E premte, 29.03.2024, 02:55 PM (GMT)

Mendime

Augustin Palokaj: Dita D e Kosovës

E merkure, 24.06.2009, 05:20 PM


Dita D e Kosovës

Sot në Kosovë është shumë më mirë sesa më 12 qershor para dhjetë vjetësh. Por nuk është mirë ende. Në Kosovë sot njerëzit nuk do të duhej më të kishin frikë dhe do të duhej të kishin një perspektivë më të qartë për të ardhmen e tyre. Përgjegjësia primare është vërtet tek kosovarët, por ndërkombëtarët, që janë ende edhe më fuqi ekzekutive, nuk mund të arsyetohen vetëm duke konstatuar gjendjen e duke mos ndërmarrë asgjë që ajo të ndryshojë për të mirë

Nga Augustin Palokaj

Ishte Dita D për Ko­sovën. Ngjashëm me zb­ar­­­kimin e ameri­ka­nëve, britanikëve dhe kanad­ez­ëve në Normandi që shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimin e Francës ashtu edhe hyrja e trupave britanike, amerikane, gjermane, italiane dhe franceze në Kosovë shënoi fundin e pushtimit serb të Kosovës dhe çlirimin e Kosovës.Për ata që kanë harruar dhe ata që kanë qenë tepër të vegjël të përkujtojmë se ishte një ditë me vapë qershori. Ditë më parë Serbia kishte nënshkruar kapitullimin në Kumanovë dhe kishte pranuar që në faza të tërhiqte të gjitha forcat tërësisht nga Kosova. Dhjetëra mija ushtarë të NATO-s ishin të gatshme në Maqedoni dhe Shqipëri për të hyrë në Kosovë. Planet nuk ua prishën as ushtarët rusë që duke marshuar nga Bosnja hynë të parët në Prishtinë, me 11 qershor, ditë që shënohet si dita e çlirimit të këtij qyteti edhe pse dëshmitarët që atë ditë ishin në Prishtinë thonë se ishte dita më e tmerrshme në jetën e tyre. Në atë kohë isha në Shkup, duke pritur që të hyja në Kosovë me trupat e para të NATO-s. Ishin ushtarët britanikë që në fakt ishin njësitë speciale Gurky nga Nepali, të cilët i shërbejnë ushtrisë së lartmadhërisë së saj Mbretëreshës Britanike. Zhgënjimin tim me hyrjen e rusëve në Prishtinë e qetësoi një oficer i lartë danez i NATO-s duke më thënë se ”nuk është me rëndësi kush hyn i pari, por kush mbetet i fundit“.Ushtarët e NATO-s ndjenjën e parë se në Kosovë do të priten me zemër hapur dhe me eufori e panë që në orët e mëngjesit të hershëm të 12 qershorit të atij viti. Nga qendra e Shkupit e deri tek kufiri me Kosovën përgjatë rrugës fëmijë dhe pleq, burra e gra kishin dalë me lule në dorë duke përshëndetur ushtarët e NATO-s. Ishin shqiptarë të Maqedonisë që i gëzoheshin lirisë së Kosovës, por edhe refugjatë nga Kosova që i gëzoheshin mundësisë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Në kufirin e Hanit të Elezit një grup ushtarësh mundoheshin të bindnin një plak nga Kaçaniku, mbi 80-vjeçar, që këmbë ishte nisur drejt shtëpisë së tij. Donin ta bindnin që të mos kthehej, sepse ka rrezik nga minat. Aktivistët e UNHCR-së atij, sikurse dhe të tjerëve, u thoshin se ”duhet pritur që së pari UNHCR-ja të vednoset, të krijojë një infrastrukturë dhe atëherë të bëhet kthimi në mënyrë të organizuar“. Por vullneti i atij plaku që me çdo kusht të shkonte menjëherë në shtëpinë e tij dhe, po qe nevoja, edhe të vdes aty, simbolikisht tregoi vullnetin e një milion të tjerëve që të kthehen, pa pritur ndonjë organizim. Njerëzit i gëzoheshin lirisë. Nuk u shkonte mendja në politikanët e përçarë që ende nga fjalori nuk e kishin hequr fjalën ’armik’ dhe ’dorë e zgjatur e Serbisë’ për ata që mendonin ndryshe qofshin ata në Male, në Shqipëri, në Gjermani e Zvicër apo në Itali. Të gjithë e dinin se me rëndësi ishte të kenë shpëtuar. Ende në sjelljet në kokë një plak, të cilit në Prishtinë ia huazova telefonin satelitor që t’i lajmërohej pas dy muajsh djalit në Gjermani. Vetë ende nuk kisha informata për familjen time që ndodhej diku në rrethin e Pejës. Ishte jashtëzakonisht skenë e prekshme mënyra se si edhe ky plak djalit të vet ia jepte në fakt një lajm të keq dhe të mirë. ”Djali jem vetëm të tregoj se gjithë familja jemi mirë. Të gjithë pos Agimit. Agimi nuk është më. Ti mos u mërzit bir. E gëzofshim ne të tjerët lirinë, sepse ashtu qenka shkru“. Në këtë mënyrë ai i tha birit të tij se si në luftë i ishte vrarë djali tjetër. Çdo takim me njerëz, çdo skenë, çdo dialog ishte histori në vete. Secili kishte një tregim që në mediat e Perëndimit do të bëhej dramë njerëzore. Një i ri tregonte gjoksin me plagë të bëra me thikë nga paramilitarët serbë, një tjetër tregonte se si ishte fshehur për disa ditë. Kishte edhe të atillë që tregonin se ku ka varre masive, ku mund të ketë mina dhe ku ka ende snajperë në Prishtinë. Takoje ushtarë të UÇK-së që zhvishnin uniformat, sepse lufta kishte përfunduar dhe mendonin si të vazhdojnë studimet. Takoje edhe të atillë që pas luftës veshin uniformën e UÇK-së për ta njollosur për përfitime personale, shpesh kriminale. Por të gjithë ishin plot entuziazëm, me emocione të përziera, me dhimbje për të humburit dhe me shpresë për të zhdukurit dhe të mbijetuarit. NATO-ja pati hyrë me rreth 50.000 ushtarë. Sot vendos të mos ketë më shumë se 10.000. Kosova është e pavarur. Shumë shtëpi janë rindërtuar. Të rinjtë shkojnë në shkollë. Kanë ndodhur shumë gjëra që më 12 qershor të vitit 1999 do të dukeshin të pamundura. Kosova pati një qeveri ku njerëzit e UÇK-së ishin në qeveri me serbë dhe me njerëz të LDK-së. Ka pasur koalicione të atyre që njëri-tjetrin e quanin „dorë e zgjatur e Serbisë“. Ka pasur edhe gjëra që aq janë ngulur thellë në ndërgjegjen e Kosovës, siç ishte dhuna e marsit të vitit 2004. Ka pasur zhgënjime të ndërkombëtarëve me Kosovarët dhe zhgënjime të kosovarëve me ndërkombëtarët. Ka pasur zhgënjime të kosovarëve me vetveten. Sot është shumë më mirë sesa para dhjetë vitesh. Por nuk është mirë ende. Në Kosovë sot njerëzit nuk do të duhej më të kenë frikë dhe do të duhej të kenë një perspektivë më të qartë për të ardhmen e tyre. Përgjegjësia primare është vërtetë tek kosovarët, por ndërkombëtarët, që janë ende edhe me fuqi ekzekutive, nuk mund të arsyetohen vetëm duke konstatuar gjendjen e duke mos ndërmarrë asgjë që ajo të ndryshojë për të mirë. Sot është dita të kujtohemi se si ishte më parë sepse harresa nuk është gjithmonë virtyt i mirë. Është koha të përkujtojmë gjitha ata që nuk janë më në jetë, ata fati i të cilëve nuk dihet ende, pa dallim përkatësie etnike. Është koha që të falënderohemi edhe atyre që na sollën lirinë, atyre vajzave dhe djemve në Kosovë që duke iu bashkangjitur UÇK-së dëshmuan gatishmëri të sakrifikojnë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. T’u falënderohemi edhe ushtarëve të NATO-s që me sulmet ajrore dhe hyrjen në Kosovë i dhanë fund një pushteti të egër. Sikur që kjo ditë D më 12 qershor të vitit 1999 ishte fillim i ri ashtu dhe shpallja e pavarësisë ishte fillim i ri. Por gjërat shkojnë tash tepër ngadalë në Kosovë dhe ende mund të kthehen në rrugë të gabuar. Kësaj radhe bombat e NATO-s e as ushtarët nuk do të mund të ndihmojnë më.


(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora