E shtune, 20.04.2024, 08:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Koha e rinisë

E shtune, 20.06.2009, 10:15 AM


Nga ditari i Luan Çipit

KOHA  E  RINISË

Nxënës në Teknikumin Financiar

Më 16 tetor 1949 nisem për Tiranë. Më kishte dalë e drejta e vazhdimit të shkollës së mesme, në atë që quhej “Teknikumi Financiar” Tiranë.  Viti i ri mësimor kish nisur më 1 shtator dhe unë vazhdoja, normalisht, Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, kurrë më njoftuan se, nga kontingjenti rezervë, kisha përfituar dhe unë bursë shteti dhe do shkoja, pas kësaj, të banoja në një konvikt, në kryeqytet. Babai im, me mëshumë njohuri për shkollat dhe me përvojë, u entusiasmua më shumë nga të gjithë. Kjo ishte e vetmja shkollë e mesme me profil ekonomik dhe me mësuesit e sprovuar të ish Tregtares së Vlorës, me emër për kohën. Politeknikumit “7 nëntor”, Teknikumit Bujqësor (ish Shkolla e Dakes), Teknikumi Financiar dhe Teknikumit Mjekësor ishin shkolla të rëndësishme, të profilizuara, për të nxjerrë kuadrot e para, të domosdoshme për drejtimin e ekonomisë së shtetit të ri në zhvillim.

              Teknikumi Financiar “11 janar”, e mori këtë emër për nder të ditës së shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai u vendos në rrugën e Durrësit, për karshi centralit të vjetër elektrik, në ambientet ku sot është Gjimnazi “Qemal Stafa”

             Tirana e atyre viteve ende nuk e kishte marrë veten dhe kudo gjendeshin gjurmë lufte. Ndihej pak gjallëri dhe rallë shihje të lëvizte ndonjë makinë apo të jepej ndonjë aktivitet artistik, përjashtuar spektaklet e një kinemaje dhe të një teatri. Në kinemanë “17 nëntori” shfaqeshin filma italianë, trofe lufte, pa përkthim dhe në teatër rallë jepeshin premiera. I vetmi  vend që gjallëronte, ditë e natë ishte  Pazari i Madh, i “Vjetër”, siç quhej.  Atje shiteshin e bliheshin lloj, lloj mallrash e rraqesh dhe kishte dyqane artizanësh dhe restorante me gjellë të shijshme, të gatuara me mish të sapo therur, në një degë peme, po aty, shoqëruar me bukë gruri.

               Kur shkuam ne, shkolla, kishte disa vjet që funksiononte, duke vazhduar me kontingjentet e ish Shkollës Tregtare të Vlorës, të mbyllur, gjatë kohës së luftës. Gjetëm atje disa vlonjatë të njohur si Mynyr Maskën, Thoma Çomorën, Mellani Qirkon, Zare Demirin, Pano Varfin, Shyqri Rokon. Ata na pritën me ngrohtësi. Ne ishim shtatë vlonjatë, që i nisëm, bashkërisht mësimet si konviktorë: unë, Parashqevi Bitri, Harilla Papajorgji, Laver Muçohasani, Xhevdet Xhuveli, Skënder Dano e Serie Tushi.

               Konvikti me shkollën ishin në të njëjtin kompleks ndërtesash dhe në sistem të përbashkët organizimi. Drejtor i shkollës ishte Shukri Bulica, një ish partizan nga Kuksi, njeri me autoritet dhe aftësi organizimi, që më vonë u bë Zëvendës Ministër i Financave. Ai kish mbledhur rreth vetes mësues të aftë dhe me përvoje pedagogjike, profesionale e shkencore. Unë, si i zgjedhur nga shokët e mi bashkënxënës, merrja pjesë në Këshillin Pedagogjik dhe drejtori ynë më dukej një burrë shumë i zoti, që drejtonte me kompetencë, diktonte urdhra, merrte vendime të drejta dhe jepte zgjidhje të mençura, pasi dëgjonte me kujdes e vëmendje kolegët dhe mendimin tonë. Ai u jepte kompetenca dhe bashkëpunonte më së miri me nëndrejtorët e moshuar dhe shumë të aftë Malo Frashëri dhe Laze Ajazi, ekonomistë me përvojë dhe aftësi, me mësuesit e kontabilitetit Xhemil  Çela dhe Lefter Kriqi, kontabilistë shkencëtarë dhe më të shquarit në mbarë vendin, me mësuesit e financës, kreditit, statistikës Niazi Boçari, Kadri Zoga, Petraq Nase, Galip Juka, Iljaz Fishta, kuadro me kulturë dhe aftësi profesionale të spikatur, me mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë, poetë dhe shkrimtarë të shquar Nonda Bulka e Gjergj Zhej, me mësuesin e pasionuar të gjeografisë, Vexhi Demiraj, me mësuesit e matematikës Gaqo Theoari dhe Ilia Guma, me kimistin Rrok Zojsi e deri mësuesit e gjuhës së huaj Rahime Dervishi e Nikitinin rus, që pretendonte se do ankohej deri  te lideri numër një, të cilit i jepte, personalisht, mësimin e gjuhës ruse.

                  Konvikti, nën vartësi të drejtorit të shkollës, kishte administratën e vet që drejtohej direkt nga drejtori i posaçëm, nga mësuesi rigoroz, i kudondodhur dhe i pa lodhur Foto Gjika nga fshati Qeparoi i Vlorës. Ai ishte, njëkohësisht anëtar i Këshillit Pedagogjik të Shkollës. Si personel  i konviktit ishin  kujdestarët  Selaudin Peçi, i moshuar, mjaftë skrupuloz e serioz dhe  Drita Çela, një vajzë e re, gjithnjë e dashur dhe e qeshur, të kundërt në karakter, por që plotësonin njeri tjetrin. Personeli më i dashur për ne ishte ai i kuzhinës. Kryeguzhinjeri, Ganiu, ishte i moshuar, po i kish lezet dora, aqsa kur ne e përgëzonim për shijen e veçantë që i jepte gatimit, që nga supat e deri te imam bajallditë, tava e kosit, tava tiranse e deri te gjellët me zarzavate, orizi, fasulet, brumërat e ëmbëlsirat, ai thosh se mirë më vjen, por nuk më bëjnë shumë përshtypje urimet tuaja, se unë i kam pritur ato shpesh nga mbreti Zog, ku kam shërbyer, disa vjet. Kuzhina dhe buka e grurit ishte vërtet e rëndësishme për ne që shihnim në shtëpitë tona dhe gjetiu mungesa e racionim ushqimesh dhe ku hanim me kufizim dhe vetëm bukë misri. Edhe fjetja ishte e rahatëshme, në krevata tip marinar me çarçafë gjithnjë të pastër. Megjithë këtë, ne që mësonim, merreshim me veprimtari jashtëshkollore, kërcenim, këndonim e loznim, gjithë ditën në atë moshë të re vitale, ishim të pa ngopur. Hera, herës,”stefanrit” siç na e vunë nofkën “qotinjtë”, unë, Dhimua, Fotua, Ramiu, Kuqua “sulmonim” tinës kuzhinën dhe hanim ç’të gjenim deri, duke fshirë  për fundi kazanët, ku gjithnjë diçka ngelej.

               Gjatë jetës në Konvikt, por dhe në Shkollë unë isha, më së shumti, me Harilla Papajorgjin dhe një vit me vonë, kur erdhi edhe Niko Gjyzari, të tre formonim një shoqëri të pa ndarë. Shokë të tjerë të të njëjtit vit ishin Parashqevi Bitri, Laver Muçohasani, Stavri Qirjako, Muzafer Ahmati, Agim Leksi, Emin Idrizi, Irfan Hado, Shkelqim Ceka, Jolanda Moisiu, Semiha Qylafku,  Petrit Karapici, Eduard Babani, Bardhyl Pelinku, Suzana Sulkuqi, Albert Pasho, Esat Bashari, Hatixhe Xhaja, Foto Zhupa, Dhimo Beleri, Rahmi Shehu, Jeta Gjogu, Muhamet Quku, Sotiraq Shuka, Andon Çomo, Anton Shoshi, Emin Sejko, Kristo Ciroka, Efigjeni Liço, Kleopatra Polloshi, Valentina Tole, Kristofor Dilo, Niko Simaku, Idriz Mitaj, Suzana Zelka, Meliha Sheme, Hiqmete Tafani, Naime Shahu, Grigor Mima, Esat Cakrani, Serie Tushe, Skënder Dano, Zare Demiraj, etj.

              Mësimet në Shkollë jepeshin me seriozitetin maksimal. Ne, ende nuk kishim tekste të plota dhe të mirëfillta mësimore, por mësuesit tanë, të kujdesshëm, i paraqesnin njohuritë në lëndët profesionale pa u nxituar dhe na krijonin mundësi të mbanim shënime. Ata përgatiteshin me durim, më së miri, mbi bazën e literaturës së shumtë që dispononin si dhe duke shfrytëzuar esencën e leksioneve te mara në Universitetet nga sapo ishin kthyer, kryesisht nga ato të Moskës, apo Leningradit. Aq të plota ishin njohuritë profesionale që morëm në këtë Shkollë të Mesme, sa, në Shkollën e Lart, të ndjekur më pas, këto lëndë, na u dukën fare të njohura, një përsëritje, në një formë të re.

                Shumë e gjerë dhe e shumëllojtë ishte dhe veprimtaria jashtëshkollore, ku merrnin pjesë veç konviktorëve dhe të jashtmit, shumica Tiranas safi. Ne formuam ekip përfaqësues në futboll, volejboll e basketboll, në atletikë dhe në shah, ku mateshim me shkollat e tjera të Kryeqytetit. Në kor, teatër dhe balet grupet artistike të shkollës, gjithashtu, ishin të dalluara, merrnin pjesë me sukses ne olimpiadat e organizuara, çdo vit, duke dhënë shfaqje si brenda dhe jashtë Tirane, disa herë dhe në sallën e Teatrit Popullor. Drejtues artistik dhe regjisor vinin herë pas here artistë të shquar të Ansamblit të Ushtrisë dhe Teatrit Popullor si koristi Tare Devolliti, regjisori Andon Pano dhe artistja e popullit Melpomeni Çobani. Unë isha solist dhe pak kohë drejtues i korit dhe luaja në teatër, bashkë me Jovan Gulinën, Hyrie Korbin dhe Kristo Shkurtin.

            Përvoja e Shtëpisë së Pionierit në Vlorë më shërbeu dhe këtu. Një rol të rëndësishëm  për grumbullimin e të rinjëve, në orët e pushimit jashtë orarit të detyruar të studimit në Konvikt, luante “Ora Gazmore”, që organizohej çdo javë e drejtuar nga unë dhe shoku im i dashur dhe i pa ndarë Niko Gjyzari, që na shoqëronte me fizarmonikën e tij kromatike me pulla, ndërsa unë  me mandolinën klasike “Gibson” Ky emision, që jepej me mikrofon dhe altoparlant, në “Qendrën e Zërit”, çelej me okelion: “Ora gazmore, sahati gazit, Arqile Pantazi, ja filloi avazit.” Arqilea ishte një nxënës i klasës poshtë meje, konviktor nga Korça, i papërmbajtur  e rëmujxhi, që s’linte dy gurrë bashkë, i prirur për prapësi, por dhe i shoqërueshëm, shakaxhi e në humor të përhershëm. Në këtë emision, (shumë dorëshkrime i ruaj ende) ne fshikullonim të meta e dobësi dhe evidentonim gafat e qyfyret e ndodhura gjatë jetës së përditshme në shkollë e në konvikt.

             Gjatë pushimeve verore ne vazhdonim të kontribuonim për detyrat e shkollës dhe të organizatës së rinisë. Një vit shkuam me brigadë kulturore, nën drejtimin e vlonjatit Shyqri Roko, që ish një vit para nesh, në fshatrat e rrethit të Tiranës në Petrelë e Kllojkë. Të binte në sy prapambetja e madhe dhe padituria, thuajse masive. Ishte muaji i Ramazanit dhe katundarët tiranas, duke qënë shumë besimtarë, gjithë kohës e kalonin me rritet fetare dhe faleshin në xhami. Ata vazhdonin të hanin të ulur, këmbëkryq, rreth sofrës së ulët, në poçe qeramike të përbashkëta dhe me dorë, edhe pse, në raftet dhe sergjenet e tyre mund të shihje, aty këtu edhe pjata e servise ngrënie. Në vitet e tjera shkuam vullnetarë të rinisë për ndërtimin e Kombinatit të Tekstilit në Yzberish, si dhe në Sektorin e Fraveshit, në ndërtimin e“Rrugës se Dritës” Milot-Burrel. Ne, gëzonim,  nxiteshim dhe punonim, akoma më shumë, se na stimulonin me akordim shenjash, me lecka të qëndisura me fije ari, “S”, sulmues. Në ndërtimin e Kombinatit na dhanë dhe “Medalje Pune”, me certifikatë të firmosur prej Dr.Omer Nishanit, Presidendit të Kuvendit Popullor. Ishin këto forma stimuluese, të zgjuara, të cilat nga ana tjetër, mernin dhe karakter politik, pse shtonim afrimin dhe përkushtimin për punë, devotshmëri dhe besnikëri ndaj organizatorëve dhe ideatorëve partiak.

Edhe Shkollën e Mesme e përfundova, siç e nisa dhe e vazhdova, gjatë gjithë viteve, vetëm me notat pesa, që ishin maksimale. Ky ishte një kriter i shpallur, që duhet të stimulohej, duke na akorduar “Medalje Ari”. Këtë kusht e plotsuam vetëm unë dhe sarandjoti Esat Bashari, por jo, kjo nuk u realizua faktikisht, me pretekstin se ende nuk ishin derdhur objektet e nderimit. Morëm vetëm dëshmi të shkruar në letër, firmosur nga Ministri i Arsimit. Sidoqoftë, për ndarjen e diplomave u bë një ceremoni solemne, ku erdhi vetë Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu, i cili, duket i interesuar nga mbiemri, pasi më pyeti për emrin e babait, dhe tha se ishte një mik, i njohur i tij nga Gjirokastra, më përqafoj  përzemërsisht dhe më uroi suksese e lumturi. Ata, sic më tha më vonë babai im, ishin te dy muhibë bektashinjë.

                Ishte fundi i viti 1952. Pikërisht, në këtë kohë u çel Instituti i Lart Ekonomik. Unë, megjithëse bëra kërkesë, dhe rregullisht duhet të pranohesha ndër të parët, u refuzova.

                  Duket se më i nevojshëm ishte emërimi si asistent profesor i financës, po aty, në shkollën time.

Mësues në Teknikumin Financiar

Emërimi im u bë në korrik 1952 nga Ministri i Financave, Abdyl Këllezi dhe vendi i punë ishte “asistent profesor” Ishte një detyrë me mjaftë përgjegjësi dhe jashtë normalitetit. Unë e prita i gëzuar, se sigurohej një vend pune me perspektivë dhe në kryeqytet, por ndjeja mos besim e pasiguri. Një punë e madhe përgatitore më priste. Fillova të studioja në kurset ku na përfshinë, pranë Shkollës Pedagogjike Tiranë, pedagogji dhe psikologji dhe dhashë provimet përkatëse, gjatë sezonit veror. Mu desh të përsërisja gjithë lëndën, sipas programit mësimor, për Financat dhe Kreditin në B.S., si dhe fillova të shfletojë  e të studiojë, me vështirësi, literaturë në gjuhën ruse për këtë lëndë, që e sigurova me dashamirësi nga vlonjatët e mirë, që kishin mbaruar studimet në Rusi, Kadri Zoga dhe Dervish Gjiriti, duke u konsultuar për çdo gjë me ta.

                 Në gjirin e Këshillit Pedagogjik, ku më parë debutoja, si përfaqësues i zgjedhur i nxënësve, në pozicionin e ri të mësuesit, u prita me mjaftë ngrohtësi. Kolegët e rinj më deshën shumë, duket se shihnin te unë një të ri të pa djallëzuar, të çiltër, gazmor dhe enthusiast; të gatshëm në çdo lloj pune, pa qibër, punëtor e këmbëngulës, drejtime këto që mi kish kultivuar, kryesisht babaj im, si me edukatën dhe shembullin e tij e deri me përvojën shumë vjeçare të një emigranti praktik amerikan. Më së shumti më afronin zëvendës drejtorët Malo Frashëri, nga frashërllijtë e Përmetit, kontabilist e patriot militant, ish anëtar i Komitetit Ekzekutiv të dal nga Kongresi i Përmetit, si dhe vlonjati Laze Ajazi ish bankier i vjetër  dhe studiues i thelluar i financimit të ekonomisë popullore, “babai i financimit të ekonomisë”, siç e quanin. Me propozimin dhe garancinë e tyre u zgjodha dhe u caktova në këtë detyrë të pazakontë për mua.

                Gjatë pushimeve verore të shkollës, pasi mbaruam parapërgatitjen e nevojshme, unë dhe Tasho Joanidhi, një burrë i mirë dhe miku im, u caktuam nga ana e Ministrisë së Financave që në “Rrugën e  Dritës”, midis qindra të rinjve vullnetarë, aksionistë të ndërtimit të kësaj rruge, pikërisht në Sektorët e Shkopetit, Fershkopetit, Ulzës dhe Vablinit, të zgjidhnim kandidatët e mundshëm për të plotësuar kontingjentin e nevojshëm për ndjekjen e kurseve  kontabile të Tiranës dhe Shkodrës, të cilët nxirrnin kuadro të ultë llogaritarësh, të domosdoshëm për stabilizimin e dokumentacionit dhe veprimet kontabile në të gjithë sektorët e ekonomisë, që ishte në zhvillim të shpejt.

                Gjatë vitit mësimor 1952-1953 nisa të jap mësim në klasën e dytë të Degës  Financë, lëndën “Financat dhe Krediti” dhe në klasën e tretë të Degës  Financë lëndën “Kontabiliteti për Tatimet dhe Taksat” Shokët e mi të vjetër dhe shumë të dashur Niko Gjyzari dhe Sezai Bazaj, që  u takoj të bëhen, gjoja, nxënësit e mi, më përkrahnin dhe më inkurajonin që unë të bëhesha më i bindur dhe i sigurt në vetvete; shokë të tjerë si Namik Shameti, Neptun Bega, Stavri Orgocka, Trifon Kote, Andrea Nako, Kostaq Postoli, Mariora Filipi, Violeta Gjerazi, Fotaq Polo më rrinin afër dhe më lehtësonin punën, duke i treguar vëmendje dhe përparësi studimit të lëndës sime;  koleget e rinj Foto Sava, Tasho Joanidhi më qëndronin pranë dhe më ndihmonin pa rezerva, ndërsa profesorët e mi të dashur Maloja dhe xha Lazja, më afronin me dashamirësi, si prindër të mirë.

                 Ishte koha kur Teknikumi Financiar u mbart nga rruga e Durrësit në rrugën e Kavajës si shkollë dhe konvikt, duke u vendosur në një territor tjetër të gjerë dhe të përshtatshëm. Po aty, në një dhomë të posaçme të katit të dytë, në kushte të mira, banoja dhe unë, së bashku me Foto Savën, Tasho Joanidhin dhe vlonjatin e mirë, mikun e shtrenjtë Ilia Panozaqi, qe atëherë ishte nëpunës në Ministrinë e Financave.

                   Me kolektivin e mësuesve ne bënim dhe jetë të gjallë jashtë shkollore, me ato mundësi që jepte koha. Këtu përfshiheshin organizimi periodik i pushimeve aktive në ditët e diela dhe të festive te Ura e Brarit, apo buzëdetit në Durrës, mbrëmje vallëzimi, me nxënësit e dalluar dhe shikim kolektiv çfaqiesh teatrale, koncertesh dhe filmash...

Ishte kjo periudhe, pikërisht data 9 prill 1953, kur unë morra lajmin e kobshëm të vdekjes së babait. Xha Lazja, si krahinar dhe burrë zakoni, më thërriti mënjanë dhe me tha :” Duhet ta lësh mësimin për sot dhe të nisesh për Vlorë. Babain e ke shumë të sëmurë. Si do që të ndodhi, mbahu i fort, si lab, që je.” Unë u nisa, pa humbur kohë, por i besoja përkeqësimit të sëmundjes dhe jo fundit. Te shtëpia pash grumbull njerëzish që më pritën dhe më ngushëlluan. Mua, thuajse më rra të fikët dhe ngritur krah e kofshë, më çuan në dhomë ku unë u plandosa mbi trupin pa jete të njeriut më të dashur, të atij, që i munduar gjithë jetën, nuk pa një ditë gëzimi, duke iu dashur të përballonte, padrejtësisht, deri dhunën e egër politike të luftës së ashpër të klasave.

I kthyer, pas dy ditësh në shkollë, kolegët e mi ditën të më rrinin pranë dhe të më ngushëllonin, duke e kapërcyer dhembjen e duke më futur në rrjedhën e jetës e të rutinës së përditshme.


(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora