E enjte, 18.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Mendime

Xhevdet Mazrekaj: Të kthehemi me Rugovën

E marte, 23.06.2009, 07:18 PM


Të kthehemi me Rugovën

Nga Xhevdet Mazrekaj

Skena aktuale politike

Këto ditë të para të verës, në skenën politike të Kosovës, me ngjarje që në mënyrë spektakulare e kthejnë vëmendjen e opinionit të gjerë në periferi të problemeve esenciale që ka realisht Kosova, na bëjnë të mendojmë për profilin e liderit, ai që do ta bashkonte popullin, në shumicën e tij, t’i themi elektorale.

Si arriti Rugova t’i kishte në krah me të mbi 80% të elektoratit. A kemi harruar, apo e mbajmë mend, se Rugova kishte armiq të hapët, por ai nuk u thoshte armiq, u thoshte kundërshtarë, u thoshte – janë njerëz që kanë të drejtë të mendojnë ndryshe, kështu kërkon demokracia e vërtetë. Me lehtësinë e papërshkrueshme të gjuhës së qartë të urtësisë popullore shqiptare, edhe pse figurë akademike, arrinte t’i eskivonte sulmet e tmerrshme që i bëheshin, sidomos për “pacifizmin” dhe “ngathtësinë” që ia përshkruanin edhe më vrazhdë sesa unë do të mund të përmend këtu fjalë të tilla.

Toleranca dhe gjuha që kurrë nuk shënoi në libër a gazetë ndonjë mllef ose akuzë për “kundërshtarët” e tij, aftësia t’i jepte shans edhe zhvillimit të proceseve që do ta dëshmonin platformën e tij politike, urtësia e njeriut të popullit, njeriut që ndiente sinqerisht, intelektualisht dhe emocionalisht dellin që i rrihte Kosovës për lirinë me shekuj të pritur, janë karakteristika të një Njeriu të Madh.

Ku do të mund t’i shumojmë të gjitha ato veti prej lideri historik që kishte Rugova, dhe me të cilat e mori mendjen dhe zemrën e Kosovës, e fitoi besimin e patundur. Me këtë qëndrim prej burrështetasi historik që do t’i mbetet trashëgimia më e madhe e historisë shqiptare, Rugova përvetësoi dhjetëra e qindra liderë botërorë, të cilët pakursyeshëm shprehnin miradije ndaj këtij Njeriu të Madh të Shqiptarëve.

Po cila ishte merita më e madhe e Rugovës? Platforma e Pavarësisë së Kosovës, apo gjenialiteti i Rugovës ta bashkojë popullin e Kosovës? A do të mund të arrihej Pavarësia e Kosovës, pa u bashkuar populli i Kosovës, i cili para se të paraqitet figura madhështore e Rugovës në skenën politike të asaj kohe, ishte indoktrinuar për të arritur Republikë në Jugosllavi, ndonëse Jugosllavia në atë kohë kishte marrë tatëpjetën e shkatërrimit dhe zhbërjes.

Natyrisht jo në atë masë sa do të mund të përfshiheshin në Lëvizjen e Rugovës edhe ata që punonin, dhe punojnë ende për ta kolonizuar Kosovën nga serbizmi i kralevinave deri te ajo e Josip Brozit dhe pasardhësve të tij, deri te Milosheviqi e Tadiqi.

Rugova ishte njeri kombëtar, se ende kanë frikë shumë njerëz nga fjala “nacionalist”. Rugova ishte i pari pas 100 vjetëve që dëshmoi se nacionalizmi është mbrojtje e një kombi, e jo rrezik për kombet tjera. Si mund të jetë nacionalist një popull kur është i robëruar? Lufta për çlirim nuk mund të quhet nacionalizëm? Duke qenë shumë i vetëdijshëm për konotacionin shumë negativ që historia e okupimit të Shqipërisë Etnike ia kishte ngjitur me etiketa të hekurta fjalës “nacionalizëm”, Rugova si një figurë diplomati i kalibrit të Çerçillit dhe Xhorxh Vashingtonit, e ngriti në krye të agjendës politike botërore çështjen e Kosovës, çështjen e shqiptare, pra çështjen kombëtare, nacionale! Jo vetëm Kosovën, por politika gjeniale e Rugovës edhe Shqipërinë e bëri shtet të njohur në botë, se deri atëherë, duke u nisur nga sa është shkruar për Shqipërinë, propaganda e kralevinave dhe e Greqisë, e kishin hedhur në margjina të skenës politike botërore.

Marrëdhëniet e Rugovës me gati të gjithë më të mëdhenjtë e skenës politike botërore, që nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, etj. janë një dëshmi se ai arriti i pari në historinë e shqiptarëve të jetë një lider të cilin e respektonin pa kufi e gjithë eminenca botërore, dhe ky u bë shkak që çështja e Kosovës doli në krye të agjendës planetare.

Rugova ishte modest, ai asnjëherë nuk fliste për nacionalizmin e tij, as për djathtizmin, sepse e kishte të qartë se ndarja në atë periodë historike, ndarja në krah, veçse do ta dëmtonte idealin e tij t’i bashkonte shqiptarët në një rrugë të vetme, rrugë e cila do të na shpinte deri te liria përfundimtare. Kështu Rugova e bashkoi për herë të parë në aso mase të paparamendueshme 90% të popullit shqiptar të Kosovës. Por a e pati shumë lehtë ta arrinte një ideal të tillë me një popull për të cilin Gjergj Fishta kishte atë qëndrimin e tij të njohur, që këtu më vjen vështirë edhe ta citoj. Historia e shqiptarëve, megjithatë, është e ngarkuar nga përçarjet dhe nga pamundësia për një unitet të fortë, unitet historik, të cilin e penguan armiqtë e shqiptarëve, duke shtirë pyka dhe bishta me të cilët ata e prisnin malin e lashtë të lavdisë shqiptare.

Nuk e kishte lehtë Rugova, por ai ia doli ta realizonte një unitet shqiptar që kurrë më parë në histori nuk ishte njohur.

Si e arriti këtë Rugova Historik? Shumë thjesht, duke mos e kthyer armiqësinë e të tjerëve me armiqësi, me nervozë, me sharje, me ofendime, me intriga. Kur ishte në vizitë, në Redaksinë e “Botës sot” në Cyrih, e pata pyetur pikërisht për këtë, a është kjo veti njerëzore e tij - qetësia dhe paqja shpirtërore, apo çka tjetër? U përgjigj: të keqen ktheje me të mirë, të keqes mos ia kthe të keqen, se shumëzohet, nga një e keqe bëhen dy!

Dhe tashmë të gjithë e dimë, sa më shumë që e sulmonin “kundërshtarët” e tij (se ai nuk donte t’i quante armiq) aq më shumë populli i Kosovës mblidhej rreth tij. Nuk dua të them se në kohën e Rugovës nuk kishte përçarje të rrezikshme politike, sepse kjo dihet, e shënojnë kronikat nëpër periodikë. Por ajo përçarje ishte thjesht politike, por nuk ishte përçarje e popullit, populli ishte dhe qëndronte në krahun e duhur, në krahun e asaj politike që nuk dëshironte të merrej me punët tona dhe të palarat tona, por me çështjet madhore, me çlirimin e vendit, me pavarësinë e Kosovës.

Pas vdekjes së Presidentit Historik u përça edhe partia e tij. Mbase si një gazetë që është dëshmuar në mbrojtjen dhe afirmimin e platformës rugoviane, na takon të kërkojmë, pikërisht këto ditë, kur po shihet çka po ndodh në skenën politike të Kosovës, fraksionet e LDK-së të bashkohen. Cilado (tashmë parti e LDD), por edhe LDK-ja që e merr e para përpjekjen për ta bashkuar këtë parti, dhe për t’i eliminuar apetitet karrieriste, për hir të Rugovës, që do të thotë për hir të Kosovës, do të duhej të gjithë të kthehen në rrugën e tij, sepse ende ka nevojë Kosova për një udhëheqje që nuk do ta ndajë Kosovën në rajone, e krahinarizma, por do ta bashkojë popullin, se shteti është bashkim, e jo ndarja në krahina.

Të kthehemi me Rugovën. Të mos i harrojmë mësimet e tij. Është koha t’i përkrahim liderët e sotëm, të cilët do të dëshmojnë me vepër konkrete se janë në rrugën e djathtë të Rugovës, le të mos jenë fundja as të LDD-së, as të LDK-së. Cilido që respekton dhe zbaton metodën politike të Rugovës edhe nga partitë tjera aktuale, po LDK-së realisht i takon kjo e drejtë. Pajtimi. Pajtimi me rrugën e Njeriut që Pajtoi Kosovën, dhe e bëri të pavarur, duke pushtuar zemrat dhe mendjet e të gjithë burrështetasve më të njohur të botës.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora