E hene, 06.04.2020, 07:41 PM (GMT+1)

Komente

Mark Marku: Kalova nga fusha e gjykimit të politikës në politikë

E marte, 23.06.2009, 06:03 PM


Mark Marku
Nga
Robert Rakipllari


Për Mark Markun ka qenë e thjeshtë të zgjedhë djathtas, edhe pse propozimi për të qenë i dyti në qarkun e Lezhës për PD ka qenë një propozim rastësor. Publicisti i njohur rrëfen për “Panorama” arsyet pse është përfshirë në politikë dhe bindjen e tij për një mandat të dytë të PD-së në këto zgjedhje.

Z. Marku, ju tashmë jeni pjesë e ekipit të PD, si kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës. Pse ndërmorët këtë hap në këtë moment kur ishit konfirmuar si një prej zërave të pavarur më autoritarë në vend dhe me profil të njohur publik?

Është paradoksale të thuhet po pikërisht pozicioni që ju më përmendni më sipër ka ndikuar në marrjen e vendimit. Prej vitesh për shkak të këtij pozicioni kam qenë në marrëdhënie të vazhdueshme me politikën. E kam ndjekur me vëmendje, kam marrë pjesë në debatin publik, politik dhe kulturor, i kam përcjellë me analiza ngjarjet kryesore politike dhe kjo ka qenë në një farë mënyrë edhe stili im i angazhimit politik. Vendosa të kaloj nga fusha e gjykimit të politikës në atë të politikës, sepse mendoj se gjykimi dhe analiza politike nuk janë të mjaftueshme për një pjesëmarrje politike aktive. Vendosa të bashkoj mendimin me veprimin. Vendosa t’i futem politikës sepse mendoj se politika është një instrument efikas dhe i dobishëm (nëse përdoret pozitivisht) për të ndikuar në fatet e vendit. Momenti që po kalojmë është interesant dhe Shqipëria është futur në një fazë të rëndësishme zhvillimi. Të kontribuosh politikisht në këtë fazë do të thotë të punosh për të materializuar ëndrrën e modernizimit të Shqipërisë. Vendi dhe politika janë futur në një fazë normaliteti dhe kjo të josh. Për më tepër angazhimi im në politikë nuk do të thotë se do të ul ritmet e angazhimeve të mia të mëparshme në media, në universitet apo në fushën studimore.

Ishte rastësore që ju pranuat ftesën e PD-së për të kandiduar apo keni arsye të forta që i bashkoheni kësaj partie tani pas katër vitesh në pushtet, ku ju nuk keni qenë i angazhuar në pozicione politike apo në strukturat e PD?

Po kërkesa ishte rastësore dhe e papritur. Isha në Paris ku po mbyllja doktoraturën kur më propozuan për të kandiduar si deputet. Në të vërtetë mundësinë e aktivizimit në politikë nuk e kam përjashtuar asnjëherë, por duke qenë shumë i lidhur me angazhimet e mia akademike, kulturore, mediatike e kam parë gjithmonë si diçka të largët. Nuk kam bërë asnjëherë përpjekje konkrete për t’u angazhuar, madje duke i qëndruar korrekt pozicionit tim në media d.m.th., duke qenë shumë kritik ndaj faktorëve politikë dhe dukurive politike mendoja se i kam shkatërruar urat, që më mundësonin pjesëmarrjen në politikë. E thënë shkurt propozimi ishte rastësor, ndërkohë që vendimi ka qenë i menduar. Politikisht, ideologjikisht dhe kulturalisht jam i djathtë dhe këtë gjë e kam shprehur hapur në të gjithë aktivitetin tim publik dhe për këtë arsye forca politike më e afërt për mua ka qenë Partia Demokratike, pavarësisht se nuk kam qenë i angazhuar në strukturat e saj. Por me këtë parti jam i lidhur edhe emocionalisht, pasi unë jam një student pjesëmarrës i Lëvizjes së Dhjetorit dhe i grevës së urisë dhe më lidhin me PD-në momentet e rëndësishme të rrëzimit të regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Serioziteti i qeverisjes demokratike në katër vitet e mandatit, që po lëmë pas dhe programi i saj ambicioz për Shqipërinë më nxiti gjithashtu në vendimin tim.

Si kandidat në këto zgjedhje duke qenë palë, por dhe si analist i njohur cilat janë tiparet kryesore të kësaj fushate elektorale? Si i vlerësoni mesazhet e BE dhe SHBA për zgjedhje paqësore?

Është së pari një fushatë ku çuditërisht opozita nuk paraqet kurrfarë alternative qeverisëse dhe është përkushtuar në errësimin e arritjeve të qeverisjes. PS po mundohet që me rrjetën e propagandës t’u zërë sytë shqiptarëve, në mënyrë që ata të mos shohin arritjet madhore të qeverisë së Kryeministrit Berisha. Është një fushatë ku pavarësisht arritjeve, PD po paraqet fazën e dytë të programit të shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar dhe normal. Nga pikëpamja organizative është një fushatë, që po zhvillohet në dy pista të ndryshme: partitë e mëdha po bëjnë fushatë sipas sistemit proporcional, ndërsa partitë e vogla po bëjnë fushatë të tipit maxhoritar. Është një fushatë ku partia qeverisëse ka më shumë konsensus elektoral dhe ndërkombëtar se partia në opozitë. Sa për mesazhet e BE-së dhe SHBA-së ato janë plotësisht në përputhje me mesazhet, qëllimet dhe angazhimet e PD-së. PD më tepër se asnjë forcë tjetër politike është për zgjedhje të ndershme dhe paqësore.

PD po ju kërkon një mandat të dytë shqiptarëve, pasi ka qeverisur katër vjet, ku edhe pse pranohet se ka një bilanc me mbajtjen e disa prej premtimeve të 2005, nuk kanë munguar përplasjet me institucionet kushtetuese dhe korrupsioni. Pse besoni në një mandat të dytë të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit?

Unë besoj në një mandat të dytë dhe mendoj se do ta kemi një të tillë për dy arsye: e para sepse qeveria e zotit Berisha ka qenë një nga qeveritë më të suksesshme të gjithë historisë së shtetit shqiptar. Kjo qeveri ka realizuar me rezultate maksimale tre prioritetet më jetike të vendit: infrastrukturën, sistemin energjetik dhe integrimin e vendit në NATO dhe në BE. Kjo qeveri ka dyfishuar pensionet, ka dyfishuar pagat në shumë sektorë, ka nxitur zhvillimin e biznesit me reformat që ka marrë në sistemin e tatim-taksave, ka nisur dhe po vazhdon me ritme të shpejta procesin e legalizimit. Qeveria e zotit Berisha ka pasur rezultate shumë të mira edhe në uljen e nivelit të korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe kontrabandës. Së dyti, mendoj se PD e mendon një mandat të dytë, pasi është një forcë politike që ka një alternativë të qartë zhvillimi për mandatin e ardhshëm. Programi i PD-së është shumë konkret: ndërtim i gjithë infrastrukturës rrugore të vendit gjë, që do të thotë që çdo shqiptar kudo që jeton në fund të mandatit të ardhshëm do të ketë rrugë të asfaltuara, reforma thelbësore në arsim dhe shëndetësi që do përmirësojnë kushtet e trajtimit të qytetarëve dhe rritjen e nivelit të shkollës, liberalizim i vizave në fund të vitit 2010, dyfishim tjetër i pensioneve, shtim i vendeve të punës, shndërrimin e Shqipërisë nga një vend me probleme në furnizimin me energji të qytetarëve në një vend eksportues të energjisë, investime në bujqësi për përmirësimin e infrastrukturës bujqësore si dhe investime nëpërmjet fondit të granteve bujqësore për nxitjen e prodhimit bujqësor vendas. Këto janë vetëm disa nga pikat e programit të PD-së për mandatin e ardhshëm. Mendoj se është e qartë se një program i tillë mund të realizohet, pasi qeveria e zotit Berisha i ka dhënë provat e seriozitetit gjatë këtij mandati në realizimin e atij programi, që kishte paraqitur katër vjet më parë para shqiptarëve.

Mark Marku, një kritik në politikë

Kritik i ashpër, i hidhur, që nuk të fal, i drejtpërdrejtë dhe aspak konsensual... Seria mund të ishte edhe më e gjatë po të llogarisësh qëndrimet dhe besimet e tij në të gjithë regjistrat... Syrit publik nuk duhet t’i kenë shpëtuar më së paku karakteristikat e mësipërme të një protagonisti publik dhe mediatik, karakteristika të cilat e bëjnë të vështirë gjetjen e një kornize brenda të cilës të mund ta vendosësh Mark Markun. Aq më pak një kornizë politike. Por kritiku i papajtueshëm me kategoritë dhe kornizat, pas grishjes së Partisë Demokratike, do të ketë rreth kokës pikërisht një të tillë kornizë.
A nuk ekziston rreziku që më cinikët e intelektualizmës të transformohen në politikanë pa nerv? Në këtë kurth kanë rënë përpara tij, shumë të tjerë. ‘Por kjo ka ndodhur pasi ata nuk kanë kuptuar që me logjikën e një fushe nuk mund të funksionosh në një fushë tjetër. Ata nuk kanë kuptuar logjikën e politikës’, - shprehet Marku, në lidhje me mënyrën si e ka zgjidhur ai vetë kontradiktën. Duke shtënë në punë pikërisht metodën e shkencave të komunikimit.
Por mbetet edhe një rrezik tjetër. Duke u identifikuar politikisht sot, a nuk komprometohet deri diku edhe pena e djeshme dhe akoma më tej, humbet koherencën pena e nesërme? Kësaj vështirësie pedagogu i gazetarisë i del sërish përpara me strategji komunikative, pasi shprehet që do të ishte absurde të pretendonte tanimë pavarësinë e analistit. ‘Unë do të vijoj të shkruaj, por gjëra që janë në përputhje me angazhimin tim të ri’, - shprehet Marku, duke shtuar se thelbi që i lidh të dy pjesët e historisë është pikërisht integriteti personal.
‘Në politikën shqiptare ka vend dhe nevojë për integritet, pasi edhe politika ofron hapësirat e veta të lirisë’, - thotë Marku. Brenda kësaj hapësire ai kërkon të ndërtojë profilin e gërshetuar të njeriut të ideve me atë të veprimit, pikërisht duke kombinuar përvojën e tij në fushën e ideve me aktivitetin e ri politik. Kjo është, sipas tij, arsyeja, përse nuk e kemi parë të bëjë protagonistin e ekraneve këto ditë të nxehta fushate. Është duke matur pulsin e zgjedhjeve në zonën e tij zgjedhore ku tanimë gjendet përditë. Duke aplikuar strategji aktive, por duke shtënë në punë gjithë arsenalin e ideve dhe të famshmes ‘vita contemplativa’ të botës akademike, ku është e njohur thënia se ‘ai kurrë nuk është më aktiv se sa kur sodit dhe mendon...
Megjithëse protagonistë shoqërorë dhe publikë si Mark Marku e kanë të përvijuar qartazi profilin e tyre, për shkak të vizibilitetit të lartë dhe rregullsisë së pranisë mediatike, nga një kalim i shpejtë i CV-së së tij mund të shohim që ka ndjekur studimet universitare në Shqipëri dhe në Itali, si edhe ato pasuniversitare në Itali dhe Francë ku edhe është doktorant. Kryeredaktor i gazetës ‘Zëri i Rinisë’ në vitet 1994-1995, pedagog prej shumë vitesh në Universitetin e Tiranës, si edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe së fundi në Universitetin Evropian të Tiranës. Ka mbajtur rolin e drejtorit të etikës të një gazete të përditshme dhe ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të TVSh-së, si edhe është autor i dhjetëra artikujve shkencorë, botimeve e studimeve si edhe analizave e opinioneve në shtypin e përditshëm. Është spikatur gjithashtu, për qëndrimet e forta në lidhje me çështje dhe debate të rëndësishme publike si edhe analizën e mprehtë dhe stilin e të shkruarit, duke qenë edhe i vetmi autor shqiptar, që ka shkruar parathënie për botimet e Ismail Kadaresë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT