E shtune, 04.12.2021, 07:53 AM (GMT)

Kulturë

Ejup Ceraja: Gjerdane lulesh edukuese

E shtune, 27.06.2009, 12:24 PM


Recension libri

Ejup Ceraja       

GJERDANE LULESH EDUKUESE

Emirjona është nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe shembullore në sjellje. Këtë vajzë të vyer e takuam në bibliotekën rajonale të qytetit. Në dorë e kishte librin “Tufë lulesh” të Luigj Gurakuqit. Me te e zhvilluam këtë bisedë:

Unë,

- Siç len për t’u nënkuptuar ti Emirjona lexon rregullisht. Këtë e vërteton edhe libri që e ke në dorë.

Ajo,

- Po.  Unë lexoj edhe libra të tjerë jashtë programit mësimor gjatë kohës së lirë.

Unë,

- Të lumtë, Emirjona. Kështu zgjerohen e thellohen dijet.

Ajo,

- Me që u takuam rastësisht me librin “Tufë lulesh” në dorë të Luigj Gurakuqit, kisha dëshiruar, nëse s’ju vjen rëndë, të më flisni diç për këtë libër  dhe për Luigj Gurakuqin.

Unë,

- Me gjithë dëshirë. Ti vetëm më pyet se çfarë të intereson më shumë.

Heshtje. Pas pak ajo m’u drejtua:

- Kush ishte vërtet Luigj Gurakuqi?...

- Poeti, publicisti, teoricieni e atdhetari Luigj Gurakuqi është i njohur për lexuesit e vegjël. Luigji u lind këtu e 125 vjet më parë në qytetin me tradita të lashta kulturore - në Shkodër. Në krijimtarinë e tij letrare-artistike një vend modest zë edhe krijimtaria për fëmijë, si në poezi, ashtu edhe në prozë. Këtë e dëshmon edhe libri "Tufë lulesh", të cilin e ke në dorë.

Ky libër i Luigj Gurakuqit është i sajuar prej dy pjesësh. Në pjesën e parë përfshihen 16 vjersha temash e motivesh të ndryshme, kurse në pjesën e dytë janë përfshirë 15 rrëfenja (tregime), ku pjesa më e madhe e tyre është me motive të ndryshme dhe me përmbajtje fabuliste…

                                       I

- A janë të ndara vjershat e këtij libri në cikle? Nëse jo a mund të bëhet një ndarje e këtillë sipas temave e motiveve?...

- Vjershat e këtij libri nuk janë të ndara në cikle. Po,  megjithatë, mund të ndahen në disa cikle sipas temave dhe motiveve që trajtohen në to. Kështu, në ciklin e parë do të përfshiheshin vjershat që kanë për temë natyrën dhe bukuritë e saj, të trajtuara, kryesisht, përmes stinëve të motmotit. Ky libër hapet me vjershën "Pranvera" dhe vazhdon me vjershat e tjera, si: "Vera", "Vjeshta", "Dimni", "Stinët e motmotit", "Pranvera  - Tufë Lulesh", "Perendimi" dhe “Marci” përmes të cilave poeti ka synuar jo vetëm ta bëjë përshkrimin e natyrës sipas këtyre stinëve, po edhe ta shtojë dashurinë dhe interesimin e fëmijëve për ruajtjen e natyrës dhe kultivimin e bimëve: luleve, pemëve e perimeve. Sa bukur, sa rrjedhshëm dhe sa natyrshëm është përshkruar natyra me bukuritë dhe me koloritin e saj në vjershën "Pranvera - Tufë Lulesh". Lulet e bukura e mijëra ngjyrëshe e kanë mbushur natyrën anekënd me aromën e tyre mahnitëse,  Bukurinë e natyrës e shtojnë edhe cicërimat e zogjve, që ia thonë këngës plot shend e verë, në një anë, blegërima dhe vrapimi i qengjave nëpër livadhe e lëndina, tok me zërin melodik të fyellit të bariut, në anën tjetër. Luigj Gurakuqi jo sa e si Mjedja, po megjithatë qëndroi me limë në dorë për ta gdhend fjalën, mendimin  e vargun ashtu sis mendonte se ishte më së miri.

- Po çka i karakterizon vjershat e ciklit të dytë?...

         - Në ciklin e dytë, do të mund të renditeshin ato vjersha, që e kanë për temë mirësjelljen e fëmijëve ndaj më të moshuarve, të afërmve e sidomos ndaj prindërve. Këtu do veçuar vjersha "Prindja", përmes së cilës poeti ka synuar ta shtojë te fëmijët dashurinë dhe nderimin për prindërit, të cilët na lindën e na rritën, na bënë "këmbë e dorë", siç thotë populli:

"Babë e nanë që na dhanë jetën

Ne na duhet me i ndigjue."

Sepse ai që s'i nderon e dëgjon prindërit, që s'shkon sipas porosisë së tyre, kurrë s'do të shohë të mira e begati në jetë, s'do të jetë i lumtur e i bekuar as nga Perëndia.

- Poetët e traditës, sipas mësuesit tonë, e kanë çmuar e nderuar punën shumë.  A ka ndonjë vjershë me këtë tematikë?...

- Një cikël më vete do ta bënin vjershat me tematikë nga puna dhe të mirat që ajo i sjell njeriut. Puna, pra, është ajo që e lartëson dhe e nderon njeriun, e bën atë të lumtur në jetë, i sjell prehje e qetësi në pleqëri, andaj poeti këto veti kaq të rëndësishme e fisnike për jetën e njeriut ka synuar t'i mishërojë te fëmijët në vjershën "Puna":

"Edhe ti pra n'daç m'u gjetun,

More djalë, kanen n'pleqni,

Mos shko kohën n'gjumë e pshtetun,

Por puno, mendou n'djelmi."

- Po për shkollën e mësimin a ka vjersha në këtë libër?...

- Ka, si nuk ka! Luigj Gurakuqi në krijimtarinë letrare të tij, sidomos në atë për fëmijë, një vend të veçantë ua ka kushtuar shkollës, mësimit e mësuesit. Këto përbëjnë një cikël më vete. Kështu, në këtë temë janë vjershat: "Vlera e këndimit", "Mësimi", "Mbarimi i vjetit shkollor" etj., përmes të cilave poeti ka synuar t'ua shtojë fëmijëve dashurinë dhe interesimin për shkollën dhe mësimin, dashurinë dhe nderimin për mësuesin e dashur, i cili s'kursen asgjë për mësimin dhe edukimin e tyre.

Shkolla është vendi ku fitohet dituria, andaj poeti i këshillon fëmijët të shkojnë në te pa përtesë së bashku me shokë, se:

"Lum ai f'mi që për prind t'vet

Ashtu gjith nderë e gjith ndigjesë,

Që i shkon m'suesit për vulndet,

Që për m'sim nuk ka pritesë".

- Të gjithë poetët që shkruajnë për fëmijë bëjnë përpjekje që t’i largojnë veset e këqija nga fëmijët. A ka ndonjë vjershë në këtë temë?...

- Po, ka. Edhe Luigj Gurakuqi ka bërë përpjekje që te fëmijët  të kultivojë ndjenjën për të vërtetën e bamirësinë, e që t’i flakën veset e këqija, si gënjeshtrën e keqbërësinë. Veset e këqija poeti i ka dhënë përmes vjershave "Fëmija prekës" dhe "Rrenacaku", të cilat përbëjnë një cikël më vete.

Mjaft interesant për fëmijë është edhe vjersha "Shpisë sime", e cila e mbyll pjesën e parë të librit me poezi, e në të cilën poeti ka shprehur mallin dhe nostalgjinë e një të mërguari për shtëpinë e tij, vatrën ku u lind dhe u rrit, se:

               "Te ti m'fluturon mendim, o shpiza ime,

               Kur vjen ma i thershëm malli me m'trzue,

               Te ti, ku nisa s'parit me jetue,

               Ku çila syt, ku leva e pata g'zime".

 

                                 II

 

- Po cilat janë skicat e pjesës së dytë?...          

- Për këtë Emirjona do të bisedojmë pas një jave. Pasi t’i lexosh vetë këto skica. Ti do të më flasësh për mbresat tua nga këto skica. Cilat të kanë pëlqyer më tepër dhe pse?

Pas një jave në bibliotekë Emirjona më tha:

“Pjesën e dytë - proza, Luigji e fillon me rrëfimin e shkurtër "Mendoni për të tjerë", që ka për temë punën dhe kujdesin e më të moshuarve për brezat që do të vijnë, ashtu si vepron plaku nëntëdhjetëvjeçar: "… - po mbuallë të tjerët, hangra unë, mbjell unë, të hanë të tjerët". Kjo më ka lënë mbresa se nuk duhet të mendohet vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Çdo brez e ka borxh t’ia lë brezit tjetër një bazë solide sa në aspektin ekonomik, aq edhe në atë kulturor.

Ndërsa edhe tregimi "Luani, gomari e dhelpra" ku jepen fudullëku e budallallëku të personifikuara përmes figurës së gomarit dhe dinakëria e lajka, të personifikuara përmes figurës së dhelprës, m’u ka duk mjaft interesant. Nëpërmes këtij tregimi Luigj Gurakuqi ka synuar t’i largojë nga ne fëmijët dy vese të këqija: fudullëkun e dinakërinë.

Te tregimi "I ati, i biri e gomari" është vënë në pah një anë mjaft interesante e jetës, që i bënë fëmijët kureshtarë. Këtu rrëfehet se si babë e bir, duke i dëgjuar thash e thënët e të tjerëve, s'e gjejnë dot mënyrën e kalimit të rrugës së bashku me gomar. Porosia nëpërmes rrëfimit të këtij tregimi del më se e qartë: po u dëgjuan fjalët e botës, kurrë s'do të mbarohet asnjë punë sa e si duhet.

Mosmirënjohja, si ves mjaft i keq, është dhënë me forcën e duhur përmes tregimit "Njeriu, dragoni e dhelpna". Kurse mendjemadhësia, kryelartësia, vetëmburrja etj., janë dhënë edhe këto si veti të këqija, që në veçanti fëmijët i çojnë në humbje, përmes tregimit tjetër "Kungulli dhe ullini". Kungulli gjatë verës i zgjati lozgët sa e arriti majën e ullirit dhe filloi të mburrej si bukurosh që i zotëron lartësitë. Po me arritjen e brymës së parë në vjeshtë, u fashit e ra për tokë si mos të kishte ekzistuar kurrë!…

Mjaft domethënës dhe tërheqës për ne fëmijët, në një anë dhe edukues, në anë tjetër, është edhe tregimi "Djali i urtë", nëpërmes të cilit pasqyrohet mirësjellja e një djaloshi, i cili ngado që shkonte kryente vetëm punë të mira, ashtu si vepron në tregim edhe me plakun jetik. Përmes këtij tregimi Luigj Gurakuqi ka synuar të ngulisë në zemrat tona të njoma kujdesin ndaj më të moshuarve e sidomos ndaj pleqve.

Edhe tregimet tjera, si: "Lulet e kokrrat", "Molla e kalbun", "Trumcakët", "Vlla e motër", "Friksi" e ndonjë tjetër kanë tematikë interesante. Tek i pari kultivohet kujdesi që duhet të kemi ne fëmijët ndaj pemëve e perimeve; tek i dyti jepet porosia për ne fëmijët se si nuk duhet të sillemi  me ligësi dhe me keqbërësi; tek i treti  jepet bamirësia e kujdesi që duhet të tregojmë ne fëmijët ndaj nevojtarëve, ashtu si veproi Zefi i vogël me trumcakët; tek i katërti jepet porosia për kujdesin që duhet të kemi ne fëmijët për njëri-tjetrin; ndërsa përmes tregimit të pestë, Luigj Gurakuqi, synoi ta largojë frikën nga mendja e zemra njomëzake e ne fëmijëve...

Libri "Tufë lulesh" mbyllet me tregimet "Shkrepsat janë të rrezikshme" dhe "Dila". Sidomos tematikë interesante, ka tregimi "Shkrepsat janë të rrezikshme", përmes të cilit jepet porosia se kush luan  me zjarr do ta pësojë si Filipi i vogël…etj.”

Të lumtë, Emirjona! I ke kapur drejt porositë e këtyre skicave – tregime. Unë të dëgjova me kënaqësi e nuk desha që ta ndërpres rrëfimin tënd, që m’u duk mjaft i qëlluar dhe interesant. Unë do ta përkujtoj këtu një mendim të urtakut tonë të nderuar. Poetit të mrekullueshëm për ju fëmijët, Anton Çetta si parathënie e një botimi më të hershëm. Ai thotë:

"Në shumicën nga vjershat e tregimet e kësaj përmbledhjeje do të kuptoni qartë qëllimin edukues të autorit. Gurakuqi nuk ishte vetëm luftëtar për pavarësi e demokraci. Ai bahet edhe mësues për breznitë e njoma të kohës së vet, sepse në to ka besim të madh dhe priste që nxënësit e atëhershëm, të pajisën me një vullnet të çelnikët për punë dhe me virtyte fisnike, të zhveshën nga përtacia dhe veset e tjera të këqija, do të ishin të denjë ma vonë me e marrë në dorë fatin e popullit të vet dhe me i pri atij në rrugën e vllaznimit e të përparimit, në rrugën e dritës dhe të qytetnimit mbas pesë shekujsh në errësi e në vuejtje nën zgjedhën osmane"1).

Për fund

Vjershat dhe tregimet e këtij libri kanë një stil të kapshëm për lexuesit e kësaj moshe, edhe pse nuk janë të shkruara në gjuhën standarde, që e kemi sot, po ju nxënësit me ndihmën e arsimtarit do t'i kuptoni lehtë…

 __________

1) Anton ÇETTA: Parathënie e "Tufë lulesh" të Luigj Gurakuqit e botimit të katërt - 1982, fq. 13-14.                                                                  

 (1995)


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora