E premte, 29.03.2024, 12:30 PM (GMT)

Kulturë

Naser Aliu: Puthja e fundit

E hene, 22.06.2009, 07:16 PM


Naser Aliu

Puthja e fundit*

Eu, përnjëmend i vdekuri mund të vritet edhe nje here

dhe i gjalli të vritet e pastaj të dëbohet!

Ishim mbi tre qindë veta të fshehur në një luginë, ku gjarpëronte një përroskë e kthjellët dhe gurgulluese. Natën bënte ftohtë, nuk mund të flinim, por dremisnim. Disa kilomatra larg nesh luftohej pa pushim. Në terr gjuajtjet rraloheshin, herët në mëngjes vazhdonin me tërë ashpërsinë e vet. Unë kam pirë vetëm ujë, disa hanin edhe gjethe! Sot ra një shi i dendur. Fillimisht na mbronin gjethet, një copë herë më vonë ato nuk e mbanin dot peshën e shiut. Uji i pijshëm i përroskës u turbullua. Vdiqën pesë foshnje dhe tre pleq. Të gjithë ishin të dërmuar dhe të rraskapitur. Jeta nuk kishte më kuptim. Përpiqeshim të fitonim ca orë, apo ditë, mirëpo vdekja ishte e paevitueshme. Me mbulesa najloni i mbuluam fëmijët dhe pleqt, shumica vuanin nga ethet! Çdo ditë varrosim pleq dhe fëmijë; me shkopinj dhe duar i bënim varret. Me gjethe dhe dhè i mbulonim. Xha Zeneli, një plak në moshë të shtyrë, tërë kohën fliste në delir. Blerimi  tallej me të. Ai e quante plakun " zoti idiot "!

Pas çdo granate që pëlciste afër nesh vraponte xha Zeneli në atë drejtim:" po na hedhin bukë, po na hedhin ushqime…" thoshte dhe kthehej përsëri duke tundur kokën dhe shtonte i zemëruar :" edhe një gropë të madhe bën qafirat! Edhe një varr për ta!"

*

Babai rrëfente pa pushim dhe  në fund thoshte gjithmonë se do ta mbijetonim… Më parë nuk na kishte folur kurrë për fenë, tani cdonjëri fliste për Perëndi dhe parrajsë! Babi fliste aq bukur për parrajsin sa që tanimë nuk kisha frikë nga vdekja. Kisha drojë më tepër për vëllaun tim. Ai  kishte katër vjet, unë kisha jetuar dymbëdhjetë vite më shumë. Dëshira ime ishte që së paku ai të mbijetojë. Megjithëkëtë ideja se familja mund të shuhej më tmerronte dhe në këtë kohë kisha edhe një dëshirë: të mos digjen kufomat tona! Njerzit e karbonizuar që pamë rrugës më shfaqeshin çdo natë...

Kur braktisëm shtëpinë dhe kaluam pranë fakultetit filologjik, pash një shok të klasës para shtëpisë të shkallmuar. Ia kishin prerë gjymtyrët dhe e kishin hedhur në rrugë. Babait të tij ia kishin prerë kokën dhe ia kishin vënë mbi bark ndërmjet duarve.  Kudo gjymtyrë të prera njerzish. Para dere ishte një biçikletë fëmijësh, një top, një laps dhe një abetare. Një orë muri me xhamin e plasur mu në mes. Disa libra dhe fletore i hapte era dhe tërhiqej,  pastaj përsëri rikthehej dhe i rishfletonte faqet e tyre. Ca hapa nga dera ishte e shtrire një vogëlushe trevjeçare me shishen e qumshtin në gojë. Rreth qafe mbante një memë të kuqe. Vogëlushen e kishin qëlluar me një plumb në ballë dhe ashtu ishte shtangur me shishe në dorë! Në hyrje të derës një qen pa kokë. Karta të identitetit të grisura, çertifikata të ndryshme, këpucë dhe shumë gjak. Babai bërtiti me zë të lartë meqë kisha mbetur si e ngurosur dhe nuk bëja dot një hap nga vendi.

" Mos shiko, mos shiko atje ", bërtitën të moshuarit...

Unë u shtanga në vend, mbylla sytë dhe u rrëzova përtokë...

*

Dritëron, të dashurin tim e kishin dëbuar në një drejtim tjetër, ndoshta e ka kapercyer kufirin. Ai ishte 17 vjeçar. Një ditë para dëbimit bëmë dashuri. Kishte frikë se në çdo çast mund të vdesim dhe edhe rregullat morale nuk kishin kuptimë më!

Ai  thoshte se tani jemi në një çmendinë: të braktisur prej njerzve dhe të braktisur prej Perendisë! Unë i mbylla sytë dhe nuk kundërshtova. E afrova duke e shtrenguar pranë meje. Në fund tha:" E sheh çfarë dasme ? Dasmë e zezë në një zezonë! Luftëtarët tanë po shtiejnë, edhe ata tjerët po gjuajnë. Askush nuk gëzohet që u bëmë sot në bodrumin tënd burrë e grua!"

U përpoqa ta puthë edhe një here, puthja e fundit , mendova, por mu në atë çast u dëgjua alarmi, britma , vaje , hapa të shpejtë shkallëve dhe të gjithë zbritën në bodrum. Për here të pare i prezantova babait të dashurin tim. Babai i shtriu dorën, madje edhe u buzëqesh. Dritëro u skuq në fytyrë dhe nuk vështroi babain në sy. Tërë kohën mbante kokën e ulur!

Sot ishte më ngrohtë, ishte një ditë pak para pranverës. Ka muaj që jetojmë me aeroplanë, helikopter dhe granata. Sirenat nuk pushonin. Alarm! Alarm dhe vetëm alarm. Një i hendikepuar kishte mbetur vet mu në mes të rrugës me karrocen e tij! Sirena dhe ngarje makinash me shpejtësi trishtuese. Njerz të pashpresë dhe fëmijë duke qarë! Ushtarë dhe paramilitarë. Policë dhe civilistë të armatosur; tanke dhe topa në rrugë, topa dhe tanke zvarriteshin nëpër qytetin tonë. Në një anë vajtohej, në tjetrën shperthente muzika dhe hareja!

Paradarke u qetësua ca. Madje edhe fëmijët dolën pak në rrugë dhe luanin. " A thua përfundoi ?"

U kthyem përsëri në banesa. Dikund në Perendim kishte nisur përfundimisht të peshohej vuajtja jonë. Sot na vizituan shokët e babit. Mami bëri gati për ta vetëm nga një shërbet, diçka tjetër nuk kishte në shtepi, me përjashtim të një thesi miell dhe nje thesi me patate!

Ata folën për të kaluarën. Ata folën për ardhmërinë. Ata folën për jetën dhe ata folën për vdekjen. Ata folen per UÇK-n dhe shpresat! Ata folën për artistët, shkrimtarët dhe politikanët. Qëndrimet e tyre! Përnjemend ata folën për gjithçka: për Uashingtonin, Berlinin, Londrën, Parsin, Moskën, Pekingun; për Perëndinë dhe djallin dhe folën për fatin tonë të pafat! Ata folën për I.Kadaren, G. Grass dhe A. Glucksman; B. Clintonin dhe Toni Blair, G Schröder dhe J. Chirac. Rrudhat nga ballet nuk mund asnjeri t´i fshihte!

" Të presim", ishte vendimi i tyre përfundimtar. " Ne, nuk do t´i braktisim shtëpitë vullnetarisht...ndoshta na ndihmon NATO!" Ky ishte vendimi i lagjes.

Aty nga mesnata shkuan në shtëpitë e tyre. Nëna shkoi te daja sepse gjyshja ishte e sëmurë rëndë dhe thonin se nuk do të zgjaste shumë. Ishte një natë e qetë, një natë e kthjellë pranverore. Dritat ishin kudo të fikura. Herepashere degjoheshin krisma. Drita të zbehta shiheshin në ndërtesën përballë nesh. Aty banonin kryesisht oficerët e armatës dhe policët. Një puhizë e lehtë i shushuriste lulet tona në ballkon, që ishin për gjysmë të thara. Ato do të vyshken me ne. Ka javë që nuk i ka ujitur njeri! Thjesht ato nuk ishin më pjesë e jetës sone. Vështrova lart në qiell dhe nisa të lutem. Me kokën e ngritur dhe lotët që më rridhnin faqeve përveç Perendise luta edhe Nënë Terezën.

" O Perendi" ,  ku je ? Vallë nuk sheh këtë vuajtje, këta lot, këtë mjerim të fundbotshëm! Oh Perend…"

" Eja brenda ", më ndërpreu babai, "eja vogelushja ime" ! E pash në sy dhe dridhesha. Sytë e tij ishin të mbushur me lot. Më përqafoi për t´i fshehur syte. E degjova shtrengimin e dhëmbëve. Luli, vëllai im i vogël, vrapoi shpejt dhe e zuri babin në kembë. U shtrimë në divan dhe nuk folëm me njëri tjétrin. Lulin e zuri gjumi mes nesh. Tash e disa jave flejmë të veshur dhe me këpucë.

" Më vjen keq për librat ", tha babai me zë të ulët dhe hodhi një shikim rafteve përplot. Unë nuk thash asgjë, madje nuk e dija më se për çka më vinte keq, e për çka jo! Ai mund të thoshte cka të dojë, unë shihja para dere apoklipsin, fundin!

Nuk mund assesi ta mirrja me mend se dikund në botë të rinjët e moshës sime argetoheshin dikund me muzikë dhe drita neoni. Ne i mbyllem sytë dhe bëmë sikur po flenim.

Përjashta bërtiste një njeri me altoparlant: “NATO nuk do të ketë guxim, dëbimi duhet të përfundojë…pa dhimbje, pa mëshirë…kjo është mundësia jonë historike…!"

Nga lagjet tjera gati ishin dëbuar të gjithë. Çdo ditë na vinin lajme trishtuese. Unë mundohesha të mendojë në ditë të mira dhe sillesha herë majtas e herë djathtas. Gjumi nuk më zinte. Heret në mengjes u dëgjua oshëtima e rrotava të makinave të blinduara. Policë, ushtarë dhe paramilitarë zbritnin nga kamionët ushtarak. Radhën e kishin ne!

Vazhdon...

*Ky tregim është botuar në gjermanisht në një libër të publikuar nga disa autorë të huaj, me titull “Udhë të jetës” (Lebenswege) në vitin 2000. Shkruar në shtator 1999...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora