Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkrimi i 15 vjeçarit për Autostradën Durrës-Prishtinë që fitoi audiencën ndërkombëtare

| E premte, 26.06.2009, 07:50 PM |


Në shtator të vitit 2008 iu dha klasës së 9-të tema “Autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë”, për t’u trajtuar në klasë në një kohë te caktuar.

Shkrimet u vlerësuan kolektivisht, duke u lexuar në klasë dhe duke dhënë opinionet e tyre edhe disa nga mësuesit e shkollës.

Ky shkrim u vlerësua më i miri, në shqyrtimin që paraqitën.

U çmua, sidomos, për argumenimet dhe arsyetimet e mbështetura në shifra konkrete.

Drejtoria e shkollës (drejtoresha është spanjolle), e kërkoi këtë temë edhe në spanjisht.

Meqë drejtoresha lëviz në shtete të ndryshme, e mori këtë shkrim për ta paraqitur edhe në shkolla të tjera jashtë vendit tonë,sepse vlerësoi seriozitetin e këtij shkrimi, për të paraqitur realisht përparimet e mëdha,në njërën nga arritjet më të rëndësishme.

Meqënëse ky shkrim ishte nje sukses letraro-historik për një nxënës te moshës 16-vjeçare, do të japim disa të dhëna për nxënësin Amarildo Kodraçaj.

Ka lindur më 14 maj 1993 në qytetin e Shkodrës. Që pas vitit 2001 ai jeton në Tiranë bashkë me familjen e tij. Në këtë vit shkollor mbaroi arsimin 9-vjeçar në shkollën jopublike “Ylber” ku mori bazat e formimit të vet. Pasionin e tij për të shkruar e ka treguar mjaft mirë në shumë shkrime të tij, të cilat lidhen me ngjarje të ndyshme historike, politike dhe kulturore, po ashtu edhe në poezitë e tij për të cilat është nderuar me disa çmime. I dhënë edhe pas politikës, ai është anëtar i forumit rinor të Partisë Demokratike në grupseksionin numër 9, në Tiranë. Si ndjekës i politikës ai shprehet: “Duke qenë anëtar i FRPD-së, kam kuptuar se politika ka shumë nevojë për ne të rinjtë, që janë e ardhmja e cila i jep hov dhe gjallëri cdo ndryshimi. Shoqëria jonë e filloi këtë ndryshim 18 vjet më parë, e shtypur dhe e dhunuar,e diskriminuar dhe e përbuzur nga klasa politike diktatoriale. Ishin të rinjtë,të cilët të mbështetur nga demokratë si dr Berisha dhe Azem Hajdari nën thirrjen “liri demokraci” bënë të mundur këtë realitet.Sot vendi ynë përjeton një gjendje emocionuese drejt një të ardhmeje të sigurt. Ishin të tjerët, të cilët investuan për ta jetësuar këtë ëndërr dhe ne jemi të frymëzuar për të vazhduar rrugën e tyre.                                         

K.X

Nga Amarildo Kodraçaj, nxënës i kl IX

Shqipëria - një nga vendet me pozitën gjeografike më të mirë në rajon, me një klimë të favorshme dhe një reliev të mrekullueshëm, i cili lejon rritjen e bimëve të ndryshme frutore, pemëve dhe produkteve bujqësore e blektorale.

Me dalje të gjërë në detet Adratik e Jon dhe me një turizem ranor dhe shkëmbor, ku në shumë prej plazheve tona njeriu s’ka vënë dorë ende. Gjithashtu, me një turizëm malor mahnitës i cili na përcjell nga malësitë e Dukagjinit, në veri, me një nga perlat e turizmit malor shqiptar që është Thethi e deri në Butrint, aty ku ajri i pastër zgjon aromën e ëmbël të trëndafilave e luleve shumëngjyreshe dhe njeriu sodit këndshëm mrekullitë e nënës natyrë.

Po çfarë nuk e lejon këte vend me bukuri përrallore, me një histori që daton mijëra vjet më parë, e me gjithë këto pasuri minerare e hidrike, të jetë një nga  më të vizituarit në rajon, por të ketë probleme të cilat vendet europiane i kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë më parë?

Zhvillimi i rajonit perëndimor dhe përqëndrimi i popullsisë aty, ka bërë që pjesa tjetër e vendit, në veçanti rajoni verilindor dhe veriperendimor të mbetet i prapambetur. Le te kemi parasysh që shumica e qyteteve verilindore ka një rëndësi të madhe në zhvillimin politiko-ekonomik të vendit për nga relievi, pozicioni gjeografik dhe pasuritë e shumta minerare që këto qytete zotërojnë. Qytete te tilla janë Shkodra, Kukësi, Tropoja, Peshkopia, Puka etj.

Por cila do të ishte zgjidhja e këtij problemi madhor dhe cili do të ishte hapi tjeter që do të ndërmerrte shteti shqiptar në të mirë të një vendi proeuropian, të një vendi me frymëzim për aderim në NATO, të një vendi në përpjekje të daljes nga rruga e zymte e krimit, trafikut dhe korrupsionit?

Në mesin e vitit 2006, pas ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë, qeveria shqiptare, me në krye kryeministrin Berisha, mori përsipër realizimin e asaj që u quajt “një nga veprat më të mëdha infrastrukturore”, autostradën miliona dollarëshe, e cila do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Rruga ekzistuese, që lidh këto dy vende, është rreth 200 km e gjatë dhe përshkohet afërsisht për 6-7 orë. Kjo rrugë gjarpëron malet e Pukes,të Fushë-Arrëzit e të Kukësit dhe e kufizonte shpejtësinë mesatare në 40 km/h. Me një zvarritje korsish të ngushta rruga pengonte kamionët dhe maunet e mëdha gjatë udhëtimit,duke i bërë ata të ecin ngadalë dhe të  bllokojnë rrugën. Një sërë incidentesh dhe grabitjesh kishin ndodhur ne disa pjesë të kësaj rruge (Qafë Mali) ku drejtuesit e automjeteve ishin të detyruar të ecnin me një shpejtësi shumë të ulët dhe nga kjo përfitonin banditët te cilët grabisnin qytetarët e pafajshëm.

Por tashmë asgjë dhe askush nuk mund t´i ndalë shtetasit shqiptarë dhe ata kosovarë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në ekonomi, turizëm, sport e kulturë. Sepse autostrada e re do të jetë disa  km më e shkurtër se ekzistuesja dhe koha e udhëtimit do të thjeshtohet me 2 orë nga 6 orët e mëparshme. Shpejtësia mesatare do të jetë 80-100 km/h.

Kjo do te jetë rruga më e shkurtër midis portit të Adratikut në Durrës, pranë kryeqytetit dhe Morinës në kufi me Kosovën. Autostrada është tepër e rëndësishme për vendin tonë për kah aspektit ekonomik. Me mijëra kosovarë vijnë çdo vit dhe kalojnë pushimet  në bregdetin shqiptar; por shumë të tjerë, për shkak të rrjetit të dobët infrastrukturor, frekuentojnë vënde të tjera europiane. Me mbarimin e autostradës, numri i turistëve kosovarë do të dy-trefishohet. Një tjetër rëndësi ekonomike për Shqipërinë është se kjo rrugë do të kalojë në disa fshatra dhe qytete veriperëndimore dhe do t’u japë këtyre përfitime të mëdha ekonomike me anë të bizneseve qe do t’i hapen, vlerësimit të tokës,eksportimin më të shpejtë të mallrave drejt Kosovës, zhvillimit infrastrukturor etj. Rruga kalon në Fushëkruje, Milot, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash, Kukës e deri në Morinë. Kjo rrugë ka pasur vëmëndjen e shumë prej firmave botërore të ndërtimit, disa prej të cilave kanë marrë përsipër edhe realizimin e këtij projekti si Bechtel-Enka nje bashkëpunim amerikano-turk. Projekti përfshin 111 km autostradë 4 kalimshe, me 2 korsi në çdo drejtim plus shpatulla të fuqishme. Do të hapen afërsisht 6 km tunel. Në afro 4,5 km rrugë do të jenë mbi 27 ura dhe struktura deri ne 80 m lartësi, të ndërtuar nga trarë të betonuar deri në 38 m të lartë.

Pra, do të jetë një realizim madhështor, i cili kërkon përkushtim, punë dhe kohë.E gjithë autostrada Durrës –Kukës- Morinë, që lidh Shqipërinë e Mesme me Veriun e më pas me Kosovën, parashikohet të përfundojë pëefundimisht në vitin 2010.Po çfarë do të përfitoje Shqipëria nga kjo rrugë? Duke marrë parasysh realizimin me sukses të këtij projekti, autostrada është një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Kjo do të ketë vlera të shumëfishta për ne. Me vlera të shumëfishta nënkuptojmë vlera financiare, një përfitim prej 60 milion euro ne vit, por edhe nje dozë të konsiderueshme vlerash patriotike. Kjo rrugë do të lidhë bashkë të gjithë shqiptarët, duke i bërë ata një trung të vetëm. Dhe, gjëja më e rëndësishme, është se misioni i kësaj rruge mbetet i shenjtë, sepse me anë të saj ne do ta shohim më shpesh njëri-tjetrin. Ajo çka na mbetet të bëjmë është të presim që projekti të realizohet me sukses dhe sa më shpejt, që Shqipria të mos jetë vetëm Tirana dhe Durrësi, por të përfshijë gjithë territorin e saj, brënda dhe jashtë kufijve, anembane ku ka shqiptarë…
Gazeta 55