Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Rexha: Koncepcioni artistik i ngritur ne frymën kombëtare

| E diele, 28.06.2009, 06:24 PM |


Nexhat Rexha
Nexhat Rexha
KONCEPCIONI ARTISTIK I NGRITUR NË FRYMËN  E REZISTENCËS KOMBËTARE


Mr.sc. Kadri Mani “Falë të qoftë gjaku”, Botoi “Koha”Prishtinë,2008, fq. 174.

Nga Nexhat Rexha

Konceptimi i veprës poetike “Falë të qoftë gjaku”, është ndërtuar në disa njësi përmbajtësore,  përmes të  cilave autori ka radhitur ngjarjet e disa dekadave ,sepse Ai është protagonistë aktiv i këtyre  proceseve  të zhvilluara brenda kësaj kohe. Kadri Mani është njëri ndër kreatorët e shumë lëvizjeve  politike e kombëtare,që gjithsesi qëndron në ballë të tyre. Vizioni dhe qartësia e tij  prej poeti e atdhetari,gjithnjë e  gjallëroi udhën e fatit  të popullit tonë për liri e pavarësi.
Në këtë miratim  dhe reflektim të brendshëm shpirtëror,vjen edhe kjo vepër letrare për herë të parë në vitin 1997,pastaj për ta  ripunuar dhe sistemuar punën e tij hulumtuese , e në veçanti për t`i dhënë frymën sa më  të lirshme poetike kësaj vepre.  Kadri Mani në vitin 2008  në botim  të Shtëpisë botuese KOHA,riboton këtë vëllim poetik me të njëjtin titull,”Falë të qoftë gjaku”.
       Ai është  autor i disa veprave letrare  e publicistike,si: Shqipja e  lartësive, 1988, Falë të qoftë gjaku” 1997, Nënë Tereza e Shqipërisë,1998,Shqiptarët janë atje, -(publicistikë),1999,Nuset tona,(roman),2003 dhe i shumë punimeve  letrare e shkencore dhe së fundi ai edhe magjistroi, e tërë kjo tregon se elani i tij është gjithnjë në funksion të realizimit  të botës së ëndrrave të tija krijuese.
.    Pra,njeriu që çerekun e  shekullit të kaluar e kaloi nëpër burgjet serbe është dëshmia më konkrete se Kadri Mani është njeri me personalitet të palëkundur të avancimit të çështjes kombëtare. Ai me shembullin e tij ka ditur dhe dinë të portretizojë njeriun  tonë  për të vënë në lëvizje  ngjarjet për lirinë e këtij trolli.
    Në këtë konceptim të përgjithshëm  vjen edhe vëllimi poetik “Falë të qoftë gjaku”, i cili është perceptuar  dhe në brendi të vargjeve artikulon; ëndrrat,dëshirat,dhembjet me një kredo ,që gjithnjë këto brenga autori  i ka bartur me vete kudo që është gjendur .Dëshira e përmbajtur dhe karakteri i papërkulur për ta pa popullin e tij të bashkuar , e të çliruar e ka mbajtur autorin e këtyre vargjeve gjallë, edhe atëherë kur ai ishte në skëterrat e ish Jugosllavisë.
    Përmes kësaj vepre dhe të tjerave ai dëshmon se ka gjetur forcë për të mposhtur me dinjitet sunduesin, e për ta vë në qarkullim vullnetin gjithëpopullor, gjithnjë me kreativitet e stoicizëm të gjallë.
Përvoja e tij prej njeriu e intelektuali nxori në dritë këtë vepër  poetike, e cila është artikulim dhe kërkesë e pa ndalur e botës përparimtare të etnikumit tonë.
Vëllimi poetik”Falë të qoftë gjaku”,sajohet nga kjo përmbajtje:
Parathënie e autorit apo Hyrja në Evropë,.Ndërsa,titulli  i veprës vjen nga poema “Fal të qoftë gjaku”,për të vazhduar me ciklet : Vjershë satirike,nga shtypi revolucionar ilegal kosovar,Vjersha për fëmijë,Vjersha për të rritur dhe Metafora e arratisur.
I tërë ky perceptim i autorit ka mbështetje anën reale e burimore të rrjedhës  së ngjarjeve nga vijnë frymëzimet, pastaj ai me mjeshtri  i vendosë edhe figurat artistike dhe në brendi të përpunimit artistik ato pastaj marrim frymë më shlirshëm  dhe japin kuptimin e tyre  përmbajtësor e funksional.
Kadri Mani  përmes vargjeve ka stigmatizuar të ndodhurat e përditshmërisë jetësore ,duke i veshur ato  me petkun artistik,kuptohet gjithnjë me përkujdesje prej poeti. Për këtë arsye poezia e këtij vëllimi buron nga artikulimi i ngjarjeve,e që autori është përjetues intim i tyre.
Kadri Mani në poemën ”Falë të qoftë gjaku” ka specifikuar vargun me elemente të rëndësishme poetike, ai në brendi ka dhënë idenë e formësimit e të karakterit  për një shtresë të njerëzve dhe të ngjarjeve dhe atyre iu ka dhënë ngjyrim burimor,sepse vetë fjala e thënë nëpër këto ngjarje të fillimit të viteve të ` 90-ta është e njohur dhe aty zhvillohej beteja e madhe  për zhdukjen e gjakmarrjes. Autori,nëpër vargjet e saj ka pasqyruar pamjen e afërt  të këtyre dialogjeve që ishin shprehje e vullnetit të mirë,ato ishin kuvende ku gjykohej drejtë dhe pa inponime domethënë  vetë shtresa popullore me prijësit e saj  i paraprinë kësaj drame të rëndësishme, e cila ishte  po aq rezistuese ndaj flakjes për bimën e keqe,që kishte hyrë nga sunduesi në tokën tonë.
E tërë kjo pamje  e  gjallë në vete reflekton pikëpamje  shumëdimensionale për qëllim të zhdukjes së kësaj të  errësire,por njëherit, autori në vepër ka përdorur një gjuhë shumë të qartë, e herë –herë ,në disa raste fjalë  arkaike,të cilat i japin kuptim të rëndësishëm qëllimit të kësaj lëvizjeje kombëtare. Të gjitha ndodhitë e afërta të lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, ruajnë në vete karakterin e fuqishëm të shumë nënave, të cilat në odat kuvendore ,vërtetë ditën të falin gjakun e më të dashurve të tyre,me bindjen  se fjala e tyre,jo vetëm që bashkonte, por ajo rrezatonte në kuvendte e burrave dhe vërtet ajo e mundi të keqen. Me këto ngjarje e ndodhi të rëndësishme u hap një perspektivë me një faqe të re për historinë tonë.
Me tërë këtë bagazh poetik,autori ka përfaqësuar një numër të madh protagonistësh të kulturës sonë, të cilët i kanë  paraprirë ngjarjeve  për lirinë Kosovës ose kanë qenë viktima të një politike shfarosëse ndaj popullit tonë. Për këtë më së miri flasin vargjet:

Për një mezhde arë
    u vra
  Shefqeti
arën  përfare
           e hëngri
ryshfeti                                    
Fq.12,

Ose  disa vargje tjera flasin kështu:

ti i mbyllur                                     
            në kotec
as je patate                                         
       as je spec                                         
disa do t`i marrin                                     
paratë                                                
të tjerët                                         
do t`i çnjerëzojnë                                           
gratë!
Fq.14.


Sa herë që të hyjmë më brendinë e vargjeve kuptojmë më për së afërmi klimën dhe atmosferën e rreshtave  të gjatë  për të madhështuar këtë ngjarje të rëndësishme. Veçantia e këtyre vargjeve është shumëdimensionale,sepse  autori ka specifikuar shumë emra të nderuar të kombit,përmes të cilëve është ruajtur tradita për të ardhmen dhe njëherit ai ka lidhur ngjarjet bashkë me personalitetet e dalluara kombëtare të të gjitha kohërave.
    Ky parashtrim i kësaj tradite ka ruajtur elementin tradicional të besnikërisë,e me këto refleksione  autori ka sjell imazhe  të kohëve dhe ato i ka bashkuar në një kohë. Prandaj edhe ka shënuar vlera të mirëfillta artistike dhe tradicionale,që konsiderojmë se janë pasuri edhe bibliografike. Ndërkaq, autori ka përmendur 114 emra,nga këta  9 emra janë të femrave  veprimtare, 4 emra janë të diktatorëve të politikës Jugosllave dhe 101 emra janë meshkuj të çmuar  të kulturës  sonë, të cilët mund të shërbejnë për  studiuesit që do të merren me këtë problematikë në të ardhmen.
    Kadri Mani në këtë vëllim poetik ka shtuar  tema të ndryshme nga areali ynë,përmes të cilave ka shqyrtuar  probleme aktuale të realitetit tonë shoqëror,duke dhënë mundësi të kapshme për lexuesin për atë që ka  paraqitur në vepër,

Temat dhe motivet

Temat dhe motivet e këtij vëllimi janë kuptimplotë,sepse përmes  brendësisë së vargut shihet qartë se autori është njohës i thellë  i ngjarjeve,për faktin se ai nuk është vetëm kalimtar i rastit,por është përjetues dhe projektues  real i këtyre ngjarjeve që i kanë dhënë rrjedhë,vullnet e gjak  shumë brazave të këtij populli. Të gjitha këto rrjedha të kohëve  Kadri Mani i ka lidhur përmes  aktualitetit politik e kombëtar,për të shkrirë përmes  artit letrar. Ai me tërë koloritin e shtruar si lëndë të gatuar i ka afruar lexuesit mundësinë për ta njohur nga afër të kaluarën dhe për të hapur rrugë për një të ardhme më të mirë të kulturës sonë.
Motivi satirik  që është trajtuar në vepër zgjon kureshtjen për mënyrën e trajtimit dhe kjo tingëllon bukur në disa poezi,por në poezinë”Kërcet lahuta e çiftelia”,ai  përmes figurave të zgjedhura e domethënëse demaskon këtë shtesë të pseudointelektualëve, të cilët për hirë të karrierës personale janë në gjendje të marrin poste të pamerituara në shoqëri, e tërë kjo dukuri është pjesë shoqërore,sepse kjo ndodhë në të gjitha kohërat e ata nuk zgjedhin mjete për të arrirë aty ku nuk e kanë vendin. Autori ,jo vetëm që ka demaskuar këtë soj të njerëzve ,por i ka veshur me një figuracion të latuar dhe i ka portretizuar edhe të gjitha pikëpamjet e tyre. Ajo që spikatë në këtë motiv e në disa  poezi satirike është pamja  e brendshme  e padijes  për këtë shtresë pseudovlerë.

Atdhedashuria

Atdhedashuria është ideal dhe frymëzim i autorit për  shtetin e tij unik,për këtë dhe njëmijë arsye të tjera Kadri Mani ka kultivuar e brumosë vargun e tij me mjete të fuqishme artistike,përmes të cilave ka një harmoni gjuhësore. Ai nuk ngurron asnjëherë të demaskojë intrigën që bëhet  shkas për ngecje të përgjithshme.
    Për të hyrë në vargun poetik të Kadri Manit, kërkohet njohje paraprake, të cilat fuqizojnë  këto dëshmi e fakte. Ai i këndon UÇK-së,UÇPMB-së, Jusufit ,Kadriut ,Bardhoshit e shumë  të tjerëve, Ajshe Gërvallës e shumë nënave që ditën në djep t`i këndojnë ninullat e pavdekësisë edhe atëherë kur paradokset e politikës ditore prodhonin skena  e kontraste nga më të ndryshmet. Ai iu kushton këngë edhe poetëve e miqve, për të shënuar se atdheu është i të gjithëve,por për të nuk punuan të gjithë mirë e drejtë, e mos të flasim edhe për sakrificat që nuk janë të njëjta,sepse ato edhe s`mund të jenë të njëjta. Mirëpo, ata që ranë në altarin e lirisë janë të pazëvendësueshëm ,për këtë shtresë të të flijuarve,autori ka zgjedhur fjalën që  jep jetë,sepse ata ndriçuan, e duke u flijuar dëshmorët e bashkëluftëtarët kënduan për sot e nesër ,si Rexhep Mala e Nuhi Berisha ,kjo shihet në poezinë”Dy dëshmorë të Shqipërisë Etnike”
        
Kërcyen në një bodrum,me revole dhe dy bomba                                                                
derdhën gjakun sikur lumë,gjithë natën jehoi kënga!                                                         
moj Kosovë të tillë i rrite,dhe u ngritën n`jataganë
moj Kosovë sa u trondite,kur u rrëzuan këta viganë??
.......................................................................
........................................................................
Moj Shqipëri n`det sa ke vala,moj Shqipëri n`mal sa ke pisha                                            
aq të ka dashur Rexhep Mala ,aq t`ka dashtë Nuhi Berisha!

Fq.82.

Kadri Mani me fuqinë e fjalës artistike ka saktësuar rënien heroike të dy bashkëluftëtarëve. Ai përmes figurës së krahasimit ka lartësuar krenarinë,dashurinë dhe qëllimin e rënies së dëshmorëve. Është kuptimplotë vargu që shpreh edhe art,edhe histori e mbi të gjitha ai në vete është i mbështjellur me unitet e dashuri për të dhënë dritë e jetë për tokën Arbërore.
Cikli i fundit Metafora e arratisur edhe si vëllim edhe si cilësi zë vend të rëndësishëm në vepër,sepse rrezaton  mall e  dashuri. Pra ky titull është mjaft  i ngrohtë, po aq   është edhe konsekuent, sepse materia e jonë  ka lëvizur shumë edhe pse  kjo lëvizje ishte domosdoshmëri  e qëllim për ta ruajtur frymën  e trungut tonë. Ai e ka ushqyer shpirtin me mendje e moral të shëndosh ,pra këtu kemi realizimin gradual  dhe zhvillimi sa vjen e merr formën në përputhshmëri të  shpresave përmbajtësore , gjithnjë duke  i dhënë psherëtimën dhe uratën  e  qëndrueshme  me shumë mall e sakrificë,brezave që vijnë për këtë metaforë të arratisur. Autori bashkëjeton me kohët edhe kur e ka përjetimin e keq,ai nuk mposhtet,dëshiron të dalë nga kjo amulli,nga kjo e keqe dhe gjenë frymë e gjak për të fal të djeshmen,por gjithnjë në kërkim  të kohës për shtegdalje me qëllim që të krijojë dashuri me bindje për njeriun tonë,se atdheu është i të gjithëve dhe ai i takon  më shumë si gjithmonë gjeneratave që vijnë .Këtë proces  të rrjedhës së vazhdueshme autori e shenjëzën  me fatin pasardhës dhe me prijës ideator që kërkon historia e një kombi për të gjitha  kohët, e ai këtë e donë e mbjellë e transmeton në vargun këtij vëllimi poetik, e krejt në fund këtë mesazh e merr lexuesi në tërësinë përmbledhëse të kësaj vepre letrare. Pastaj titulli i librit është më i kapshëm dhe më i afërt,më i dashur e më kuptimplotë, për të ruajtur  këtë mesazh e vlerë gjithsesi autori aludon në ndërtimin e vendit,por me një qëllim që e kaluara të ruhet në muzeun e zemrës e mendjes,sepse ”gjaku nuk bëhet ujë”,thotë një fjalë e urtë popullore. Por gjaku duhet të ruhet për ditë të bardha e kjo bardhësi i takon vetëm kësaj toke,që vlen për t`ia kushtuar jetën të tërën  asaj.
    Pra, në këtë kontinuitet e vazhdimësi ,autori i librit ” Falë të qoftë gjaku ”, Kadri Mani edhe në këtë moshë ka elan e vullnet për të ndërtuar të ardhmen, ai nuk ndalet,    vepron, punon në shumë fusha të kulturës e  të dijes,si përherë në shërbim të kombit.
    Pra,vëllimi poetik “ Falë të qoftë gjaku”, në tërësinë e brendshme që ka shtjelluar autori në të specifikon me qartësinë e gjuhës së pasur  e të unifikuar,me shumë pajisje   gjuhësore autoktone,të cilat  burojnë nga leksiku  ynë i pasur. Njëherit, vargu i tij është i ndjeshëm e kryengritës,i afërt për lexuesin dhe me tërë përmbajtjen e vetë ai e begaton vëllimin kulturor e kombëtar të etnikumit tonë.
    Pra,në të kemi të shtruar e të shkruar fjalën artistike përmes  të cilës është trajtuar edhe herezia e kohëve njerkë. Pra,fuqia  magjike e artit tingëllon bukur,guximshëm dhe sublimon në mënyrë reprezentative të ardhmen emblemë ,të cilën e ka ëndërruar Kadri Mani.
Më 2 qershor 2009