigurisht që nuk shkojmë me pistoletë te presidentët. Ata kanë një buxhet dhe në bazë të tij bëjnë skuadrën, na paguajnë ne dhe i bëjnë gjërat të funksionojnë.

OK, fitoni aq sa është e mundur, por ndonjëherë nuk e ekzagjeroni me sjelljet tuaja në fushë?

Po, ndonjëherë duhet të sillemi ndryshe, duke filluar që nga sjellja kur arbitri sinjalizon një faull. Mendo pak për atë që ndodhi në ndeshjen Torino-Xhenova në ditën e fundit të kampionatit. Ishte një spektakël i dhimbshëm.

Kampionët po largohen nga Seria A, kurse ju riktheheni për ta mbyllur karrierën këtu?

Kthehem sepse jam italian dhe në moshën 35-vjeçare nuk kisha dëshirë për përvoja të reja. Kisha mundësi të shkoja në Rusi, SHBA, Angli, por preferova të vija këtu.

Libri juaj është pak rufjan, flet mirë për të gjithë, përveçse për Zinedine Zidane. Si ka mundësi?

E kam thënë edhe herë të tjera që Zidane në fushë nuk më pëlqente si kundërshtar, sepse nuk ishte korrekt dhe ditën e finales së Botërorit në Gjermani e vërtetoi plotësisht këtë. Për të tjerat, nuk jam rufjan, sepse vërtet kam marrëdhënie të mira me të gjithë.

Cili është lojtari më i fortë që keni parë në fushë?

Para së gjithash është i madhi Maradona, pastaj Ronaldo, Turam, Bufon, Ferrara, Maldini dhe Del Piero.

Po italiani më i mirë i të gjitha kohërave?

Roberto Baxho ka qenë një "spektakël" i vërtetë në fushë.

I riu më premtues?

Më pëlqen Davide Santon, jo vetëm si futbollist. Është inteligjent dhe ka një sjellje të mirë. Një njeri me këto cilësi në moshën 18 vjeç, do të jetë kampion.

Miku më i mirë?

Do të thoja Beni Karbone, Fabio Pekia, Ciro Ferrara, Lilian Turam dhe Xhanluixhi Bufon.

Zhgënjimi më i madh?

Ndoshta Antonio Kasano, te Reali i Madridit. Ai ka cilësi shumë të mira, të cilat fatkeqësisht nuk i shfrytëzoi tek ajo skuadër.

Më i pakuptueshmi?

Vinçenco Montella.

Më pak korrekti?

Një francez që ka fituar Botërorin në vitin 1998, Stephane Guivarch, një sulmues.

Çfarë të nervozon më shumë në fushë?

Kam dhënë dhe kam marrë shumë, kam kërkuar falje dhe më kanë kërkuar, por një nga gjërat që vërtet nuk toleroj është pështyma.

Sharje për familjarët?

Nëse më thonë, është e sigurt që do të dalë nga loja.

Fraza raciste?

Tashmë jam mësuar. Napolitan m... përdoret aq shpesh saqë tani nuk më bën më përshtypje. Jam krenar që jam napolitan dhe sigurisht që do të jem gjithnjë.

Cili është presidenti që çdo futbollist do të donte ta kishte?

Masimo Morati.

Ndoshta ngaqë harxhon dhe i paguan të gjithë shumë mirë?

Nuk është vetëm çështje parash. Është një president që kujdeset për skuadrën në çdo detaj, edhe në dhomat e zhveshjes. Ndonjëherë kujdeset edhe më shumë se ç‘duhet.

Gjithnjë e keni mbrojtur Luçiano Moxhin në një farë mënyre?

Ishte një nga drejtuesit e mi, por kam thënë vetëm kaq: të presim e të shohim se cili është fajtori, koha dhe drejtësia do ta tregojnë.

Kur ishit në fushë, ju nuk kuptuat asgjë?

Një skuadër që ka në përbërjen e saj lojtarë si Bufon, Kanavaro, Viera, Trezege, Ibrahimoviç, Nedved, Kamoranezi dhe Del Piero mendoni se ka nevojë për ndihmën e arbitrave?

Bashkë me Ferrarën, keni krijuar një fondacion në Napoli?

Jemi dy napolitanë që kemi ardhur nga rruga dhe kemi pasur sukses. Financojnë dhe organizojmë projekte për të ndihmuar të rinjtë që nuk kanë mundësi. Sepse Napoli nuk ka vetëm plehra, të papunë, korrupsion dhe Kamorrën.

Ju thatë se "Gomorra" nuk jepte ndonjë imazh pozitiv për Italinë?

Kam thënë se libri ishte shumë i bukur, që Roberto Saviano është një njeri i madh dhe do të më kishte pëlqyer që filmi të kishte fituar "Oskar". Vetëm këtë kam thënë, gjithçka tjetër nuk është e vërtetë, madje gazetari që shkroi këto, më kërkoi falje më pas.

E keni menduar ndonjëherë se ju që keni ardhur nga rrethinat, fati ju ka ndihmuar shumë?

Kam jetuar në lagjet spanjolle. Kam thithur ajrin e Napolit. Po kam qenë me fat dhe kam pasur një familje që më ka ndjekur dhe mësuar vlera të rëndësishme. Megjithatë, nuk e kam harruar kurrë se nga kam ardhur.

Ju jeni një seks simbol? Si silleni me fansat?

Thjesht me një buzëqeshje, jam i martuar dhe mbaj distancë.

Ndonjë tradhti?

Eh jo, kjo është punë që nuk bëhet.

Të paktën ndonjë përpjekje?

E thashë, vetëm shtëpi, fushë... dhe anasjelltas.

Qenkeni një shenjtor atëherë Kanavaro: nuk qëllon, nuk fyen nuk tradhton...

Shenjtorët qëndrojnë në parajsë.

Po kolegët tuaj, vetëm jetë nate dhe vajza të bukura?

Në moshën 25-vjeçare është e drejtë që të argëtohen. Nuk më pëlqen hipokrizia dhe moralistët. Sigurisht, pas një humbjeje nuk mund të qëndrosh deri në orën pesë të mëngjesit në Hollivud.

Adriano e ka ekzagjeruar paksa?

Duhen menduar gjërat. Unë nuk do ta ëndërroja kurrë që para një ndeshjeje të shkoja me gruan time në diskotekë, të pija dhjetë birra dhe pastaj të bëja dashuri gjithë natën. Pas ndeshjes ndoshta...

Me kë jeni tifoz?

Napolin, edhe pse nuk më duan.

Në fushë është më mirë të jesh dinak apo i ndershëm?

Më mirë dinak. Por, pa e kaluar kufirin. Dinak në kuptimin që në fillim duhet të kuptosh atë që po ndodh. Në këtë aspekt, jetesa në Napoli më ka mësuar shumë.

Po simulimet?

Më bezdisin.

Simuluesi më i madh?

Përveçse është një mjeshtër në gjërat e tjera, një futbollist i mirë dhe njeri i mrekullueshëm, Pipo Inzagi mendoj se është më i zoti.

Po në jetë? Më mirë dinak apo i ndershëm?

Më mirë i ndershëm. Në të kundërt çfarë mund t‘u mësosh fëmijëve të tu?

Cila mendoni se është Kombëtarja e të gjitha kohërave?

Bufoni në portë, Faketi dhe Zambrota në krah, unë dhe Scirea në qendër, në mesfushë Pirlo, Gatuzo, Bruno Konti dhe Anxhelo Domengini në të djathtë. Roberto Baxho dhe Xhixhi Riva në sulm.

Ju intereson politika?

Më intereson dhe për këtë arsye e ndjek. Më jep bezdi fakti që opozita nuk bashkohet me qeverinë për gjëra që kanë lidhje me të ardhmen e Italisë.

Cilat janë pasionet tuaja për ushqimin?

Pica, mocarela. Për më tepër, në Spanjë, mësova të gatuaj edhe mishin në prush.

Alkooli?

Zero, madje asnjë birrë.

Ndonjëherë kanabis?

Kur isha i ri po, megjithatë, nuk është se ndieja ndonjë kënaqësi të madhe nga kjo.

Seksi?

Është diçka e rëndësishme në jetë.

Para ndonjë ndeshjeje?

Unë jo.

Largimi është i dhimbshëm?

Kur je tërhequr, të dhemb shumë.

Keni ikur ndonjëherë me vrap nga stërvitja për të bërë dashuri?

Jo.

I keni bërë keq ndonjërit qoftë edhe pa dashje?

Jo, megjithatë kam lënduar shumë, pa dashje, Valon Berhamin dhe Gebi Mudingej të Lacios. Më erdhi vërtet keq, sepse jam njeri i mirë...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora