E shtune, 04.12.2021, 07:51 AM (GMT)

Kulturë

Luan Cipi: Te ''Vefa Hollding''

E shtune, 27.06.2009, 10:07 AM


TE ‘‘VEFA HOLLDING’’

Nga Ditari i Luan Cipit

Në datën 4 korrik të vitit 1996, në selinë e “VEFA Hollding”, në një zyrë komode, të denjë për një mbret, takohem personalisht me Bosin e shumëpërfolur të Kompanisë, Vehbi Alimuçin. Kjo u arrit sipas propozimit, ndërhyrjes dhe në prezencë të Gjergj Habilaj, këshilltar i tij, agronom, nga Vajza e Vlorës, me të cilin ishim njohur, deri familjarisht, kur ai ishte Kryetar Kooperative, në fshatin e tij.
                     E pash Vehbiun, të rehatuar në poltronin e tij, me një shishe Uiski mbi tavolinën luksoze, që duket sa e kish zgjedhur dhe e kish nxjerrë nga bufeja e posaçme, tejet e mbushur me pijet nga më të shtrenjtat e botës. Me pamjen e një sheiku aziatik, apo pashai turk, me peshë, po energjik, kokëmadh e fytyrë kuq, hundështypur, me një kaçurrel floku mbi ballin e gjerë, me rrudha. Na takoi, duke u ngritur e na dha dorën si me përtim e lodhje dhe pasi u ul, rrahu shuplakat. Shpejtë erdhi një bukuroshe e shëndoshë me dekolte irituese, mbuluar gjoksin lakuriq me gjerdan ari. Pashai porositi shërbimin dhe pasi na u mbushën gotat me uiski, nisi bisedën, duke gjerbur me kënaqësi nga gota e vetë e praruar.
                  - Fol, o Gjergj! Ç’ na ke qullosur, sot?
                  -Ky është Luani, që kemi biseduar. E kemi nga anët tona.. Ekonomisti më i mirë i Vlorës. Për shumë vjet, kreu i ekonomistëve atje, pedagog universiteti dhe shkencëtar i mirëfilltë. Gjergji fliste me zë të ulët, si nëpër dhëmbë.
                - E ç’më duhen mua komunistët e mirë, apo, qoftë dhe krerët e tyre. Tani ne jemi mbi partitë, foli me humor vërmiku, Bosi.
     - E thashë me “e”, përpara. ekonomist, përsëriti Gjergji, këtë radhë, duke ia mëshuar germës ‘e’. Se, tamam “komunist” nuk mund ta quash Luanin. Madje, vazhdoi , duke ja futur kot, vajzjoti, ky, ka tendencë të anoi nga e djathta, si i klasës ish të përmbysur, që është. Nuk është kot mik i Adhurim Musarajt. ky.
                   -Si, ore, vazhdon lojën Vehbiu, qenka miku i Agron Musarait, Ministrit të Rendit, kundërshtarit tim personal? Po qe kështu, ç’e dua unë këtë, të më vejë prangat?  Dhe qesh e qesh…
                   Pas këtij lloj humori lab, futemi drejtë e në temë.
                 -  Gjergji! Flet Vehbiu: Lëri shpjegimet dhe biografitë, se këto i dimë hollësisht, i kemi hetuar e gjykuar qysh më parë, bashkërisht, apo jo?
                    Tani dëgjomë, ti, o Luan Çipi, vlonjat, me origjinë nga Gjirokastra:
                   -Kemi menduar të punosh me ne, si zëvendës drejtor në Filialin e VEFA.-s, në Vlorë. Filiali i Vlorës është zemra e Kompanisë sonë dhe ka, gati, një të tretën e veprimtarisë së saj, me perspektivë rritje. Ne atje e kemi shkarkuar edhe drejtorin e fundit, që ishte pilot, vërmiqot. Për një farë kohe, ti, do t’i drejtosh të dyja punët dhe më pas shohim e bëjmë. Pagën do ta kesh shumë të mire. Nuk po t’i shpjegojë punët hollësisht, se unë e di aftësinë tënde dhe e di që ti i njeh, se i ke drejtuar edhe më parë ato lloj aktivitetesh, që kam unë sot në Vlorë, por edhe nga që do shihemi, së shpejti dhe do bisedojmë konkretisht... Edhe diçka tjetër: E kemi si rregull që depozitat vetjake, punonjësit tanë, i kalojnë te ne. Ti, je pronar edhe në Hotelin Turistik. Atë mendoj ta blejë Kompania jonë. Pra do bëhemi bashkëpronarë, se unë mendoj, në të ardhmen, ta ndaj në aksione kapitalin e shumtë të Kompanisë dhe kreditoret e sotëm, ti kem bashkëpronar..
            Pasi pimë pijet dhe kafetë ekspresë, shumë të shijshme, që u porositën nga Bosi me të rëna shuplakash, që u bënë aty pranë dhe u shërbyen nga bukuroshja përkatëse, u puthëm e u përqafuam, me urimet për punë të suksesshme.
                 Bosi mu duk i zgjuar, energjik dhe i prerë, bile, kishte edhe një qëllim dhe një vizion të drejtë, për të ardhmen e Kompanisë së vetë. Nga ana tjetër ai kishte grumbullua , si ndihmesa, këshilltarë dhe nëpunës të Kompanisë edhe punonjës të aftë si  Z. Koço Skënderi, Velezi Avari, Esat Bashari, Vasfi Duka, Emin Mysliu, Gjergj Titani dhe dhjetëra financierë e inxhinierë,  me emër për kohën.

                 Në Selinë e Vefa.-s në Vlorë, ngritur apostafat te një pallat tre katesh, në zyra komode të rikonstruktuara e të pajisura më së miri, deri të kompjuterizuara, me shumë policë e batigardë, unë shkova, po atë ditë, por nuk u vendosa në zyrën e drejtorit, ku më porositi  Vehbiu, por në atë të nëndrejtorit. Prezantimin e bëri Mustafa Koçeri, çuni i hallës i Vehbiut, që mbahej nga Bosi afër në Tiranë, si besniku numër një i tij, në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kompanisë. K, piloti vërmiqot, ish drejtori, bashkëfshatar i Vehbiut, pasi më dorëzoi çelësat, po ikte, i pakënaqur, se kishte fare pak kohë në atë pozicion dhe as që ishin provuar aftësitë e tij menazhuese. Kur ma shprehu pakënaqësinë, e ndala dhe i thash:.”Unë do kisha qejf të punoja e të kisha në krye  një drejtor, kushdo që të ish, për t’u marr më mirë me punët e mia të drejtimit ekonomiko-financiar. Ai mund të ishe edhe ti. Nuk të njoh, po, s’të kam faj. Largimi yt nuk ka lidhje me mua”. Duket se u mirëkuptuam.
                 Pas largimit të K, mu prezantuan: Shefi i Kuadrit i Filialit, që ishte nipi i Vehbiut, një ish oficer ushtrie; djemtë e Vebiut me gruan e parë, njeri Drejtor i Fabrikës së Birrës, që pinte shumë alkol, tjetri, Nëndrejtor, sa për emër, i Fabrikës së Tullave, që gjithë ditën lëvizte me makina komode, luante me letra, dhe, më e keqja, shpenzonte kohë e para për të përfunduar punimet te vila e tij luksoze; Neqezi, vëlla i Vehbiut, i pashkolluar, por, që në fakt ishte syri dhe veshi i Presidentit dhe merrej kryesisht me arkat e depozitimit të kreditorëve; dhjetëra kushërinj e bashkëfshatarë të tij, që rinin nëpër këmbë kot së koti, por merrnin rroga të majme. Këta lloj vampirësh që të pa ngopur, çdo ditë thithnin pafundësisht gjakun e “Kompanisë Gjigande”, secili më vete, më takonte, diç tregohej, krekosej, urdhëronte, porosiste, këshillonte, bënte vërejtje. Vetë Shefi i Kuadrit, me atë ndjenjën e krenarisë analoge të kësaj lloj zyre në të shkuarën, më dërgoi me sekretaren e vet, (një tjetër mbesë e Presidentit, po kjo shumë njeri i mirë dhe ekzigjente në detyrë) një listë për pushime nga puna, me porosi që unë ta miratoja dhe ta firmosja. Unë, natyrisht, pa argumentimin përkatës, nuk e firmosa dhe ai nuk duroi, po erdhi i acaruar në derën e zyrës sime për të më kërkuar llogari:
          -Po, ç’janë këta dhe pse duhet të largohen, e pyes unë.
          -Janë lakenjtë e ish drejtorit, që i ka marrë në punë, personalisht, pa më pyetur mua. Kjo, këtu, e para në listë, është dashnorja e tij,  ky është kushëriri i tij i parë, shofer, ky…
         - Pse duhet t’i largojmë? Në ç’vende pune janë? Si kanë punuar? Ç’masa paraprake disiplinore janë marrë për ata? Ku është praktika dokumentare? Më sill dosjet e tyre! Dhe unë nuk e pashë të arsyeshme të firmosja largimin e tyre. Po, dhe nga ana ligjore ishte shkelje. Kisha të bëja me njerëz dhe po të shkelja të drejtat e tyre, do kisha përgjegjësinë përkatëse, deri te përballja me organet gjyqësore.. Ndryshe po të urdhëronte me shkrim vetë pronari.

                    Puna e parë që bëra ishte njohja direkt e punëve në fabrikat dhe repartet e ndërmarrjes, që siç e pashë në praktikë, ishte bajagi e madhe. Vizitova Fabrikën e Tullave, Fabrikën e Birrës, Baxhon e madhe të qumështit buzë lumit Shashicë, afër Urës së Peshkëpisë, Supermarketin e madh, në qendër të qytetit, Kompleksin Turistik Modern në  Plazhin e Ri të Ujit të Ftohtë, Lokalin Turistik të Llogorasë, Qendrën e Avolxhimit të Elektromotorëve te Centrali i Vjetër i Qytetit, Parkun e madh automobilistik në Zonën Industriale të Qytetit (Ish Parkun e Industrisë), Poligonin e përpunimit të Inerteve të Ndërtimit në Mifol, Magazinat e Shitjeve me Shumicë në Fabrikën e Orizit dhe te Punishtja e Pastave, Hangarët dhe Depot te SMTeja e Pusit të Mezinit, Ngrehinat e Fabrikës së Vajit Dhërmi, etj.
              Në shumë vende pune gjeta në drejtim shokë dhe miq të njohur. Me ta u morëm vesh, për përmirësimin e shpejtë të gjendjes, duke përcaktuar detyra konkrete. I porosita që të studionin dhe të përcaktonin plan masash me detyra konkrete përmirësuese, që secili të rezultonte me fitim dhe vetëfinancim, të bënin rregulloren e brendshme, me detyra për çdo vend pune, si dhe studimin për zhvillimin perspektiv të çdo veprimtarie.

               Të nesërmen kisha organizuar një mbledhje me drejtorët e Fabrikave dhe të Njësive Autonome, për të analizuar punën e deri atëhershme dhe për të përcaktuar masat përmirësuese. Para mbledhjes, sapo hyja në sallë, K, ish Drejtori i pushuar para një jave, më thotë: Zoti Luan, a mund të vijë dhe unë në mbledhje? Unë u çudita. Si, ky, i pushuar me ceremoni nga puna ka paturpësinë të kërkojë të marrë pjesë në mbledhje, por mendova se s’ka ç’më prish, bile, ndofta mund të japi dhe ndonjë mendim, apo të zbulojë ndonjë mangësi. Ai u ul në një qoshe dhe veç sa dëgjonte, me buzën në gaz. Mbledhja shkoi shumë mirë dhe ia arriti qëllimit, për të programuar masa efektive përmirësuese. Pasi dola nga mbledhja dhe u futa ne zyrën time të nëndrejtorit, ish Drejtor K , që më shoqëroi, nxjerr nga xhepi dhe me jep një cope letër, të firmosur nga Presidenti. Ai shkruante:
                 “Luan! K të fillojë prapë punën si Drejtor. I ndani detyrat me njeri tjetrin.”
                Privati bën ç’ti dojë qejfi, thashë me vete. I dhashë çelësin e zyrës K dhe ai nisi sërish punën e drejtorit  fuqiplotë. Mendova se sa mire bëra që nuk u vendosa te Zyra e Drejtorit dhe sa mirë që nuk i pushova nga puna beniaminët e tij. Më tej mendova se kjo do vlerësohej, sado pak nga K, por ai rezultoi pa më të voglën vlerë, as si njeri në shoqëri dhe pa asnjë aftësi drejtuese, organizative, ekonomike e administrative. Brenda 3-4 muajve që ndenji me mua u evidentuan disa tipare të karakterit të tij, shoqëruar me veprime, mosveprime e intriga dëmprurëse:
                  -Ishte inkopetenca e tij që shkaktoi vonimin dhe dështimin e marrjes së leverdishme të “Hotelit Turistik” 10 katësh, në ndërtim, te qendra e Vlorës. Vonesa në blerje, mos dhënia e kaparit, tentativa për të ulur vleftën e premtuar nga vetë Vehbiu, me shprehjen “pse atë gërmadhë do blejmë kaq shtrenjtë”, shkaktoi mosbesimin e bashkëpronarëve dhe ndërhyrjen komprometuese të blerësve të tjerë .
                  -Ju kundërvu, pa takt dhe pa argumente bindëse, vëllait dhe djemve të Vehbiut, i akuzoi ata për vjedhje e shpërdorime, pa vërtetuar me fakte e dokumente, deri sa u grind dhe u rrah keqas me grushte, duke shkaktuar një anomali e përçarje të plotë për mbarëvajtjen e punëve. Siç dihet ata merreshin, de fakto, me paret edhe kreditorët dhe zinin pozicione kyçe në drejtim e në lidhjet direkt me Bosin.
                  -Tentoi të më mënjanojë nga të drejtat dhe kompetencat e mia te drejtimit ekonomik, u përpoq të më ndërpriste në burim, marrjen e njoftimeve ekonomiko-financiare dhe pengoi daljen në vetëfinancim të çdo njësie prodhuese, çka ishte motoja dhe leva ime për stimulim dhe ndryshim.
             - Frenoi depozitimin e thesarit tonë në Bankën e Shtetit me interes depozitimi, për monedhat në lekë dhe dhrahmi, për të paktën, një periudhë tremujore, kur ato rrinin aty të vdekura ndër vite. Për këtë u desh ndërhyrja ime në Qendër.
.              Prapësitë e tij ishin të pafundme. Këto i kryente me një delir madhështie të pa imagjinuar, duke deklaruar se jam jo vetëm pilot klase dhe instruktor pilotësh i shquar, por dhe “ekonomist i lindur”, “teknolog druri e balte”, “piktor”, “skulptor” dhe s’ka gjë që mos ta bëj vetë, më së miri, me mendjen time gjeniale dhe duart e mia prej artisti.
                 Në të vërtetë, gjatë 4 muajve, K, nuk kreu asnjë punë ulur në Zyrë, nuk formuloi e nuk nënshkroi asnjë dokument, nuk bëri asnjë program pune, nuk hartoi asnjë plan, nuk bëri asnjë analizë ekonomiko-financiare, nuk  studio e nuk denjoi të shihte  e nuk firmoi asnjë bilanc kontabël. Në katër mbledhje, që organizova për të analizuar punët e muajit dhe për të shtruar detyra, me drejtuesit e njësive ekonomike, mori pjesë, vetëm, në dy prej tyre, ku, në  njërën erdhi me vonesë dhe në tjetrën iku para kohe. Jo vetëm kjo, po ai vepron pabesisht dhe në fshehtësi. Kështu dha urdhër për pushimin e Ejup Mitës, që e nderonte Kompaninë. Ejupi, me propozimin tim, u vendosu nga Presidenti për drejtimin e Bujqësisë dhe të Blegtorisë, që ishte epiqendra e zhvillimit në perspektivë të Kompanisë. K i komunikon pushimin, e riemëron dhe e ripushon. Po kështu vepron me kuadrot e shquar inxhinierin Petraq Karaj, e Llazar Nasto, me ekonomistin Viktor Jovani dhe veterinerin Sinan Sinani. Nga ana tjetër ai bëhet një model i keq disipline për administratorët e tjerë të ekonomisë, duke qëndruar vetëm pak orë në punën e Kompanisë, duke u marrë me punët e tij personale e private.
                   Pavarësisht këtij faktori pengues regresiv, shpejtë, në Filialin e Kompanisë VEFA Hollding, në Vlorë filluan të ndryshojnë e të përmirësohen rrënjësisht disa  drejtime pune e veprimtarie:
                   -U përmirësua dukshëm puna për mbajtjen e evidencës ekonomike për të ardhurat dhe shpenzimet me objektivin e vetëfinancimit dhe të shtimit të fitimit në çdo njësi ekonomike.
                   -U bënë programe pune mujore dhe u organizua ndjekja, kontrolli dhe analiza mujore e punës.
                   -U përsos struktura organizative drejtuese dhe u morrën e u vendosën në drejtim specialistë nga më të mirët në rreth. Të tillë ishin Ejup Mita dhe Sinan Sinani për sektorin e bujqësisë, Arjana Tushe, Viktor Jovani dhe  Jani Sotirovski, për ekonominë dhe tregtinë, Llazar Nasto, Florian Kapaj, Bashkim Habili, Bardhyl Boro, Mitat Balili, Halim Dervishi, Bexhet Ganaj, Ylli Gaba, etj., të gjithë inxhinierë në zë.
                    - Nën drejtimin e këtyre specialistëve me përvojë e aftësi filluan kudo zgjerimet e aftësive prodhuese e tregtare, u kryen përmirësime e modernizime të teknikës e të teknologjisë, mbi bazën e kritereve të studiuara mirë e të vendosura kolegjialisht, të cilat i ndiqnin çdo dite me kujdes. Kështu u bënë punime përmirësuese e ndërtuese në Kompleksin turistik në Ujin e Ftohtë e në Llogora;  u vendosen furrat e tharjes dhe mekanizimi i transportimeve në Sektorin e Bobinazhit; u ndërtua Fabrika e re e Sallamit, me specialistë dhe teknologji e makineri të ardhura nga Gjermania; u përmirësua e u kompletua me sistemin ftohës Baxhua në Peshkëpi; filloi rikonstruksioni e modernizimi i Fabrikës së Tullave, sipas projektit Rumun dhe me makineri, teknologji e specialistë rumunë; u krijua Qendra administrative për Ndërmarrjen e Re të Ndërtimit; u përfunduan magazinat e mëdha te Furatë e Bukës; u bënë përmirësime në rrjetin  e ujësjellësit dhe në teknologjinë e fraksionizmit të inerteve në Mifol dhe u studiua Qendra e Re e Inerteve në Shashicë, etj.
                  Pavarësisht nga këto arritje edhe në Filialin e Vlorës vazhdonin të bashkëjetonin, si parazitë:  kushrinjë qylaxhi, roje koti, batigardë të armatosur deri në dhëmbë, ”propagandistë”, ”historianë”, ”biografë”, këngëtarë”, “sportistë profesionist”, shushunja të vërteta, që thithnin çdo ditë gjakun dhe djersën e mijëra nevojtarëve kreditues.

                     Në muajin Dhjetor të vitit 1966, Drejtor i përkohshëm kishte ardhur aty vërmiqoti Memush Habili. Ai, kryesisht, por bashkë me të dhe kushëriri i Vehbiut, Mustafa Koçeri, erdhën të qetësonin gjendjen dhe të shuanin sheret midis farefisnisë dhe bashkëfshatarëve të vetë, si dhe të parandalonin katastrofën që parashikohej, në drejtim të fajdeve, në parandalim të karakterizimit të Kompanisë, si rentiere dhe të papastërtive të vërejtura në këtë veprimtari, që bëheshin larg syrit tonë dhe kryesisht në pjesën që kish lidhje me arkat e kreditit, ku ne e kishim të ndaluar pjesëmarrjen. Midis masave të marra prej tyre ishte dhe largimi i pajustifikuar nga puna i bashkëpunëtorëve të mi më të mirë dhe më të aftë Ejup Mita, Petraq Karaj, Viktor Jovani e Llazar Nasto. Unë protestova dhe dorëzova çelësat e zyrës, në mënyrë demonstrative.

                     Në 15 ditshin e dytë të dhjetorit të vitit 1996, më propozohet detyra e nëndrejtorit të Minierës së Selenicës, që sa ishte blerë në masën 70% nga Kompania VEFA. I detyruar nga lidhjet e imponuara  për aksionet prej  5.1%, si pjesëtar në Hotelin Turistik në ndërtim, që fillimisht e bleu Vehbiu dhe për mos sakrifikimin e depozitave, për këtë dhe të tjerat, që kisha si kreditor i Kompanisë VEFA, u detyrova ta pranoja këtë vend pune.

                      Në Minierën e Bitumit në Selenicë më pritën mirë. E nisa punën me hartimin e Rregullores se Brendshme dhe caktimin e detyrave të hollësishme për çdo vend pune të personelit administrative dhe inxhinjero-teknik, Planbiznesit, Preventivit të punimeve intisifikuese e prodhuese dhe Kostos se prodhimit, deri në kufijtë e caktimit të çmimeve për bitumin e pastruar dhe zhavorrin bituminoz.   
                     Nga llogaritjet, në bashkëpunim me specialistët, rezultoi se në Minierë punohet me humbje të konsiderueshme, jo vetëm se nuk ka treg shitje për bitumin natyror, por edhe shpenzimet janë aktualisht dhe do të jenë të mëdha edhe për të ardhmen. Kostua për prodhimin dhe shitjen e një toni bitum natyror rezulton 170 $, ndërsa e qymyrit bituminoz (zhavorrit) 37 $, ndërsa aktualisht çmimet e shitjes ishin 120 $ për bitumin dhe 20 $ për qymyrin. Miniera ha dhe do te hajë çdo muaj 100.000 $ shpenzime, dhe gjysma e tyre do të jenë humbje, edhe po të supozojmë se i gjithë prodhimi do shitej. Kjo, gjithashtu është e pamundur se, për këtë lloj bitumi, nuk ka treg shitje as për vendin dhe aq me pak për eksport dhe qindra ton mbushnin sheshet në Minierë dhe në piacalat e hekurudhave.
                   Lind pyetja: Pse u morr dhe pse vazhdon puna në këtë Minierë, që nuk i duhet dhe nuk do t’i duhet kujt?
                 Personeli drejtues e inxhiniero teknik i Minierës së Bitumit Selenicë formohej nga punonjës me përvojë e të përkushtuar, por pa ngarkesën e duhur. Më shumë janë të ngarkuar me punë Nazmi Osmani, kryeinxhinier i Minierës, Maliqi, Kryetari i Degës Teknike dhe Vangjel Bombaj, që merret me furnizim-shpërndarjen dhe kontrollin e cilësisë. Të tjerët janë të pa ngarkuar me punë dhe, disa prej tyre, të tepërt.
                L K, Drejtori i Minierës, fillimisht, më priti duke shfaqur gëzim, deri entuziazëm, duke më vlerësuar me superlativa, po shpejtë, morri qëndrim të kundërt. As sot nuk e shpjegoj dot këtë ndryshim mendimi e qëndrimi. Mos ai u bë xheloz dhe pati frikë, mos e s’postoja? Mos u tremb se do vërtetoja ato që thoshin për të se ish pasuruar nga që shpërdoronte që prej disa muajsh? Apo mos mendoi se do ndikoja në mbylljen e aktivitetit të Minierës, që u zbulua se shkaktonte shumë humbje dhe ishte pa perspektivë? Pavarësisht nga këto, unë,  me pastërti e pa tendencë keqdashëse, isha mësuar të ndeshesha edhe me njerëz të kësaj kategorie. Të tillë po bëheshin shumë në këto vite të trazuar ndryshimesh. Këtë qëndrim indiferent e përbuzës nuk e vija re edhe sepse të gjithë punonjësit atë e gjykonin për njeri me rezerva, ndërsa te unë shprehnin çiltërsi, respekt dhe dashuri. Të tillë ishin jo vetëm drejtuesit kryesor teknik, por edhe gjithë të tjerët, pa përjashtim, kolegët e mi të dashur e të pa harruar Miti, Osmani, Izeti, Gezimi, Josifi, Kapua e deri te minatorët, kur me shihnin të ulesha në Pusin Qëndror e të hyja në galeritë, apo punëtorët e ndërtimit e të mirëmbajtjes dhe ata të Furrave të Shkrirjes së Bitumit, kur punoja bashkë me ta dhe si ata.
           Në ditët e fundit, me shumë interes, thuajse gjithë ditën, merresha me rindërtimin e mjediseve të shkatërruara barbarisht, si pasojë e reprezaljeve të tranzicionit, pas thirrjeve për ta nisur nga kuota zero. Kështu rindërtuam godinën e bërë rrafsh me tokën të Pusit Qëndror, si dhe atë të Sektorit “Seit Abedini”, si të  vetmet pika që u rihapën për punë normale, si dhe të Sektorit të Kazanëve të shkrirjes së bitumit natyror..
           Në ditët e para të vitit të ri 1997, për familjet e punëtorëve të Minierës, u organizuan furnizime të bollshme, nga Depot e Filialit të Vlorës, të ushqimeve dhe pulave, me çmime të ulura, sipas porosisë dhe miratimit të Bosit.
          Në ditët e para të muajit mars 1997, në kulmin e ngatërresave dhe terrorit spontan të rrugës, duke kapërcyer vështirësitë dhe rreziqet e shumta të lëvizjes me plotë të papritura, unë shkova nga Selenica në Tiranë dhe morra takim me Vehbiun. I sugjerova atij të vendoste përparësi në likuidimin e kreditorëve seleniciotë dhe të dërgonte me helikopter pagat e prapambetura të minatorëve.  Për këtë ai ra dakord, bile u prononcua dhe në televizor. U ktheva në Minierë dhe vendosëm sistemin mbrojtës të armatosur të saj. Më tej puna u vështirësua, ndërsa familja ime ishte shpërngulur në Tirane, te shtëpia e djalit, që me 7 mars 1997 emigroi për Amerikë.
            U largova nga Miniera dhe Kompania më 16 prill të vitit 1997 dhe me 1 maj vendosem, pranë familjes, në Tiranë.
           Ngelem gjithnjë i mendimit se rruga e zgjedhur nga pushtetarët e çdo lloji ngjyre, për likuidimin e kësaj Kompanie Gjigande ishte e gabuar. Ajo duhet të ndihmohej, për t’u kthyer në një Bankë, me interesa optimale depozitimi dhe në një shoqëri aksionare vullnetare, ndërsa kreditorët që do të kundërshtonin, të shlyheshin, për kapitalin fillestar, gradualisht. Të gjitha aktivitetet prodhuese të Vlorës, siç thamë më lart, përjashtuar Minierën e Bitumit Selenicë, qysh në kohën tonë arritën të sigurojnë fitime minimale, burim për shlyerjen graduale të kreditoreve, ndërsa gjendja financiare e Kompanisë ishte realisht e shëndoshë. Në fund të fundit mund te shpallej falimentimi dhe likuidimi gradual, sipas ligjeve ne fuqi dhe përvojës botërore. Me sa duket për shkatërrimin e saj, në format e vërtetuara, u pleksen interesat e personave të veçantë, të cilët edhe përfituan  ekonomikisht, e më shumë politikisht.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora