E premte, 29.03.2024, 12:31 AM (GMT)

Mendime

Qemal Sakajeva: Një shekull për t’u kthyer te deti

E marte, 23.06.2009, 06:50 PM


Një shekull për t’u kthyer te deti

Nga Qemal Sakajeva

Ndër vendet pa det, ai që e përjetoi si gjëmë dhe u vetëtorturua prej asaj mungese, është Serbia. Shtet të dytë, si ai, ne shqiptarët nuk njohim. Dhe zor të ketë. Luftërat e saj me politikë, armë e aleatë, historianët i kanë përcaktuar si përpjekje të ethshme shekullore për të dalë, përgjithmonë, në Adriatik. Këtë nuk e kreu dot me ushtri. Me strategji hegjemoniste, po. Kjo, që me ngjizjen e Mbretërisë Serbo - Kroato - Sllovene dhe, më pas, me Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Serbia ishte zemra e perandorisë së vogël ballkanase, me një vijë detare që zbriste nga kreu i Adriatikut, kufiri veri - perëndimor i Jugosllavisë, ndarë me Italinë, e deri në derdhjen e lumit të Bunës, në jug - perëndim, ndarë me Shqipërinë. Aq e jashtëzakonshme qe për të, kjo mbërritje strategjike sa, duhet të jetë e sigurtë që, ideologët dhe politikanët serbë, më në zë e të disa brezave, përveç që menduan e punuan për përjetësimin e zhgjëndërrës, ata edhe janë ndjerë në një ëndërr të mrekullueshme nga e cila kurrë nuk kanë dashur të zgjohen. Por, siç, tanimë dihet, prishja ndodhi me shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë dhe, gjithëçka mori fund me pavarësimin e Malit të Zi. Zhvillimet u zmbrapsën tek deri në fillesë, dhe më përtej, sepse, Serbia pëveç që mbeti pa det, asaj i vdiq ëndërra. Ky mospajtim me të vërtetën historiko - gjeografike të sotme, Serbisë ia errësoi tërësisht logjikën politike. Ajo u detyrua të kthehej brenda kufijve të vet tokësorë nga forca, por duke i përgjakur me tërbim popujt e tjerë, vetëm si ndëshkim i saj mbi ta.

Më 31 maj 2009, kur u hap tuneli gjigand Thirrë - Kalimash, dryni i shkurtësisë magjike të largësisë Durrës - Kukës - Prishtinë, në parashikimet e thëna nga foltorja zyrtare, vetëm sa u cek që, kjo vepër inxhinierike e vështirë e nxjerr Republikën e Kosovën në ujërat e Adriatikut. Kjo është diçka madhëshore, por arsyetimi sillet të jetë një nyjëtim harrese mbi gjeografinë e historinë. Kosova nuk del në detin e tjetërkujt - siç Serbia pati dalë me ushtri, por pas një shekulli Kosova kthehet në detin e vet. Edhe pse politiko - administrativisht Kosova është shtet më vete; edhe pse gjeografikisht Kosova rrethohet me kufij tokësorë; për të, nuk mund të thuhet se, tuneli Thirrë - Kalimash ia hapi portat e ujërave adriatike.

Ndryshe nga Serbia, që u bë copë e copë bëri edhe popujt fqinjë, për të pasur det, Kosova kurrë nuk ka hartuar memorandume për dalje në det e nuk zbarazi asnjë pushkë për det. Ndërsa Serbia kishte plotësuar ëndërrën e saj detare në fillim të shekullit të kaluar, Kosova ëndërroi plot një shekull të mbërrinte detin e lirisë. Mëgjithëkëtë, kthimi i Kosovës te Adriatiku, edhe pse diçka mëse historike, gjeografike e natyrore, i kërkoi asaj të bënte sakrifica edhe më të tmerrshme se sa Serbia për plotësimin e synimeve hegjemoniste për bregdet. Kthimi i Kosovës te deti i vet (ajo ka qenë pjesë e territorit me dy detra, deri më 1912), i kushtoi plot një shekull luftëra e qendresë, jo për t’iu bashkëngjitur detit, por për t’i ikur pushtimit. Pa pavarësinë, edhe dhjetë tunele Thirrë - Kalimash të çaheshin, asnjë nuk do të vlente për të. Kthimi i Kosovës te Adriatiku, nuk do të mund të ndodhte përmes tunelit, por nga  çlirimi. Nëse Shqipëria politikisht e ka ndihmuar pavarësinë e Kosovës - kjo mbështetje, edhe pse e rëndësishme, nuk ka qenë përcaktuese - autostrada Durrës - Kukës - Prishtinë është veprimi përcaktues gjigand i Shqipërisë për paspavarësinë e saj.

Siç, midis Kosovës dhe Lirisë kishte dalë mish i huaj pengesa Serbi, edhe midis Kosovës së pavarur dhe detit Adriatik ngrihej një pengesë e hatashme - malet. Nëse për çlirimin dhe pavarësinë Kosova pati SHBA dhe NATO-n faktorë të jatëzakonshëm, për Kosovën pjesë domethënëse të Adriatikut, Shqipëria kreu një akt kombëtar - çau  malet. Të gjithë ato zëra, që gërthasin papushuar apo bëjnë llogarira zhurmuese për pushtet, u duhet thënë që, çdo vend ballkanik, t’i lëmë mënjanë shtete më të mëdha të gadishullit, edhe Mali i Zi i vogël, edhe Maqedonia problematike, edhe Sllovenia e përparuar, nuk do të ishin vonuar as një ditë, e do të kishin nisur ndërtimin e rrugës e hapjen e tunelit që nesërmen e pavarësimit. Nëse merita i përket qeverisë Berisha për autostradën, si shtet nuk na takon mburrja, sepse kjo rrugë u krye dhjetë vjet pas përfundimit të luftës. Shumë vonë e turp për vonesën!

Faktori tjetër që plotëson kthimin e Kosovës në Adriatik, është porti i Shëngjinit, tashmë i përcaktuar si zgjidhje, për të cilin punon një grup i përbashkët ndërqeveritar Shqipëri - Kosovë. Ashtu, siç pavarësia është kompromisi më i skajshëm i shqiptarëve - duke sakrifikuar bashkimin me Shqipërinë për hir të çlirimit dhe pranimit shtet nga bota - kthimi i Kosovës në Adriatik nëpërmjet tre kushteve - Pavarësisë, Autostradës Durrës - Kukës - Prishtinë dhe Portit të Shëngjinit - përbën skajin e më të mundshmes, që Kosova, ish-territor me det, të prekë detin e vet pa e cekë bashkimin shtetëror me të. Por, kthimi i Kosovës te Liria dhe te Deti - dy çështje jetike për shtetin, e para për ekzistencën  kombëtare, e dyta për sigurinë e mosbllokimit kurrë nga stinët politike të fqinjëve, janë dy caqet më të epërme të të mundshmes nga shqiptarët, në këto kohëra.

Serbia, me nervozizëm të theksuar nacionalist dhe dëshpërim të thellë gjeostrategjik - sepse luftoi e nuk mundi t’i përjetësonte kufijtë e saj me det - ka edhe xhelozi ndaj Kosovës e cila, përveç që përjetësoi kufijtë e shtetit të pavarur, është kthyer e sigurtë te deti - gjë  për të cilin Serbia as nuk guxon të ëndërrojë më. Por, përmendja do të vijë, sepse të gjithë serbët e dinë që Serbia kurrë s’ka pasur e s’do të ketë det. Sa më dendur e ftohtësisht të përjetohet kjo e vërtetë e vjetër, aq më shpejt do të kapërcehet vuajtja. Mendjet e mprehta arrijnë të shquajnë shenjëza se të dy popujt fqinjë, shqiptarët dhe serbët,  kanë filluar të shërohen pas “kirurgjisë” ushtarako - politike: Kosova ka sakrifikuar për Lirinë e munguar - dhe e ka; Serbia është stapacuar për Adritikun që s’i ka takuar - dhe nuk e ka. Kjo është e drejta dhe, drejtësia fillimisht dhemb, pastaj qetëson e, dikur shëron.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora