E hene, 19.04.2021, 11:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Michael Jackson, mbreti që do të jetojë përgjithmonë

E premte, 26.06.2009, 08:04 PM


E përgatiti: Diella Xhokli - Bota Sot

Në moshën 50-vjeçare vdiq mbreti i pop muzikës

Mbreti i Pop muzikës, Michael Jackson, u shtrua dje në spital, pas një ataku kardiak, i cili ishte fatal për jetën e tij, pasi që mjekët nuk mund të bënin asgjë për të. Ataku e kishte goditur atë në vilën e tij luksoze në Los Anxheles. Lajmin e ka dhënë fillimisht uebsajti amerikan "TMZ", dhe më pas është shpërndarë në gjithë mediat e globit.

Michael ishte 50 vjeç. Sipas hollësive të para, një ambulancë është thirrur në shtëpinë e tij dhe personeli i ka kryer një masazh kardiak, para se të vendoset për ta transportuar me urgjencë në spital, ku mbreti ka mbërritur i vdekur.

Ambulanca është telefonuar pak para orës 12.00 me orën e Los Anxhelesit, nga banesa e tij në Holmby Hills.

Nëna dhe disa të afërm të Michaelit kanë ndjekur ambulancën deri në spital, por aty nuk ka qenë e mundur asnjë ndërhyrje shtesë, sepse zemra e këngëtarit nuk rrihte më. Lajmi i vdekjes nuk u transmetua fillimisht nga mediat e mëdha. Vetëm në orët pasmesnate, lajmi u shpërnda zyrtarisht.

Që nga viti 2005, kur ai u akuzua për abuzim të fëmijëve dhe komplot për dështimin e rrëmbimit të të akuzuarit të tij, ai nuk ishte shfaqur edhe aq shumë në TV, dhe fansat e tij pritnin me padurim që ai të rikthehej. Me gjithë lirimin e tij nga akuzat, ky gjykim i dha atij një goditje të fort, pas së cilës ai duhej që të punonte shumë që të rikuperohej dhe t’i kthehej vendit që e kishte. Katër vjet më pas, 50-vjeçari kishte ende adhurimin e tifozëve nga mbarë bota, për revolucionin që kishte bërë në muzikë, me vallëzimin e tij karakteristik i cili do të mbetet përgjithmonë i paharrueshëm.

Por ai vitet e fundit ishte në “hije”, duke u përqendruar më shumë në operacione kirurgjikale me qëllim të ndryshimit të pamjes së tij të jashtme, si dhe ballafaqimit me akuzat për keqtrajtim të fëmijëve.

Michael Jackson, 1984
Michael Jackson, 1984
Kush ishte Michael Jackson?


I lindur më 29 gusht, 1958, e ka nisur karrierën që në moshën fëmijërore, me grupin e familjes "Jackson Five", duke filluar kështu shtegtimin drejt majës në të cilën mbeti për vite të tëra. Më 1969, grupi kishte nënshkruar një kontratë me “Motown Records”, duke bërë kështu një nga aktet e fundit për t’u bërë legjendar. “The Jacksons” kishin edituar shtatë platinume për Motown, duke shitur rreth një milion, dhe tre multi-platinum albume, duke shitur më shumë se dy milionë të tillë. Pas kësaj ata u zhvendosen tek CBS Records më 1976. Megjithë suksesin e hershëm, Jackson i konsideronte këto vite jo shumë të kënaqshme dhe të vetmuara. Kjo ishte shkaku që ky grup familjarë u shkatërrua dhe Jackson e filloi karrierën si solo këngëtar. Më 1979, Quincy Jones ia kishte edituar Jacksonit solo albumin e parë epik, "Off Wall", një “disko” e madhe e cila ishte orientuar drejt suksesit duke arritur të shesë rreth 10 milionë kopje.

Albumi “Thriller”, albumi më i shitur i të gjitha kohërave

Në 1982 Jackson realizoi albumin “Thriller” (1982), ( i cili deri më tani është albumi më i shitur në historinë e muzikës) bashkëprodhim me Quincy Jones dhe fitues i 8 çmimeve "Grammy". Sipas "Guinness World Records", Michael ka shitur në atë kohë rreth 41 milionë kopje të këtij albumi. Sipas Robert Thompson, një ekspert i pop kulturës në Universitetin e Syracuse, New York, tha se pa marrë parasysh problemet e më vonshme, ato mbeten nën hije, nga suksesi që kishte arritur me albumin “Thriller”. "Ai kishte arritur deri në pikën që ai ishte aq i pasur, i fuqishëm dhe i famshëm, dhe atij i ishte “lejuar” që të bënte disa gjëra që për të tjerët ishin të ndaluara”, tha Thompson. Albumi "Thriller" u pasua nga "Bad" në vitin 1987 (me 20 milionë kopje të shitura) dhe ai “Dangerous” në vitin 1991 (me 21 milionë të shitur). Sipas "Guinness World Records", ai ka shitur më shumë se 750 milionë albume. Në fakt, kjo shifër e bën artistin solist më të suksesshëm në histori.

Jackson ne Shtepine e Bardhe me Presidentin Ronald Reagan dhe zonjen e pare Nancy Reagan, 1984
Jackson ne Shtepine e Bardhe me Presidentin Ronald Reagan dhe zonjen e pare Nancy Reagan, 1984
Viti 1993, fillimi i viteve të kobshme për Jacksonin


Një pop ikonë e kulturës me një pasuri të madhe Jackson në vitin 1991 nënshkroi një marrëveshje me “Sony Music” e cila konsiderohet një nga kontratat më fitimprurëse që kishte bërë ndonjëherë ndonjë artist.

Edhe pse pjesa që kishte përfituar Jackson nuk ishte bërë kurrë e ditur, Sony pati arritur të shesë dhe të fitojë mbi një miliard dollarë. Nga 1988-a deri në 2005-ën, Jackson jetoi në Neverland Ranch (shitur në 2008 për 35 milionë dollarë), në të cilën kishte ndërtuar një park zoologjik privat për fëmijë të varfër dhe jetimë. Nga viti 1993 Jackson kishte filluar të përjetojë disa goditje të njëpasnjëshme, ku në këtë vit ai u padit për ngacmime seksuale.. Në vitin 1994 Jackson ishte dashur që të paguajë shumën prej 23,3 milionë dollarë, një marrëveshje me familjen e tij, për të cilën Jackson gjithmonë i vinte keq që e bëri një gjë të tillë. Jeta e tij kishte filluar të komplikohej dhe meteori i famës së tij kishte filluar të venitej. Ai kishte filluar të bënte një transformim dramatik fizik. Për vite të tëra lëkura filloi të bëhej shumë më e lehtë së që e kishte pasur në fillim dhe kjo e tëra falë ndërhyrjeve të shumta kirurgjikale. Revista “Vanity Fair” në vitin 2003 raportoi se hunda e tij është zëvendësuar me një protezë.

Martesa e një “mbreti” me vajzën e një “mbreti” tjetër

Më 1994, bota u trondit sërish pasi që ai u martua me Lisa Marie Presley, 26-vjeçare, cila ishte e bija e legjendarit Elvis Presley, cili konsiderohet mbret në zhanrin e tij muzikor. Martesa tyre e zgjati më pak se dy vjet dhe ishte një çështje e nxehtë trajtimi për tablloide të ndryshme. Në qershor të 1995, ai editoi albumin e dyfishtë “HIStory, Past, Present and Future – Book I”, i cili nuk kishte arritur shitjen e parashikuar duke arritur një shitje shumë më të dobët-pavarësisht nga investimet 40 milionë dollarëshe nga “Sony Music”. Kurse albumi i ardhshëm i Jacksonit ”Invincible”, përjetoi dështim total.

Madonna & Michael, 1991
Madonna & Michael, 1991
Babai i tre fëmijëve


Jackson pastaj u martua me Debbie Rowe, një 37-vjeçare infermiere, ndërsa ai përsëri u “takua” me kirurgjinë plastike në 1997. Ata kishin dy fëmijë, Prince Michael dhe Paris Michael Katherine, para se të ndaheshin në vitin 1999. Jackson kishte kujdestarinë e këtyre dy fëmijëve dhe një të treti, Prince Michael II, i lindur nga një grua e panjohur, në nëntor 2002, akti i cili i solli atij kritika të shumta. Shtimi i vështirësive për të ishte edhe me stuhinë e padive që e kishin goditur atë nga ish-ndihmësit dhe motivuesit si edhe nga faturat e papaguara. Nëntorin e kaluar, Jackson dhe një princi i Bahrainit arritën një marrëveshje "miqësore" disa milionëshe për të shmangur gjykatën. Në fund të 2008-ës disa media publikuan konvertimin e Jacksonit në islamik, lajm që u përgënjeshtrua nga një avokat i tij në Londër. Kohën e fundit Jackson raportohet që kishte probleme të shumta financiare për shkak të aseteve dhe borxheve të shumta. Në më shumë se 40 vjet karrierë, Michael Jackson ka marrë dhjetëra çmime, deri edhe artisti pop mashkull më i mirë i mileniumit. Ka fituar plot 13 "Grammy Awards".

Vlerësime

Aktivisti amerikan për të drejtat e njeriut, Al Sharpton, mik i ngushtë i këngëtarit, tha se Michael Jackson ishte një figurë historike që kishte promovuar pranimin nga shoqëria të zezakëve. "Michael Jackson e bëri kulturë pranimin e një personi me ngjyrë shumë kohë përpara Tiger Woods, Oprah Winfrey, kohë përpara Barack Obamës," tha ai. "Michael bëri me muzikën atë që ata bënë më vonë në sport, politikë dhe botën e TV dhe asnjë kontraversialitet nuk ka për ta fshirë ndikimin e tij historik".

Por Yuri Geller, një mik i ngushtë i Jackson, tha se pavarësisht nga talenti dhe fama, ai kishte bërë një jetë të vetmuar. "Thellë në zemër, ai ishte konfuz dhe i vetmuar dhe arsyeja për këtë, besoj unë, është ngaqë askush nuk e kuptonte Michael Jacksonin. Dhe ai kaloi nëpër ferr. Gjithsesi, tani është në parajsë, padyshim që ndodhet në një vend më të mirë".



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora