E enjte, 28.03.2024, 09:23 PM (GMT)

Kulturë

Izet Shehu: Kundër frymës mohuese

E diele, 21.06.2009, 09:58 AM


Kundër frymës mohuese

Nga Izet Shehu

Dëgjohen zëra se pas viteve 1990 letërsia nuk ka sjellë prurje cilësore. Kuptohet, këto zëra dukshëm nxjerrin në pah nostalgjinë e tyre për socrealizëm, për autorët më në zë të saj që stisnin e fetishizonin “njeriun e ri” pa asnjë grimcë integriteti në moralin e tij. Dihet stampa e kuqe e kësaj metode të ngrirë letrare. Dihet absurditeti, rrethi i ngurtë dhe shterpësia e saj. Po në kushte të tilla bënë art shkrimtarë të kalibrit si: Ismail Kadare, Vath Koreshi, Kasem Trebeshina, Xhevat Beqaraj, etj. Nën një kupolë të tillë të hekurt krijuan dhe u martirizuan talente si: Havzi Nelaj, Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferri, Vilson Blloshmi, Genci Leka etj. Apo shkrimtarët që e shkuan jetën qelive si: Uran Kalakulla, Frederik Reshpja, Pjetër Arbnori, At. Zef Pllumi, Astrit Xhaferri, Pano Taçi, Astrit Delvina, Visar Zhiti, Zef Zorba, Reshat Kripa e shumë e shumë të tjerë. Kjo pasuri letrare e  këtyre që përmenda dhe e të tjerëve që nuk i përmenda duhet qëmtuar, duhet sistemuar e duhet vendosur në fondin e artë të letrave shqipe. Nuk duhet parë vepra e tyre “bardh e zi”. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo “Zhurma e erërave të dikurshme” të Dritëro Agollit janë vepra me jetëgjatësi për vlerat artistike dhe për guximin qytetar. Kujtojmë tregimin “Egërsi”, të Agollit, ku artistikisht bëhet denoncim i hapur i mënyrës komuniste të luftës së klasave. Gjejmë edhe tek të tjerë vlera e gjykime të tilla të shkruara në kohën absurde të bunkierëve.
Pa e mohuar, por duke e gjykuar e qëmtuar pa paragjykim mbi vlerat letrare dhe morale, kjo letërsi duhet vendosur në vendin që i takon.
Përsa i përket prurjeve të reja do të ndalem pak. Mendoj të kundërtën e zërave mohues. Së pari, edhe ata që krijuan nën kupola, me mund e zell, pa e “dyzuar karakterin”siç mendon dikush, u përshtaten kushteve të reja të të krijuarit në liri. Nuk është nevoja t’i përmendim në këtë shkrim.
Së dyti, një mori shkrimtarësh, të ndaluar para vitit 1990 për arsye politike, letrare e familjare, krijuan e krijojnë vepra modeste në poezi, prozë e dramaturgji.
Për shkak se në pikat kyçe në institucione e në mediat e shkruara dhe elektronike, ende janë stamposur njerëz të molepsur në strukturat më ekstremiste të së kaluarës komuniste, këto frenohen, lihen me dashje në harresë, përçmohen. Është për të ardhur keq se në këto suazë futen dhe disa të rinj që nuk i lidh asgjë me socrealizmin, me molepsjen merimangore. Këta nuk duhet të bien në batakun e xhelozëve nostalgjikë. Nuk duhet të mbeten robër të miklimet që u bëhet, duke u dhënë një post në një dikaster apo një çmim letrar. (Flitet shumë për nëndheshmërinë e këtyre çmimeve). Qofshin të pavërteta!
Por ka përgojime rreth këtyre çmimeve, për karakterin klanor apo për kompromise e pazare që bien në kundërshtim të vlerave të mirëfillta letrare. Nuk përjashtoj këtu qefmbetjet, siç nuk vë dorën në zjarr edhe për fiktivitetin e dhënies së këtyre trofeve.
Duke mos u larguar nga ajo që dua të shtroj në këtë shkrim, e ritheksoj, se sot ka prurje cilësore letrare të shkrimtarëve si: Sadik Bejko, Agron Tufa, Viron Graçi, Olimbi Velo, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Shpëtim Kelmendi, Petraq Risto, Fatmir Terziu, Bashkim Hoxha, Entela Kasi, Gazmend Krasniqi, Taip Sulko, Faslli Haliti, Kostandin Dhamo, Shpend Topallaj, Miranda Haxhia, Vilhelme Vranari, Pandeli Koçi, Sokol Zekaj, Agim Bajrami e shumë e shumë të tjerë, që kanë krijuar në prozë e poezi vepra të rangut të parë. Ndaj i kundërshtoj me forcë zërat e nostalgjikëve. Edhe kjo letërsi (e krijuar në vitet e egra të tranzicionit shqiptar), si çdo letërsi, ka vlera e dobësi. I uroj kësaj armate që të mos bjerë pre e meskiniteteve letrare, e xhelozive, e frymës tejet të sëmurë klanore, të bigëzimit të karakterit dhe të ngushtësisë shpirtërore. Letërsia, arti i të shkruarit është si pylli. Në të ka vend për të gjithë: për lisa e për shkurre, për dhelpra e për sorkadhe. Mos e mbivlerëso veten dhe mos nënvleftëso të tjerët. S’je ti që përcakton jetëgjatësinë për brezat që do të vijnë ndër kohëra. Nihilizmi, mohimi radikal i çdo vlere letrare, është absolutisht i dëmshëm.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora