Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Neda, Ahmadinejad dhe Fotografia

| E merkure, 24.06.2009, 05:51 PM |


Neda, Ahmadinejad dhe Fotografia

Nga Lavdrim Lita

Provojeni të shkruani një shkrim me pesë mijë fjalë mbi atë që po ndodh nga disa ditë në republikën islamike të Iranit. Ku çdo ditë ka protesta të shumta në mbrojtje të votës, në mbrojtje të atij mekanizmi përfaqësues të demokracisë. Dhe pasi ta shkruani krahasojeni me foto-gramat e asaj sekuence videoje të vrasjes së një 16-vjeçare me emrin Neda Soltani, që gjysma e botës po shikon në sitin: “youtube”.

Edhe në shqip erdhi lajmi “se para se të konfirmohet identiteti i saj, Neda ishte bërë simbol i luftë kundër regjimit iranian. Videot e përgjakshme ku paraqiten sekondat e fundit të jetës së saj u panë nga dita e shtunë e të cilat ishin vendosur në Ueb, por shumë shpejt kjo ngjarje u përhap nëpër lajme në faqet e internetit dhe rrjeteve tjera të medieve”.

 Midis atyre pesë mijë fjalëve dhe asaj fotoje nuk ka garë. Ajo, një pesëmbëdhjetë vjeçare Iraniane, Neda , simbol tashmë i protestës dhe njëkohësisht i dhunës së pasradanëve islamikë mori një plumb në zemër dhe ra siç bie një trup që shpirti po i ikën. U munduan t’i jepnin ndihmën e shpejtë, ndoshta midis tyre edhe babai i saj, që po protestonte kundër rezultateve zgjedhore Iraniane. Thonë se e kanë qëlluar snajperistat që qëndrojnë në tarracat e shtëpive e që vrasin me urdhër ose për përkrahje të presidentit ultra-islamik Ahmadinejad.

Mirëpo emri i saj Neda, do të thotë "Zë" ose "thirrje" në persisht. Është bërë kushtrimi i vetëm u quhet tashmë edhe si "Zëri i Iranit" dhe si "një simbol i protestuesve pro-demokratë në luftë me regjimin islamik". Ajo duket përtokë ashtu e veshur me një palë bluxhins e me një fjongo jeshilen në krye si simbol i protestës mbarë popullore. Një simbol lirie kundër diktatorit taleban.

1. Minuta të tmerrshme - Ku ajo burrneshë parakohshme ka akoma shpirt për një vështrim të fundit ndaj atij që po e fotografon grahmat e vdekjes. Nuk pati kohë për fejesë sepse  tani është martuar me lirinë. “Neda, po ndodh që jeta jote po ikën në shesh pushimin e martirëve, po ikën sepse ti pate guximin ti thoshe jo atyre që bërtasin me plumb fitoren politike të vendit tënd”-fjalë babai. Pak çaste, pak mini-sekonda. Gjaku del nga goja dhe hunda. Dy minuta, me gjithë ndihmën e parë, jeta e saj 16 vjeçare u shua. Dy minuta dhe vdekja e saj mbaroi. Kush do të kishte kompetencat me fjalë të shkruara përkundër këtij imazhi, për kundër kësaj fotograhme? Boja e shkrimit përballë fuqisë së fotografisë është e dobët, edhe pse është më natyrale.

2. Reflektim mbi modernizimin e ngjarjes - Informacioni i ngjarjeve sot në Teheran na mundësohen nga fotot amatoriale, profesioniste, video të xhiruara në ecje e sipër, me nxitim e një atleti që shkon drejt finishit. Jemi në kohën, kur fotografët dhe kinooperatorët rrëfejnë historitë bashkohore, edhe historinë tonë, direkt në kohë reale. Duke menduar se 60-70-vjet më parë ishin gazetarët dhe shkrimtarët ata që dëftenin ngjarjet, edhe duke i shtrembëruar e krijuar simbas qejfit. Ernest Heminguey dhe Ryszard Kapuscinski për të thënë dy emra.

Tani në kohën që po shkruajmë fotografia, video-telefonat  e ndryshëm dhe interneti e kanë prurë sheshin e ngjarjeve mes nesh ashtu me lehtësinë e një blici apo më një klikim. Të gjitha materialet, informacioni për çdo ngjarje bashkohore katapultohen nga poli në pol me shpejtësinë e dritës. Janë për të gjithë. Materiale të çfarëdoshme që na serviren me breshërinë e një klikimi të thjeshtë. Është koha kur njerëzit sot duan të shikojnë përpara se të kuptojnë.

Të kuptohemi, të shikosh të ndihmon të kuptosh, për shembull, që një dënim me vdekje është një horror njerëzor. Duke parë kupton vuajtjet e viktimave të pafajshme, siç ishin për shembull imazhet e njerëzve që u hidhnin nga kullat binjake më 11-shtator të 2001-shit. Ose imazhi atij njeriu të vogël me qeshe në duar e që nuk i mësuam asnjëherë emrin duke ndaluar tanket në sheshin e Tianmenit në Pekin. Një imazh që vetëm hyn dhe bën një histori.
G. 55