Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Genc Përmeti: Gjiri i të përdalave te Liqeni, PS dhe Qemal Staff Junniori

| E marte, 23.06.2009, 05:59 PM |


Gjiri i të përdalave te Liqeni, PS dhe Qemal Staff Junniori

Nga Genc Përmeti

Pak ditë më parë, në një eveniment në zonën e parkut të madh të Tiranës që moshat e dyta dhe të treta e identifikojnë si “gjiri i Kurvave” u festua 18 vjetori i konvertimit të Partisë së Punës në atë Socialiste.  Duke u nisur nga tendenca e frymës së re kultiste të ndryshimit që PS po aplikon nuk, është se festimi në këtë kënd argëtues të Tiranës çudit ndonjë, pasi historikisht këto lloj formacionesh përherë në ritualet e tyre preferojnë të kenë pranë pellgje ku mund të kryejnë një pjesë të vaftisjeve, bekimeve ose riemërimeve. Dhe në këtë rast PS me kreun e tij nuk është se na zhgënjeu. Në kulmin e histerisë masive në këtë shfaqje publike që denjësisht mund të krahasohet me ritet e Sai Babait, vetë kryetari me dorën e tij e bekoi Sajmirin në Qemal të shekullit të 21. Po ti referohemi këtyre lloj ritualesh nuk është se kanë patur funde të lumtura. Që në shekullin e 3-të krahu ekstrem i Donatistëve dhe të Cirkoncellistëve kryenin bankete luksoze funebre që shoqëroheshin me hedhje nga shkëmbijtë në shenjë martirizimi, ashtu si dhe apostolikët e Sagerellit, Katharistët, Tanchelmitistët, l’ Etoilistët, Tafuristët, pa harruar dëshminë tragjike që la komunizmi mistik i Munsterit të udhëhequr nga Xhon i Llojdenit, të gjithë kanë përfunduar në vdekje masive ose në rastin më të mirë me gjakderdhje.
Tashme dihet se kultet lindin si rezultat i krizave momentale të grupimeve (kulturore, politike, ekonomike) duke tërhequr pas tyre nga njëra anë të varfrit dhe nga ana tjetër pasanikët me sindromën e vetëndëshkimit, në proklamimin e fundit të botës ashtu siç e kishin njohur më parë, si dhe fillimin e një sistemi të ri shoqëror, fetar, ekonomik, kulturor. Se si do të jetë ky sistem i ri që ata ofrojnë, askush nuk është i sigurtë, përveç disa pikave të përbashkëta që në spiralet historike na janë përsëritur. Historikisht ata përherë kanë filluar me programin mbi pronësinë e përbashkët (në politikë, ekonomi, etj) duke bindur ndjekësit për besnikëri ndaj të zgjedhurit të saj. Udhëheqësi, i veshur me karizëm, eklipson të gjithë me fuqitë e tij psikologjike dhe oratorike, dhe për të mirën e përgjithshme përfiton të gjitha të mirat materiale si dhe dedikimin me besnikëri të ndjekësve në atë që ai mistikisht poseson. Dhe konkludimi dihet, pasi nëse nuk përfundon me funerale masive, në emër të idealit të ri që përfaqësojnë të paktën karakterizohen me derdhje të konsiderueshme gjaku, raste të cilat edhe në shekullin që sapo kaloi nuk është se nuk u shfaqën duke filluar që me Jim Jones, David Koreshi, Pol Pot dhe revolucionit Kinez.  
Këtë fat nuk do të doja t’ia uroja tashmë atij që me krenari mori bekimin nga vetë kryetari të emrit Qemal. Si ai i shekullit të 20 edhe ai i të 21-të të gjithë e dimë se nuk ka asnjë ndryshim të madh. Qemali, Qemal mbetet. Ai i të 20-tës për të gjithë ata që kanë lexuar sado pak përveç këtij të shekullit të 21, e dinë fare mirë se Qemal Stafa ishte një prej fanatikëve dhe mbështetësve më të ashpër të vijës Staliniste në Shqipëri në fillim të viteve 40-të. Nën orientimin dhe ndikimin e Dushan Mugoshës dhe Miladin Popovicit ai ishte kundërshtuesi më i ashpër i bashkimit me grupin e zjarrit që në atë kohë përfaqësohej nga Zai Fundo dhe Sejfulla Malëshova. Zelli i tij ishte aq i tepruar saqë po eklipsonte vetë figurën e Enverit i cili me eliminimin e tij përveçse e ktheu në simbol të rinisë komuniste Shqiptare (jo vetëm të majtë) i mori edhe shoqen e tij. Porse fryma sektare Staliniste që Qemali mbolli me aq pasion nuk është se shkoi kot. Me zjarrin e inspiruar nga Enveri, Zjarristët u shkatërruan dhe idetë e tyre për fat të komunistëve të Enverit si dhe të idealeve të Qemalit u mbollën vetëm përtej Adriatikut duke u kthyer në bazat e  reformizmit Berlinguerian. Porse siç e përmenda më lart nuk është se Qemal Staff Juniorit i interesojnë këto fakte pasi për të dhe atë që e bekoi (ndoshta nën kontekstin e ironisë intertekstuale të kurbanit në rastin më të parë) Qemalët janë destinuar ti shërbejnë idealit si Qemale prej bronxi.  
Ajo që Qemali i sotëm po imiton me përpikmëri nuk janë modeli dhe numri i syzeve porse zbatimi i planit të betejës deri në vdekje ndaj grupit të Zjarristëve moderatorë të sotëm. Atëherë kur e gjithë e majta priste më tepër se kurrë një gjuhë të moderuar dhe politike nga ana e PS, Edveri nxori në betejën politike Qemalin, i cili citoi marrjen e dënimit me vdekje të armiqve.
Të gjithë e dimë se historia e përsërit veten, porse që ta bënte duke filluar nga përsëritja e emrave, këtë nuk është se e prisnim. Nëse kryetari i Qemalit Junniorit ka ardhur nga Parisi ashtu si i atij të shekullit të 20, për të qenë më koherent mund të gjejmë se Dushani mund të jetë ambasadori Bosch i cili gatoi reformën elektorale për të nxjerrë Zjarristët jashtë lufte, dhe të gjithë jemi koshientë se për të kompletuar këtë betejë nuk mund të mungojë Zai Fundo që identifikohet me Ilir Metën në përfaqësimin e një partie tjetër të majtë jo në përputhje me orientimet e Partisë bijë të PKSH-së.
Porse përpara se me antropomorfizëm Qemal Staff Junior të fillojë të mendojë të sfidojë ata që janë jashtë referencës së këndvështrimit mbi absoluten të Edverit, duhet të dijë se atij që po mendon se po e poshtëron me deklarata publike, ka lindur shumë kohë përpara se në zhargonin e Tiranasve të krijohej toponimi “gjiri i Kurvave”. Dhe duke ditur këtë fakt kaq të rëndomtë dhe për të evituar viktimizimin e shkruar në analet e historisë së PKSH, besoj se Zai i sotëm do t’ia lërë këtë gji për të festuar bijve të denjë të saj.