Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Deklaratë nga Federata Panshqiptare “Vatra”

| E enjte, 25.06.2009, 05:19 PM |



DEKLARATË


Federata Panshqiptare “Vatra” po ndjek me shumë vëmendje përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, që do të jënë një ndër hapat më të rëndësishëm për ecurinë e zhvillimeve demokratike në Shqipëri.

U bëjmë thirrje vëllazërore gjithe shqiptarëve me të drejtë vote të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje dhe me dinjitet e ndjenjë të lartë qytetarie të mbështesin ecjen e sigurt të Shqipërisë drejt përparimit dhe integrimit të plotë të vendit.

Ky proces është i pari për Shqipërinë si një anëtare e NATO-s, dhe si i tillë duhet të pasqyrojë dhe të justifikojë besimin që Aleanca më e madhe e globit i dha Shqipërisë.

Në këto katër vitet e shkuara, Shqipëria ka njohur arritje historike – arritje që janë rezultat i qeverisjes me vizion kombëtar e përkushtim të Kryeministrit Berisha.

Anëtarësimi në NATO dhe rritmet e shpejta drejt anëtarësimit në BE janë dëshmi e vlerësimit të reformave të guximshme të asaj qeverie. Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një situatë e shëndetshme dhe e qendrueshme ekonomike në një kohë krize ekonomike botërore, rritje e mirëqënies, vepra të rëndësisë kombëtare si rruga Durres - Prishtinë janë fakte të pamohueshme të vërtetuara nga shumë miq të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë të vlerësuara e të mbështetura nga SHBA. Këto fakte përbëjnë aresye bindëse që ne sot t’i kërkojmë çdo qytetari shqiptar që në datën 28 qershor, me votën e tij të garantojë vazhdimësinë e vendit dhe të kombit shqiptar në këtë rrugë të sigurt suksesi.

Vota për PD në këto zgjedhje është votë për kombin dhe ecjen e tij në rrugën e zhvillimit e modernizimit. Vota për PD sot është votë për realizimin e aspiratave kombëtare.

Ftojmë çdo qytetar të Shqipërisë që 28 qershorin ta kthejë në një plebishit demokratik për t’i siguruar atdheut tone të dashur zhvillim dhë për katër vitet e ardhshëm. Në veçanti u bëjmë thirrje mbështetësve të opozitës të gjejnë dinjitetin e kurajon ta hedhin votën atje ku e dikton interesi kombëtar, pa rënë pre e dëshirave për përfitime personale – “Vatra” kërkon nga tëgjithe votuesit të respektojnë me fanatizëm standartet demokratike të zgjedhjeve dhe me votën e tyre të lartësojnë nderin e Shqipërisë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!
New York, 24 qershor 2009