E shtune, 20.04.2024, 08:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Kur Nora e Kelmendit vjen me magjinë e “Miss Bjeshkës”

E diele, 26.08.2007, 07:45 PM


Shekuj të shkuar, në datimin 1639, ardhur në një variant të vetëm e të pandryshuar, historia identifikon krahinën e Kelmendit edhe me gjestin fisnik të një vajze, e mirënjohur si "Nora e Kelmendit". Në kohët kur kombi shqiptar përpëlitej për të mbijetuar, vajza bëhet pjesë e zgjidhjes duke u vetësakrifikuar. I premton martesë kreut të ushtrisë turke, të quajtur Vuçi Pasha, dhe në rastin më të parë e vret, duke i prerë njëkohësisht krahët edhe furisë së pushtimit të huaj.
Nuk dihet nëse festa e "Logut të Bjeshkëve" e organizuar që nga kohët që nuk mbahen mend, të dielën që bie në mes të muajit gusht të çdo viti, ka pasur lidhje edhe me Norën e Kelmendit. Por ardhur në vitet e fundit, me organizimin e "Miss Bjeshkës", zgjedhjes së vajzës më të hijshme të kësaj krahine, Nora e Kelmendit duket e pranishme në pamjen e secilës vajzë që sfilon për publikun e zgjedhur, mbërritur në qafën e Perdelecit për të qenë pjesë e festës. Sepse, qoftë veshja me xhubletat karakteristike, qoftë krehja e flokëve e pamja e vajzave, kanë mbetur të pandryshuara nga vitet apo koha.

Pelegrinazhi
E diela e 12 gushtit të këtij viti, i gjeti banorët e Kelmendit të veshur si për ditën më të shënuar të jetës. Burrat me këmishë të bardha dëborë e me kollare dhe gratë me veshje nga ato që sheh përditë bashkëmoshataret e tyre në qendër të Tiranës. Prapa nuk mbeten asnjë grimë vajzat e djemtë e rinj. Një fenomen që mund të habisë shumëkënd që bën llogari se bëhet fjalë për krahinën mbase më të thellë të vendit, vendosur në pikën më veriore të hartës dhe as më pak e as më shumë, por fiks 100 kilometra larg nga qyteti i Shkodrës. Të gjithë mblidhen mbi qafën e Perdelecit, një nocion gjeografik mes Vermoshit dhe Selcës, por fare pranë Lepushës, në një pllajë që duket e formuar me qëllim nga natyra në formën e një amfiteatri. Gazetarët, gjysma e të cilëve duket që janë të huaj, nuk lënë rast pa fokusuar kryesisht pamjet e shtatë vajzave pjesëmarrëse në konkursin e bukurisë. Veshjet e tyre si dhe trukimi i flokëve e fytyrës janë vërtet mbresëlënëse. Dhe të mendosh që figura e përftuar ruhet me xhelozi prej shekujsh. Edhe xhubletat karakteristike, teknika e manifakturimit të të cilave mbase nuk është ruajtur, ka të ngjarë që të jenë ruajtur e veshur që nga nëna deri te bija.

Festa
Festa e organizuar nga krerët e pushtetit lokal, nis me vendosjen e flamurit në pllajën përballë nga disa të rinj. Më tej valle e këngë karakteristike të zonës, tingujt e sharkisë, instrumentit karakteristik dhe birra apo pije joalkoolike për të gjithë të pranishmit. Atmosfera elektrizohet nga sfilata e parë e vajzave që bëhet mbi kuaj. Një pamje që duket dikur ka pasur edhe nusja e kësaj krahine në ditën që martohej, e nisur për te shtëpia e bashkëshortit mbi një kalë. Sfilata e dytë është me fytyrën të zbuluar dhe për herë të parë spektatorët nisin të bëjnë përzgjedhjet duke u përpjekur të gjejnë më simpatiken, pra fituesen. Pandehmat janë të shumta. Duket për malësorët, përzgjedhja nuk ka të bëjë vetëm me simpatinë e fytyrës së vajzës, por me gjithë totalin e saj, ku përfshihet veshja, mënyra se si ecën, si vallëzon, mbase edhe gjatësia etj. E me sa duket, këtë radhë të gjitha këto do t'i plotësonte numri 5, Erjona Volaj nga Tamara, e cila u zgjodh fituese me votat e një jurie, ku bënin pjesë që nga drejtues të pushtetit lokal, artistë dhe të ftuar nderi. Rreth orës 16:00, gjithçka ka përfunduar nëse nuk do të llogariten gazetarë e kameramanë, që iu janë ngjitur shtatë bukurosheve për intervista e filmime ekskluzive. Shtatë Norat e Kelmendit përgjigjen pa u ndrojtur dhe krejtësisht të qeta, ca vlera të ngjashme dhe të pandryshuara që duket lidhin fort të vjetrën me të tashmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora