E enjte, 25.04.2024, 11:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vecantitë kryengritëse të poezisë

E diele, 28.06.2009, 01:23 PM


VEÇANTITË KRYENGRITËSE TË POEZISË

Haxhi Kraki: “Kryengritje e poezisë”, poezi, botoi “Litografia”, Gjakovë, 2009.

Nga Halil Haxhosaj

Sintagma poetike “Kryengritje e poezisë” e veprës me poezi të autorit Haxhi Kraki, paraqet një figurë, e cila që në fillim lexuesin e shtyn nëpër disa mendime dhe dualizma për konceptimin kuptimor të figuracionit poetik të vargjeve. Por, në anën tjetër kur lexohen vargjet e kësaj vepre, shihet se autori i saj, nuk paraqitet me asgjë të jashtëzakonshme, as në tematikën as në qasjen e madje as në mesazhin poetik e figurativ, por kjo më tepër shtrihet në formën e paraqitjes dhe shtrimit vizual të vargjeve të poezive të kësaj vepre. Edhe pse autori Haxhi Kraki mundohet, madje edhe ka për qëllim që të shtrojë diçka tjetër këtu, duket se nuk mund të del nga preokupimet e individit të kësaj treve, të cilat e kanë munduar në sfondin historik hamletian “të jesh apo të mos jesh”. Dhe mu kjo gjë hetohet edhe në strukturën e përmbledhjes së parë me poezi të këtij autori, i cili materialin poetik e shtrin në një tërësi, e cila edhe mund të jetë e ndarë në veçanti. Pra, libri “Kryengritje e poezisë” përbëhet prej tri njësive ciklike që autori i quan libra që janë: Libri i parë “Kryengritje e poezisë”, libri i dytë: “Vritet shpirti i njerëzisë” dhe libri i tretë titullohet “Testament i lirisë”. Në secilin libër, pra secila njësi ciklore ka një autonomi, e cila lirisht mund të jetë edhe vepër poetike më vete. Kurse librit i prinë kënga e njohur popullore e kësaj treve, pra e Junikut, vendlindjes së poetit, “Brahim Sadiku na ra n’Gjakovë”, që njëherë është edhe poezia programatike, apo poezia çelës e veprës në tërësi. Nuk është rastësi pse autori Kraki e ven në fillim të veprës këtë këngë popullore, ngase ajo shënon me vargjet e saj një kryengritje ndaj pushtuesve të të gjitha llojeve, ngjyrave, ideologjive dhe religjioneve. Luftëtari Brahim Sadiku është simbol i luftës shqiptare për liri nëpër kohë dhe breza.
Kjo shihet edhe në librin e parë të veprës “Kryengritje e poezisë” sipas së cilës pagëzohet ajo. Në vargjet e këtyre poezive ndihet zëri i luftës, zëri kryengritës i luftëtarëve dhe trimave, të cilët nuk kursejnë asgjë, madje as jetën vetëm e vetëm që të shporret pushtuesi nga këto vatra dhe të buzëqesh liria e pritur me shekuj. Ky libër përbëhet prej pesë poemave të gjata nëpër të cilat në formë poetike dhe figurative ndërtohet imazhi i kohërave të zeza dhe të gjuetisë së zezë në trekëndëshin e vdekjes që ngrihej në mes të lumturisë sonë. Autori, këtu, subjekti lirik, klith nga ankthi sepse nuk di se ku ta gjejë lirinë, lumturinë e jetës pa represione. Të gjitha këto më në fund arrijnë nëpër grykën e pushkëve të luftëtarëve të UÇK-së, presidentit Klinton, i cili është gjelbërim i truallit dhe fotografi e krenarisë me pika loti e malli të Kosovës për liri. Këtë luftë, këtë sakrificë, këtë larje me gjak të tokës së Kosovës nga bijtë dhe bijat e veta luftëtare, poeti Haxhi Kraki e quan “Metaforë e ardhmërisë”. Kështu u fitua liria dhe paqja e strukur moti në ne, në njomësinë e urtisë sonë, në zemrën dhe shpirtin e mençurisë sonë, të kombit tonë të lashtë sa historia, i cili mbijetoi nëpër “Kohën apokalipsë” dhe u bë përmendore historike e shqiptarisë.
Në librin e dytë të veprës që quhet “Vritet shpirti i njerëzisë” autori shtron kapitullin tjetër të preokupimit të tij poetik. Në disa poezi të këtij kapitulli apo libri dominon e ashtuquajtura poezi meditative-filozofike. Kjo shihet që në vargjet e  para të poezisë “Gjithçka nga njëshi” ku autori shprehet /Një Zot na krijon dhe na merr,/ Një nënë na lindë dhe na rritë,/ Një varr na mbulon dhe na ruan/ dhe, sipas tij kjo është vetë jeta e një forme dialektike. Paraqitja e jetës sipas këtij koncepti nuk është e tkurrur, madje as inerte, por shtrihet që nga kuptimi metafizik, mëngjesi, mesdita, muzgu, nata e deri tek fundi i jetës. Njeriu është ai të cilin e përmbys vdekja, por mbesin të pavdekshme ideali, veprat, mundi dhe peripecitë e jetës së tij. Ngjyrimet e këtilla, të kësaj forme poetike në disa raste duket se e humbin qëllimin e figuracionit poetik dhe anojnë më shumë kah konceptimi filozofik e meditativ i paraqitjes së njeriut dhe jetës së tij. Por, kjo edhe pse duket në disa raste e njohur, madje edhe e kapshme, vërehet një qëllim depërtues i autorit, i cili mëton ta realizojë në këtë mënyrë, në këtë formë, e pse jo edhe në këtë koncept shprehjen e vet, porosinë dhe tematikën e vargjeve të tij. Këtë mund ta ilustrojmë me vargjet / Jeta është nënshtrim e ngadhënjim/ Iluzion i frikshëm e tjetërsim/ për të vazhduar më tutje: /E/ Panjohur është jeta/ Deri në vdekje/ Na pret e vërteta/ etj. etj.
Libri i tretë, apo pjesa e tretë e veprës poetike “Kryengritje e poezisë” e autorit Haxhi Kraki, quhet “Testament i lirisë”. Nëse vërehet titulli i kësaj pjese, lexuesi i vëmendshëm do të hyjë menjëherë në domethënien e këtyre vargjeve. Në shumicën e poezive të këtij libri, sikur edhe të dy librave të mëparshëm, ai do të hasë në emra konkretë të politikës sonë të përditshme. Kjo politikë shëmbëllen me një paradoks kohor, i cili duket se ka lënë një vragë ende të pambyllur në historinë e këtij trualli. Andaj, nuk është rastësi pse ky libër, pra kjo pjesë e kësaj vepre, pagëzohet “Testament i lirisë”. Shikuar në përditshmëri, liria e fituar ka lënë amanet të kuq, të tmerrshëm dhe të hidhur. Gjaku i derdhur, ngjyra e tij, rrëketë, vajet, ofshamat dhe gjëmat për të pagjeturit ende dëgjohen në çdo skaj të Kosovës, por më së shumti në trevën e Dukagjinit. Dhe mbi të gjitha këto politika e ditës duket e pakapshme dhe joreale nganjëherë, besa edhe shpesh, sepse derisa nënat e të vrarëve qajnë mbi varret e bijve dhe bijave të tyre, ato zhgënjehen sepse /Kryeministri dhe ndërkombëtarët e ftojnë Tadiqin/ dhe / Në Manastirin e Deçanit këndohen ritualet serbe të robërisë/. Ka edhe dromca të tjera të përditshmërisë që janë pasqyrimin real i kohës poetike të poetit Haxhi Kraki.
Edhe njëherë duhet potencuar forma e shkrimit të këtyre poezive, e cila duket krejt ndryshe nga shkrimi i vargjeve poetike nga poetë e autorë të tjerë. Pse e zgjedh këtë formë të vargëzimit ky autor do të shihet më vonë, por në shikim të parë, për lexuesin do të duket interesante, e kapshme, e re e madje edhe tejet praktike. Prakticizmi e thyen monotoninë e gjatësisë së poezive dhe tejkalohet duke shëtitur nëpër këtë formë të vargëzimit që është e re.
Vepra poetike “Kryengritje e poezisë” e autorit Haxhi Kraki, ka edhe gjera të cilat do të vërehen, do të zbulohen, madje edhe do të shijohen nga lexuesi, e besa edhe nga kritika, studiuesit  e letërsisë sonë. Por, kjo i mbetet të ardhmes.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora