E premte, 19.04.2024, 07:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Eda Derhemi: Gjirokastra dhe komunizmi në “Darkën e gabuar” të Ismail Kadaresë

E diele, 21.06.2009, 11:04 AM



Eda Derhemi
Gjirokastra dhe komunizmi në “Darkën e gabuar” të Ismail Kadaresë


Nga Eda Derhemi

Në dy shkrimet pararendëse analiza e “Darkës së gabuar” përqëndrohet në natyrën e veçantë të narracionit dhe zhurmërimës gjirokastrite në të, dhe përjetimit të saj nga popullsia lexuese pritëse në vend, si dhe në karakteristikat specifike të realizmit kadarean dhe arritjet apo dobësitë e këtij realizmi në vepër. Shkrim i sotëm përqëndrohet në një aspekt konkret e më të fokusuar përmbajtësor të romanit: Si përshkruhet, ngjizet, formohet e shformohet komunizmi shqiptar mes zhurmërimës së “Darkës së gabuar”? Ndryshe nga dy pjesët e para, kjo e sotmja, për vetë natyrën e saj të lidhur me linja specifike përmbajtësore, është më shumë përshkruese dhe empirike sesa teorike.

Pa dyshim, mbetet një vështrim kritik, por duhet të them që në fillim të kësaj analize se mënyra krejt e pazakontë dhe në dukje tejet e shkujdesur dhe e paqëllimshme sesi ndërtohet kuptimi i komunizmit shqiptar nëpërmjet atij të përjetuar nga Gjirokastra, më rri shumë afër zemrës e më jep kënaqësi kognitive për faktet që shtjellon e si e bën këtë, kënaqësi ideologjike për pozicionin ose jo-pozicionin ideologjik të autorit ndaj komunizmit “gjirokastrit”, kënaqësi estetike për gjetjet, gjuhën dhe poezinë në lëvizjen e romanit, e kënaqësi emocionale për të gjitha reagimet, turbullimet, të qeshurat me zë e pa zë, ngurrimet, trishtimet dhe gëzimet që më zgjoi romani. I shkruar, i mbishkruar, i tejshkruar, e përshkruar, e ndërshkruar (po ndëshkuar?), i palosur, i shpalosur, ciflosur, njollosur, gërvishtur, hirrnosur, grisur, përkëdhelur e braktisur, e rinisur me qejf, romani kur e lexova dhe rilexova në fuqi të n-të, u bë fërtele nën penën time (apo penat e lapsat e ndryshëm që përdora). Askush tjetër s’e lexon dot më kopjen timen të romanit të abuzuar në kënaqësi komunikuese e ndërvepruese. Dhe kjo është provë e funksionit të letërsisë.

Është letërsi që u vlen njerëzve, ndaj është edhe vlerë shoqërore mbikohore. Dhe kur Kadare nuk deklamon politikisht për rëndësinë e tejzakontë të shqiptarëve (dhe, në të njëjtën vazhdë, edhe të Gjirokastrës) për botën, po thjesht e lë penën të dalë jashtë kontrollit të magjisë së ideologjive personale, ai bëhet vërtet i magjishëm. Kur mikrokozmosi gjirokastrit lihet të tregojë historinë si ia ndien thellësia e barkut të vet, atëherë historia, sidomos ajo komuniste në qendër të saj, flet me një gojë shumë të qartë dhe origjinale. Të treguarit nëpërmjet detaji të goditur i mënyrës sesi çdo fshat përreth Gjirokastrës dhe kjo vetë, e madje edhe mënyra sesi persona të ndryshëm krejt të rëndomtë, e shohin luftën dhe komunistët që ajo solli në fuqi, është një shembull i përsosur që tregon se në letërsinë e vërtetë nuk ka vijë ndarëse mes mikrokozmosit dhe makrokozmosit: prej romanit, shfaqet qartë jo vetëm natyra e komunizmit në përgjithësi, por edhe e çdo lloj totalitarizmi. Sidomos qendër ideologjike e romanit është lidhja personale e rendit me individin dhe hyrja e komunizmit në jetën e tij më intime e të brendshme të personit. Pas 20 vjetësh distance, shqiptarëve u bëjnë mirë vepra të tilla që nuk u thonë si ta mendojnë komunizmin dhe veten në atë periudhe, që nuk lëshojnë klithma politike pro ose kundër asaj epoke, por që i lejojnë individidt rishikimin e saj shpirtëror dhe meditues nëpërmjet lidhjes së lexuesit me historinë e tjetërkujt që bëhet e vetja. është një terapi e pakushtueshme por shumë e çmuar që u duhet gjithë popujve që kalojnë trauma politike, sidomos të ashpërsisë, thellësisë dhe absurdit që pati ajo shqiptare.

Në thelb autori na tregon se Gjirokastra (ndoshta gjithë Shqipëria) ishte një gjë që as e priti, as e deshi dhe as u përzie kurrë natyrshëm me komunizmin. Gjirokastra apo zhurmërima e saj po aq sa edhe alteregoja e autorit, shfaqet në roman si një qenie tërësore me shpirt, mendje e gjymtyrë vepruese, që vazhdimisht, që ditën e parë kur ai “zbriti nga mali e hyri nga jashtë”, e sheh komunizmin me skepticizëm e me shpërfillje të vazhdueshme që bëhet edhe bezdi, por, në mënyrën e vet, nuk ngurron t’u vërë emrin e duhur gjithë karakteristikave të tij. Por, në këtë proces, kurrë nuk i jep rëndësi të paforcuar nga sipër, e kurrë nuk e bën të vetin. Gjirokastra sipas romanit i mbetet e huaj e madje armiqësore komunizmit. E si mund të ishte ndryshe qyteti që kish “11 ish-vezirë e pashallarë të ish-perandorisë, katër ish-mbikëqyrës haremi sulltanor, tre ish-nëndrejtorë bankash italo-shqiptare, 15 ish-prefektë të të gjitha regjimeve, dy ish-mbytësa profesionistë princash, një rrugë me emrin “Sokaku i të marrëve”, dy lavire luksi, 300 gjykatës e 600 të çmendur”. Një qytet i tillë ngrihet si antipodi natyror i komunizmit që i reziston atij thuajse gjenetikisht, në forcën e potencialin e vet njerëzor, e jo në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me luftë të fshehtë. Ndaj komunizmi që ditën e parë, përpiqet t’i “ndryshojë gjakun këtij qyteti” e t’ia përziejë popullsinë ngurruese e jo-entuziaste me atë “të njerëzve të rinj” që vinin me zhurmë e këngë revolucionare, me gara vrapi e aksion që s’i hynte kujt në punë, “tejkalues planesh të tejkaluara ndërkaq” e “përgjues sabotatorësh”.

Komunizmi duket sikur as nuk është në qendër të romanit e as do të jetë; romani merret me ‘darkën e gabuar’ apo jo? Në fakt, pjesa e parë, e ikjes italiane dhe hyrjes gjermane, veç përgatit ardhjen e komunizmit, dhe fati i Gurametove dhe i Gjirokastrës pas kësaj, thjesht tregon se ç’mundi t’u bënte ky rend njerëzve. Si një histori e prekur dhe e nisur në “Kronikë në gur”, kjo rimerret në këtë roman dhe bëhet e plotë dhe vokale. Ka dy linja themelore si çelësa artistikë për paraqitjen e regjimit të ri: e para e paqartë, hamendësore, medituese dhe indirekte, ajo që shpreh perceptimin e Gjirokastrës për të deri kur rendi i ri merr frenat në dorë e bëhet aktiv. Këtu Gjirokastra sheh vërtet natyrën e tij. Këtu nis linja tjetër e paraqitjes së fytyrës së rendit: direkte, shkallmuese, në dukje revolucionare, vrasëse. Por e gjitha kjo bëhet pa deklamime e komente politike, pa hyrje e dalje shpjeguese, si rastësisht, sikur historia vetë e treguar nga populli na heq me dorë një nga një shtresat e kësaj të keqeje që ka zënë Gjirokastrën, që pak nga pak, të na tregojë përmbajtjen e saj. E kur ndjekim si hiqen e vihen mënjanë këto shtresa, si lexues, ndiejmë mizorinë, një copë jete të çapëlyer, të shkelur e gjakosur nga këmba e këtij regjimi. Por kjo ndodh vetëm nëpërmjet zhurmërimës, ashtu siç e ndjente Gjirokastra mbi trupin e në mendjen e vet.

Gjirokastra me veshë ngritur e mat kritikshëm forcën e re që sapo hyn, ndryshimin e pazakontë që ajo sjell, dhe ia sheh në ballë ogurin e zi dhe aftësinë e veçantë prishëse: traktet e tyre vinin si kumte “që kundërshtonin gjithë kumtet e mëparshme” e që “bënin thirrje për luftë e vetëm luftë”, që “provokonin e ia mbathnin” duke ia lënë pasojat në kurriz Gjirokastrës; hyrja e partizanëve në Gjirokastër është pak si çudi, pak si shpërfillje indiferente, por s’janë të tilla pushkatimet që nisin menjëherë pas tyre, arrestimet, ideja e “domosdoshmërisë së dhunës”, hyrja në lojë e “territorialëve” që spiunojnë qytetasit e vet, bombardimi aktiv me propagandë të të gjitha llojeve. Qyteti që s’e kish humbur një ekuilibër ekologjik social nga asnjë rend a luftë e mëparshme, me komunizmin bie: individi I qytetit ekzistencial s’ka më mbrojtje e legjitimitet, kthehet në insekt minimal e të pakorracë ndaj shtypjes prej “njeriut të ri”. Jo vetëm dy Gurametot, që përfundojnë burgjeve pa e marrë vesh kurrë tamam se si e pse, por edhe zonjat shkërmoqen e treten si kripa nën klithmën ndjellëse “Mirëmëngjes shoqja...”, kryetari i shtëpisë së kulturës vret veten se s’u vuri dot fre këngëve intime sentimentale, edhe Vehip Qorri, Homeri gjirokastrit i bejteve të pazarit, përfundon në pranga si rastësisht teksa zinte trutuarin e tij të zakonshëm, pa zënë me gojë vetë hetuesit që, sido që janë e vetmja forcë e dukshme përndjekëse në roman, përfundojnë keq edhe ata. Shtypja dhe kontrolli komunist ndihen fort kudo, vetëdija kritike ndaj asaj që thua apo ke thënë para më shumë se një dekade, lartësia e zërit, sasia e brohorimave, toni i entuziazmit, bëhen të gjithë tregues me vlerë politike për të cilët njerëzit tregojnë kujdes e frikë të pamatë. Por e gjitha kjo, siç them më lart, vjen nga ngjarja vetë e nuk tregohet. Në fakt, mes kohëve minus, ditës së 3033-të, jetës në “rend të ri”, nga zbritja nga mali, tek lufta e ftohtë, përshkrimi direkt i rendit të ri, i merr vetëm 34 faqe romanit. Por gjithçka tjetër në të, është në fakt vetëm prolog dhe epilog i qenies së komunizmit dhe ekziston që të japë të plotë këtë të fundit.

Absurdi dhe grotesku (në të cilët, duhet thënë, Kadareja është mjeshtër) vijnë natyrshëm në ndihmë në përshkrimin e logjikës komuniste e derdhin tek lexuesi pa ndalesë nëpërmjet komizmit dhe sarkazmës, hare e hidhërim përzierë bashkë. Nën këtë dritë, komunizmi i vë përpara Gjirokastrës si alternativë ekzistence, një turmë laramane groteske “njerëzish të tre “jo”-ve, imperializmit, sionizmit dhe coca-colës; të tjerë të shtatë “jo”-ve; të dalldisur pas miqësisë me popujt e tjerë; të tjerë, të magjepsur pas armiqësisë...shkurt, një zjarrmi e paparë që shkaktonte lot mallëngjimi...”. Ballafaqimet specifike të zonjave me shprehjen vdekjeprurëse shqiptuar nga aktivistet e lagjeve dhe mënyrat origjinale të rënies e fikjes së tyre sokakëve, krahasimet mes ndryshimeve natyrore të Llazaratit, labërisë dhe Lunxhërisë dhe qëndrimit të tyre ndaj komunizmit, nofkat e komunistëve që nga Vetëtima e Grushti, tek Turuluja apo Vitamina C, apo “...greqishten e dije s’më the kalimera”, lidhjen mes vendit të shkollimit të Gurametove dhe fatit që i priste në rendin e ri, e sidomos përshkrimin e propagandës komuniste në shumllojshmrinë e vet, janë shembuj të fuqishëm të absurdit që ngërthejnë brenda vetes thelbin e kundërshtisë mes njeriut dhe aplikimit mbi të, të regjimit komunist. Ky aspekt realizohet në mënyrë të plotë e të përsosur në roman.

Por, gjithnjë nën hyqmin e zhurmërimës gjirokastrite, në roman vihet në dukje jo vetëm aksioni direkt i rendit, por edhe pasoja e përtejme e këtij regjimi. Më gjatë Kadare eglendiset me rëndesën e pasojave komuniste për kombin, kur trajton fatin e zonjave gjirokastrite, një linjë kjo e zonjllëkut në krizë gjatë komunizmit, që ai e rimerr thuajse në gjithë romanet e veta që trajtojnë periudhën komuniste. Bashkë me “Zonjat” dhe mendësinë e tyre, komunizmi shfaros e vret klasën e mesme, mikroborgjezinë, butësinë, vanitetin, endjen, elegancën, kodet e modës, poezinë, hallakatjen e bukur të paqëllimshme, veset e shoqërive të shëndetshme, faljen, tolerancën, merr me vete një jastëk klasor që zbut fërkimin mes atyre sipër dhe atyre poshtë e që i duhet shoqërisë për një ekzistencë psikologjike pa trauma. E Kasandra e romanit parasheh fatkeqësi për shumë kohë përpara: “Koha pa zonja do ishte tepër e gjatë. Për të sajuar zonja të tjera, shtëpive të mëdha, të vetmet që e dinin atë mjeshtëri, do t’u duheshin dhjetëra e ndoshta qindra vjet.”

Romani nuk është për komunizmin në vetvete, por për mënyrën sesi ai ndryshon qenien njerëzore nga brenda dhe për rezistencën njerëzore ndaj tij. Komunizmi dhe komunistët nuk bëhen forcë direkte vepruese në roman. Vijnë si jashtë-toksorë në Gjirokastrën indiferente e duket se nuk i ngjisin kurrë asaj. Gjirokastra duket sikur vazhdimisht i përqesh dhe qesëndis, por ndërkohë edhe e pëson prej tyre. Vetë “prijësi”, biri i Gjirokastrës, përmendet apo jo katër a pesë herë gjithsej, dhe zbret në roman si një qenie pacaktueshëm e fuqishme por pa emër dhe nga një tjetër botë, krejt e palidhur organikisht me Gjirokastrën. Forca e tij indirekte (ashtu si edhe ajo e Stalinit) ndihet në ndryshimet e mëdha që pëson historia e Gjirokastrës, kryesisht nën veprimin e “hetimit” dhe hetuesve, por forca direkte ndihet veç në ironinë tallëse të Gjirokastrës, se shtëpia e tij do ringrihej që të dukej e madhe (siç nuk ishte), dhe se “Sokakut të të marrëve” mund të ripagëzohej si i pavolitshëm. Ndryshe nga “Dimri i vetmisë së madhe” (apo “Dimri i madh”), në këtë roman prijësi lihet jashtë i papërfillur (herë-herë madje Gjirokastra duket si e vënë në siklet të madh nga lidhja me të), dhe u jepet gojë e zë njerëzve. Ata vetë tregojnë historinë e shformimit dhe deformimit të tyre nga komunizmi dhe nuk ndihet asnjë dritëz pozitive të dalë nga ky proçes ndryshues të pjesës së parë të historisë komuniste. Dhe sipas romanit duket se natyrshëm ky ishte pozicioni i vërtetë i Gjirokastrës ndaj tij Enverit e komunizmit. Po a ishte kështu realisht?

Kadare vetë flet për pasoja të pandreqshme të komunizmit mbi Gjirokastrën. Por a ia doli ta shprishë “gjaku i njerëzve të rinj” atë të qytetit prej guri? A u njësua kjo bërthamë (simbolike në mikroekzistencën e vet) e rezistencës ndaj totalitarizmit, me amullinë e ankthit konstant e pa fund të qytetit socialist? Për kë e njeh reagimin e qytetit ndaj Enverit që polli vetë, isot, anetë zemër- e dyerhapura, lotët e gëzimeve dhe mallëngjimeve që u derdhën për të këtu si kudo tjetër, do dukej se rezistenca ndaj tij, kish vdekur para se të vdiste Enveri dhe se Gjirokastra ishte marrë nga brenda e genet e saj ishin mutuar nga komunizmi. Apo ishte ai reagim mënyra e vetme për të mbijetuar komunizmin, për Gjirokastrën ashtu si edhe për gjithë Shqipërinë? Se sa dëm na ka bërë komunizmi dhe sa i ndreqshëm apo jo është ky dëm, mbetet të shihet në rrugën që do marrim ne si popull. “Darka e gabuar” vetëm parasheh netë të gjata e të ashpra, pa zonja të bukura e të buta, por nuk merr përsipër t’i përgjigjet pyetjes. Ajo vetëm jep përmes zhurmërimës thelbin mizor të një rendi që prish tamam çka e bën njeriun njeri e na fton të rigjejmë njeriun e humbur kur e shohim sesi humbet në ngjarje, para syve tanë si lexues.


(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora