Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Robert Radoja: Si censuronim veten gjatë regjimit të Hoxhës

| E diele, 28.06.2009, 07:10 PM |


Nga Fatmira Nikolli

Flokët e thinjur ia shtojnë më shumë fisnikërinë. Tashmë është 71 vjeç. Vjen me hapa të ngadaltë dhe të sigurt, por me një mimikë miqësore dhe të dashur. Është një muzikant i madh, por edhe një mësues i suksesshëm, për aq kohë sa nxënësit e tij janë emra të njohur të artit të mirëfilltë shqiptar. Megjithëse në shumë raste, njerëzit e mëdhenj kanë huqet e veta, Robert Radoja bën përjashtim nga ky "rregull". Një njeri nuk e bën të madh mendjemadhësia, por e kundërta e kësaj dhe vepra e vet. Me sa duket, këtë e di mirë artisti ynë. I qetë, fillon rrëfimin e jetës së tij. Ka një të folur të ngadaltë, e teksa bisedon me të, është aq i lirshëm sa të bën të ndihesh se ke vite që rrufit kafen e mëngjesit me të. I rritur në një fermë në fshat, që e posedonte i ati, në shtëpinë e tij shkonin shpesh njerëz të shquar të artit dhe kulturës, mes të cilëve edhe Preng Jakova, që në atë kohë kishte krijuar një kor brenda një kishe. Preng Jakova harronte, ose linte nganjëherë fizarmonikën tek shtëpia e Robertit, dhe tingujt e parë muzikor, Radoja i ka provuar duke u marrë me atë instrument. Më tej ai u bë një artist i madh, e si të tillë e njohim ne. Ndër të tjera realizoi muzikën e disa filmave: 'Nxënësit e klasës sime' (1984), 'Gracka' (1983), 'Dita e parë e emërimit' (1981), 'Kërcënimi' (1981), 'Gjyshi partizan' (1978), 'Malet me blerim mbuluar' (1971), 'Mëngjese lufte' (1971), 'Mimoza llastica' (1973), 'Guximtarët' (1970). Në këtë intervistë, kemi rrëfimin e jetës së një artisti të madh, duke filluar që nga puna në Pallatin e Pionierëve, muzika e filmave, nxënësit e tij që sot janë artistë të mëdhenj, familja, bashkëshortja dhe dy djemtë, e jeta pas vdekjes së bashkëshortes së tij. Robertit, iu desh ta rriste vetë djalin e dytë Trimin, të cilin e ëma që u nda nga jeta para kohe, e la në moshë të vogël. E siç thotë vetë pianisti teksa kujton bashkshorten, jeta të bashkon e të ndan. Në sytë e tij shihet trishtim kur e kujton, shoqen e jetës, me të cilën ka ndarë ditët e rinisë së vet dhe gëzimet e jetës.

Ju tashmë jepni mësim në shkollën dhe qendrën Kulturore Profesionale Artistike "Robert Radoja". Si lindi ideja e kësaj shkolle?

Me Thanas Gegën, pronarin e shkollës, njiheshim prej kohësh. Para pesë vitesh po bisedonim për hapjen e kësaj shkolle, sepse ai kishte shumë dëshirë, edhe pse kostoja është shumë e madhe. Përveç kësaj, është e vështirë ta bësh të funksionojë si duhet. Në një farë mënyre, ne pedagogët vumë eksperiencën tonë në dispozicion, dhe formulën që përdorej edhe në Pallatin e Pionierëve. E filluam me fëmijët e kopshtit, përmes një prove të thjeshtë për të kuptuar interesin e fëmijëve dhe të dhënat e tyre mbi talentin. Sot aty unë kam gjashtë nxënës, dy prej të cilëve janë të rritur dhe marrin mësime pianoje vetëm për kulturë, ndërsa katër të tjerët po e mësojnë programin nga fillimi. Unë nuk mund të jem kategorik e të them se ata do të bëhen artistë, por mund të them me bindje se nëse ecin sipas të dhënave që kanë dhe janë nën kujdesin e vazhdueshëm të prindërve, do ecin shumë. Në këto dy vite punë, ata janë në të njëjtin nivel me shkollat artistike publike. Kjo ka qenë një dëshirë e imja, duke qenë se unë jam marrë gjithë jetën me fëmijët. Edhe pse jam i moshuar tashmë, tek unë ka mbetur akoma dëshira pozitive që nxënësi duhet ta bëjë patjetër dhe kokëfortësia pozitive për t'ia dalë mbanë.

Nga duart tuaja kanë dalë artistë që sot janë ndër më të mirët në Shqipëri. Si ishin ata kur ishin fëmijë?

Mbaj mend që në Pallatin e Pionierëve, ndër nxënësit e mi ka qenë edhe Yllka Mujo, e cila ka qenë një këngëtare shumë e mirë, pavarësisht se më vonë u bë aktore dhe sot është artiste e padiskutueshme; Suzana Turku, një dirigjente shumë e mirë; Zana Çela ka qenë një këngëtare shumë e mirë; Ardit Gjebrea ka qenë një fëmijë me të dhëna muzikore tepër të mira, e që besoj se sot e ka treguar këtë më së miri. Irma Libohovën e kujtoj si një ndër fëmijët më të habitshëm, dhe tani ajo ka një karrierë 40-vjeçare që i ka dedikuar këngës. Të fundit që mbaj mend kanë qenë Elsa Lila dhe Jonida Maliqi, e më pas nuk kam punuar më atje. Fëmijë të tillë ka edhe sot, por tendenca për t'u futur sa më shpejt në treg i dëmton ata. Kam frikë se nuk do të bëjnë karrierë të gjatë artistike, sepse tregu të konsumon shpejt. Jemi në një kohë dhe situatë tjetër, që ecet po me një tjetër mendësi.

Nëse për një çast do të ndalonit për të bërë një krahasim mes shkollës "Robert Radoja" dhe Pallatit të Pionierëve, si e ndjeni ju veten?

Pallati i Pionierëve ka qenë aty ku është sot "Millenium". Sot Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve është shumë e vogël. Sot aktivizohen shumë më tepër fëmijë se atëherë, por janë të shpërndarë në shkolla të ndryshme, ndërsa atëherë ishin të gjitha të përqendruara, e kjo të sillte para detyrave. Nuk mund të bëhet një krahasim mes tyre, sepse ndryshojnë epokat. Shteti duhet të investojë më shumë për fëmijët. Ka shumë fëmijë me talent, por nuk kanë mundësi financiare dhe nuk bëhen. Shkollat publike duhet të kalojnë një reformë, e këto shkolla duhet të jenë edhe qendra kulture, e kjo do të ishte dobiprurëse.

Në gjithë këto vite karriere ku keni mësuar breza të tërë artistësh, cili ka qenë momenti që ju ka dhënë më shumë sadisfaksion?

E ndiej vetën shumë mirë, sepse më ka ngrohur shumë mirënjohja e nxënësve. Unë nuk e dija që kjo është një gjë kaq e madhe dhe që të jep kaq shumë kënaqësi. Një tjetër moment mjaft emocionues ka qenë 'Kënga Magjike' e vitit 2005, në të cilin mua më ftuan të dal në skenë, ku ishin shumë prej nxënësve të mi. Ndër ta ishte edhe Refik Halili, një ish-nxënësi im, që ka pasur një zë shumë të mirë kur ishte i vogël. Më përqafojnë dhe më japin çelësat e një makine që ma kishin blerë. Ai moment ka qenë tronditës për mua, sepse nuk është një gjë e vogël. Njeriu mund të presë dhurata të vogla, por kaq të madhe nuk e prisja. Nuk është vetëm vlera financiare, po tek ajo makinë unë pashë dhe kuptova mirënjohjen e madhe. Nga kjo anë nuk i jam pishman jetës.

A ju ka mbetur diçka peng gjatë karrierës dhe jetës suaj?

Njeriu, jetën e tij nuk e jeton dot dy herë, por sikur të kishte mundësi, do të korrigjonte shumë gjëra. Sigurisht, do të realizonte edhe shumë ëndrra. Edhe pse kemi qenë të mbyllur, në botën tonë kemi krijuar shumë dhe mjaft gjëra të bukura, në atë sistem të ngurtë. Megjithatë, e ndiej veten mirë për punën që kam bërë.

Ju keni realizuar edhe muzikën e disa filmave shqiptarë. Ç'mund të na thoni për këtë pjesë të punës suaj?

Nuk janë shumë filma. Fillimisht kam punuar me filmin "Guximtarët", në vitin 1970, edhe pse e pranova me hezitim, sepse unë isha instrumentist dhe jo kompozitor, por doli me sukses. Pas një viti bëra muzikën e filmit "Mëngjese lufte". Unë kam punuar edhe për një kohë jo të gjatë si redaktor i muzikës në Kinostudio. Si i tillë, kur dikush e linte muzikën pa bërë duhet ta zgjidhja unë, dhe rruga më e shkurtër ishte ta bëja vetë muzikën sesa t'ua kërkoja të tjerëve. Në fakt, muzika e filmave ka qenë një punë më e lehtë se sa muzika tjetër, e cila kalonte në qindra komisione. Autocensura ka qenë shumë më e fortë se censura, dhe nuk kemi pasur probleme. Duke qenë muzikë instrumentale, aty nuk hynte dot njeri thellë në mendimet e autorit që e kishte krijuar atë. Filmat kanë këngë shumë të bukura, sepse insistohej që filmat të kishin këngë, që kanë mbetur e këndohen edhe sot. Mund të them se regjisorët dhe skenaristët që kemi ne do të kishim pasur një industri kinematografike, por gjërat rrodhën ndryshe. Madje, edhe në filmat që realizohen tani kemi marrë vlerësime të mira. Por, unë mendoj se gjëra të bukura do të bëhen sërish.

Sa pranë ju ka qëndruar familja gjatë karrierës suaj? Na flisni pak për familjen tuaj.

E kam pasur shumë pranë. Unë kam jetuar në Pallatin e Pionierëve, se duke qenë se isha nga Shkodra, aty kisha edhe familjen, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e mi, por edhe punën. Mund të them se shqetësimet më të mëdha në shtëpi i kam çuar vetë unë. Unë kam dy djem, e që të dy e filluan me muzikë. Djali i madh, Gjergji studioi për piano që në moshën gjashtëvjeçare, më pas Liceun Artistik, dhe në Akademinë e Arteve. Gjatë kohës kur ishte në akademi, shkoi në një koncert në Gjermani dhe qëndroi atje, nuk u kthye më në Shqipëri. Ka mbaruar shkollën dhe masterin atje, e ka një jetë artistike në profesionin e tij. Ndërsa për djalin tjetër, Trimin, jeta nuk ishte edhe aq e sjellshme. Pati fatkeqësinë, se i vdiq e ëma dhe e la të vogël e jetim. Sot është regjisor dhe punon në një televizion të madh shqiptar.

Si u njohët me bashkëshorten tuaj?

Ajo ka qenë mësuese e frëngjishtes, por ka pasur vesh muzike dhe një zë të mrekullueshëm. Mbase ajo ishte vendimtare që fëmijët t'i përkisnin botës së artit. Jeta është e tillë, që të bashkon e të ndan. Ime shoqe ishte në kor dhe e kam njohur gjatë aktiviteteve të shkollave të mesme. Kur shkoi në shkollë të lartë, miqësia mes nesh mbeti, dhe madje u shndërrua edhe në familjen tonë të re. Aktualisht unë jetoj me djalin e dytë dhe bëjmë një jetë të thjeshtë.
G. Shqiptare