E merkure, 24.04.2024, 07:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Në Pushtetin Lokal- Nga Ditari i Luan Çipit?

E merkure, 24.06.2009, 05:37 PM


NË KOMITETIN EKZEKUTIV TË RRETHIT

Nga Ditari i Luan Çipit

 Në datën 23 Shkurt 1983 më fton ne zyrën e tij, në Komitetin e Partisë së Rrethit Vlorë, Sekretari i Parë, Petro Dode. Ai më thotë se, sipas propozimit të Byrosë së KP. Rrethit, Këshilli Popullor i Rrethit, si organi më i lart legjislativ, të ka emëruar Përgjegjës të Seksionit të Planit, pranë Komitetit Ekzekutiv te KP. Rrethit. Siç e kupton është një detyrë mjaftë e rëndësishme dhe, gjithashtu, një vlerësim dhe një nder, për çdo ekonomist të Vlorës, se tani e tutje, do jesh kreu i tyre. Ne, nuk të pyetëm, siç është rregulli, për të marrë, paraprakisht mendimin, me bindje se do pranoje. Të gjithë, vazhdoi Sekretari, kanë shumë besim te ty, se, në përshtatje me kërkesat e kohës, do t’i japësh një shtytje të mëtejshme punës, për të nxjerrë ekonominë e rrethit tonë, bashkë me shokët, nga kjo gjendje, aktualisht, shumë e prapambetur.
               Pasi biseduam dhe ndërruam mendime për disa probleme ekonomike të rrethit, ai vazhdoi: Ti, Luan, tha, nuk je anëtar Partie. Nga kjo zyrë ku jemi, unë, siç e di, drejtoj Partinë, pra logjikisht kjo është selia kryesore e Partisë në rrethin tonë, por, pavarësisht nga kjo, unë po të them, që ti, në këtë zyrë, të hysh pa droje, sa herë që do kesh ndonjë problem të rëndësishëm ekonomik dhe që nuk ta kanë zgjidhur të tjerët, po mendon se duhet ta zgjidhim bashkë. Ti, mund t’i kesh duart e zëna me materialet shpjeguese e shoqëruese, atëherë këtë derë, shtyje me këmbë dhe hape. Unë do të të pres!
Ja, ky ishte Petro Dode, figura numër një në gjithë rrethin, me të cilin do kisha të beja, në ndonjë rast. Kështu të afronte e të bënte për vete ky babaxhan. E si mund të kurseheshe për punë të dobishme, duke punuar ditë e natë?
               Në mbas ditën e 23 shkurtit takohem edhe me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të KP. Rrethit, Luan Muhametin, me origjinë nga fshati Lapardha i Vlorës, një burë i shkathet, optimist dhe dashamirës me profesion agronom, me njohuri e përvojë profesionale e organizative në tërësi, po veçanërisht në bujqësi. Menjëherë, marrë pjesë në mbledhjen e Seksionit të Bujqësisë, që drejtohej nga miku i adhuruar, ish drejtori im në Fermën e Llakatundit, shkencëtari, siç e quaja unë, Ejup Mita.

               Me shokët e Seksionit të Planit njihesha, se kishim lidhje të hershme pune, i aktivizuar si anëtar i aktivit të këtij seksioni, si Arbitër për mosmarrëveshjet kontraktore midis ekonomive dhe në takime, aktive e konferenca të rrethit. Atje gjeta një nga shokët e mi më të vjetër e më të mirë, me të cilin kishim bashkëpunuar edhe si mësues në Teknikumin Ekonomik të Mbrëmjes dhe si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik të USh. Tiranë, Lili Dodi, që drejtonte Zyrën Statistikës, pjesë e Seksionit të Planit dhe që do të ishte direkt, ndihmësi dhe zëvendësi im i parë. Një tjetër figurë e pastër, aktive dhe me mjaft kulturë, ishte inxhinieri mekanik Shkëlqim Alimerko, që drejtonte Sektorin e Punëve Shkencore të Rrethit, sektor që ishte bujtës në Seksionin e Planit. Me Shkëlqimin ne njiheshim qysh në Kombinatin e Konservave dhe unë ndjenja një ngrohtësi dhe kurajë, kur e kisha pranë, ashtu të pa përtuar e të aftë në punë, të sinqertë, të dashur dhe optimist, siç ngeli ai, deri në fund. Një tjetër punonjëse ishte Elca Haxhiu, beratasja e zgjuar, që në Seksionin tonë mbulonte planifikimin e përgjithshëm dhe tregtinë. Llca e urtë erdhi aty nga Seksioni i Bujqësisë dhe ishte kompetente për detyrën e saj. Ajo kishte qenë në Komitetin Ekzekutiv të Beratit shefe e seksionit të planit. Po aty gjeta dhe Granit Tafilin, ekonomist me përvoje nga kooperativat e rrethit të Përmetit, NB “Vlora” dhe Seksioni i Bujqësisë.  Ai rridhte nga një familje malësore labe, me tradita, por asnjë herë nuk u lidh, siç desha unë me punën, çka ishte  pakënaqësia më e madhe për bashkëpunëtorin në fjalë. Ishte ky person që shpesh ma bëri të mërzitshme punën dhe deri jetën, aqsa ndjeva kënaqshin kur u shpreha dakord dhe e ndihmova, jashtë natyrës sime parimore, që ai të rritej në përgjegjësi, duke u larguar nga Seksioni, për t’u bërë Drejtor i Ndërmarrjes Tregtare Turistike. Ishin dhe dy  vajza të reja, që punonin, bashkë me Lili Dodin, në Statistikë, Liljana Sholla dhe Evgjeni Thomaj, ish nxënëse dhe studente të miat, njerëz shumë punëtorë, të dashur e të sjellshëm. Më vonë në seksion erdhën: Virona Laska,  i transferuar nga rrethet e veriut dhe që zëvendësoi Lili Dodin si Përgjegjës i Zyrës se Statistikës; Bastri Sofija, ish shoku im i Llakatundit, për të cilin ndërhyra vet të vinte, por pas 2 vjetësh e hoqën, për ta transferuar nëndrejtor në NB”Vlora”, dhe Kristaq Mina një ekonomist i ri, djalë i mikut tim tipograf Marko Mina, një ekonomist i vëmendshëm, shumë punëtor dhe me mjaft perspektivë. Vitet e fundit, Shkëlqimin, e zëvendësoi Flutra Hasko, kimiste në profesion, ish zëvendës ministre, por që rezultoi e pa lidhur me punën, me preokupime familjare. Me atë nuk u harmonizuam edhe pse erdhi aty pa pëlqimin tim, në zë zëvëndsim të punonjësit shembullor Shkëlqim Alimerko, duke qenë kjo gruaja e sekretarit të parë të KP. Rrethit, tragjasiotit Halill Hasko.
               Në Seksionin e Planit kishte punë voluminoze të vazhdueshme. Një punë permanente e përditshme, por dhe me intensitet periodik bëhej në Zyrën e Statistikës të këtij Seksioni, ku mblidheshin dhe përpunoheshin të dhënat statistikore për demografinë si dhe mbaheshin e përpunoheshin një serë evidencash operative dhe statistikore për tregues ekonomiko financiar të ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore. Evidencat pasi përpunoheshin, sipas një programi të posaçëm, dërgoheshin periodikisht në qendër. Ne e bëmë si rregull që evidencat të  shumëfishoheshin, si për të pajisur drejtuesit kryesor në rreth, por dhe për të qenë mbështetëse për një planifikim sa më të saktë. Vitet e fundit arritëm të nxjerrim vjetarë statistikor me tregues kryesorë për shumë vite. Me buletinet statistikore mujore, shoqëruar me një koment të shkurtër bënim përmbledhje të treguesve kryesor, me anën e të cilave ndiqnim ecurinë e realizimit të detyrave të planit të shtetit. Në dikasteret dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Statistikave në Tiranë dërgoheshin, çdo muaj, tremujor dhe si vjetor një sërë evidencash dhe një raport statistikor me të dhënat sipas programit. Disa herë në vit me të gjithë punonjësit e statistikës në ndërmarrjet ekonomike, kooperativat bujqësore dhe institucionet shtetërore, organizoheshin seminare teorikë e praktikë, ku përgjithësonim përvojën e përparuar, analizonim gjendjen dhe vinim në dukje mangësitë.
