E enjte, 25.04.2024, 11:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Halili: Intervistë me Albina Idrizin - krijuese letrare

E shtune, 20.06.2009, 12:26 PM


Intervistë  me Albina Idrizin - krijuese letrare

Bisedoi Arsim Halili

Një prezantim për revistën tonë.

- Albina (Avni) Idrizi. Lindur me 6 maj 1966 ne Tërnoc. Pa mbushur akoma dy vite, i thirrur me punë im atë na vendosi gjithë familjen në Gjilan ku edhe sot jetoj me bshkëshortin dhe dy fëmijët e mij. Po këtu  kam mbaruar shkollimin e mesëm ndërsa Fakultetin Filologjik, Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Punoj në shkollën e mesme
“Arbëria” në Gjilan. Gjer tani kam të botuar përmbledhjen me poezi për të rritur “ Heshtja e mbarsur” , përmbledhjen me poezi për fëmijë “Ëndrra me ylberë”, dhe së fundi romanin tim të parë po jo të fundit “Hijet e kullave”.

Albina shkruani edhe poezi edhe prozë,a mund të na thoni ku e gjeni vetën më mirë?

- Mendoj se një shkrimtar gjen veten aty ku arrin të thotë atë që do të thotë pa u imponuar, thjesht si shprehje e lirë e një bote të brendshme që zien për të dalë jashtë qoftë përmes vargjeve në poezi qoftë përmes rreshtave në prozë. Mua më ka ndodhë të ndjehem mirë në të dyja por që t'i  përgjigjem më drejt pyetjes suaj them se proza më gjindet më shpesh afër për t‘u shprehur. Në prozë edhe kam punimin e parë si nxënëse filloreje me revistën “Pionieri”.

   Ju tani keni të botuar dy përmbledhje poetike, çfarë keni trajtuar brenda këtyre dy përmbledhjeve  dhe a mund të na thoni cilat janë ndjenjat tuaja kur krijoni poezi?

- Përmbledhjen e parë “Heshtja e mbarsur”e kam botuar si studente, në botim të Rilindjes atëbotë. Poezitë që kam përfshirë në te janë kryesisht poezi të përmbledhura prej vitesh, mendoj që si nxënëse. Poezi këto më tepër si përfytyrime, përshtypje hulumtuese, do të thoja unë, karshi një bote brenda e jashtë teje të shkruara në një kohë kur sillen aq shumë pyetje pa përgjigje ngado që të shkosh  dhe ti përpiqesh e mendon ti zbulosh pa hyrë akoma mirë në to. Mendoj se, si është pritur nga kritika libri, edhe ia kam arritë qëllimit.
Përmbledhjen për fëmijë “Ëndrra me ylberë” ia kam dedikuar fëmijëve të mij Andit dhe Jonës. Pikërisht ata më ofruan kënaqësinë e një bote të dlirë e të dashur çfarë është vetëm bota e fëmijëve. Do të ishte mëkat i madh po të anashkalojmë këtë botë të ëmbël pa e shijuar kur na jipet rasti, kur na jipet mundësia aq bujarisht nga fëmijët tanë. Jam e bindur se i varfër ngelet ai prind që i mashtruar nga e përditshmja nuk gjen kohë t'i gëzohet momenteve, të pakthyera më kurrë, nga bota e fëmijëve, pa i nënçmuar, pa i gjykuar, thjesht për t'i dashur. Pse jo edhe për t'i lakmuar.

Poezia e juaj është përkthyer  në një antologji poetike në gjuhën rumune,çka do të thotë kjo për poetin dhe në këtë rast personalisht,për ju  si poete ?

-Çka do të thotë? Sigurisht që do të thotë shumë për mua si poete e po aq më shumë për përkthyesin Baki Ymerin këtë rast, i cili merr përsipër një detyrë aq madhore e aq fisnike për të të ofruar si personalitet e si vlerë para një lexuesi tjetër të cilin e bën të kuptojë se poezia, arti në përgjithsi është një e njëjta gjë pavarsisht në çfarë gjuhe shprehet.

 Sapo e keni nxjerr romanin “  Hijet e Kullave”,më sa kam pasur kontakte me krijues është prit mirë ky roman në opinion lexues, por a mund të na jepni një opinion se cilat kanë qenë efektet e punës suaj sistematike në realizmin e këtij projekti madhor?

- Në roman përgjithsisht kam përfshirë përshtypje të përjetimeve të mia gjatë luftës së fundit, ngjarjeve të dëgjuara  e të përfolura, njohtimeve të lexuara nëpër faqe shtypi e internet , që krejt bashkë kompletuan imagjinatën time deri në krijimin e tij. Nuk do te them asgjë të re po qe se them se puna e një romani është një punë e lodhshme  thuaja shterruese që të pushton të tërën pa të lërë vend a hapësirë për askend e për asgjë. Që nga nisma  e tij  e gjer kur del i botuar, te mbërthen  e nuk të lëshon as atëherë kur ti ndjehesh e lodhur dhe don t'i ikësh makar për një çast të vetëm. Ngjarjet që shtjellon, personazhet që krijon të ndjekin pas ngado që të shkosh deshe apo s deshe ti.

Mendimi i juaj  si krijuese, cili është roli i femrës shqiptare  në shoqëri , mendoni se ka ende për të bërë,  për ta vendosur në pozitë të barabartë me gjininë e kundërt?

- Sigurisht që ka akoma shumë për t'u bërë. Duhet të pranohet se jetojmë në një botë maskuliste ku femra shumë pak shikohet si vlerë e gjithherë si kukull. Nuk kam asgjë kundër kritereve për një dukje të bukur në gara misesh apo vende adekuate për t'u dukur, por kur po këto kritere zënë vend para vlerave profesionale edhe në të gjitha lamitë tjera epo kjo është jo vetëm e tepërt po edhe nënçmuese madje fyese. Ti jipet rasti, përkrahja, mbështetja  femrës sonë do të thotë t'i jipet rasti gjeneratave apo më mirë të them mbarë kombit tonë.

Mendimi i juaj, sa po i kushtohet  rëndësi një vepre letrare qoftë nga ana e krijuesve apo edhe nga institucionale për të bërë vërtet një vepër me vlera të larta artistike?

- Sot për sot shumë pak. Mungon dukshëm si  puna e kritikëve në përzgjedhjen e vlerave ashtu edhe mbështetja institucionale në aprovimin dhe kultivimin e këtyre vlerave. Krejt kjo për fat të keq kontribuon drejt largimit të lexuesit pasojat e së cilës  vuajmë bashkarisht.

Cili është bashkëpunimi i juaj me krijues tjerë nga   hapësirat shqiptare në përgjithësi?

- Pas një pauzeje kushtëzuar nga angazhimi rreth fëmijëve iu ktheva krijimit  dhe me këtë edhe miqve krijues. Kam nderin të gëzoj e ti kënaqem bashkëpunimit të miqve të tillë për të cilët shpërblimi i vetëm është vlera e veprës sate. Mendoj se miqtë e tillë e vlejnë të përmenden e të çmohen.

Çka mund të presim nga Albina në një të ardhme të afërt?

- Shpresoj, kënaqësinë e leximit për lexuesin me veprat që do të vijnë.

Opinioni  i juaj për Luginën e Preshevës,me që jeni pjesë këtij trungu?

- Janë njerëzit më puntorë që njoh. Çmoj stoicizmin dhe mbështetjen e njëri tjetrit për çfarë janë shembull.

Mesazhi i juaj për lexuesit e Perspektivës?

- Më mirë një urim të përzemërt nga unë: punë të mbarë edhe më tutje. Puna juaj na afron e na bën njësh me lexuesin pa vija harte a ngjyrë pasaporte.


(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora