E merkure, 17.04.2024, 12:01 AM (GMT+1)

Sport » Sporti

Peshëngritja fiton tri medalje

E diele, 28.06.2009, 12:00 PM


"Peskara 2009": Me një ar e një argjend, shkëlqen Begaj. Argjend edhe Calja

Peshëngritja nuk zhgënjen. Ashtu si pritej, shtangistët kuqezi kanë sjellë medaljet e para për Shqipërinë në Lojërat XVI Mesdhetare "Peskara 2009". Ajo që ka shkëlqyer ka qenë Romela Begaj, e cila ka marrë medalje ari në shkëputje dhe argjend në shtytje. Paraqitja e 22-vjeçares mund të kishte qenë perfekte, por në shtytje ajo nuk ka arritur të klasifikohet e para vetëm prej peshës trupore. Begaj dominoi që prej fillimit konkurrimin në shkëputje për femra në peshën 58 kg, duke ngritur 92 kg në provën e parë dhe 95 kg në të dytën. Të dyja këto rezultate janë vendosur në librin e rekordeve të Lojërave Mesdhetare. Në provën e tretë ajo kërkoi të ngrinte 98 kg, pa mundur ta realizojë me sukses provën. Gjithsesi, peshëngritësja kuqezi u klasifikua e para, duke lënë pas vetes greken Lapou dhe turken Dasdelen. Në stilin e shkëputjes, Begaj ka ngritur 110 kg në provën e parë, ndërkohë që ka dështuar në dy tentativat e tjera, kur kishte vendosur 114 kg në shtangë. Me peshën 110 kg e ka mbyllur konkurrimin edhe turkja Aldin Dasdelen, e cila ka përfituar prej peshës më të lehtë trupore (afro 1.5 kg) më të lehtë dhe ka marrë medaljen e artë. Në peshën 58 kg për femra ka konkurruar edhe peshëngritësja tjetër kuqezi, Fetije Kasaj. E rikthyer në pedanë nga pezullimi 2-vjeçar, ish-kampionia ka zhgënjyer: ajo nuk kaloi asnjë nga provat në stilin e shkëputjes (ku kishte kërkuar 72 kg) dhe rrjedhimisht është skualifikuar nga konkurrimi në shtytje. Edhe Briken Calja arrin të fitojë një medalje argjendi në peshën 69 kg për meshkuj. 19-vjeçari e ka mbyllur konkurrimin në stilin e shkëputjes me 142 kg të ngritura, ndërsa i pari u klasifikua francezi Vancelas Diabaja-Tiençeu me 150 kg. Në shtytje Calja u rendit i katërti, ku ka realizuar me sukses vetëm provën e parë, duke ngritur 163 kg. Në dy provat e tjera, me 167 dhe 168 kg, ai ka dështuar.

Basketboll

Kombëtarja e femrave, e drejtuar nga Viron Toska, është masakruar me rezultatin 130:35 nga Kroacia. Perioda më e mirë për shqiptaret ishte e dyta, kur kanë shënuar 13 pikë, ndërsa në tri të tjerat ato nuk e kanë arritur asnjëherë kuotën e 10 pikëve. E vetmja që spikati ishte kapitenia Migena Plasa me 10 pikë të realizuara.

Boks

Në ring për kuqezinjtë është ngjitur talenti Albi Sorra, i cili u ndesh me marokenin Dris Musaid. Të dy këta boksierë kishin fituar medalje bronzi në Botërorin U-17 në vitin 2006. Por, në fund të tri raundeve, fitues është shpallur Musaid, i cili ka triumfuar 10:4 me pikë. Me këtë rezultat, 19-vjeçari eliminohet nga Lojërat Mesdhetare që prej 1/8-ve të finales.

Hendboll

Paraqitje për t‘u harruar ajo e përfaqësueses së hendbollit, e cila është poshtëruar nga Algjeria. 48:5 ishte humbja e thellë e kuqezinjve në takimin ku debutuan në "Peskara 2009". Pjesa e parë u mbyll me shifrat 26:3 për kundërshtarët, ndërsa rezultati në 20 minutat e mbetura ishte 22:2. Të hënën Kombëtarja jonë luan kundër Francës.

Not

Zhgënjejnë edhe notarët shqiptarë, të cilët pozicionohen në vendet e fundit. Në garën e 50 metrave shpinë, Sidni Hoxha u rendit i gjashti nga shtatë garues në Baterinë 2, me kohën 29.72, ndërsa Florenc Llanaj ishte i fundit në Baterinë 1 (32.36). Paraqitje e dobët edhe për Eros Qaman dhe Endi Babin në garën e 200 metrave stil i përzier për meshkuj.

Kanotazh

Dyshja shqiptare, Andi Çuko dhe Edi Theka, nuk arritën të kualifikohen për në finalen A. Në garën dyshe ata janë renditur të pestët në garën e 2000 metrave, me kohën 7‘26‘‘58, në baterinë ku konkurronin.

Qitje

Skualifikohet edhe qitësi Arben Kuçana, i cili konkurroi në 50 metra me pistoletë. Me 533 pikë të grumbulluara (33 më pak se spanjolli Vaskez i vendit të parë), kuqeziu është renditur i 13-ti mes 14 sportistëve.

Pingpong

Humbje të thella edhe në këtë sport, ku ndeshjet e meshkujve dhe të femrave kanë qenë si fotokopje: dështime 4-0 për të gjithë, duke filluar nga meshkujt Dorjan Tapia (3 ndeshje) e Ilir Shabanaj (2 ndeshje), për të vazhduar te femrat Adelajda Isaku dhe Eliona Mustafai.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora