E marte, 11.08.2020, 01:59 AM (GMT+1)

Komente

Blendi Fevziu: Unë jam sot në Teheran!

E marte, 23.06.2009, 08:54 PM


Unë jam sot në Teheran!

Nga Blendi Fevziu

Telefonat celularë janë  fikur! Sinjali i tyre nuk ekziston më në Teheran. Televizionet e huaja janë bllokuar; korrespondentëve u është dërguar një faks, ku njoftohet se kronikat mund të transmetohen vetëm nga një pikë dhe kjo e kontrolluar nga Ministria e Kulturës! Centrali i telefonisë fikse në Teheran është mbyllur dhe të vetmet numra, që funksionojnë janë ata zyrtarë; Antenat e internetit u fikën dhe dritarja e vetme që e lidh me botën mbetet sot Radioja! Kjo është tabloja që ka prodhuar sot e dy javë rizgjedhja e Ahmedinexhadit. Por nuk është e gjitha. Teherani është i gjithi në flakë dhe qindra-mijëra, për të mos thënë miliona vetë protestojnë çdo ditë në mbrojtje të votës së lirë. Protestojnë kundër një rezultati të trukuar, kundër dhunës së një Presidenti bandit, kundër izolimit dhe krijimit të një Irani, që nga një vend normal po shndërrohet në një gogol ndërkombëtar me teoritë e tij absurde dhe provokuese.
Disa dhjetëra vetë rezultojnë të vrarë, shumë të tjerë të plagosur. Për fatin e keq, përmasat reale të saj do t’i mësojmë shumë më vonë, atëherë kur perdja e izolimit të ketë rënë, censura të jetë hequr dhe bota të ketë mundësinë të shohë dhe të hetojë siç duhet atë që po ndodh sot.
Ajo që dua të them me këtë shkrim nuk është arratisja në një realitet tjetër, tejet interesant për botën, por indiferent për Shqipërinë; as përsëritja e komenteve të pothuaj gjithë gazetave të botës. Ajo që dua të them me këto pak radhë është thyerja e heshtjes indiferente dhe solidariteti me ata miliona të rinj, që po luftojnë çdo ditë në rrugët e Teheranit! Dua të jem me ta për një arsye të thjeshtë. Ata po luftojnë një diktaturë dhe çdo betejë me diktaturat është beteja ime! Ata po luftojnë një president kriminel, provokues, arrogant, ashtu siç do të bënte secili nga ne për të pasur një shoqëri dhe botë tjetër. Ata po luftojnë sot, ashtu siç shqiptarët luftuan 19 vjet më parë. Ne që kemi lindur dhe jemi rritur në një diktaturë, më shumë se të tjerë e dimë vlerën e kësaj lufte. E dimë se sa e dhimbshme është të jesh në kurthin e një personi apo një grupi personash që me filozofinë e tyre të mbrapshtë, me manipulim apo dhunë, mbajnë peng një vend. Pengojnë zhvillimin dhe i heqin të drejtën kujtdo, ta ndërtojë ashtu si do dhe si beson jetën e tij.
5 vjet më parë qëllova të isha në një drekë me Ambasadorin iranian në Tiranë. Filloi të më fliste për luftën në Irak dhe sytë e tij qenë fare të qetë kur shqiptoi frazën:
- Rrugët e Bagdadit do vaditen me gjakun e amerikanëve!
Vetëm një regjim kriminal mund të ketë një filozofi dhe lehtësi të tillë për të përmendur vrasjen. U ndjeva i tmerruar duke kujtuar se bashkë me të rinjtë amerikanë atje ndodheshin edhe disa dhjetëra ushtarë shqiptarë, djem të rinj, që më kishin pritur me aq entuziazëm dhe dashuri gjatë një vizite në Mosul pak muaj më parë.
Ndaj atëherë dhe sot, i përsëris gjithnjë frazën: Të parët që do të japin jetën për një shoqëri më të mirë do të jenë vetë iranianët. Sepse një popull mund ta nënshtrosh për ca kohë; mund ta qërosh po ashtu, por nuk mund ta nënshtrosh kurrë plotësisht.
Eshtë e trishtë mungesa e qëndrimit të fortë dhe abstenca e Presidentit amerikan Obama, Kryeministrit britanik apo Presidentit francez.
Miliona vetë po ndeshen në Teheran çdo ditë dhe ata nuk duhet të ndihen të vetëm. Ata janë sot aleatët e botës së civilizuar, janë aleatë në luftën kundër të keqes dhe bota nuk mund të heshtë.
Nuk duhet të heshtim as ne, që kemi vuajtur aq shumë; kemi humbur aq vite dhe kemi qenë një shoqëri aq absurde dikur.
Ndaj, pak rëndësi ka nëse shkon a jo ky mesazh, unë jam sot një prej tyre. Një prej atyre miliona të rinjve, që duke sfiduar frikën e vdekjes dhe duke vendosur jetën peng, po luftojnë për një Iran dhe një botë më të mirë nesër.


(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora