E premte, 29.03.2024, 07:41 AM (GMT)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Nga vëllimi më i ri poetik "Nën qerpikun tënd"

E diele, 21.06.2009, 11:39 AM


Sabit Rrustemi

MË ZGJOI PËRMES AROMËS

PAMJE DITE

E përcolla kah ti
Një pamje të kësaj dite
Me diell e luleborë
Me lule pemësh
Që lahen e shkunden nëpër erë

Në këtë mrekulli stine
Më behet se të shoh
Në çdo lule
Pemë
E flatër zogu

Aq shumë je hyllur
Këtyre imazheve
Sa fare nuk më veren mua
As buzëeturat që kërkojnë një krua

(10 prill 2009)

NJË DITË

Do ta shijoj atë frut luleje
Deri në palcë
Do ta shtrydhë
E thithë

Prej kënaqësisë
Pika pika
Do pikosh në mua
me atë zë magjik
Të dua

(10 Prill 2009)

SHPRUSHE BARIN

Sa herë e pastroj barin
Nga guralecët
Ai shtrihet përtokë
E nuk drejtohet
Pa vesë e mëngjesi
A rigë shiu

Pataj zë e shëron plagët
Të gërvishurat e rrëmetës
A fshesës

Pip e bën shtatin
E zgjatet
Shtyhet me malin

A e fsheh zogun
A gjarpërin
A e ushqen syrin
Thneglën

Kur zë e thahet majash
Vjen kosa
E prenë deri në rrënjë

Se kah mbijnë guralecët
Tehu i kosës grimcohet
Për mëkatin e radhës
Nuk e këndellë griha
Çekani e ha nën të rrahura
Për ato fije bari të shtrira

Shprushe barin
E dashura ime
Shprushe

Përherë tek rrënjët e tij
Gjenë një guralec
Sa për ta hedhur si shenjë
Kah dritarja

(14 Prill 2009)

KËTË FAT MA FALI JETA

Këtë fat ma fali Jeta
Të të ndjej
E të të ringjallë
Në secilin çast
Duke ngrënë atë largësi
Të afërt
Aty ku nuk të arrijë
Ku nuk të prekë
Rrënjëve të shpirtit

Sa herë ky puls zemre
Trupin tënd gjelbrak
E njomë
E shprushë
Për të mbirë si lule
Duarve të mia

Të marrë erë
Aty skaj porte
Në lule jorgovani
Para shtëpie
Në lulenuseje
Tek rogë e goclave
Në luleakulli

Po nuk besove
Pyete Çepurin
Vëre veshin
Në thellësinë e tij prej guri

Nuk flet
As vendi lëviz

Vetëm shtrydhet
Oh sa shtrydhet
Në krejt atë thellësi
Për një pikë uji
Deri tek buzët e mia
E në rrënjët tua prej luleje

(17 Maj 2009)

LULJA NË DRITARE

Kah shkoj më shfaqet
Askund vetëm s' më le

Jashtë e brenda
Krijon mënyrat
Çelë shtigjet
E përbirohet
Eterit të padukshëm
Në timen dritare

Përtej një pamjeje
Dhomave të shpirtit
Më falë aromë jete

E shijoj
Ashtu siç shijohet një lule
E ruaj
Ashtu siç ruhet po ajo lule
E dua
Më shumë se sa duhet një lule

Nuk e pagëzova kot
Lule shpirti

(22 Maj 2009)

LULJA E DHOMËS III

As bie as zgjohem
Pa këtë Lule
Marr imazhin e saj
Kur nisem
Qetësinë e blertë
Kur kthehem

Heshturazi
Pa zë
Bashkëndiejmë
Jetojmë
Deri në sosje

Kohën e shtjerrim
Dhimbjen
E pritjen
Me lëng gjuhe
E shpirti
Deri në pafundësi

(28 Maj 2009)

PËRMES AROMËS

Ajo qëmoti ka mbirë në mua
shtat ka leshuar
dhe unë
oh unë
i mjegulluar sysh
nga ëndrra të përnatshme
çuditërisht nuk e kisha vërejtur
derisa nuk më zgjoi përmes aromës

(28 Maj 2009)

SYMBYLLAS E GJEJ

Dritarja virtuale
Për mungesën tënde
Humb ngjyrën jeshile

Një pritje e hirtë
E mbulon shenjën time
Kthinave të shpirtit
Përderisa nuk shfaqet

Hap dritaren e dhomës
E i mbush sytë
Me blerim Çepuri

Aty diku
Nëpër të blertat gjethe
Të natyrshmet lule
Thithë erë e më pret
Ajo lulehënë

Dal prej dhomës
Përtej dritares
Shtigjeve të shpirtit
Kapem brinjëve të kësaj kodre

Të dashuren time
Symbyllas e kërkoj
Symbyllas e gjej
Brenda qenies sime

(31 Maj 2009)


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora