E shtune, 20.04.2024, 12:34 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Halili: Identiteti dhe rruga jonë

E marte, 23.06.2009, 06:28 PM


Identiteti dhe rruga jonë

Reagim ndaj shkrimit "Konflikti me vetveten dhe kërkimi i identitetit evropian të shqiptarëve" të autorit Gjon Keka, botuar në të përditshmen "Kosova Sot" të datës 16.06.2009

Nga Blerim HALILI, E hënë, 22 Qershor 2009

Analiza dhe trajtimi me karakter politik, kulturor, historik dhe shkencor më së paku lejon abuzim të fakteve dhe manipulim me të vërtetat i frymëzuar, si duket, nga ndikimet ideologjike dhe etnocentrike sesa nga objektivizmi dhe shpërfaqja reale e fakteve.
Të qasurit dhe analiza ndaj dimensioneve kulturore dhe historike të jetës sociale, përkatësisht ndaj çështjes së identitetit kërkon pikësëpari (ç)lirim nga mjegulla e paragjykimeve dhe e shpifjeve me rrënjë në injorancën e sheshuar botërisht, dhe çuditërisht pa turp.
Çka i hyn në punë "studiuesit" kur shkruan me kaq subjektivitet për identitetin tonë që "na e paska mbuluar e humbur ndikimi oriental e sllav" (barazimi plotësisht pa vend), që t'i "rrëfejë" përralla lexuesit se gjoja (librin e shenjtë të shumicës së shqiptarëve), Kur'anin (bile shkruan me "k" të vogël, gabim) e paskan shkruar "disa që dinin të shkruanin mirë dredhërisht" e të cilët "i paska urdhëruar Muhamedi" (a.s.)?
A nuk i paska ardhur fundi kësaj logjike? Jo, e dimë se jo. Por, nëse jo pse atëherë shprehet më kaq ironi kjo rrenë, bile aty ku fare s'i duhet, bile aty ku ia zbeh pa masë karakterin objektiv shkrimit.
Po s'është çudi. Ndoshta ky është edhe një hap tjetër në vazhdën e përpjekjeve të zotërinjve dhe vëllezërve(!) të tillë, për thirrje në atëfarë "kthimin tonë atje mbrapa në histori…", njëmend mbrapa, bile tepër mbrapa, ndoshta gjerë në paganizëm, të cilët si duket ende po vuajnë nga "imponimi" dhe ngjyra e këtij identiteti shqiptar të lartë moralisht, kulturalisht dhe me vend meritor në rrafshin qytetërimor.
Çka i duhet tani autorit të shpreh paragjykimin e tij e të "rrëfejë" rrenën se "islamizmi" (i shkruar gabim, në vend të: Islami) qenka "pjellë e Muhamedit" gjersa shkruan për identitetin tonë shqiptar, ("Pa bizantizëm e islamizëm" siç na shprehet ai)?!
Kush ka thënë ashtu bre? Ç'është ky korrelacion: "identiteti ynë" - nga njëra anë, dhe, "të qenit e Islamit pjellë e dikujt" – nga ana tjetër. A mos ndoshta është shprehur në trajtën "bie fjala"?! Do të kishim dëshirë të ishte ashtu. Por druajmë se kjo i shërben thirrjes dhe jehonës idiote të lartpërmendur. Gjonizëm i mbrojtur me fanatizëm!
Të barazosh një fe dhe mesazh që për një kohë të shkurtër jehoi në të katër anët e botës duke kultivuar shpirtin human, paqen, drejtësinë dhe moralin, apo siç thotë Sami Frashëri, që "…zëvendësoi politeizmin me monoteizëm, barbarinë me qytetërimin, paditurinë me dituri, urrejtjen me respektin ndaj njëri-tjetrit, dembelinë me përpjekje në punë, papastërtinë me pastërti, poligaminë me monogami, shthurjen familjare me harmoni familjare, amoralitetin me moralin, egoizmin me zemërgjerësinë, nëpërkëmbjen e femrës me barazinë me mashkullin, padrejtësinë me drejtësi, etj.", islamin - nga njëra anë, dhe, një ideologji radikale dhe antihumane që shkaktoi gjak, dhunë, mjerim shpirtëror dhe moral kudo që provokoi ekzistencën e vet mbi faqe t'dheut, komunizmin – nga ana tjetër, është absurde
E nuk po di, kush janë ata që po u thirrkan, sipas autorit, në "kulturën turke, arabe...", prej ne shqiptarëve, e që janë duke e gënjyer vetveten për integrim në Unionin Evropian?! E pse të identifikohet integrimi në Unionin Evropian me integrimin në sistemin e vlerave të shëndosha? Për vlera të shëndosha s'kemi nevojë për model. Në Unionin Evropian mund dhe duhet të hyhet veç me vetveten e jo me tjetërsim, pra me sistemin tonë vleror e kulturor e jo me tëhuajësim të vetvetes. S'është identiteti rrobë që hiqet kur të duash, bile as rroba s'hiqet ashtu. Gërshetimi i vlerave tona të ruajtura si popull, e që, mjerisht kanë marrë tatëpjetën, me të arriturat dhe sistemin politik të shteteve evropiane janë dy gjëra që kërkojnë njëmendësi.
Nuk është kusht për integrim në Unonin Evropian apo në këtëfarë "sistemi vlerash" (!) të përfaqësosh "kulturë të pastër" (të njëllojtë, kjo është absurde) dhe identitet të pastër (të mos krahasojmë bile pastërtinë e proklamuar hitleriane me këtë kërkesë). Ne shqiptarët kemi identitet për mburrje bile, që shënoi ekzistencë të gjerëtanishme me unitetin maksimal ndërfetar. Larmia kulturore, fetare është pasuri e një populli e jo pengesë integrimesh, është për mburrje e jo për të fshehur kokën.
Të përfaqësosh dhe të identifikohesh me një kulturë dhe qytetërim me përmasa botërore, që i la botës gjeni të fushën e dijes, shkencës, filozofisë, moralit përgjatë tërë historisë nuk është diçka negative që të shprehet në trajtën "infeksion i islamizmit".
Shqiptarët kanë nevojë të mendojnë, por veç duke qenë këta që janë, kanë nevojë të shfletojnë historinë, por s'janë të padenjë që bashkëjetesën dhe ekzistencën e kamotshme në kuadër të një sistemi politik, kulturor e fetar me larmi identitetesh, me një respektim maksimal të tyre, ta konsiderojnë si humbje të identitetit.
Para shumë shekujve paskemi qenë të krishterë dhe paskemi pasur kulturë të lartë! Ani de! Kemi shqiptarë të krishterë ende, e që, sipas asaj logjike paskemi edhe pak kulturë të lartë. Por, kultura e lartë nuk identifikohet gjithsesi me krishterimin e shqiptarëve të asaj kohe. Shqiptarët myslimanë të atyre shekujve që po urrehen dhe paragjykohen nga autori pa të drejtë dolën kolosë të dijes, shkencës, letërsisë, artit, mjeshtërisë që nuk u izoluan në kontekste të ngushta hapësinore, madje fatmirësisht as kohore. E kësaj çka i thonë, a s'është kulturë e lartë? Po, është, bile këto janë aspekte më thelbësore të saj.
"Rruga e brendshme e arsyes dhe trokitja në ndërgjegje të shqiptarëve" nuk konsiston realisht në kthimin tonë "atje" ku po proklamohet nga autori.
Por rrugë e arsyes është të pranohet identiteti real i shqiptarëve me ngjyrimet e mirëqena kulturore dhe fetare e të lihen thirrjet e zbrazëta, boshe, plot subjektivitet që nën maskën e luftimit të ideologjisë, identifikojnë një ideologji në vete, që sjell çorientim (bile edhe përçarje).
Bile ne shqiptarët jemi popull për tu krenuar për faktin se përfaqësojmë shembullin më të mirë të gërshetimit të dy qytetërimeve dhe të identitetit të dyfishtë, të Lindjes dhe Perëndimit.
E sa për konflikt me vetveten, më parë do të ishte e drejtë të quhet krizë me vetveten në kërkim të identitetit, jo në kuptimin e shtruar në shkrimin që po e citojmë, por në një kuptim diçka më ndryshe, gjë e cila s'mund të mohohet në vazhdën e brohoritjeve për integrime dhe tjetërsime e që, për rrjedhojë do të ketë thellim të krizës.
Fundja secili mund ta ndjejë veten çfarë të dojë, por është pa vend të lëshohen zëra të tillë çorientues, të bëhen përgjithësime. Nuk duhet të shikohen gjërat vetëm nga një prizëm pa marrë në konsideratë kontekste më të gjera sociale, kulturore, dhe të shtrembërohen pa të drejtë të vërtetat dhe esenca e ngjarjeve, personaliteteve dhe e rrjedhave historike, politike dhe kulturore, në kontekste lokale dhe globale, ngase çështja e identitetit është më e ndërlikuar se ç'mund të hamendësojmë dhe s'mund të jepen receta me absolutizime të tilla për udhëtimin e një kombi në trajektoren kulturore dhe kohore.

Student i Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës.


(Vota: 13 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora