Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Xoxa: Gërdec-Propaganda e socialistëve tashmë nuk i bind as ata vetë

| E diele, 21.06.2009, 12:30 PM |


Gërdec-Propaganda e socialistëve tashmë nuk i bind as ata vetë

Nga Kostaq Xoxa

Propagandë e zvargur - Nuk janë të paktë socialistët që nuk i besojnë propagandës zgjedhore të tanishme, në varfërinë e argumenteve të  të vjetërve dhe të të rinjve socialistë, “argumente” që mbështeten në mohimin dhe falsifikimin që i bëjnë arritjeve të qeverisjes demokratike, që nuk ka mbushur as katër vite të harkut të saj kohor të qeverisjes. Fillimisht mohuan statistikat e sukseseve. Tani, kohët e fundit, u bindën se elektorati nuk mund t’u besojë nihilizmit të propagandistëve socialistë, si edhe retorikën e rëndomtë dhe të njëtrajtshme që nuk pinte më ujë para një auditori i cili duket se ishte më syçelët për të besuar të pabesueshmen, vetëm për hir të faktit se ishin simpatizantë të majtizmit. Në disa emisione televizive mëngjesore, kishte edhe mjaft socialistë që në anketim e pohonin prejardhjen familjare dhe njëfarë sugjestioni të cilit i ishin nënshtruar nga ky fakt, por shfaqeshin hapur se në këto zgjedhje do të votonin për të djathtën, për PD-në, për Berishën. Një farmaciste që punonte  në Unazë, na tha para klientëve se kishte votuar në fillim për Nanon, porse këtë herë nuk do të votonte për partinë e Edi Ramës, për të cilën tha se paguante taksa vjetore të rritura gjer në mospërballim nga Bashkia, për aktivitetin që ushtronte në farmacinë e saj. “Pastaj ne sytë në ballë i kemi”, - tha ajo, “dhe dimë vetë ta bejmë krahasimin ndërmjet atij tetevjeçarit dështak të socialistëve dhe këtij katërvjeçari që na e shkurtoi rrugën për në Kosovë”.

Atë bisedë e kam dëgjuar vetë në farmaci, kur një kliente tjetër, e përmendi sërish atë autostradë madhështore që e quajti “Rruga e Shekullit” dhe socialistët që dëgjojmë të nxijnë gjithçka në TV-të e blera nga Rama – tha ajo, - arrijnë edhe këtë ta quajnë se e projektoi, së pari, Pandeli Majko. – Bukur!-ia mbështeti fjalën një tjetër, - por duhet thënë edhe se ç’u bënë paratë që muaj pas muaji i mbaheshin rregullisht taksapaguesve dhe u mblodh një shumë prej 250 mln eurosh, pare të cilat nuk dihet fare se ç’u bënë! Dhe, ndërkaq, asnjë centimetër rrugë nuk nisi - e vazhdoi bisedën kjo e fundit.

Një socialiste na u mërzit nga këto llafe. Dhe, ndonëse i erdhi radha, tha disa fjalë pakënaqësie dhe iku e nevrikosur, duke folur me vrer të papërmbajtur disa fjalë, që u dëgjuan mirë nga klientet e farmacisë: - Opo këtu sikur jemi në një seksion të PD-së!

Taksa Majko nuk është, pra, një provokim. Ajo vjen si pasojë e një propagande të zvargur e cila, si një stereotip i bezdisshëm, të krijon një përgjigje të vetvetishme, si ato reflekset e kondicionuara të qenit të Pavlovit.

Do të ishte poshtëruese që të vemi si të majtë, në BE-në e djathtë! - Kjo lloj propagande, anketimet e shumta që i kanë dhënë prioritet të qartë PD-së, sukseset në takimet entuziaste të liderit të P. Demokratike në Shkodër, në Qytetin Studenti me Rininë shkollore, në Tropojën antikomuniste ku ovacionet nuk pushuan për asnjë çast, e kudo gjetiu (mjafton të përmendim Lulzim Bashën në Elbasan), e kanë molisur fare  besimin në një përfundim pozitiv të PS-së së Ramës në këto zgjedhje të 28 qershorit të këtij viti.

PS-ja jonë është një organizatë politike e pangjashme me asnjërën nga partitë socialiste të të gjitha kontinenteve, me përjashtim të asaj të Serbisë. Le të tregohet njëra, që të ketë atë nostalgji për diktaturën, siç është ajo jona. Edvin Rama ka përgjegjësinë e drejtpërdrejtë në këtë stimulim antidemokratik. Mjafton të përmendim 16 shtatorët në Pezë, që janë bërë me nismën e padiskutueshme të Ramës. Dhe dihet çka ndodhur në ato orgji për të bërë apoteozën e diktatorit Enver Hoxha.

Edhe të rinjtë që i ka zgjedhur për t’i prurë këtu për propagandë elektorale, nuk mund t’ia ngjyrosin më thellë emërtimin “politikës së re” e cila, në të vërtetë, është një politikë e dalë boje që nga 1990-a. Sepse këta e kanë politizuar propagandën e Ramës në një mënyrë tepër ordinere dhe profane, siç ka bërë i biri i Sekretarit I të Komitetit të Partisë të Shkodrës dhe të Kukësit, Sulejman Bushati, të cilin e kanë quajtur Ditzi Bushati. Jo më kot. Por ai, a erdhi këtu nga studimet jashtë Shtetit për të treguar sukseset (!) e Ramës, apo për të shfaqur plot mburrje si një kacagjel, se e ka për nder që është i biri i sekretarit të I të Partisë komuniste! Një pronar që nuk i ka marrë të gjitha pasuritë e ligjshme të prindit, është shprehur publikisht se me këto marifete, ai nuk tërhiqet aspak së deklaruari votën e tij për Berishën. “Se jam i sigurt se kjo punë nuk mund të gjejë zgjidhje në asnjë mënyrë nga gënjeshtarët dhe mashtruesit e Ramës, veçse nga politika antikomuniste e PD-së”. Kur Ditziu e paska për nder që qenka pinjolli i Sekretarit I të Komitetit të Partisë Komuniste të një krahine të madhe si ajo e Shkodrës, del edhe pyetja e detyruar: Kush i bënte listat për shpalljet armiq, për burgosjet e për internimet? Mos, vallë, sekretarët organizatave të partisë se institucioneve, si ato të spitaleve e të tjera? Për këtë është abuzuar shumë, që të nxjerrin anëtarët e partisë, në përgjithësi, si përgjegjës kolektivë të këtyre kobeve që përmendëm. Halli është gjetiu. Të quhen të gjithë, kolektivisht, të përgjegjshëm, që të mos ketë asnjë të  përgjegjshëm! Nuk është lojë fjalësh. Më troç akoma: Të kemi mundësi që ta quajmë edhe Berishën “komunist”! Siç është bërë nga ata që janë komunistë në kokë, në zemër, në  botëkuptim! Ai që e sulmoi vrullshëm e me bindje i pari komunizmin, të quhet komunist, sepse kështu arrihet ndyrazi jo udhëzimi i shqiptarofilit të madh, Tadeus Masovievskit, për dekomunistizimin e Shqipërisë, por slogani me helmin brenda, që “antikomunizmi është bërë demodé”. Demek ta lëmë rehat që të shtrihet si vaji në lakra. Dhe u realizua, ç’është e vërteta , ky qëllim diabolik; se përveç Ditziut, na kanë ardhur edhe Seserkat e disa të rinj e të reja të tjera, që ne na duken si pleq nëntëdhjetëvjeçarë, që kanë ardhur për të jetësuar  amanetet e pridërve mëkatarë!

Ja- ç’është e reja që kujton se ne do ta hamë  shapin për sheqer, siç ka iluzionin Edvin Rama!

Tani që po kuptohet se nuk na e hedh dot, po mundohet të krijojë kushtet për kontestimin para kohe të zgjedhjeve. Janë bërë prej kohësh këto përçapje, që s’bindin njeri. Me këtë kontestim a priori ai po tregon se e ka davanë të humbur!

Fitorja e së djathtës në vendet e Komunitetit Europian, është një lajm shkurajues për Ramën e shkretë. Sepse do të ishte një poshtërim i thellë për popullin tonë të vuajtur, që të bëhet pjesëtare e majtë në BE-në e djathtë!

Shqipëria e vuajtur kaq shumë nga komunizmi, nuk e meriton këtë shuplakë. . .