Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Irini Qirjako

| E premte, 02.12.2005, 11:32 PM |


Irini Qirjako - Mjeshtre e madhe

Irini Qirjako
“Mjeshtre e madhe”. Ky është titulli më i lartë i firmosur në prill të këtij viti nga presidenti Alfred Mosiu për këngëtaren e madhe, Irini Qirjako. Për gati 26-vjet ka prezantuar këngën popullore shqiptare pothuajse në të gjitha skenat e shteteve të botës. Është shpallur edhe “Qytetare Nderi e Sarandës” nga Bashkia e këtij qyteti. Para dy javësh, gjatë një konkursi në internet, organizuar nga Fondacioni “Folk Univers”, me votat e shumta që mori u fut në listën e 10-këngëtarëve më të mirë të muzikës popullore për vitin 2005. Ka publikuar 3 albume, ku dy të publikuar në Francë dhe në Amerikë, janë vlerësuar me notën maksimale nga gazeta “New York Times”.Revista më e madhe londineze që merret me kritikën e artit, për zërin e këngëtares shqiptare shkruan:“Irini Qirjako është një këngëtare e jashtëzakonshme ku zëri i saj del nga thellësia e nëntokës”. Dy albumet e publikuar në Francë titullohen “Grupi Polifonik Tirana”, ndërsa albumi i tretë i publikuar para një muaji është “Sorkë moj”.
Jeni nga Finiqi i Sarandës, por në repertorin tënd krahas polifonisë labe ka këngë nga të gjitha trevat shqiptare, sidomos nga treva veriore?
Më pëlqen shumë muzika popullore shqiptare e të gjitha trevave. Në albumin e fundit kam një këngë nga Veriu, siç e vura edhe në albumin e parë. Janë disa këngë dibrane që mua më shkojnë për shtat. Madje, një ditë një simpatizant më thotë: “Irini, shumë bukur kishte dalë albumi, por nuk e di pse në albumin tuaj këndon dhe një këngëtare nga Veriu”. Ai nuk e dinte që ajo që e këndonte isha unë, kur i tregova nuk i besohej. Megjithatë, nuk pretendoj se përfaqësoj denjësisht Veriun. Është e pamundur, pasi jam më dinjitoze në këngën e Jugut. Unë i bie dhe çiftelisë, ma ka mësuar Artisti i Merituar, Xhemal Laçi, kur ishte në ansambël. Kam kënduar këngë shkodrane, dibrane, tiranse, kalabreze. Kjo më ka lumturuar shumë, sepse e kam ndjerë veten shumë të mbushur shpirtërisht, moralisht dhe emocionalisht.

Artin e keni të trashëguar?
Prindërit e mi kanë një zë të mrekullueshëm. Sidomos babai. Kam tre motra dhe tre vëllezër. Njëra motër ka mbaruar për klarinetë, por jeton në Greqi, ndërsa vëllai është mekanik, vetëm unë u bëra artiste. Kënga tek unë ishte një pasion dhe një talent i brendshëm që më tërhiqte. Kam kënduar që 5-vjeç, fillimisht këngë polifonike, pasi kështu donin prindërit e mi.

Kur e keni zhvilluar turneun tuaj të parë jashtë?
Në vitin 1979, në Turqi. Mora pjesë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ku dhamë disa koncerte në shumë qytete të Turqisë, Izmir, Stamboll, Ankara, etj.

Çfarë të është ngulitur në kujtesë nga turneu juaj i parë?
Kujtoj që Turqia ishte në shtetrrethim. Në çdo rrugë kishte policë dhe ushtarë. Një natë, në sallën ku ne dhamë koncert hyri policia dhe arrestoi shumë njerëz, jo për ne, por për punët e tyre.

Sa kohë keni me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore?
Kam 26 vjet. Kam filluar në vitin 1979, me këngën “Këngët e atdheut tim, janë ilaç, janë shërim” të shkruar nga i madhi Lefter Çipa, ai është një penë e artë dhe një thesar i madh për këngët popullore.

Familja juaj është familje artistësh?
Bashkëshorti im Maksi ka mbaruar Akademinë Ushtarake, ndërsa vajza ime e vetme Riviola, është në vit të tretë të Fakultetit të Mjekësisë, por të dy janë shumë të apasionuar pas muzikës. Të dy më ndjekin rregullisht në aktivitetet që kam, madje janë dhe kritikët e mi, sidomos vajza. Ajo e ka shumë pasion artin, ndaj në një baladë të klipit tim të dytë është fytyra e bukur e saj që e ndjen aq shumë këngën time. Unë kam 25 vjet martesë.

Duke parë se kënga popullore shqiptare ka humbur interesin e njerëzve çfarë po bën për rigjallërimin e saj?
Muzika popullore nuk ka humbur, por meqë Shqipëria ishte e izoluar, hapja e dyrve bëri që njerëzit të vrapojnë drejt gjërave të panjohura, jo vetëm në muzikë, por dhe në fusha të tjera. Tashmë njerëzit janë ndërgjegjësuar se muzika popullore shqiptare është shumë e bukur dhe i janë kthyer asaj, pasi vetëm kështu nuk humbet kënga popullore shqiptare. Jo, më kot kënga polifonike tashmë është vënë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Një nismë e mirë në këtë drejtim ishte edhe Festivali i këngëtarve të rinj të muzikës popullore që organizoi para dy vjetësh “Folk Univers”, por për arësye finaciare është ndërprerë ky festival. Isha në jurinë e këtij festivali dhe interesimi i të rinjve ishte shumë i madh. Nëse do të vazhdoj ky festival do të evdientohen shumë talente të muzikës popullore, siç bëhet me “Ethet e së Premtes”, ku Anjeza Shahini që doli nga ky konkurs përfaqësoi denjësisht për herë të parë muzikën e lehtë shqiptare në një Festival Evropian.

Para dy javësh nga votat e shumta që morët në internet u futët në listën e 10 këngëtarëve më të mirë të muzikës popullore për vitin 2005”,gjatë një konkursi të organizuar nga “Folk Univers”?
Edhe ky është një vlerësim dhe një privilegj i jashtëzakonshëm për mua, sepse në konkurrim merrnin pjesë interpretuesit më me zë të muzikës popullore të të gjitha trevave shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Ky vlerësim ka ardhur dhe nga albumi im i tretë që nxorra para një muaji, pikërisht në kohën që po bëhej votimi në internet. Në album, ka këngë shumë të bukura të kompozuara dhe të orkestruara nga mjeshtri i madh Edmond Xhulali. Kënga “Sorkë moj” që përbën titullin e albumit është bërë klip me aktorët Behar Mera dhe Rita Lati. Dalja e albumit tim në kohën kur votoheshin këngëtarët, ndoshta ka ndikuar tek publiku që votën në internet të ma japin mua. Me 8 dhjetor do të organizohet një koncert i madh në Pallatin e Kongreseve, që do të jetë në kujdesin e Folk Univers dhe të presidentit të saj Flamur Mehmeti. Aty do të prezantohen 10 këngëtarët fitues, por do të ketë edhe këngë të kënduara prej tyre dhe shumë supriza shumë të këndshme për spektatorin. Por, mendoj se ne nuk jemi dhjetëshja e këngëtarëve më të mirë të muzikës popullore. Ka dhe këngëtarë të tjerë të shkëlqyer, si Valbona Mema, Eli Fara, Fatmira Breçani, Gëzim Nika, Liri Rasha dhe shumë të tjerë.

Gazeta Sot