            Sektori i Punës Shkencore drejtonte dhe nxiste punën shkencore dhe përhapjen e përvojës së përparuar. Ishin të shumta konferencat dhe sesionet shkencore që u mbajtën në shkallë rrethi, ku u referuan arritjet më të rëndësishme të shkencës, teknikës dhe organizimit, u ndanë shpërblime dhe stimuj moral e material dhe u botuan buletine shkencore. Në rreth vepronte një Këshill Shkencor me kuadro e specialistë, që drejtohej organizativisht nga ky sektor.  
             Një punonjës i Seksionit te Planit mbulonte treguesit e punës dhe interesohej për përsosjen e punës me norma dhe përmirësimin e drejtimit dhe organizimit të punës. Po ky mbulonte dhe punët e planifikimit në sektorin e Bujqësisë. Këto detyra i kryente, së pari Granit Tafili, më pas Bastri Sofija dhe së fundi Kristaq Mina
              Unë mbaja lidhje me seksionet operative, seksionin e financës dhe drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv e të Komitetit të Partisë me Këshillin Popullor të Rrethit, me Dikasteret Qendrore dhe me Komisionin e Planit te Shtetit.

 

               Detyra kryesore e Seksionit të Planit ishte hartimi i planit për çdo vit dhe si pesë vjeçar. Kjo paraprihej nga studime të veçanta dhe nga hartimi i projektplaneve përkatëse vjetore dhe pese vjeçare.
               Detyra për hartimin e projektplaneve na hante shume kohë. Kështu p.sh. Për hartimin e projektplanit ekonomiko financiar të rrethit të Vlorës për vitin 1984 puna filloi në muajin maj dhe përfundoi në 15 gusht të vitit 1983. Projekt plani si rreth u hartua me ndihmën e seksioneve operative, si sintezë e punëve të bëra nga ekonomitë e rrethit, ku merrnin pjesë specialistët, ekonomistët dhe financierët më të mirë të rrethit. Në këtë datë projekt plani voluminoz, me të gjithë treguesit, pasqyrat dhe raportet e shkruara, u mbrojt në Komitetin Ekzekutiv, anëtarët e të cilit e kishin marrë 5 ditë para, me relacionin shpjegues. Në datën 16, 17 dhe 18 gusht, ky projektplan, i miratuar nga Komiteti, u pa nga sekretarët e Komitetit të Partisë dhe përfundimisht u shtrua për diskutim dhe u miratua nga Byroja e KP. Rrethit Vlorë. Kalimi në këto etapa bëhej me vështirësi dhe me ”gjak të ngrirë” dhe duhet të kishe kujdes nga pyetjet tendencioze e provokuese. Shumëkush diskutonte pa e njohur fare përmbajtjen e treguesve të planit, sa për t’u dukur. Në shumicën e rasteve puna kalonte mirë dhe pjesëmarrësit përpiqeshin ta kalonin sa më shpejt këtë proces rutinë e të detyruar. Kështu  p.sh. projektplani i vitit 1984 i kaloi preokupimet dhe emocionet tona me sukses në të gjitha etapat,  kjo edhe për përgatitjen e kujdesshme  e të argumentuar. Në konkluzionet përfundimtare, Enver Halili, sekretari i parë i KP. Rrethit, jurist në profesion, por mjaft liberal, për kohën, si dhe me dashamirësi e me kulturë, pasi i bindi dhe i kapërceu disa kritizerë të përhershëm, të tipit G B, edhe për t’i mbyllur shpejt përfundimisht diskutimet e mëtejshme të kota, që merrnin kohë, tha: “Kjo, që pamë këto dy ditë dhe dëgjuam sot, ishte rezultantja e një pune shumë të madhe, të thelluar e voluminoze, por njëkohësisht me nivel shumë të lart tekniko-shkencor. Ajo u paraqit me dinjitet e njohje të thellë dhe të gjithanshme, nga Shefi i Planit, që, gjithashtu, e mbrojti me argumente bindëse dhe  me përllogaritje të sakta”.
                  Pranë Seksionit të Planit vepronte i emëruar, me kandidatë të jashtëm dhe një Këshill Oponence, ku bënin pjesë ekonomistët më të mire të rrethit, të cilët paraprakisht bënin vërejtje dhe sugjerime për punët e kryera nga Seksioni dhe vlerësonin punën e tij.

                 Gjatë kohës gati 10 vjeçare në drejtim te Seksionit të Planit në Komitetin Ekzekutiv të KP. Rrethit Vlorë, punën tonë e kontrolloi dhe vlerësoi disa herë Komisioni i Planit të Shtetit, Kryeministria dhe Komiteti i Partisë Vlorë, pa përjashtuar “grupet e kontrollit punëtor”, që thuajse, u bënë qesharake. Konkluzionet e kontrolleve, pa përjashtim, gjithnjë jepnin vlerësime të një pune të mirë e të lavdërueshme. Për vite me radhë punën e Seksionit të Planit në Vlorë e çmonte Komisioni i Planit, që në konkluzionet e analizave vjetore, e konsideroi si më të mirin në shkallë vendi, ndërsa Kontrolli i Komitetit të Partisë i vitit 1989, në konkluzionet e veta shkroi pozitivisht për punën e seksionit tonë, gjë që dukej e çuditshme, sepse të tilla kontrolle, si rregull, evidentonin vetëm mangësitë dhe të metat në punë.

                  Gjatë kësaj kohe u angazhova edhe në drejtime të veçanta pune, si: vazhdova të jap mësim në Filiale e Fakultetit Ekonomik; morra pjesë në shumë gjykime si Arbitër, në Arbitrazhin e Rrethit; morra pjesë në Konferenca, Seminare, në Këshillin Shkencor të Komisionit të Planit dhe si Bashkëpunëtor Shkencor i Institutit të Studimeve Ekonomike pranë Akademisë së Shkencave; u përfshiva ne grupe pune e në Kontrolle të shumta në ndërmarrje ekonomike e në kooperativa bujqësore, brenda dhe jashtë rrethit. Kështu p.sh.
                 - Në fillim të muajit prill 1983 marrë pjesë në një grup pune për rishikimin e Metodologjisë së Planifikimit të Ekonomisë Popullore. Grupi drejtohej nga shoku im i fëmijërisë Harilla Papajorgji, tani me detyrë Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Në Tiranë dhe në Durrës punuam 10 ditë, pa ndërprerje, së bashku me ekonomistët e financieret më të mirë të vendit si Niko Gjyzari, Aristotel Pano, Besim Bardhoshi, Genc Shkodrani, Koço Skënderi, Selman Bllaca, Teodor Kareco. Rezultati i punës sonë ishte  teksti i ri i Metodologjisë. Paska qenë e thënë që në të tre rastet e ndryshimeve të kësaj metodologjie të përfshihesha edhe unë.
     .      – Në datën 11 të muajit prill 1983, në Tiranë ftohem dhe marrë pjesë në Konferencën Kombëtare për problemet e zhvillimit të ekonomisë në pesëvjeçarin e 7.-të
                 - Në datën 12.12.1985 marrë pjesë në Këshillin Shkencor të Fakultetit Ekonomik të USh. Tiranë dhe diskutoj në mbrojtje të Disertacionit të shokut tim Sezai Bazaj, si i pari disertacion i paraqitur nga rrethi i Vlorë, ku kandidati u miratua me votim të fshehtë unanimisht (24 pjesëmarrës) si Kandidat i Shkencave Ekonomike.
                 - Në datën 19.02.1987 ftohem dhe marr pjesë në mbledhjen e Kuvendit Popullor të RPSSH.-ës
                  Në Seksionin e Planit të  Komitetit Ekzekutiv të KP. të Rrethit të Vlorës, pikërisht ne Zyrën e katit të tretë, me dritare nga jugu, në atë godinë me  tre kate, të madhe për kohën, të ndërtuar nga italianë qysh në vitin 1914, unë jetova e punova 9 vjet e  3 muaj,  pa ndërprerje, më gjatë se në çdo vend tjetër pune. Në atë dhomë,  u grisën shumë fletë kalendari, rrodhën shumë ditë me ngarkesë të madhe shkresore, shpesh ditë të fluturuar në kotësi , shumë herë me ngarkesë boshe ose me “byk”, me teprime e fantazi jashtëtokësore burokratike. Atje u hartuan plane për zhvillimin e rrethit të Vlorës; për harmonizimin e kërkesave të popullit me mallra, shërbime e ndërtime; për ndërtime fabrikash, institucionesh, rrugësh; për argumentimin e prodhimit me aftësitë prodhuese, bazën materialo-teknike dhe fuqinë punëtore të nevojshme; për zhvillimin e arsimit, kulturës, shkencës dhe shëndetësisë, për sportin, artin dhe kulturën, gjithnjë me mundësitë, kufizimet dhe me mentalitetin e kohës. Aty bënim raporte, relacione, studime, analiza, plane kontrolli e mbledhje pa fund, ditën dhe natën, pa pyetur për orar pune. Aty merrnin udhë aksionet, aty përgatiteshin konferencat, diskutimet e gjata, duhet thënë, me frymë partiake  e dogmatike të theksuar. Ato i shkruanim ne dhe, më së shumti lexoheshin nga të tjerë, nga udhëheqësit tanë shtetëror e partiak jo vetëm aty, brenda qytetin tonë, në komitete, plenume, këshilla e byro, po shpesh edhe ne Tirane, në Ministritë, Këshillin e Ministrave, në Kuvendin Popullor e deri ne Komitetin Qendror të Partisë. Ndërsa ne, plotësisht të indoktrinuar, kënaqeshim, se bënim detyrën, paçka se edhe në rolin e “Demkës”, boll të mendonim se punonim dhe të merrnim një llaf inkurajues. Të njëjtën punë bënin dhe kolegët tanë në Tiranë, ndonjëherë shumë më pak, por ata dolën të zgjuar, të shkathet  e të fituar, se i përdorën punët e tyre edhe për të marrë tituj e grada shkencore, shpesh burim të ardhurash e mirëqeniesh relative.
              Në Komitetin Ekzekutiv të KP. të rrethit të Vlorës, gjatë gati 10 vjetëve, u njoha dhe bashkëpunova me kuadro e specialistë të aftë. Më kujtohet një mendim i vlonjatit Gëzim Tushe, djalit te mikut tim Ilirjan Tushe. Gëzimi, si student i shkëlqyer mbaroi Universitetin e Tiranës në shkencat politike, për filozofi dhe u njoh si një djalë i guximshëm, që përqafoi, ndër të parët, ide përparimtare e liberale socialiste, në kërkim të rrugëve të reja për ndryshim e përmirësim. Ai ishte instruktor në Komitetin e Partisë në Vlorë, por vinte shpesh te ne për kontroll e ndihmë, ose për përgatitjen e materialeve të përbashkëta. Ulej me mua dhe bisedonim me intimitet. “Vij dhe rij këtu, te ju, me punonjësit e aparatit të Komitetit Ekzekutiv, jo thjeshtë për detyrat e përbashkëta, por se këtu relaksohem, marrë frymë lirisht e ndërroj mendime të vlefshme. Këtu tani janë mbledhur njerëz të mrekullueshëm, me ndjenja qytetarie, të kulturuar dhe me vizion të gjerë. Atje, në aparatin ku unë punoj, nuk rri dot gjatë, se më zihet fryma nga fanatizmi dhe injoranca që më rrethon, nga era e këmishëve me zgjyrë.” Dhe ky ishte një vlerësim realist. Ne e shikonim njeri tjetrin në sy, pa xhelozi dhe ndihmonim pa rezerva, duke korrigjuar të metat e mangësitë reciproke dhe duke mësuar nga më të mirët. Kishe ç’të mësoje nga përvoja dhe njohuritë enciklopedike të shefit të seksionit të Bujqësisë, shkencëtarit Ejup Mita; apo nga urtësia dhe qetësia e shefit te Seksionit Energjetik, inxhinierit Nelson Shehu; nga dinamizmi i shefit të industrisë, inxhinierit mekanik Spiro Gjidede; nga objektiviteti i shefit të financës  Myet Kapaj; nga zotësia e shefit të ndërtimit, inxhinierit arkitekt Vangjel Loli ; nga çiltërsia e shefit të punësimit Dashamir Selfo; nga thjeshtësia e shefit të kuadrit, inxhinierit elektrik Shpëtim Meli, apo shkalla operative njohëse e shefit të tregtisë, merceologut Adhurim Musaraj; nga mençuria e shefit të Arsimit, studiuesit Zeman Shehu, apo nga krijimtaria e shefit te kulturës, shkrimtarit Bardhosh Gaçe. Edhe punonjësit e thjeshtë ishin nga më të zgjedhurit dhe të pa kursyer, të sjellshëm e të aftë. Veç bashkëpuntorëve të zyrës sime, për të cilët kam folur dhe që ishin njeri më i mirë se tjetri, dalloheshin Minella Mosko, Zigur Sulo, Llambro Berberi, Shpëtim Sulçe, Valentina Rama në Seksionin e Bujqësisë, Jetnor Sejdiraj në atë të Organizimit, Marko Daflla në Tregti, Ivona Mone në Financë, Petro Ndriko në Industri, Bujar Osmani në Arsim, Thanas Petro në Kuadër etj.

              Nga 1 gushti 1991 unë shkarkohem nga detyra e shefit të Seksionit të Planit. Me caktimin e Komitetit Ekzekutiv të ri pluralist postet drejtuese u ndanë midis palëve partiake. Seksioni i Planit i ra në pjesë Partisë Socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës. Çudia ndodhi se pikërisht ata përfaqësues të Partisë Socialiste, që pak muaj më parë, pasi kontrolluan Komitetin, Seksionin e Planit dhe mua më konsideruan më të mirin, tani nuk më gjeten më të përshtatshëm, ndaj sollën në vendin tim Eduard Alushin, një ish anëtar aktiv i Partë së Punës, një nga liderit e ri socialist. Mua më lanë, po në atë zyrë, në një vend të ri të krijuar rishtas, si “ekonomist ne procesin e privatizimit të ekonomisë shtetërore”. Edhe për ta drejtuar realisht këtë proces dhe që të më ruanin të mos bëja gabime, më pas, mbi mua de fakto, u vetshfaq një përfaqësues i Partisë Demokratike, madje, për të qenë më i drejtë dhe më i vendosur, në kthimin e pronës së shqiptarëve, atë e   kërkuan dhe e gjetën midis çamëve më aktiv.
                Çështë e vërteta për çamin H  edhe më parë kisha alergji, se ishte i njohur si servil dhe për këtë “dhunti” arriti deri sa të bëhet Kryetar i Kooperativës Bujqësore, po që edhe atë, në fakt e bëri “çamur”. Ky H, i pa aftë e fodull, u vendos në vendin tim, në Seksionin e Planit, ndërsa unë, për mungesë zyre, vërtetë rrija në atë tavolinë ku isha më parë, por nuk varesha  organizativisht më nga Plani. Kjo nuk i shkoi për shtat H, ndaj ai tentoi të hiqej si eprori im, por unë, megjithëse i shqetësuar nga këto veprime, i vura, që në fillim “kufijtë te thana” Asokohe mua mu kujtua shpesh G , një tjetër fodull, por me karakter labi. Kur punonim bashkë ai me përgojonte se isha bir kapitalisti, ndërsa vet ai ishte djalë i një komunisti e patrioti të vjetër, pavarësisht që më tej bashkë me kushëririn e tij të parë u bë demokrat ekstremist. G, që, atëherë, e zhvillonte si dhe sa duhet “luftën e klasave” thoshte: “More po, nuk i shoh dot me sy këta çamët, se, janë të poshtër e të pabesë. Këta kudo mund të punojnë, se vetë i qasëm në Shqipëri, por në Komitetin Ekzekutiv dhe në Komitetin e Partisë, nuk duhet të lejohen”.  Ke par ti që, këta, pluralistët, jo vetëm nuk e morën parasysh porosinë e G, po për dreq, vanë dhe e ulën Çamin, tamam, te tavolina dhe karrigia ku më pare bënte sikur punonte G. Dhe, jo se qe çam, po nga që ishte H, mua mu vështiros zyra, puna dhe i gjithë ambienti, për rreth. Në këtë drejtim ndikoi dhe gjindja e vështirë statike, me plotë kundërshtime dhe zvarritje e mos veprim në punët e zyrës, ku, njeri i “binte gozhdës e tjetri patkoit” dhe të gjithë nisën të merren me politikë e formim partish.
               Unë e vendosa të largohem dhe parapërgatita kërkesën me shkrim. Paraprakisht, mora takim me Agim Kadiun, që si përfaqësues i Partisë Demokratike ishte bëre Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, duke zëvendësuar socialistin Mezan Malaj, që tani ishte vendosur në detyrën e nënkryetarit, ndërsa sekretar ishte vënë një mësues, vlonjati demokrat Shpëtim Xhyheri. Pasi Agimit i deklarova dorëheqjen e parevokueshme, midis nesh u zhvillua kjo bisedë:
            - Nuk jam hiç dakord të largohesh. Ti je specialist i afirmuar, me shumë përvojë dhe për ty ka nevojë rrethi ynë. Nga ana tjetër ti na duhesh, se, duke pasur përbërjen klasore të përshtatshme, do të jesh mbështetje për të gjithë demokratët. Unë edhe si kushëri i fëmijëve të tu, të dua të më qëndrosh akoma më pranë…
             -Të lutem, zoti Agim, më dëgjo. Ndofta, do zgjatem pak, por dëgjomë me durim, deri në fund: Kam 9 vjet e 3 muaj, pa ndërprerje, që punoj në të njëjtin vend pune. Unë jam mësuar të bëj punë efektive, ndërsa kemi, gati një vit, që i marrim lekët kot. Procesi i privatizimit është bllokuar me urdhër nga lart dhe “hallexhinjtë”, që nuk e dinë ku është faji, kur nuk u zgjidhet problemi sipas “oreksit” të tyre, mund të thonë: “akoma këtu ky, burokrati i komunizmit?”
             - Unë jam i afërti yt. Ç’do të thotë populli kur këtu po vijnë vetëm të afërt siç është rasti Elam-Shpëtim, apo Manol-Adhurim? Do thonë që demokratët janë nepotistë të thekur, ndaj mos prit që të kryejnë punë drejtësisht dhe pa anësi.
             Këtu nuk duroj z. Agim, por tha:.“Këtë s’ka pse ta vuash ti, se unë erdha këtu, shumë më pas teje”.
             -Tani, në administratë, s’ka dyshim, do bëhet ristrukturim, reformë e thellë, se u përmbys një epokë, reformë që do jetë me kritere logjike. Duke ikur unë tani, që, siç thua, jam specialist i mirë, juve ju lë më shumë dorë të lirë, për të hequr më me lehtësi të tjerët, që mund të jenë më pak specialistë dhe më të rinj.
               - Së fundi, nga radha: Unë rri këtu vetëm për 400 lekë të reja në muaj, se jam 58 vjeç dhe i plotësojë kushtet për të dalë në pension të parakohshëm me 60% të pagës që marr. Duke qenë në pension mund të punojë edhe privatisht dhe këto 400 lekë të humbura në muaj, ti nxjerr, ndofta çdo ditë.
               Duke biseduar Kryetari ndërhyri dhe herë të tjera duke thënë edhe se ty të kemi përgjegjës të sektorit të veçantë të privatizimit dhe ne as që e marrim parasysh H. ndaj, pasi e morëm vesh i kemi ndaluar ndërhyrjet e tij, që ndofta të kanë mërzitur, etj.  Por kur unë i parashtrova argumentin e fundit, që fliste për të ardhurat suplementare që mund të siguroja ai u nxitua dhe, ndofta, pa u menduar shumë, tha: “Lum si ti, që e ke këtë mundësi të maresh më shumë para. Ç’të bëjmë ne, qe na ka zënë rrota bishtin”
             Unë, fitova nga rasti që m’u dha, e morra këtë si aprovim, falënderova nga thellësia e zemrës dhe u ngrita e dola, si me vrap.
           - Dale, prit, ku vete..., më keqkuptove!
            -Ika, ika! Të faleminderit. Nuk do të të harroj. Shpjegojua dhe shokëve.
           Ishte data 1 qershor 1992. Kishin kaluar plotë 40 vjet në marrëdhënie pune me shtetin…


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora