Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bujar Zajmi, piktori i heshtjes…

| E hene, 27.08.2007, 02:27 PM |


Piktura nuk njeh garë, është poshtërim

Bujar Zajmi
Në një studio të vogël, të pastër e plot dritë, të mbushur me intimitetet e artistit dhe familjes së tij ndër vite, me libra shumëgjuhësh, dosje me vizatime, grafika, akuarele, temper, monotipe, pastel, kolazhe e piktura në vaj e akrilik, që i jepnin jetë e harmoni këtij mjedisi të këndshëm, na mirëpret me bujari në “folezën” e tij piktori Bujar Zajmi. Megjithëse shumë nga kolegët e tij nuk e dinin se ai ishte punëtor kaq i madh, pasi krijimtarinë e tij e ka ruajtur me shumë kujdes.

Shumë kolegë të tij ngelen të shtangur dhe të befasuar kur Zajmi shpalosi thesarin e tij në janar përmes ekspozitës  “Meditim” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Bujar Zajmi ekspozon për herë të parë krijimtarinë e tij retrospektivë, që fillon nga mesi i viteve ‘50 dhe vazhdon deri në vitin 2007. E gjithë krijimtaria e tij artistike është e mbështetur në subjektet e jetës së përditshme shqiptare, përfshi dhe atë kosovare e pasqyruar me mjaft shije dhe nën tisin abstrakto-gjeometrik. Thelbësorja në veprën e tij është pasqyrimi i njeriut në situata të ndryshme jetësore dhe konkrete. Pas ekspozitës së parë, piktori në korrik çeli dhe ekspozitën me 60 punime, homazh në nderim të piktorit të njohur korçar Guri Madhi, për të cilin tha se “është gjeniu që nxori në dritë pikturën shqiptare”. Dëshira për të ekspozuar në qytete të tjera lexohet në sytë plot jetë të piktorit, ndaj së shpejti pritet që piktura e tij të marrë shtegtimin në qytete të tjera të Shqipërisë si dhe në Kosovë…

Artin tuaj kritikët e kanë vlerësuar në tre dimensione në raport me kohën, situatën dhe drejtimin artistik. Ju si mendoni?
Nuk kam asnjë kundërshtim me këtë vlerësim, por është e pamundur që një njeri i dytë të kuptojë plotësisht artin tim. Është totalisht e pamundur ashtu siç nuk e kupton artisti veten nuk mund ta kuptoj një i dytë kurrsesi. Syri i dytë mund të shikojë edhe defektet, por në art mendimi është relativ si p.sh Adriatik Kallulli pëlqente një punë që unë nuk e vlerësoja aq shumë. Ai e shpjegonte në mënyrë shumë të saktë dhe unë e dëgjoja me vëmendje perceptimin e tij dhe sigurisht që nuk e kundërshtoja. Piktura ka një gjë po hape gojën mbaroi, ajo duhet të flas vetë .

Kjo është dhe një ndër arsyet që piktorët nuk flasin shumë për pikturën  e tyre?
Piktorët mund të flasin për çdo gjë, por jo për pikturën e vet. Ne vdesim dhe piktura mbetet dhe si do i bëhet kur të vdesim ne, kush duhet të flasë? Unë them se piktorët bëjnë gabim që fillojnë, flasin dhe e komentojnë pikturën e vet. Mua më bëjnë shumë përshtypje, mendimet nga njerëz të zakonshëm që nuk janë profesionistë, dhe kur shikojnë punët e mia dhe thonë “shejtanit ku i ka shkuar mendja”. Për mua është një vlerësim shumë i madh. Pasi ai thotë thelbin e asaj që unë kam dashur të realizoj në të vërtetë.

Ju kënaq më shumë një vlerësim spontan apo një vlerësim profesional?
Më pëlqejnë shumë vlerësimet spontane, sepse edhe vetë jam i tillë.

Frymëzimi për veprat tuaj nga ju ka lindur?
Më ka ndodhur që edhe në një fazë mërzie shumë të madhe të bëja gjëra shumë të gëzueshme ose e kundërta. Inspirimi lind në mënyrë të vetvetishme. P.sh në kohën e regjimit komunist që nuk kishte shumë frymë të lirë, kam bërë gjëra shumë të bukura. Inspirimi është i çuditshëm… mund të ulesh të punosh dhe nuk e bën dot një punë, shkon deri te dera dhe mund të kujtohet diçka dhe e realizon. E rëndësishme është që njeriu duhet t’i thotë vetes: Unë jam ai që nuk e bëra pak më parë, ja unë jam ai që e bëj tani. Piktori në momentin kur fillon një punë është jashtë kohe, jo më frymëzimi që është jashtë vetes totalisht. Njeriu është në një stad tërësisht tjetër të pa shpjegueshëm që vërtetohet vetëm me vepra. Frymëzimi është edhe një asimilim ndër vite, mund të jenë gjëra edhe nga fëmijëria që vijnë vetë në mendime në mënyrë të natyrshme, pa i kërkuar. Nëse puna nuk rrjedh natyrshëm është e kotë, nuk realizohet një vepër me dhunë. Meditimi i përjetshëm nuk realizohet kurrë duke imituar dhe në mënyrë të sforcuar, por nëpërmjet natyrshmërisë së meditimit.

Pse keni heq dorë nga natyra?
Kam shumë vite që nuk punoj me natyrën, nuk kam heqë dorë… jeta është e tillë…duhet të mësosh madje mirë, pasi të arsyetosh atëherë mund të interpretosh. Kurse disa thonë: se vazhdojnë të mësojnë, le të vazhdojnë, por jeta mbaron dhe mbetesh një nxënës i mirë e kaq. Duhen bërë mirë llogarit me veten sa më duhet të mësoj, sa duhet të arrij të jem vetvetja në krijimtari dhe të lë gjurmë pas.

Çfarë ju bën që të jeni edhe sot kaq kreativ?
Unë kam punuar shumë, lexoj shumë, dëgjoj muzikë shumë, kështu kam qenë gjithmonë. Unë nuk jam dakord që profesionistët e artit të merren me politikë, sepse atë duhet ta bëjnë të tjerët, pasi pozicioni i barrikadës është piktura. Dhe më duket humbje kohe. Më mirë rri brenda vetës si një zog, i cili e do folenë e tij sesa jashtë vetës. Duke qëndruar vetëm je më i pasur, por asnjëherë një artist nuk është vetëm. Unë jam i mendimit që tani duhet të punoj.

Ju jeni të mendimit se tani bëni punë më të mira?
Po natyrisht, se tani në pleqëri njeriu di më shumë. Tani nuk do që të harxhosh fuqi fizike, por do një qartësi mendore. Njeriu duhet të shfrytëzojë sa të jetë i saktë të gjitha gjërat.

Si u ndjetë kur ekspozuat koleksionin e punëve tuaj ndër vite dhe pse kaq vonë?
Nuk është se nuk kisha dëshirë të ekspozoja, por nuk duheshin ekspozuar isha i qartë se çfarë kërkonte ai sistem. Në të vërtetë punët e mia nuk kanë probleme politike. Sepse për mua tema e përjetshme është njeriu i përjetshëm që ka qenë është dhe duhet të jetë. Piktura ime nuk i kundërvihej atij sistemi, por ashtu siç e trajtoja unë isha i vetëdijshëm që nuk bënte që të ekspozohej. Dëshirë kisha edhe unë që t’i ekspozoja dhe kisha kënaqësi që të merrja mendime dhe sugjerime nga njerëz të ndryshëm. Por e dija që do vinte një person tek unë dhe do thoshte që isha te filani dhe pashë ca punë të mira… Nuk është se e quaj rekord që nuk i kam treguar njeriut, nuk bëhet fjalë për njerëzit e afërt, si p.sh për time bijë Anilën. Nuk e kisha menduar se do t’i ekspozoj, sado që ka ardhur një kohë tjetër që thonë që janë bërë ndryshime për mua nuk është bërë ndonjë ndryshim i madh. Moshatarët e mi kur panë pikturat e mia u befasuan, mendonin se unë nuk jam punëtor, me të drejtë, unë nuk tregoja, u befasuan edhe nga mënyra e veçantë, sepse pikërisht për këtë të veçantë nuk ekspozohesha. Jo se jam abstrakt dhe ekstrem siç mund të thotë ndonjëri. Unë kam ruajtur gjatë gjithë jetës time një linjë. Është kënaqësi e veçantë kur merr një fjalë të mirë nga artistët e vërtetë, që sigurisht edhe mua më pëlqen, si gjithë njerëzve. Unë e kisha privuar veten shumë nga ambienti përreth, isha në mikrobotën time.

Ka xhelozi në rrethin e artistëve?
Këtë do ta quaj fatkeqësi të artistit. Unë personalisht nuk kam fare xhelozi. Them se njeriu që nuk ka xhelozi është i fituar. Duhet të nisesh nga vetja dhe te arti yt, çfarë të duhet puna e tjetrit. Këta nuk e kuptojnë se kjo i bren pak nga pak nga brenda.

Po për konkurset që zhvillohen, çfarë mendimi keni?
Më duket poshtërim të bësh garë, sepse secili ka linjën e vetë. Garën duhet ta bësh vetëm me veten, t’ia kalosh vetës çdo ditë. Konkurset janë me të vërtetë poshtërim që ky është i pari, i dyti… njeriu është kaq i veçantë sa nuk gjen dy njerëz me fytyrë të njëjtë. Unë arrij deri atje sa i shikoj edhe ecjen e njerëzve, më duket një element i veçantë, asnjëri nuk e ka të njëjtë me dikë tjetër. Je një njeri ndryshe dhe ke një botë të veçantë tërësisht ndryshe, atëherë çfarë lidhje ke të bësh konkurse?!.

Nga piktorët e huaj kë veçoni?
Atë që mund të bëj një njeri e ka bërë Pikaso.

Ndodh që t’i riktheheni një pune nga e para ose për të shtuar ose hequr ndonjë element?
Nuk duhet kurrë të bëj një gjë që e kam bërë. A e kam bërë, pse duhet ta bëj përsëri?! Ndonjëherë, kur më qëllon që një person vjen të blejë një punë timen... Ja një rast konkret, në një pikturë timen, ishte një nudo ku përsipër kishte një mace, mua më pëlqente shumë ashtu… ai thoshte hiqe këtë mace, po të hiqej ajo macja, nuk vlente… nuk është mirë. Unë ia plotësova dëshirën, por e realizova me zor të madh. Ai kur e pa tha “e tani është bukur”, por ajo nuk ishte më mirë. Ai nuk e kuptonte që kur piktura është aq e rregullt dhe e përsosur ka brenda edhe minuse. Nuk përsëritet.

Si ndiheni kur jeni i detyruar të shisni një punë tuajën?
Më vjen keq. Je i detyruar edhe t’i shesësh. Një franceze që kishte blerë shumë punë të miat… më ftoi në shtëpi dhe i kishte rregulluar në korniza pikturat e mia. Kur hyra në shtëpinë e saj isha i hutuar fare. Ajo më tha “s’ke çfarë t’i bësh, piktura është si vajza, martohet dhe duhet të shkojë në shtëpinë e burrit”. Më pëlqen që punët që ia kam dhënë një personi që është në Shqipëri të iki t’i shikoj, ndjej kënaqësi, më merr malli. Por shumë punë më kanë marrë rrugën e largët dhe nuk i shikoj, është fatkeqësi.

Ke ndonjë punë në koleksionin  tuaj që nuk e shisni për asgjë?
Po patjetër, sidomos punët e viteve të para, nuk është vetëm element nostalgjik, por është një element që të lë të shikosh evoluimin profesional. Është pak e vështirë t’i ruash…deri tani i kam ruajtur…eh, por më kanë marrë edhe punë të mira.

Në pikturën tuaj është në qendër njeriu. Pse pikërisht kjo zgjedhje?
Është gjëja më normale, sepse jemi vetë njerëz. Vepra po nuk iu drejtua njeriut, nuk ka kuptim. Formalizmi, kritikohet me të drejtë, pasi nuk i drejtohet njeriut. Nuk është puna se si e pasqyron, pasi mund ta punosh në mënyra të ndryshme si natyralist, realist, dhe ekspresionist fare futurist. Piktura duhet të jetë e tillë që të flasë figurativisht. Kjo nuk është e thjeshtë, pasi njerëzit kujtojnë se mjafton një imitim i saktë i natyrës (madje edhe piktorë me shumë përvojë, mjeshtër), por fatkeqësisht nuk janë artistë ata që kopjojnë në mënyrë imitative realitetin. Në fakt piktura, arti nuk ka të bëjë me atë. Në pikturë krijuesi duhet ta kuptojë se t’i nuk po sjell natyrën. Lulet janë të bukura?! Janë shumë të bukura, pse duhet t’i bësh ti, i ka bërë tjetër kush. Atëherë çfarë po bën?! Njeriu është më i rëndësishmi, i drejtohemi njeriut me një gjuhë krejt tjetër, me një gjuhë figurative. Njeriu duhet të jetë i gjithmonshëm në vepër edhe pse ai nuk ekziston aty, ai duhet të jetë i qenësishëm. Në art nuk ka rregulla, por njeriu në veprën time është shqiptar, sepse jam shqiptar.

Spekter