E enjte, 28.03.2024, 11:58 AM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Vargje kohë e pakohë

E shtune, 20.06.2009, 12:19 PM


Vështrim letrar
          
VARGJE  KOHE E PAKOHE

(Fehime Selimi, “Kohë Shirash”, Sh.B. “Vatra”, Prishtinë, 2007, faqe 70)

Nga Bilall MALIQI

Gjenerata e viteve të shtatëdhjeta ka dhënë emra të shumtë të krijueve të rinj të cilët mendimet, preokupimet, ndjenjat dhe frymëzimet e tyre poetike i paraqitën në mënyrë indirekte duke i mveshur shprehjet poetike me figura letrare e që shpalosnin objektivitetin e ndodhive nëpër kohën kur u ndeshën motivet dhe inspirimet e tyre me realitetin e atëhershëm kohor.
    Kësaj gjenerate të artë i takoi edhe poetesha preshevare Fehime Selimi e cila prej vitit 1980 e tutje u shënua në letrat shqipe si një krijuese e cila do të len gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare.
    Fehimja shkroi kryesisht poezi për të rritur dhe në bagazhin e vet krijues kishte të botuar tri përmbledhje poetike , por te kjo krijuese gjejmë edhe poezi për më të vegjlit. Në saje të ruajtjes së dorëshkrimeve të saj nga miqtë e saj u gjet edhe një përmbledhje me poezi e cila falë redaktorit të librit shkrimtarit Jonuz Fetahaj dhe falë bashkëpunimit të shtëpisë Botuese “Vatra” me Shoqatën e Qytetarëve të Luginës së Preshevës” u botua edhe përmbledhja e katërt e autorës të titulluar “Kohë shirash”, ku këtë botim e ndihmoi z. Sefedin Shabani nga Presheva.

Kohë shirash

Libri i katërt i Fehimës titullohet “Kohë shirash”, e cila u botua pas vdekjes së autores.Brenda kopertinave të librit lexuesi mund të gjejë motive të ndryshme të cilat janë evidente në tërë librin, e që e bëjnë më të qëndrueshëm dhe më tërheqës për lexim . Patriotizmi i shprehur në vargjet e autores  len të kuptohet se kemi të bëjmë me një tematikë e cila don shqyrtim sepse kohëikura la gjurmë të pashlyeshme në hiostorinë tonë.Inspirimet dhe temat e Fehimes të shetisin kështu nëpër kohë duke të futur thellë në gjurmime të historisë së mëhershme, i shkruan gjetjeve arkeologjike Ulpianës, legjendave, Teutës, Rozafës etj., ku për një çast të shpie edhe te Kulla e Rozafës dhe tek legjendat tjera të cilat më pastaj janë shoqëruar edhe me këngë.Pjesë e këtij libri janë edhe poezitë përkushtimore të cilat japin mundësi lexuesit të komunikojnë përmes vargjeve me protagonistin kryesor në poezi…

    Kohë e pa kohë është pjesë e këngëtimit poetik të Fehimes, sepse ajo kohë ishte fatale për popullin tonë, këtë autorja me vargje gjysëmhermetike paraqet hapërimin tonë me barrikada të shumta e të rrezikshme që ia imponoi kohëzeza.Këtë shumë mirë e paraqet përmes vargjeve poetike:

“Dikush prore lidhte hapërimet  tona
Nëpër kohë

Ishte kohë e pakohë”

(Poezia “Kohë e pa kohë” faqe 14).

    Ishte kohë e pakohë  që atëbotë e shoqëroi shoqërinë tonë, mjerisht deri te kohëreja e cila lëshoi pakëz shkëndija shprese për një jetë më të lumtur, sepse atëbotë malet mbusheshin me dasmorë që i këndonin këngë kushtrimit e lirisë, sepse fushat i linin shkret që nga mali t‘i mbrojnë me gjakun e tyre e të mbeten legjendë përjetësie…

“Mes dasmave e vdekjeve
Legjenda shtrinte këmbët
Në histori”.

    Kjo dasëm nëpër malet arbërore u shpagua shumë herë, por kësaj here historia e shqiptarëve u shkrua me shkronja të (q)arta.

Legjendë-temat

    Përveç motivit patriotik dhe vargjeve përkushtimore kushtuar heroines sonë Ganimetes, pastaj Nuses së maleve (Shote Galicës) kushtuar vargje me aqë vlerë dhe precizitet të madh me figurshmëri dhe metaforë të fuqishme, Fehimja shkroi edhe për të kaluarën tonë arkeologjike ku legjendë-temat e preokupuan tej mase dhe shkroi për Kalanë e Rozafës dhe për legjenden e saj, e cila u muros për së gjalli në kala, vetëm e vetëm mos të rrënohet kulla. Me murosjen e Rozafës nuses më të vogël, kalaja shpëtoi.Kjo pra është ajo gjëja më me vlerë te ky libër, sepse autorja legjendën në fjalë e vargëroi dhe i dha jetë sikurse Rozafa që i jepte gji djalit ë saj dhe e përcillte rriten e tij, ashtu edhe autorja ruajti me sukses vlerën e kësaj legjende me anë të vargjeve poetike duke i dhënë kështu një  vlerë të lartë artistike, duke e bërë më joshëse dhe kështu e lidhë poezinë drejtpërdrejt me këtë legjendë-film…
    Të njejtës temë autorja i shkroi edhe në vazhdim duke shkruar për “Këngën e vashës”, ‘Të bukurën e Dheut” me aqë forcë poetike dhe vlerë të lartë, pastaj shkroi edhe për vendet arkeologjike, për “Ulpianën” vargje tërheqëse. Është e vërtetë se:

“Në vetullën e Tanushës prehet harrimi
Arkeologët gërmojnë buzëqeshjet tua
Dhe ëndrrat e mia
Ulpianë “

(Ulpiana I, faqe 22).

    Edhe më tej autorja me sukses vazhdon ta mbajë barazpeshën e vlerave artistike të poezive të saja duke iu servuar kështu lexuesve vargje të paisura me figura latrare dhe me motive gjithëpërfshirëse me një simbolikë të qëlluar deri te poezia e fundit “Homazh për njeriun”, por nuk mundemi t’i anashkalojmë edhe poezitë që e bëjnë këtë libër më të efektshëm si p.sh., “E fundi pa mua”, “Ditët në lojë”, “Mote të ikura”,”Përtej harrimit”, “Lum pagjumësie” etj., të cilat vetëm ia shtojnë peshën e vlerave artistike këtij libri.Prej gjithë kësaj që u tha deri tani, mund lirish të themi se poetesha Fehime Selimi është njëra ndër krijueset më të shquara shqiptare për nga vlerat aristike të shkrimeve të saja…

PËRKUJTIM

    Fehime Selimi, lindi më 1954 në Preshevë. Shkollën fillore dhe të mesmen kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës .
    Ushtroi profesionin e gazetares në të përditshmen “Rilindja”, pastaj  punoi si përkthyese në Kuvendin Krahinor të Kosovës, deri në shembjen e autonomies së Kosovës.
    Me krijimtari letrare u mor që nga vitet e shtatëdhjeta. Kryesisht shkroi poezi për të rritur, por gjejmë edhe poezi për të vegjlit.

Veprat letare:

“Fjala ime ka etje” 1980, Shkup,
“Lule në ethe”, “Rilindja”, Prishtinë 1982,
“Dita e trembëdhjetë”, Prishtinë 1990,
“Kohë shirash”, “Vatra”, Prishtinë, 2007 (botim pas vdekjes së autores).

Fehime Selimi vdiq në vitin 2005, duke iu shkëputur kështu mundësia të jetojë e të shkruaj edhe më tutje dhe t’i kontribuojë letërsisë shqiptare me vepra cilësore.Shpresojmë që Fehimës t’i gjendet edhe ndonjë material në  dorëshkrim e që ta shohin dritën e botimit…


(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora