E shtune, 20.04.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Kombëtarja tjetër e Shqipërisë: ajo e braktisur e ndeshjeve miqësore

E diele, 21.06.2009, 10:12 AM


Kombëtarja tjetër e Shqipërisë: ajo e braktisur e ndeshjeve miqësore

Nga Besnik Dizdari

E tregon edhe kjo foto, ndonëse jo e një cilësie të mirë, e bërë vetëm disa sekonda para fillimit të ndeshjes Shqipëria – Gjeorgjia (1-1) e 10 qershorit 2009. Në arkivin tonë, kjo përfaqëson ndeshjen me numrin më të pakët të spektatorëve për një ndeshje të Kombëtares, qysh më 22 shtator 1946, kur ajo ka dalë për herë të parë në fushën e lojës në Shkodër për një ndeshje zyrtare: Shqipëria – Mali i Zi 5-0. Natyrisht që do ta fillonte me një ndeshje miqësore…


1.

Rrallë mund të gjesh një spektator të tillë kaq indiferent si në rastin e ndeshjes me Gjeorgjinë, për një ndeshje të Kombëtares së tij të futbollit.

Cilat mund të jenë arësyet?

Mendja të thotë se më kryesoret duhet të jenë këto:

* Ndeshja miqësore nuk është një ndeshje e Kupës së Botës apo e Evropës, çka do të thotë që në krahasim me to ajo është “e parëndësishme”.

* Kundërshtari i ndeshjeve miqësore që prej kohësh arrin të përzgjedhë dhe të sigurojë Shqipëria, nuk është i një niveli të lartë ndërkombëtar.

* Ndeshjet miqësore sot janë kthyer deri diku edhe në eksperimentale, por dhe lojtarësh të rinj të një prove e të një të ardhmeje, deri aty sa që shpesh të duken si ndeshje stërvitore.

* Ndeshja luhet gjithnjë në Tiranë përballë një publiku disi snob dhe nënvleftësues i pamshirshëm për kësisoj ndeshjesh, në vend që ato të luhen në qytete të tjerë, ku ka një etje më të madhe futbollistike, por dhe për Kombëtaren.

Problemi është, se me gjithë këto katër arësye të mosshkuarjes në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për të pa Kombëtaren e miqësoreve, rekordi i ndeshjes së javës që shkoi, e cila pati gjysmën e spektatorëve të ndeshjes Bylis i Ballshit - Gramozi i Ersekës, është i papranueshëm dhe shembulli nuk gjindet diku tjetër në Evropë: që për një ndeshje të Kombëtares së futbollit të një shteti, në stadium të mos jenë as edhe 1500 shikues, sa çfarë mund të kenë qenë afërsisht në ndeshjen e së mërkurës që shkoi.

Edhe për natyrën “e lirshme” që mund të ketë një ndeshje miqësore, edhe për lojtarët e rinj që mund të provohen gjatë saj, edhe për eskperimentin që mund të bëhet, prapseprapë ndeshja miqësore duhet të tërheqë një interes, natyrisht i një lloji të veçantë. Mirëpo, e vërteta është se në Shqipëri ka bukur do kohë që nuk ngjet kështu. Eshtë vërtet e trishtueshme që një ndeshje e tillë demonstrative, tregëtare, publiciteti, pa nivel agonizmi, si bie fjala ajo Përzgjedhja e Shqipërisë – Milan i Italisë (3-3), të tërheqë mijëra e spektatorëve dhe një ndeshje zyrtare e Kombëtares si ajo Shqipëria – Gjeorgjia të mos tërheqë as edhe deri një të pestën e spektatorëve “milanistë” shqiptarë. Për fat këtu kemi mbërritur: te milanistët, juventinët e interistët shqiptarë!

Natyrisht nuk mund të të shkojë ndërmend që të kërkosh të ndalosh të rinjtë tanë, të cilët kur marrin vesht se në Tiranë do të luajë një Cristiano Ronaldo, një Kaka apo një Ronaldinho, ata të qëndrojnë indiferentë e të mos vijnë në stadium për t’i shijuar futbollin e tyre të madh edhe pse të një gare disi “të rrêjshme”. Në fund të fundit, është fjala për më të mirët e botës. Mirëpo, a nuk e vëreni se Shqipëria e mjedisit sportiv po përjeton gati adhurimin për futbollistët e huaj? A nuk e vëreni se publiciteti që i bëhet në Shqipëri ftesës së përditshme për të ndjekur transmetimet televizive të kampionateve të huaj, ka kaluar çdo logjikë propagandistike? Aq sa shpesh të duket si një shpëlarje truri?

Shihni për një çast një reklamë buçitëse si kjo e mëposhtmja:

“2009 vjen në standartin më ideal. Eventet më madhështore, superduelet e ligave më prestigjioze të globit tani mund t’i përjetoni live vetëm në haidefinishën. Emocione reale sfidash, të një dimensioni tjetër. Ngjyra brilante në përsosmërinë digitale.. dhe dekoderin e standardeve botërore HD. Premierat sportive më pasionante të vitit me të vërtetë magjike”…”.

Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të cilit i takon të jetë roja e parë e pastërtisë së gjuhës shqipe, ka kohë që i është hapur një fushë e re, krejt origjinale pune studimore a shkencore mbi shkatërrimin e gjuhës shqipe mû prej gazetarisë sportive e televizive bashkë. Me këte thirrje deri në qiell të një fjalori me gati rreth 50 përqind që nuk është i gjuhës shqipe (“ideal”, “eventet”, “superduelet”, “prestigjioze”, “dimension”, “brilant”, “standard”, - të gjitha të mundshme për t’u shqipëruar) cënohen deri në skaj vlerat e gjuhës shqipe, e padyshim ndikojnë, sidomos te brezi i ri i sotëm i një kulture të ulët gjuhësore, për të braktisur ndeshjet sportive shqiptare dhe për t’i joshur deri në çmenduri për te ato të huaja.

Pati një shembull të vaçantë vetë pragndeshja me Gjeorgjinë, kur gazetarët shpiptarë iu turrën trajnerit mik Hector Cuper për ta nxitur të tregojë kohën e tij kur ka qenë trajner i Interit të Milanos, që merret me mend se nuk është asesi një çështje shqiptare, përveçse e harruar tashmâ edhe prej vendit që i përket. Kaq fort është sëmurë shija sportive kombëtare në Shqipëri!

Atëherë, si mund të vijnë spektatorë në ndeshjen miqësore të Shqipërisë me Gjeorgjinë kur dashuria e rinisë futbollistike shqiptare kryesisht po drejtohet drejt dashurisë së pafrê ndaj futbollit, futbollistëve dhe skuadrave joshqiptare?


2.

Nëse do të bënim ndërkaq, një sondazh (kërkim) se çka është historia e Kombëtares tjetër të Shqipërisë, kësaj të ndeshjeve miqësore, jemi të sigurtë se do të ndodhemi para ngritjes së supeve. Ndoshta nuk e dijnë se Kombëtarja e Shqipërisë është ndërtuar mû mbi ndeshjet miqësore. Përjashto kohën e Kampionatit Ballkanik 1946-1948, qysh nga 1949 e deri më 1963, për gati 15 vjet rresht, kjo Kombëtare ka ekzistuar vetëm falë ndeshjeve miqësore, natyrisht me Kombëtare të vendeve komuniste të ashtuquajtura të Demokracive Popullore. Duam apo s’duam, jemi të detyruar të pranojmë, se janë mû këta 15 vjet që me heshtjen apo shpërthimet e ndeshjeve të pa një planifikim të drejtë gjeopolitik për shkak të ndarjes ideologjike të Evropës, ato që kanë vënë themelet e skuadrës Kombëtare modeste të Shqipërisë. Mjafton të kujtosh jo vetëm fitore të tilla si Shqipëria – Bullgaria 2-1, Shqipëria – Çekosllovakia 3-2 e 2-1, Shqipëria - Polonia 2-0, por sidomos emrat e futbollistëve të cilat i kanë interpretuar këto ndeshje miqësore, të tillë si L.Boriçi, Biçaku, Fagu, Resmja, Vila, Parapani, Vogli, M.Dibra, Llambi, Shaqiri, Kavaja, Spahiu, Teliti, Z.Gjinali, Jareci, Mirashi, Bonati, Peqini, Bakalli, Maliqati, Deda, Kraja, Deliallisi, Halluni, G.Merja, Ndini, Rreli po dhe të tjerë, për të kuptuar jo vetëm peshën e rëndë të këtyre ndeshjeve miqësore. Dhe në mungesën e ndeshjeve për turnetë kualifikues evropianobotërorë, ishin këto ndeshje miqësore që rregullisht kanë patur deri gati 30.000 bileta të shitura në Stadiumin Kombëtar, ato që vunë themelet, ndonëse i përkasin një kohe krejt tjetër ku futbolli dhe Kombëtarja ishte ndoshta i vetmi gëzim popullor të një periudhe shtypjeje jete, diktature. Nuk mund të mëtohet të sjellim sot atë interes të pashoq, por jo deri këtu ku kemi mbërritur, siç e tregon edhe foto e jonë e ndeshjes Shqipëria – Gjeorgjia e 10 qershorit 2009.

Rinia e sotme futbolldashëse shqiptare, ndjenjën kombëtare për një ndeshje të Kombëtares e përjeton krejt ndryshe, shpesh më tepër të një pasioni (gjakimi) a kërshërie për të shijuar mjeshtrat e famshëm të huaj se sa për të mbërritur te përjetimi i një fitoreje të madhe të Kombëtares Shqiptare. Për këte mjafton të vërejmë ndryshimin e thellë që paraqet mënyra e përsosur se si e bën mbështetjen për Kombëtaren publiku shqiptar i ardhur nga Kosova apo Maqedonia, dhe se si e përjeton ate publiku shqiptar i Tiranës. Vetvetiu mbërrijmë në pranimin e së vërtetës që na tregon se formën e re të fuqishme të mbështetjes së Kombëtares në ndeshjet kualifikuese evropianobotërore nuk e udhëheq rinia sportive e Tiranës, por ajo e ardhur e Kosovës. Kjo tashmâ përbën një dukuri të padiskutueshme.

Përjetuam vërtet një rast krejt të veçantë në prag të ndeshjeve me Gjeorgjinë. Federata Shqiptare e Futbollit gjithmonë bën akreditimin e gazetarëve për ndeshjet përmes pajisjes me dokumentacionin përkatës të pranisë së gazetarëve në tribunën e shtypit, ashtu modeste siç kjo është. Ishte një prani e jashtëzakonshme në zyrat e FSHF-së për t’u pajisë me akreditimet për ndeshjen me Portugalinë, thuajse e papërballueshme. Dhe ishte një qetësi olimpike për akreditimet për ndeshjen me Gjeorgjinë. Pamë tufën e akreditimeve mbi tryezën e zyrës së shtypit të FSHF që të dukej se nuk tërhiqte askend përderisa me vështirësi po mbërrinin gazetarët për t’i marrë e për t’u pajisur me to. Qofshim të gabuar, por do të kenë tepëruar! Ia vlen “t’i dënosh” për një herë tjetër gazetarët të cilët nuk erdhën për t’i marrë. E pra, për gazetarët çdo ndeshje ka të njëjtën rëndësi profesionale. Për çudi, braktisësi i parë i ndeshjeve miqësore të Kombëtares, për fat të keq, na delka të jetë vetë shtypi, i cili më fort u shqetësoka se çka mendon për të kaluarën e të tashmen e Interit të Milanos së Italisë trajneri i Gjeorgjisë Hector Cuper nga Argjentina!


3.

Në këte amulli dhe mospranim të rëndësisë së ndeshjeve miqësore të Kombëtares e ndjejmë ndërkaq, se duhet bërë pak “historizëm”, jo histori.

Kombëtarja e Shqipërisë ka një bilanc tejet tërheqës në ndeshjet miqësore. Ose, për të qenë më të saktë, ajo ka një baraspeshë vërtet interesante në krahasim me ndeshjet e saj kualifikuese evropianobotërore. Madje ka një bilanc më të nderuar se Kombëtarja e ndeshjeve kualifikuese, çka në fund të fundit, është e logjikshme, kur kujton natyrën më të lirshme e më me pak përgjegjësi të ndeshjeve miqësore.

Ndeshja e 10 qershorit, kjo Shqipëria – Gjeorgjia ishte e 61-ta miqësore e Shqipërisë në histori. Pak. Dhe? Janë 22 fitore dhe 23 humbje, vetëm një ndeshje më pak në kahun humbës. Kësisoji, për historianin ndeshja me Gjeorgjinë merrte një interes krejt tjetër. Mjaftonte një fitore me ish sovjetikët dhe Shqipëria e miqësoreve do të mbërrinte në barazimin 23 të fitoreve dhe humbjeve. Ky barazim “sui generis” do të përbënte rastin e vetëm, më optimist në të gjitha bilancet e ndeshjeve ndërkombëtare të skuadrave shqiptare që deri më sot janë bilance humbëse. Dihet, nuk të ngjallin një eufori bilancet fitimtare të ndeshjeve miqësore. Po qoftë dhe për hir të “historizmit”, përse të mos fitohej bie fjala ndeshja me Gjeorgjinë, barazimi i së cilës u duk se i mbeti një peng, siç e deklaroi vetë, edhe trajneri Josip Kuže, i cili doemos si teknik që është, e di mirë se vetëm fitoret, të çdo lloji qofshin ato, gjithmonë ngjallin forcë, optimizëm, besim, siguri, të ardhme tek çdo ekip futbolli në botë, i vogël apo i madh qoftë.

Shqipëria, sidomos vitet e fundit, nuk ia ka arritur t’iu japë rëndësinë e duhur ndeshjeve miqësore. Ajo ka plot 4 vjet, që nuk ka arritur të luajë asnjë ndeshje të vetme miqësore me një fuqishëm të Evropës. E nëse do të pranonim se disi pranë të fuqishmëve (kurrsesi një i fuqishëm mirëfilli) është ekipi i Polonisë, i dy ndeshjeve me te, të 29 majit 2005 dhe të 27 majit 2008, padashur jemi kthyer te stili “pansovjetik” i viteve ’50! Përjashto pra Poloninë, e cila nuk është ajo e Dejnas, Lubanskit, Latos e Bonjekut, në këto katër-pesë vjet, miqësorasit e Shqipërisë kanë qenë Azerbaixhani, Lituania, Gjeorgjia, San Marino, Maqedonia, Malta, Liehtenstejn, prap Azerbaixhani, prap Gjeorgjia!...

Të mëdhejtë, qoftë dhe një i vetëm në pesë vjet, “nuk pranojnë” të ndeshen me Shqipërinë?... Apo ndoshta paaftësia për të tërhequr herëpashere ndonjë skuadër të fortë të Evropës, siç ia arrijnë shumica dërmuese e shteteve të tjera të saj, ka çuar te parëndësia e ndeshjeve miqësore të Shqipërisë? E cila siç thamë i ka tejet të pakta: vetëm 61 ndeshje në 63 vjet, që do të thotë më pak se një miqësore në vit?

U bënë disa vjet që Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të organizojë ndeshje miqësore as me të fortët e Ballkanit: Turqi e Greqi, pa shkuar te një Bullgari a Rumani. Ndërsa ëndërra për një takim të vetëm me një Francë, e aq më pak me një Itali aq të ëndërruar qoftë dhe për hir të një afërsie historike, madje mirëfilli sportive kur dihet se edhe falë mbështetjes së pakufi të Italisë në vitet ’30, Shqipëria themeloi edukimin fizik dhe sportin e saj. Kështu qysh me instruktorët italianë të edukimit fizik, po dhe të futbollit (me në krye një Ratti apo Lissoni, të cilët askush nuk ka guxuar t’i nderojë deri më sot) - një marrëdhënie që do të kulmojë me ndërtimin e prej saj të vetë Stadiumit të parë në Shqipëri: Kombëtari.

Nuk është aspak e vërtetë se nuk pranon të luajë i madhi me të voglin. Shihni ndeshjet miqësore se sa të shumta janë edhe ato midis të mëdhejve dhe të vegjëlve në Evropë. Do të jepte një pamje të një rëndese e peshe krejt tjetër për ndeshjet miqësore të Kombëtares alternimi i ndeshjeve me të vegjël me ato të mëdhej. Nuk është e lehtë, natyrisht. Realizime të tilla kërkojnë parashikime e marrëveshje paraprake, propozime të hershme në kohë, ecejake, një diplomaci e tanë futbolli, e pse jo, ndonjëherë jo vetëm e FSHF-së, po deri edhe e diplomacisë ndërqeveritare. Nuk është një utopi as kjo…


4.

Problemi duket që është disi kompleks apo i komplikuar, dy fjalë që edhe pse në shqip mund të përkthehen në “i pështjelluem” dhe “i ndërlikuem”, duket se janë barbarizma të pranueshme për të theksuar fort këte dukuri, që ne deshtëm ta përmbledhnim nën emblemën tonë “Kombëtarja tjetër e Shqipërisë: ajo e braktisur e ndeshjeve miqësore”.

Tash, duke e mbyllur me ate çka tregoi ndeshja me Gjeorgjinë, që u zhvillua “pa spektatorë”, aty këtu, megjithate u duk se ajo ngjalli një optimizëm. Sugjestionoi edhe një afirmim befasues i trajnerit Cuper për talentet shqiptarë të futbollit, deri aty saqë ne e kemi të vështirë ta pranojmë. Për një çast na shkoi ndërmend se argjentinasi i mirënjohur mund të mbajë në mbrendësi të shpirtit të tij futbollistik mendimin se ndoshta një ditë edhe ai mund të bëhet trajner i Shqipërisë…

U fol kështu, për talente shqiptare, për lojtarë teknikë shqiptarë, duke harruar se në tokën gjeorgjiane ka asisoji një traditë tejet më të fuqishme se në ate shqiptare. Madje të një historie të rangut evropian: Dinamo e Tbilisit – Kampione e Evropës më 1981 (KKU), ndërkohë që në faqet e saj ka të skalitun emra të ndritur që e kanë çuar Bashkimin Sovjetik deri te titulli i Kampionit të Evropës apo në podiumin e tij: Mes-hi, Metreveli, Choheli, Hurcilava… Ndërsa Gjeorgjia e sotme në 11 ndeshje me Shqipërinë ka fituar plot 6 përballë vetëm 3 humbjeve, me golaverazhin dërrmues 17-9! Eksperimentoi jo pak edhe ajo në ndeshjen e 10 qershorit.

Ndërkaq, në kampin shqiptar, megjithë emrat premtues të tillë si Ujkani, Hyka, Vila apo Muzaka, vështirë e kemi të bindemi se miqësorja Shqipëria – Gjeorgjia 1-1, qe diçka shpërthyese. Ajo ishte thjesht diçka provuese, pa ia arritur të na japë një përfundim teknik aq optimist. Në mjedisin e përgjumur të tribunave të boshatisura të Stadiumit Kombëtar, në rezultatin jo tërheqës, ajo nuk i shtoi diçka të veçantë historisë “së bukur” të Shqipërisë në ndeshjet miqësore. Ishte një përsëritje e viteve të fundit, që asesi nuk i përngjan bie fjala, ndeshjeve të tilla miqësore të harruara të dekadave të fundit si fitoret Greqia – Shqipëria 0-2 apo dhe 1-0, Turqia – Shqipëria 1-4 apo dhe 0-2, e deri deri te Shqipëria – Suedia 2-1. Kur u luajtën në Tiranë, thuajse i patën mbushur tribunat e Stadiumit Kombëtar…

Po nuk bashkuam Shqipërinë e ndeshjeve kualifikuese evropianobotërore me ate të ndeshjeve miqësore, kjo e fundit do të mbetet diçka e huaj, e braktisur, e parëndësishme, ndonëse është i vetmi formacion shqiptar që thuajse ka sa fitore po aq dhe humbje.

Kthesa e Kombëtares për mirë, mund të nisë vetëm nëse synojmë e punojmë për ta bërë të rëndësishme edhe Kombëtaren tjetër, këte të braktisur të ndeshjeve miqësore…


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora