E enjte, 18.04.2024, 08:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Skenderbeu: Një dramë e panjohur dorëshkrim i 1840 në arkivin e Zagrebit

E diele, 21.06.2009, 12:12 PM


Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (Pikture nga Sabir Krasniqi)
Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (Pikture nga Sabir Krasniqi)
Nga
Dr. Musa Ahmeti, Dr. Etleva Lala


Skënderbeu si njëri prej prijësave më të njohur të shekullit të XV-të, që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindasve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, do e ngrinin lart figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash, etj. Në të, ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundërvënies, sepse në atë kohë, ende ishte aktuale Perandoria Osmane dhe bashkimi kombëtar e ndërkombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar! Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut, ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat.
Dorëshkrimi i Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, i cili ruhet, në Arkivin e HAZU-t, është një dramë, e cila konsiderohet e papërfunduar, ngase i mungojnë disa skena të aktit të parë, të tretë dhe të katërt. Përkundër dëshirës së madhe që kishte, Ivan Kukuljeviq-Sakcinski, nuk ia doli që t’i përmbahej të dhënave dhe fakteve historike, ngase një gjë të tillë, nuk e duronte teksti letrar i dramës. Ideja për të shkruar një vepër letrare, në formë drame, e vuri përballë vështirësive të shumta. Ishte koha kur letërsia e Rilndjes korate luftonte me të gjitha forcat, për realizimin e qëllimeve të caktuara politike, arsimore dhe letrare. Kërkoheshin heronj dinjitozë antikë e mesjetarë, përmes shëmbëlltyrës së të cilëve, dëshirohej të grishej vetëdija kombëtare, në luftë për liri dhe çlirim të përgjithshëm kombëtar. Ky ishte njëri ndër shkaqet, që Skenderbeu gëzonte një vend të veçantë: te krijuesit, intelektualët dhe nacionalistët kroatë. Për të do të shkruhen vepra historike, studime historiko-letrare, do të botohen fejtone, do të thuren poezi, tregime, drama dhe vepra muzikore, në të cilat do të tregohet si model i pathyeshmërisë, luftës së pamposhtur dhe sakrificës së madhe, pa marrë parasysh numrin dhe fuqinë e armikut.
Dorëshkrimi ofron një vlerë të madhe kulturore-historike, pikërisht për faktin se pasuron bibliografinë e veprave letrare-historike, që janë shkruar në kroatisht për Skënderbeun. Njëkohësisht është tregues real i interesimit të studiuesve dhe krijuesve kroatë për figurën e Skenderbeut dhe historinë e popullit shqiptar gjatë mesjetës.

Dorëshkrimi edhe sot e kësaj dite i pabotuar

Interesant është edhe historia e mosbotimit të këtij dorëshkrimi. I pari për të njofton T. Smiçiklasi, ndërsa nga studiuesit shqiptar, dr. Z. Neziri. Ne kemi përgaditur tekstin e këtij dorëshkrimi për botim. Kemi bërë transkriptim, transliterimin dhe përkthimin në gjuhën shqipe. Shpresojmë, që së shpejti do të shohë dritën e botimit si monografi e veçantë, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë kroate. Harresa dhe heshtja e plotë, duke lejuar që dorëshkrimin ta mbulojë pluhuri i kohës, e bëjnë edhe më enigmatike, arsyen e mosbotimit komplet ose fragmentar të kësaj drame! Nuk janë vlerat letraro-artiskike, shkak për mosbotim, ngase si krijimtari letrare, dorëshkrimi, radhitet, ndër krijimet më të realizuara artistike, të I.K. Sakcinskit. Ndoshta një gjë të tillë, duhet kërkuar në tërheqjen e autorit nga jeta politike, e më vonë edhe me mospranimin e titullit të anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Jugosllave (tashmë kroate) në Zagreb më 1870. Kjo mund të shpjegohet edhe me kundërshtimin e sistemit absolutist Habsburgian të Austrohungarisë. Në anën tjetër, befasues është edhe qëndrimi i shkencës së letërsisë kroate, e cila nuk ka treguar ndonjë interesim të veçantë, për këtë dorëshkrim, as për vlersimin e tij real, kur dihet se Sakcinski ka një vend të merituar në këtë fushë. Teksi i dramës është i shkruar në 58 fletë të formatit të madh, 27,5 x 51.8cm. Në fillim, tetë faqet e para, kanë një format më të vogël, 22,5 x 35cm, në të cilat jepen shënimet paraprake për jetën dhe veprën e Skënderbeut, sipas burimeve dhe autorëve me të cilët ka punuar Sakcinski. Më tej, në vazhdim, kemi 48 fletë të shkruara dhe 2 fletë të zbrazëta. Të gjitha këto fletë janë të palosura më dysh dhe autori ka shkruar vetëm në njërën anë, pra në faqen “recto”. Dorëshkrimi përgjithësisht është i ruajtur mirë. Disa fletë, ato të aktit të tretë dhe dy të fundit janë të përlyera me baltë. Si duket kjo është pasojë e transportit të dorëshkrimeve dhe teksti në to vështirë lexohet.
Sipas të gjitha gjasave, autori i është rikthyer disa here dorëshkrimit, për përpunim dhe plotësim, ngase anash, me ngjyrë dalluese, ka shënime dhe përmirësime të mëvonshme, qofshin ato të natyrës drejtshkrimore, plotësime teksti me fraza të reja, apo edhe ndryshime monolgjesh të tëra.

Gjendja momentale e dorëshkrimit

Teksti në të cilin është shkruar pjesa e parë e dramës, shtrihet në 13 tabak. Secili tabak, është i shënuar me numra romakë nga I-IV; po ashtu pranë tyre janë numrat arabë, nga 1 deri në 4, ndërsa fletët e tjera janë të panumëruara.
Të trembëdhjetë tabakët mbajnë këtë renditje numerike: akti i dytë: II/1, II/2, II/3, II/4, ky i fundit ka një fletë të zbrazët; pastaj: akti i tretë: III/1, III/2, III/3, III/4 dhe një tabak të pa numëruar; akti i katërt: IV/3, IV/4. Tabakët e tjerë janë të pa numëruar. Nëse ndjekim parimin logjik, atëherë mund të konkludojmë se kanë humbur, nga akti i parë, tabakët: I/1, I/2, I/3, I/4 dhe nga akti i katërt tabakët: IV/1, IV/2.
Njëri ndër problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme është çështja e burimeve historike, në të cilat është mbështetur Sakcinski, të cilat duhet të sqarohen. Në shënimet paraprake autori shënon tre autorë: Georg Marnaviqin, Andrija Kaçiq-Mioshiqin dhe J. B. Hamerin, por, është evidente se Sakcinski ka shfrytëzuar edhe burimet e autorëve të tjerë, të cilët nuk i përmend, por nga leximi i vëmendshëm, mund të vërejmë se cilat janë ato vepra e burime.
Këtu në radhë të parë mendohet për Marin Barletin: “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis,” Zagreb, 1743; pastaj për: “Hungarische [Sibenbürgische] Moldau-Ëallach/ Türch-Tartar-Persian und Venetianische”, 1663, Francffurt am Maynn; pastaj për: “Türchische-Tartarische-Persianische-Griechische Venetianische”, 1665, Francffurt am Maynn.
Është interesant se Ivan Kukuljeviq-Sakcinski, nuk shënon titujt e veprave të tyre, por vetëm numrin e faqeve, të cilat i ka konsultuar, në dorëshkrimin e tij të dramës për Skëndrbeun.
Për autorin e parë, Georg Marnaviqin dhe veprën e tij, kemi njohuri dhe të dhëna të shumta ngase ai, ishte njëri nga kundërshtarët më të ashpër të Frang Bardhit. Përndryshe, ky autor, në historiografinë kroate, njihet si falsifikator i përkryer, i të dhënave dhe fakteve historike. Sakcinski nga vepra e Marnaviqit ka shfrytëzuar faqet 9-23.
Nga Andria Kaçiq-Mioshiqi, Sakcinski ka shfrytëzuar “Bisedimet e këndëshme të popujve sllavë”. Është shumë e vështirë të përcaktohet se cilin botim ka shfrytëzuar autori, sepse, pothuajse asnjërit nuk i përgjigjen faqet, të cilat i citon Sakcinski. Por më i afërt është me botimin e Dubrovnikut të vitit 1825. Na çon në këtë përfundim, fakti se ky botim, ka qenë më i përhapuri në kohën e Rilindjes kroate.
Ndërkaq nga autori i tretë, J. Hameri, Sakcinski, si duket ka shfrytëzuar të dhënat kryesore. Këto të dhëna ai i plotëson me Marin Barletin dhe biografë të tjerë të Skënderbeut, gjithsesi duke qenë i kujdesshëm, që të ruajë autenticitetin e burimeve për aq sa është e mundur një gjë e tillë në një tekst letrar. Në mënyrë mjeshtrore, Skacinski, i është shmangur mistifikimit të figurës së Skenderbeut, si dhe përpjekjeve tendencioze të historianëve të ndryshëm, të cilët origjinën e Skenderbeut e vinin në dyshim, duke i rritur apo zvogëluar meritat e tij, në luftën e pandërprerë kundër pushtuesve Osmanë.

Ndërtimi i veprës

Veprimi bazë i dramës bazohet në disa nga momentet kyçe të jetë së Skenderbeut, të cilat kanë mbështetje të plotë nga burimet dokumentare dhe tekstet e botuara. Në tetë fletët e para të dorëshkrimit Sakcinski, ka shënuar: të dhëna biografike për jetën e Skenderbeut, disa të dhëna themelore për personazhet kryesore dhe burimet e shfrytëzuara, duke na paraqitur edhe një koncept të shkurtër, për gjithë atë që planifikonte të shkruante. I tërë subjekti i dramës ndahet në tre periudha:
- në vendimin e Skënderbeut për tu kthyer në Shqipëri dhe përgatitjet në këtë drejtim,
- në kohën e kthimit të Skënderbeut në Shqipëri, dhe
- në njërën nga betejat e tij më të famshme, rrethimin e parë të Krujës.
Është e sigurtë, se autori nuk kishte për qëllim, të shkruante një dramë të aksionit, por një dramë psikologjike, duke u përpjekur të futet, sa më thellë në vetëdijen e Skënderbeut, shqiptarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët ishin nga shumë vende të ndryshme të Evropës. Të dhënat biografike kalohen me shpejtësi, sepse autori kryesisht ndalet në dy momente të rëndësishme: marrjen e vendimit dhe përpilimin e planit për t’u kthyer në Shqipëri. Lidhur ngushtë me të, edhe përgatitjet për shpalljen e një kryengritje të përgjithshme popullore për mbrojtje nga Perandoria Osmane. Rasti i parë i volitshëm ishte beteja në mes ushtrisë hungareze e drejtuar nga Gjon Huniadi dhe ushtrisë turke, zhvilluar në Nish, në nëntor të vitit 1443.
Në vazhdim përshkruhet kthimi i Skënderbeut në Krujë dhe inkuadrimi i tij në jetën e përditshme, të një prijësi shqiptarë. Pjesët e tjera të jetës së Skënderbeut, zhvillohen në retrospektivë: qoftë përmes kujtimeve të Vranjaninit para Skënderbeut, të vezirëve dhe pashallarëve në pallatin perandorak të Sulltanit ose përmes bisedës së heronjve të tjerë, pas përfundimit të betejave; ose në prag të betejave të reja.
Gjykuar sipas planit, në fillim të dorëshkrimt, mund të themi se autori nuk ka planifikuar të paraqesë, jetën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në tërsi, por duke shfrytëzuar teknika të ndryshme përshkrimore, të domosdoshme për veprat letrare, ta përpunojë vetëm një pjesë të kësaj periudhe historike, e cila do të përfshinte përafërsisht kohën e kthimit të Skënderbeut në atdhe, e deri në rrethimin e parë të Krujës. Metaforikisht kjo periudhë historike do të shpjegohej me lindjen e konfliktit dramatik dhe me përfundimin fatlum të tij, gjë që është edhe ideja kryesore e Skacinskit!
Të dhënat burimore të shfrytëzura nga Marnaviqi, Kashiqi dhe Hameri i takojnë vetëm kësaj periudhe të jetës së Skënderbeut dhe mungojnë ato të viteve të mëvonshme të jetës së tij. Ky fakt na bën të gjykojmë, se ai ka planifikuar, që dramën e tij, për Skënderbeun, ta përfundojë me martesën e heroit, respektivisht me lindjen e djalit të Skëderbeut, Gjonit dhe me tradhtinë e Hamza Kastriotit, që në një farë mënyre do të spjegohej karakteri i fortë dhe i vendosur i Skenderbeut, përball atij të dobët të Hamzait, edhe pse gjenealogjikisht lidhjet e gjakut, të dy i kanë të përbashkëta, pra këtu do kishim elementet psikologjike dhe faktorin njeri, si dominues në përcaktimin e fatit për të ardhmen e atdheut.
Duhet thënë se ky dorëshkrim mban në vetvete disa momente të rëndësishme. Shkruhet nga penda e njohur e një historiani të shquar, i cili zbërthen anën faktografike në një tregim tërheqës dhe mjaft të lehtë për lexim. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe shumë melodike. Por më e rëndësishmja është se autori ka ruajtur paanshmërinë, duke qenë i kujdesshëm që personazhet kryesore të na i paraqesë, në dritë pozitive, por asnjëher më shumë se sa e meritojnë.


(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora