E premte, 19.04.2024, 05:49 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ndriçim Xhepa - Fitorja e radhës...

E diele, 21.06.2009, 12:39 PM


Ndriçim Xhepa
Ndriçim Xhepa
Fitues i Çmimit Kult për aktorin më të mirë të vitit 2008. Aktori shqiptar më i vlerësuar me çmime në historinë e kinematografisë shqiptare


Nga Agron SEJAMINI

Në gusht, mbush plot 30 vjet që ka hipur për herë të parë në skenë. I suksesshëm si askush. I adhuruar dhe i pëlqyer tej mase nga artdashësit për rolet e tij në teatër dhe film. Aktori shqiptar më i vlerësuar me çmime në historinë e kinematografisë shqiptare. Javën që shkoi, shijoi fitoren e radhës... U nderua me Çmimin Kult për 'Aktorin më të Mirë të vitit 2008' për rolin e Astrovit në dramën "Xhaxha Vanja" të Çehovit. Për herë të tretë. Si askush edhe këtu. Është i vetmi aktor që ka merituar titullin Artist i Merituar, kur ishte vetëm 32 vjeç... Por ama edhe si askush, nuk dëshiron të dalë nëpër ekrane televizorësh dhe faqe gazetash. Më e dashur se sa media për të është skena. Skena që i dha madhështinë, por që i ngjizi edhe deri në ekstrem thjeshtësinë. I lumtë "Kultit", që këtë radhë i bëri kult familjes Xhepa. Me Hekubën e "Trojanëve", artistja jonë e madhe, tronditi skenën ku ka lindur teatri. Lojën e margaritarit tonë, publiku grek e përcolli me të njëjtat duartrokitje dhe emocione që ia kishte dhënë vite më parë, vetëm Katia Paksinu.

Të njëjtën ndjesi, përjetonte i biri në anën tjetër të Ballkanit gjatë shëtitjes nëpër Tiranë, Shkup dhe Prishtinë të xhaxha Vanjës së Çehovit... Për të ardhur në një ditë të paharruar, ku çmimi i aktores dhe aktorit më të mirë për vitin e kaluar u jepet, Margarita e Ndriçim Xhepës. Nënë e bir, yje të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. E jashtëzakonshme! Mrekulli që rrallë herë e ndjeu edhe Çimi. Admiron energjinë dhe pasionin te e ëma që kanë tulatur moshën e saj... Kjo ecje krah për krah në lartësitë e profesionalizmit i bën edhe më krenar, duke i motivuar dhe entuziazmuar për të ardhmen.

Por një tjetër surprizë edhe më e këndshme, e pret publikun shqiptar. Në shtator pritet të shfaqet premiera e filmit "Lindje-Perëndim-Lindje", me regjisor Gjergj Xhuvani. Edhe këtu, Çimi ka rolin kryesor, atë të Ilo Zotos, trainer çiklizmi. Një subjekt interesant ku ndërthurren natyrshëm dhimbja, humori dhe trishtimi. Një ekip çiklistik i nisur nga Shqipëria, nuk mbërrin dot në Francë për të marrë pjesë në turin ndërkombëtar. Fillimi i trazirave i detyron ata që të përjetojnë kalvarin e mundimshëm nëpër pikat kufitare... Prej javësh ka përfunduar së realizuari ky film, por premierën "e shtyu" fushata elektorale. Muajt e ardhshëm do të jenë më të qetë dhe më të përshtatshëm për t'i dhënë publikut, këtë dhuratë artistike. Ajo që na bëri përshtypje ishte se as vetë Çimi nuk e ka parë, paçka dashamirësisë dhe ftesës që i ka bërë regjisori. Nëse para dhjetë vjetësh ka qenë shumë kurioz dhe mezi priste që të shikonte filmin, tani ndodh e kundërta. Një praktikë vërtetë interesante që ia ka imponuar respekti për publikun dhe personaliteti i tij. Gjithçka do që ta përjetojë atë ditë që e sheh për herë të parë edhe artdashësi. Do që të përjetojë në sallë, të gjitha reagimet dhe ndjesitë që ngjall vepra artistike. Thënë ndryshe, të jetë edhe ai, i barabartë në kureshtje dhe emocione.

TRENI NISET NE 7 PA 5, Spartak Pecani, 1988 ne rolin e Astritit
Por, me interes do të kishte të dinim planet e së ardhmes. Për fat kjo pyetje nuk mbeti pa përgjigje. Në fund të gushtit trupa e Teatrit Kombëtar, do të fillojë nga përgatitja e një pjese që trajton temën e familjes amerikane sot. Titullohet "Kush ka frikë nga Virgjinia Wolf". Me këtë shfaqje do të çelet sezoni i vitit. Edhe pse nuk kanë filluar nga puna, ai shfaq dëshirën dhe sigurinë se edhe kjo nismë do të realizohet me sukses. Beson shumë në aftësitë e regjisorit Kushtrim Bekteshi, shqiptar i Maqedonisë. Një djalosh i ri, por i pjekur profesionalisht. Më mirë një i ri i talentuar, thotë Çimi, se sa një i vjetër mediokër. Kushtrimi ka mbaruar Akademinë e Arteve në Shkup. Por më shumë se sa kaq, peshon fakti është nxënës i regjisorit të famshëm Slobodoan Unkovskit, i mirënjohur në të gjitha skenat teatrore të Ballkanit. Regjisori që e ftoi për të interpretuar te xhaxha Vanja, rol që i dha çmimin e aktorit më të mirë të vitit. Nuk kishte si ta refuzonte edhe këtë ftesë Çimi, kur në shumë pjesë të vëna nga Kushtrimi, spikat mjeshtëria dhe niveli bashkëkohor. Doemos që më i fituar do të jetë regjisori i ri nga talenti i Ndriçim Xhepës. Pjesë e komplimentit për të është edhe fakti që për këtë interpretim, Çimi ka refuzuar tre role të tjerë. Gjithsesi nga skena dalin të gjithë të fituar kur punohet me dëshirë, sinqeritet dhe përkushtim. Dhe të gjitha këto kushte kjo pragpune i ka. Ndaj pritet suksesi i radhës për Teatrin Kombëtar dhe Ndriçim Xhepën...


Sa e kemi dëshiruar këtë fotografi të Ndriçim Xhepës! Aq sa edhe tani, na duket sikur është në ndonjë sekuencë filmike. Vonoi, por nuk harroi i Madhi Zot! E kush baba nuk është ndjerë i lumtur nga krijesa e tij? Mbase pak më shumë Çim Xhepa! Nuk ka menduar më shumë për emrin, se për ardhjen e tij. Në atë shoshitje emrash veçoi Martin. Një emër sa tingëllues aq edhe i njohur, sa në Amerikë aq edhe në Shqipëri. Po aq i zhuritur dhe i dëshiruar është edhe për vajzë... Sepse ndjehet baba, mbi të gjitha. Ndjen në shpirt një ndjesi aq sa madhore dhe magjike. Edhe gëzimi edhe shqetësimi atë kanë pikë referimi. Motivi dhe angazhimi i ditës fillon dhe mbaron po me të. Fije të çuditshme e lidhin në çdo çast me Martinin. Nga kopshti vazhdimisht e merr Çimi. Kopësht i thënçin se ai ndjehet aty, njësoj si në shtëpi. Kuptohet, privilegj që e përfiton nga fama që kanë gjyshja dhe i ati. Mbase edhe nga hijeshia dhe ëmbëlsia që ai lëshon ... I do shumë edukatoret e veta Sabrijen, Lumen dhe Gretën. Jo më pak edhe ato. Aq sa shpesh herë "harrojnë" disiplinën dhe rregullat, duke e lejuar të kalojë sa në një grup në tjetrin. Madje, jo pak kohë edhe në guzhinë...

Sado i lodhur apo i zënë të jetë Çimi, nuk do që t'i ngelë pa shijuar thirrja ëngjëllore:

- Erdhi babai im!

Por sa çmallohet aq edhe mallohet. Me të vajtur në shtëpi, Martini struket në krahët e gjyshes së saj të dashur. Ajo e ledhatur dhe e lumturuar edhe më shumë, kur i thonë se "të ngjan ty...". Por edhe pa këtë kompliment, ajo e ndjen si mjalt të mjaltit...

Për të mos e shkëputur nga ajo ndjesi magjike që ndjen për të birin, zgjatim bashkëbisedimin, duke e pyetur nëse i ka dalluar ndonjë shënjë talenti...

Davidi, “Porta Eva”
Davidi, “Porta Eva”
-Edhe nëse do të ketë dëshirë, unë nuk do ta mbështes, shprehet disi i dëshpëruar. Dhe arsyet i ka të shumta. Këto vite tranzicioni i kanë lënë një shije të keqe. Një vlerësim dhe interesim i pakët është treguar për komunitetin artistik. Qefmbetja më shumë se sa nga shoqëria është nga shteti. Nuk e ka për veten, pasi ai përherë ka qenë i kërkuar nga regjisorët, por një pjesë e kolegëve që nuk kanë patur këtë lluks kanë kaluar vështirësi. Mbase, kjo është arsyeja që nuk ia dëshiron edhe të birit që të ecë në udhën e artit. Ndryshe, do të bënte nëse ai do të kishte kushtet e Parisit, Vjenës... që kanë konsideratë dhe interesim maksimal për artistët. Por edhe në këtë rast duhej të bindej, nëse i biri ishte për këtë udhë apo jo...


-Ngelesh mjeran dhe bëhesh i dhimbshëm për të tjerët, nëse nuk je i talentuar,- thotë ai.

Nuk dëshiron të përmendë emra, por të gjithë i njohim shembujt e shumtë, kur disa fëmijë artistësh më shumë janë ndjerë nëpër borderot e pagesave se sa në skenë. As rastin e vet shumë domethënës nuk e përmend. Por, një shkëlqim i tillë nënë e bir, haset shumë rrallë në historinë e artit kombëtar. Thënë ndryshe, edhe Martinin do e nxiste për të nisur këtë udhë, nëse ai do të ngjitet më lart se gjyshja dhe i ati... Nuk mund të rrinim pa i marrë një konsideratë edhe për kandidimin e dy kolegëve të tij për deputetë. Janë dhjetra interpretime sëbashku me Rajmonda Bulkun dhe Luiza Xhuvanin. Një vlerësim dhe konsideratë maksimale jep për të dyja edhe pse u përkasin subjekteve të ndryshme. Më shumë se sa i kujdesshëm është i sinqertë tek ju uron të dyjave fitore. Beson se sharmi i tyre femëror dhe artistik do të përmirësojë mjaft imazhin e Parlamentit shqiptar. Por më shumë shpreson, që të përfitojë arti dhe kultura shqiptare nga këto dy përfaqësuese të denja. Ende ndjen se, ka mbetur shumë për t'u bërë në këtë fushë. E kush më mirë se sa dy artiste me kaq emër dhe aftësi do të merakoseshin dhe shqetësoheshin për komunitetin artistik në Parlament?! Janë të njëjta motive që e shtyn atë vet, të pranonte ftesën për t'u bërë deputet në vitin 1996. E pranoi dhe u angazhua i bindur se do të bënte diçka jo vetëm për artistët, por dhe për elektoratin që e votoi dhe i besoi aq shumë. Duke qenë në krah të tij edhe dy kolegët Xhevdet Ferri dhe Alush Shima, bën çmos të përmirësohej sa të ishte i mundur kuadri ligjor për institucionet artistike. Por po aq i ndjeshëm dëshironte të ishte edhe për shqetësimet dhe problemet e zonës që përfaqësonte. Nuk kishte hyrë në atë sallë për të bërë emër apo kërkuar lavdi, pasi këto ia kishte dhënë me shumicë skena. Nuk hyri as për t'i kthyer shpinën në këmbim të dashurisë për politikën. Por thjesht, ndërgjegjia dhe përgjegjësia qytetare për të kontribuar në interes të artit dhe qytetarit. Të njëjtën perceptim dhe vlerësim pozitiv ka edhe për dy koleget e tij që pranuan ftesën. Aq më mirë që të dyja përfaqësojnë dy nga forcat më të mëdha në vend. Beson se zëri i tyre nuk do të dallojë në atë që do të kërkojnë për t'i shërbyer artit dhe kulturës. Ndaj edhe urimi i tij është i njëjtë për të fituar të dyja koleget.

 
A.G.: -Një i tretë unik që të shpresojmë që tua kalojë edhe dy të parëve nga fama.

I. E: -Si dy pika uji

E.I.: -Gjëja më e bukur që mund t'i ndodhte Çimit në jetë...

V.R.: -Priti priti se s'kishte ardhur akoma koha...por shiko se ç'farë engjëlli erdhi në dritë. Urime!

M.B.: -Uroj Zotin

që ta bëjë si të atin

B.C.: -T'ju rroj dhe shpresoj të ecë në rrugën e gjyshes dhe të babait..

R.M.: -Aman sa i bukur është,

si Çimi tamam, besoj se e ka çmendur gjyshen e vet se i ngjan shumë, i ka marrë ato sytë e bukur si det i kaltër...

T'ju rrojë sa malet!

N.A.: -Im bir Frankli ka lindur në të njëjtën ditë me Martin...por nuk është kaq i bukur sa Martin.

Kinematografi

2009 -Kronikë provinciale

2008 -Lindje, perëndim, lindje

2008 -Sekretet

2006 -Eduart

2005 -Omiros

2004 -I dashur armik

1999 -Porta Eva

1998 -Dasma e Sakos

1995 -Përdhunuesit

1994 -Loin des barbares

1994 -Plumbi prej plasteline

1992 -Pas fasadës

1991 -Enigma

1991 -Unë e dua Erën

1989 -Kthimi i Ushtrise se Vdekur

1988 -Flutura në kabinen time

1988 -Treni niset më shtatë pa pesë

1987 -Telefoni i një mëngjesi

1986 -Tri ditë nga një jetë

1985 -Hije që mbeten pas

1985 -Të mos heshtësh

1985 -Enveri ynë

1984 -Vendimi

1984 -Duaje emrin tënd

1983 -Kohë e largët

1982 -Shokët

1982 -Rruga e lirisë

1982 -Njeriu i mirë

1981 -Thesari


Teater

1980 -Halimi,

"Tragjedia e fundit e Deas"

1982 -Martini, "Pas provimit të fundit"

1982 -Sebastiani, "Nata e dymbëdhjetë"

1984 -Prometeu, "Prometeu"

1984 -Jakobini, "Në jetë"

1985 -Rikardo, "Monserrati"

1986 -Hepi, "Vdekja e një komisioneri"

1986 -Arseni, "Nën dritat e skenës"

1987 -Romeo, "Romeo e Xhulieta"

1988 -Kujtimi, "Nesër është vonë"

1989 -Ministri, "Shkallët"

1990 -Dhëndrri, "Dasëm gjaku"

1991 -Bekimi, "Procesi"

1994 -Femando, "Femando Krafi

më ka shkruar këtë letër"

1996 -Emanueli, "Hekurat"

1996 -Robespieri, "Vdekja e Dantonit"

2001 -Vladimiri,

"Nata e trokitjeve në xhama"

2001 -Gerardo,

"Vdekja dhe virgjëresha"

2002 -Dorian Grei,

"Portreti i Dorian Greit"

2003 -Trigorini, "Pulëbardha"

2004 -Xhorxhi, "Kapitulli i Dytë"

2005 -Lari, "Pak më aier"

2007 -Ilirjani, "Korbi i bardhë"

 
ÇMIME dhe TITUJ

Mban rekordin absolut të çmimeve në festivalet kombëtare të filmit dhe teatrit

1983

Medaljon për rolin e Gencit në filmin "Shokët", Festivali V i Filmit, 1983

1985

Medaljon për rolin e Arsenit në filmin

"Duaje emrin tënd", Festivali VI i Filmit, 1985

1987

Kupa për Aktorin më të Mirë për rolin e Benit në filmin "Hije që mbeten pas", Festivali VII i Filmit,

1989

Kupa për Aktorin më të mirë për rolin e Tomës,

në filmin "Flutura në kabinën time",

Festivali VIII i Filmit,

1989

Urdhëri "Naim Frashëri" i Klasit I,

1989

Titulli "Artist i Merituar",

1990

Trofeu "Aktori i Vitit" në film dhe teatër,

1995

Çmimi "Aleksandër Moisiu" për Aktorin më të Mirë në rolin e Ferndandos në dramën

"Femando Krafi më ka shkruar këtë letër",

në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit

2000

Kupa për Aktorin më të Mirë për rolin e Alush Beut në filmin "Dasma e Sakos", Festivali XI i Filmit

2004

Kupa për Aktorin më të Mirë për rolin e Xhorxh Shnajderit në dramën "Kapitulli i dytë",

Festivali Mbarkombëtar i Aktrimit, Apollon

2005

Çmimi Kult për Aktorin më të mirë për rolin

e Xhorxh Shnajderit në dramën "Kapitulli i dytë"

2005

Kupa për Aktorin më të Mirë për rolin e Xhorxh Shnajderit në dramën "Kapitulli i dytë", Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, "Kosova Infest"

2006

Kupa për Aktorin më të Mirë për rolin e Harunit

në filmin "I dashur armik", Festivali XII i Filmit

2007

Çmimi Kult për Aktorin më të Mirë

për rolin e Al në dramën "Për një fjalë goje"


(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora