Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Feti Zeneli: Korça si gjithë Jugu - blu, të “privilegjuarit” e mandatit të dytë

| E hene, 22.06.2009, 07:08 PM |


Korça si gjithë Jugu - blu, të “privilegjuarit” e mandatit të dytë

Nga Feti Zeneli

Qarku i Korçës pritet të japë një kontribut të çmuar për fitoren e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Informacionet e ndryshme tregojnë, se edhe këtu po punohet sipas objektivit për të përsëritur fitoren e 22 marsit ’92, gjë që do të thotë se po luftohet për të fituar edhe deputetin e 9 të listës emërore prej 12 kantidatësh gjithsej. Në një qark me tradita të shquara kulturore dhe tradita atdhetare, arritja e një objektivi të tillë nuk është i pamundur. Gjithashtu, ka edhe shumë arsye të tjera, pse duhet të ndodh kështu, të cilat lidhen jo vetëm me punën aktuale të kandidatëve demokratë për deputet dhe strukturave përkatëse të PD-së në këtë qark, por kryesisht me investimet dhe arritjet 4-vjeçare të qeverisë “Berisha”, madje ca më shumë me programin qeverisës të demokratëve për mandatin e dytë blu, që fillon në 29 qershor. Objektivi i mandatit të dytë qeverisës të demokratëve është që, ta shndërrojë Korçën në një qytet modern të tipit bujqësor-tregëtaro-industrial-turistik, metropolis i jugut  për kulturë e arte, me agrobiznesin model për gjithë vendin, duke investuar përveç të tjerash edhe në ndërtimin e akseve të shkurtëra rrugore që e lidhin atë mes vedi, si dhe me kryeqytetin apo qytetet e tjera të vendit tonë. Gjatë ceremonisë së inagurimit të rrugës Korçë-Qafë Plloçë, kryeministri Berisha premtoi edhe për ndërtimin e rrugës Qafë Plloçë-Qukës, në gjurmët e rrugës së vjetër Egnatia, në një gjatësi të përgjithëshme prej 70 km. Kësisoj Korça dhe gjithë qëndrat e tjera të banuara të këtij qarku të rëndësishëm afrohen shumë përsa i përket lidhjes me Tiranën dhe gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Ndërtimi i segmentit Tiranë-Elbasan si pjesë e Boshtit të Jugut është një investim mjaft dobiprurës për qarkun e Korçës dhe të Elbasanit, udhëtarëve të të cilëve, rruga ekzistuese e ndërtuar nga austriakët në fillim të shekullit të kaluar u kushton më shumë se një orë e gjysëm kohë për të ardhur nga Elbasani në Tiranë dhe anasjelltas. Ky është një projekt që do të fillojë të ndërtohet së shpejti. Gjatë një takimi që ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan, zhvilloi këto ditë në Tiranë me z. Lulzim Basha, deklaroi: "Realizimi i këtij projekti ka domethënie të madhe. Sapo të marrim vlerësimin teknik të saj, procedurat përkatëse do të kalojnë në instancat e duhura shumë shpejt dhe besoj, që deri në takimin e Komisionit të Përbashkët në shtator do të marrim një vendim lidhur me financimin e saj. Këtë e them me bindje edhe si anëtar i bordit të Bankës Abu Dabi për Zhvillim”.

Siç është bërë e ditur herë pas here, por veçanërisht në ditët e fushatës zgjedhore, në mandatin e dytë qeverisës të demokratëve objektivi kryesor i investimeve në inftrastrukturë do të zhvendoset në pjesën jugore të Shqipërisë, për shkak se investimet e rëndësishme të këtij karakteri në veri të vendit (rruga Durrës-Kukës dhe “Rruga e Arbrit”) janë në përfundim e sipër, ku kësaj here kryevepra do të jetë Boshti i Jugut, i cili shtrihet në itinerarin Tiranë-Elbasan-Kuçovë-Berat-Memaliaj-Tepelenë-Kardhiq-Delvinë-Sarandë; gjithsej rreth 170 km, duke e shkurtuar distancën e kryeqytetin me skajin jugor të vendit për rreth 100 km, krahasuar me atë që është sot. Në këtë mënyrë, rruga Korçë-Qafë Plloç-Elbasan bëhet një degëzim i rëndësishëm i Boshtit të Jugut dhe i shërben  gjithë qarkut të Korçës dhe nëpërmjet tij gjithë Shqipërisë. Nga ana tjetër, midis rrugëve nacionale që i shërbejnë këtij qarku mund të përmendim edhe rikonstruksionin e rrugës Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet. Ky segment rrugor është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht për rrethin e Kolonjës që deri tani ishte lënë në harresë. Nga Përmeti fillon një investim tjetër në ifrastrukturën rrugore që shtrihet në drejtim të akseve të vjetëra rrugore, të cilat e lidhin këtë qytet me Tepelenën dhe Beratin. Fjala është për rikonstruksionin modern të këtyre segmenteve rrugore, duke ndërtuar kështu në të gjithë Jugun e vendit kapilarin e infrastrukturës së nevojshme rrugore sipas parimit të operimit në distanca të shkurtëra jo vetëm midis qyteteve, por edhe midis fshatrave dhe qëndrave të komunave apo këtyre të fundit me qëndrat e qyteteve dhe rretheve përkatëse. Nga pikpamjat gjeografike, Jugu ka një shtrirje gjerësore më të madhe se sa pjesa veriore e vendit tonë, ndaj kërkohet një investim më i madh në infrastrukturë për t’i zvogëluar sa më shumë këo distanca fizike, në të dy krahët e Boshtit të Jugut. Në pjesën perëndimore të këtij aksi puna është disi më përpara, pasi ka përfunduar autostrada Lushnjë-Fier dhe rruga e Bregut nga Vlora në Sarandë, është duke përfunduar ajo Fier-Vlorë dhe ka filluar të punohet me ritme të shpejta për ndërtimin e autostradës Levan-Tepelenë. Segmentet rrugore që po ndërtohen në zonën verilindore të vendit nuk mund të kenë efektivitetin e duhur pa Boshtin e Jugut, i cili mund të lidhet me Qarkun e Korçës edhe nëpërmjet një degëzimi tjetër rrugor që kalon nga Berati në Skrapar e më tej në Korçë.

Një grup tjetër investimesh të rëndësishme në qarkun e Korçës dhe në të gjithë Jugun e vendit janë edhe ato në energjitikë, të cilat në mandatin e parë u konkretizuan me 3 HEC-et mbi kaskadën e lumit Devoll, HEC-in e Kalivaçit në Tepelenë, TEC-in e Vlorës dhe një sërë HEC-esh të vegjël të dhëna me koncesion në gjysmën e poshtëme të Shqipërisë, duke marrë kryeqytetin si pikë ndarëse. Në takimin elektoral që kryeministri Berisha zhvilloi në Përmet përmendi edhe ndërtimin e 8 HEC-eve mbi lumin Vjosë. Vepra të këtij karakteri pritet të ndërtohen edhe në lumenjtë Shkumbin e Osum. Edhe në këtë drejtim pjesa jugore e vendit do të jetë e privilegjuar për faktin se në veri të tij janë bërë shumë investime të tilla në kohën e monizmit, dhe ka qënë këto vepra energjitike të cilat kanë furnizuar ekonominë dhe popullatën me energji elektrike deri më sot. Të majtët për 8 vjet në pushtet nuk bënë asnjë investim në këtë drejtim, madje nuk arritën të vinin “as një tull” në ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit në Tepelenë, të projektuar për t’u ndërtuar qysh në vitin ’96 nga qeveria “Meksi”. Por në Jug të Shqipërisë ka edhe një sërë potencialesh të tjera energjitike, që mund të shfrytëzohen për ndërtimin e veprave të këtij karakteri, siç mund të përmendim erën, qymyrgurin, torfën, etj.

Parë në këtë këndvështrim, mund të themi se në mandatin e dytë qeverisës qarku i Korçës dhe gjithë Jugu i Shqiëprisë do të jenë rajonet më të “privilegjuara” për investime publike e private. Investimet e rëndësishme në infrastrukturë e energjitikë janë ato që paraprijnë, pasi siç ka treguar eksperinca e deritanishme, gama  e tyre është e shumëllojshme dhe shtrihet në të gjithë fushat e ekonomisë dhe jetës shoqërore, si në bujqësi, arsim shëndetësi, turizëm, etj. Do të duheshin faqe të tëra për të përshkruar një për një të gjitha investimet që parashikohen të ndërmerren nga qeveria “Berisha” në mandatin e dytë qeverisës të demokratëve. Një garanci për “investimet e dorës së dytë” janë edhe investimet themelore në infrastrukturë e energjitikë, pa të cilat nuk mund të kuptohen hapat gjigand që po bën e do bëjë Shqipëria në drejtim të zhvillimit dhe integrimit dinjitoz përkrah vendeve të zhvilluara europiane. Pikërisht këtu e ka bazën edhe premtimi i kryeministrit Berisha që për disa tregues ekonomiko- shoqëror thotë se, do të kalojmë ato të 5-6 vendeve të Bashkimit Europian.

Një garanci themelore për investimet e premtuara më mandatin e dytë qeverisës të demokratëve, të cilat do të realizohen në qarkun e Korçës është edhe volumi i investimeve të realizura në mandatin e parë të qeverisë “Berisha”. Gjatë 4 viteve të shkuara në qarkun e Korçës janë kryer rreth 195 miliardë lekë investime gjithsej, nga të cilat vetëm në arsim 12 miliard lekë. Investimet në sektorin e arsimit lidhen me ndërtimin dhe rikonstruksionin e 102 shkollave dhe kopshteve; nga të cilat 64 objekte në Korçë, 15 në Pogradec, 12 në Devoll dhe 11 në Ersekë. Në shëndetësi investimet kanë shkuar në 4,55 milird lekë, me të cilat janë ndërtuar dhe rikonstruktuar plotë 89 spitale e qëndra shëndetsore; nga të cilat 48 objekte në Korçë, 14 në Pogradec, 13 në Devoll dhe 14 në Ersekë. Investimet e ndërmarra në ujësjellës-kanalizime në këtë qark kapin shumën e 93 milird lekëve, të cilat konvertohen në 114 ujësjellësa, kanalizime dhe shpime pusesh. Po kështu këtij sektori i përkasin edhe 1,1 miliard lekët e Bordit të Kullimit të investuara për diga, prita, argjinatura, kanale ujitës, etj. Nga ana tjetër, në këtë drejtim nuk duhen lënë pa përmendur edhe subvencionet në bujqësi, blegtori, pemëtari, vreshta, etj., të cilat zënë shumën e 2,5 milird lekëve. Ndërsa shuma e investimeve në infrastrukturë për qarkun e Korçës shkon në 84 milird lekë për ndërtimin, rikonstruksionin dhe asfaltimin e 240 segmenteve rrugore, që në total shkojnë në rreth 400 km, nga të cilat 116 objekte në rrethin e Korçës, 57 në atë të Pogradecit, 33 në Devoll dhe 24 në rrethin e Kolonjës.

Gjithashtu, nuk duhet lënë pa përmendur edhe puna propoganduese e sqaruese që po bëhet në këto ditë fushate nga kandidatët demokratë për deputet dhe strukturat drejtuese të PD-së në qarkun e Korçës. Siç e përmendëm qysh në fillim, lista e kandidatëve demokrat për deputet në këtë qark përbëhet nga elementë mjaft të përgjedhur, ku spikat emri i Ministrit aktual të Financave dhe njëherësh sekretar i Përgjithshëm i PDSH-së, anëtar i Kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të saj, z. Ridvan Bode, i cili është një nga ministrat më të suksesshëm të qeverisë “Berisha”, i njohur për reformat e thella në sistemin financiar, reforma të cilat kanë sjellë një performancë europiane të Shqipërisë në fushën ekonomike. Po kështu jo pak janë të njohur edhe emrat e tjerë të kësaj liste si z. Edmond Spaho, znj. Elfrida Zefi, z. Ismail Hoxha, z. Edurat Ypi, z.Gjergji Papa, z. Fatbardh Kadilli, znj. Ledina Aliolli, Alfred Gega, Nikolla Dudo, dhe Zinet Shaholli. Natyrisht detyra e këtij ekipi në këto ditë fushate është mjaft e vështirë, pavarësisht investimeve të shuëmta që ka ndërmarrë qeveria “Berisha” si kudo në të gjithë Shqipërinë edhe në qarkun e Korçës. Është e vështirë për faktin se kanë përball një kundërshtar politik mjaft agresiv, që si “program elektoral” ka vetëm alternativën e përbaltjes dhe mohimit të çdo gjëje. Të gjithë shqiptarët e kanë parë si si kryetari i opozitës dhe kryesuesi i listës së deputetëve socialist në qarkun e Korçës  pozojnë tek ndonjë objekt i shkatërruar me ndonjë lypsar rrugësh apo tek ndonjë pemë e tharë. Kësisoj ata punën e bazojnë tek militantët e majtë që s’duan “as bukë, as ujë, as drita, as rrugë, as integrim”, por vetëm ish komunistët në pushtet. Kjo kategori zgjedhësish, që Europën vazhdojnë ta quajnë ende “kurva plakë”, punojnë natë e ditë “kokë më kokë” me njerëzit, në të gjithë format për t’iu kundërvënë “Shqipërisë që po ndryshon”, në emër të pushtetit majtist. Tashmë ata janë në panik, por sidoqoftë përmbajnë rrezikun e bishës së plagosur, kur nuk i vlerëson seriozisht e deri në minutën e fundit.